Ramiz Alia debate për Marksizëm-Leninizmin dhe Baba Stalinin

896
ARKIVA XIII / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
“TAKIMI ME INTELEKTUALET”
(vijon nga numri i kaluar)
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së trembëdhjetë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualet, zhvilluar me 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë pjesë, diskutohet mes Ramiz Alisë, Ismail Kadaresë. 
Bashkëbisedues: “Kjo tezë, në realizimin konkret të funksionimit të këtyre organizatave, do ta lirojë përfundimisht mendimin e tyre dhe në këtë plan do të realizojë më mirë pluralizmin e mendimeve, por jo pluralizmin ideologjik dhe pluralizmin partiak”.

Ramiz Alia: “Po, qartë”.
Bashkëbisedues: “Shoku Enver më ka thënë edhe një herë në 1972-shin shoku Ramiz, që partia nuk ka të drejta të kufizuara. Në parantezë nuk është shtjelluar asnjëherë te ne…”.
Ramiz Alia: “Kjo çështje që thua ti tani është e lidhur një çikë me rolin e partisë, veçanërisht me pushtetin. Domethënë, çështja e marrëdhënieve të partisë-shtet dhe partive të organizatave të masave, është një problem që do thelluar dhe do shikuar medoemos. Nuk ka dyshim që kërkon përpunim, sot nuk jam në gjendje t’ju them… Ndonjëherë tjetër bëjmë një diskutim mbi këtë çështje”.

Sali Berisha: “Ndoshta edhe ligji që e sanksionon”. 
Ramiz Alia: “Cilin?”
Sali Berisha: “Ligji që sanksionon rolin e vet, ligji që e shpall forcë udhëheqëse, te Kushtetuta e kam fjalën”.
Ramiz Alia: “Po mirë, po the ligji, pavarësisht, aty vijmë…”.
Sali Berisha: “Te Kushtetuta e kam fjalën”.
Ramiz Alia: “E mora vesh unë ku e ke fjalën ti. Por, po the që mohohet roli i udhëheqjes, të kuptohemi, asgjë nuk vendosim ne këtu, por ajo presupozon të kesh parti të tjera. Domethënë, ti je me këtë?”
Sali Berisha: “Më fal, por unë nuk e kuptoj kështu”.
Ramiz Alia: (Qesh) “Ore po ti je edhe malësor, or derëzi, bjeri copë edhe ti tani”.
Sali Berisha: “Unë, në radhë të parë, i përmbahem një shprehjeje: ‘Never say never!’ Kurrë me thënë kurrë, dhe kurrë është tjetërkund. Unë jam i bindur se në stadin aktual ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh, ta zëmë”.
Ramiz Alia: “Jo, por shikoje edhe ti këtë çështjen e përgatitjes… Ore ti, ti je një mjek kirurg, kur fut thikën e di se ç’do të gjesh! Sidoqoftë, nëse do të pranosh një tezë, duhet të shikosh fundin”.
Sali Berisha: “Që të mos jetë e sanksionuar me Kushtetutë. Unë jam i prerë, që të mos jetë e sanksionuar me Kushtetutë. Partia duhet të tregojë veten e vet me gjithë veprimtarinë e saj e të zërë vendin që e meriton dhe jo atë që i jep ligji”.
Ramiz Alia: “Po, mirë. He mo Luan…”.
Luan Omari: “Lidhur me këtë çështje shoku Ramiz, unë do të bashkoja çështjen e fesë. Të dy problemet e mëdha që shtrohen përpara shoqërisë sonë. Stalini është një problem i dorës së dytë apo i dorës së tretë, nuk është i kësaj rëndësie”.
Ramiz Alia: “2 pa 10, ora. Është kjo orë edhe ju më thoni këto probleme që duan dy orë për t’u shpjeguar”.
Luan Omari: “Shkurt, nuk do të zgjatem”.
Ramiz Alia: “Mendova se the që të bëjmë një seancë të dytë, sot?!”
Bashkëbisedues: “Jo, jo”.
Luan Omari: “Këto janë dy çështje kardinale që shtrohen për diskutim, sepse i shtron vetë opinioni publik etj. Unë do të bashkoja çështjen e fesë me pluralizmin. Stalini është një çështje tjetër, nuk është e kësaj rëndësie, për mendimin tim. Unë do të ndaja dy probleme, për anën e brendshme dhe të jashtme. Për anën e brendshme, nuk besoj se ka arsye të thella për të ndryshuar te ne gjërat që janë sot, për të kaluar në pluralizëm partiak ose në lejimin e kulteve fetare. Sepse pavarësisht se mund të diskutohet këtu sa ka qenë apo jo e përshpejtuar masa kundër fesë, ajo masë kaloi për mua pa trauma, nuk pati te ne, në shoqërinë tonë. Ndofta nesër mund të thonë se ndalimi i fesë ka shkaktuar ndonjë gjallërim në jetën fetare, edhe mund të jetë. Pasi çdo gjë e ndaluar shkakton falënderimin. Por, prapë kjo nuk është një problem brenda vendit. Edhe për pluralizmin politik, unë mendoj se nuk nisem nga parimi qe ka thënë Stalini, se partia dhe strukturat e pushtetit nuk e ndan me asnjë parti tjetër. Kjo është një çështje e hedhur nga Stalini, mendoj, në mënyrë shumë përgjithësuese dhe besoj se nuk mund të bëhet norme për çdo popull që nuk është i socializmit. Marksiste-Leninistet thonë se Partia Komuniste është një nga partitë e klasës punëtore, por ndryshe janë këto në kushtet e Shqipërisë. Unë mendoj qe sistemi i një partie i përgjigjet me mirë kushteve të vendit tonë edhe për arsye se te ne partia ka një prestigj shumë të madh, është e lidhur me popullin në mënyrë shumë më të madhe dhe për shkakun tjetër që tek ne nuk ka një traditë politike, shumë partish, nuk ka një pozitë qoftë edhe të shtypur nga ne, sikurse ka qenë në Bullgari, Rumani etj., etj”.

Ramiz Alia: “Po, po”.
Luan Omari: “Pra, për këto arsye, unë them që, duke marrë si bazë kushtet e sotme, pluralizmi i mendimit është i nevojshëm, duhet thelluar…”.
Ramiz Alia: “Doemos”.
Luan Omari: “Kurse për këtë praktike është një gjë që nuk shtohet”.
Ramiz Alia: “Pikë. Hë Ismail? Ke prapë?”
(vijon nesër)
Sigal