Ramizi për pluralizmin. “Na përçahet uniteti”

910
ARKIVA XIV / Nga takimet e Ramiz Alisë me elitën e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
“TAKIMI ME INTELEKTUALËT”
(vijon nga numri i kaluar)
Vijon botimin e pjesës së katërmbëdhjetë të bisedës se Ramiz Alisë me intelektualët, zhvilluar më 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim, që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë pjesë, diskutohet mes Ramiz Alisë, Ismail Kadaresë. 
Luan Omari: “Një sekondë. Kam anën e jashtme, anën e jashtme. Ne e dimë që sot, e thatë ju qartë, që bota nga ne kërkon jo gjëra kozmetike, përmbysjen e pushtetit popullor, është e qartë. Supozojmë që do të venë si kusht këto reforma, qoftë edhe formale, për lejimin e fesë dhe pluralizmin. Këtu është problemi me të cilin ne duhet të ballafaqohemi”.

Ramiz Alia: “Këtu është edhe aftësia jonë. Duhet lufta jonë”.
Luan Omari: “Këtu është”.
Bashkëbisedues: “Me ligj nuk është e ndaluar partia, as sot nuk është ndaluar”.
Ramiz Alia: “Napolon, ta dëgjojmë pak se çfarë do të thotë Ismaili. Do të thuash gjë ti?”
Ismail Kadare: “Lidhur me fenë, mua më duket një problem jo serioz fare. Ka një problem, jo serioz në kuptimin që ne e kemi lejuar zyrtarisht”.
Ramiz Alia: “Unë besoj që Luani nuk shtroi çështjen e fesë, shtroi çështjen e institucioneve fetare”.
Ismail Kadare: “Unë këtë mendim kam, e kam edhe si shkrimtar mbase, që nëse fshati i Dropullit do të bëjë një kishë, ne nuk ia ndalojmë dot. Ne e kemi thënë që nuk do t’ia ndalojmë dot. Do ia ndalojmë apo nuk do ia ndalojmë tani, këtë nuk e di unë”.

Ramiz Alia: (Qesh) “Po mirë, qartë, vazhdo më tej”.
Ismail Kadare: “Lidhur me faktin, para se të vijë kjo, që ka në propagandën tonë dhe në të gjithë çështjen e trajtimit të partisë te ne, ka një, ka disa herë një gjë absurde. Në kuptimin që partia të trajtohet si nocion metafizik…”.
Ramiz Alia: “Është e gabuar. Nuk është e drejtë”.
Ismail Kadare: “Këtu kemi një popull edhe një parti dhe janë veç e veç. Partia i jep popullit dhe populli pret nga partia. Këtu është një gjë që duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë, si fazë e parë dhe që këtu më duket mua nga kemi kaluar. Ne kujtojmë se do të luftojmë idenë e pluripartizmit me intensifikimin e një propagande banale për partinë, që nuk ka asnjë kuptim”.
Ramiz Alia: “Nuk besoj që të jetë intensifikuar propaganda për partinë tani”.
Ismail Kadare: “Qëlloi para një muaji”. 
Ramiz Alia: “Jo”.
Ismail Kadare: “Filluan lajmet. ‘Zemrat tona rrahin’…”.
Ramiz Alia: “Lëre tani, çfarë zemrash. Nuk e besoj, nuk e di. Ndonjë direktivë e pastër, e posaçme për këtë, nuk është dhënë. Për shembull, njoftimet nga Tropoja, ashtu vijnë, në malet e thepisura të Shkëlzenit nga bie… etj., etj. Se kështu janë këto tropojanët një çikë. Saliu nuk dëgjoi shyqyr”. (Qesh)

Ismail Kadare: “Lidhur me këtë pluralizmin që shtruat këtu, unë nuk e kam të qartë nga ana juridike statusin e pluralizmit”.
Ramiz Alia: “Shiko, pluralizëm, status, e di që ç’ke me të ti, ç’do me thënë, s’e ditke ti. Të ma thotë ndonjë njeri tjetër që s’e di mirë, po të ma thuash ti”.
Ismail Kadare: “Ose më mirë. Ç’kuptohet me këtë fjalë te ne?”
Ramiz Alia: “Kuptohet që, përveçse Partisë Punës së Shqipërisë të ketë një parti tjetër, Socialdemokrate, një parti Liberale, një parti të Gjelbër. Këto janë, kjo është një parti tjetër. Problemi është këtu, ngarkesë politike ka edhe ky është i tëri politik. Ja ta përmbledh unë të tërë. Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë pluripartizmin. Si t’i bësh e qysh t’i bësh dredha propagandës jashtë duhet menduar, duhet reflektuar. Për ç’arsye? Çështja nuk është, të kuptohemi se ka disa njerëz që thonë s’është ndonjë gjë, kupton, ku ka parti që mund t’i bëj ballë partisë sonë, kupton. Kështu është, s’ka parti që mund t’i bëj ballë partisë sonë. Por, ajo që po ngul këmbë reaksioni në këtë çështje, ngul këmbë pikërisht, sepse e di që kjo është e çara e parë e madhe në unitetin kombëtar. Unë mendoj që problemi i unitetit kombëtar, sidomos për ne, sidomos për kushtet tona politike në të cilat ndodhemi, është një problem shumë i madh. Por edhe për çështjen e pushtetit. Të jeni të bindur, kupton, që hapja e këtij shtegu është ajo… sulmi i parë ballë për ballë për likuidimin e pushtetit vendor, qoftë ekologjist, qoftë liberal, qoftë çfarëdo. Kupton, bëhet ndaç Liban, ndaç Bullgari, ndaç Hungari bëhet, ndaç Çekosllovaki bëhet, kupton, si të keni qejf mund të bëhen. Pra, unë mendoj që në këtë çështje ne duhet të jemi unanim në luftën dhe përpjekjet tona. Çështja e pluralizmit politik në kuptimin e mendimit, të mendimit, aty, jo vetëm, duhet përpunuar dhe përpunuar mendimi ynë sa më thellë. Madje, edhe ligji i zgjedhjeve, kush e përmendi këtu, kupton që duhet t’i përpunojmë, edhe ai për mendimin tim duhet reflektuar dhe duhet bërë që të shprehë, të pasqyrojë në një farë mënyrë edhe një fare pluralizmi. Domethënë pluralizëm në këtë kuadër të organizimit që kemi ne, kupton, por edhe duke lejuar si te thuash pluralizmin e mendimit individual. Si? Qysh? Tek? S’jam në gjendje t’ju them, sepse është një problem që nuk është diskutuar, nuk është shtruar konkretisht, por që do menduar mirë. Por, sidoqoftë, unë mendoj që ne duhet këtë çështjen e pluripartizmit edhe kjo që është sot është bërë me të vërtetë një… si të thuash një armë sulmi e borgjezisë kundër socializmit, për këtë duhet të jemi të vendosur. Kjo kështu do të ishte shkatërrimi i pushtetit popullor pa pikën e dyshimit. 

Tashti, për sa i përket këtij problemit tjetër, këtij Stalinit, çfarë thatë ju. Unë mendoj që ky është një problem tepër i… ashtu… kompleks më vete, por duhen parë qëndrimet ose më mirë veprimet në këtë drejtim duhet t’i kemi një çikë të matura, sipas mendimit tim. Pse? Nuk po diskutojmë me çështjen si është pozita ideologjike mbi Stalinin etj., etj. Ne që thoshim para disa kohësh, që thoshim për Stalinin, tani kemi dokumente të ndryshme dhe nuk mund që ne të themi se këto dokumente nuk vërtetojnë këtë apo atë tjetrën. Pikëpamja jonë ka qenë ajo, kupton, për atë rol që ka luajtur në luftën patriotike, për atë çka ka bërë për Shqipërinë lidhur me çështjen e Jugosllavisë, etj. Domethënë ky është pak a shumë trungu ku mbahemi”.

Dritëro Agolli: “Në vitet ‘47-’48, sepse përpara nuk ka pas ekzistuar”.
Sigal