Qirjako Kasapi/ Takime brezash i zagoritëve dhe portreti i Sotir Minos

1372
Sigal

Zagoritët e moshës së tretë takohen pothuajse çdo ditë tek Shallvaret në Tiranë, midis bisedave të tyre ndjen më nga afër aromën e vendlindjes së tyre të dashur, Zagorisë. Bisedat e tyre interesante sjellin fare pranë copëza jete nga traditat e zakonet, nga kultura dhe patriotizmi i kësaj krahine me plot burra e gra të nderuara. Kështu për një moment ke dëshirë vetëm të dëgjosh e të mësosh me kureshtje gjithçka që lidhet me të kaluarën e 10 fshatrave që e përbëjnë atë zonë, për ngjarje e emra të fiseve të saj që shtrihen në  kohë dhe situate të ndryshme, brenda zagorisë apo jashtë saj ku zagoritët kanë migruar dhe emigruar për një jetë më të mirë.  Njihesh me veshjen e tyre tradicionale, me këngët e vallet zagorite të lauruara në shumë evenimente të festivaleve folkorike të zhvilluara në Gjirokastër e vende të tjera, me patriotizmin e spikatur të paraardhësve të tyre në kohë dhe vende të ndryshme, sikurse qëndresa antiosmane e tyre për ruajtjen e fesë kristiane të trevës zagorite etj., ngjarje ku  ata kanë lënë emrin e respektuar si trashëgiminë më të vyer për brezat e ardhshëm. Pra këto mund të konsiderohen takime brezash për të transmetuar stafetën nga brezi në brez, dashurinë për vendlindjen, cilësitë e vyera, kontributin e njerëzit që kanë lënë emër të mirë në krahinë e të gjithë vendin.

Në kafen e mëngjesit, mes bashkëbisedimit  të  zagoritëve

Kështu i heshtur duke shijuar kafen e mëngjesit prek më nga afër kronikën  e ngjarjeve të jetuara të paraardhësve  të tyre  në bashkëbisedimet e zagoritëve:  Koço Vllau, Evanthi Koçi (Ristani), Kiço Kapetani, Llazo Londo, Jorgo Qirko,Trifon Çarka, Pelo Hila, Petrit Ristani, Arqile Loli, Stefan Menkshi, Thoma Ballo, Kiço Dado, Milo Kristani, Fone Shofiti, Kiço Mboqe, Qirjako Bita, Kiço Konomi, Ilia Taçi, Kleanthi Zoto, Lluakan Garo, Vasil Fociro, Aleksandra Bita, Kiço Meseli, Sofokli Çapi, Koli Koçollari, Llazo Gjici, Efimi Mila(Garo), Thoma Çarka, Koço Sevo, Stefan Telo, Qirjako Taçi etj. I bashkohen kësaj shoqërie dhe miqtë e tyre: Niko Ligori nga Kolonja, Niko Tyto e Fore Mato nga Malshova- Përmet, Dervish Jazxhi nga Ponçara-Korçë, Arqile Lako nga Përmeti etj. Çdo njeri prej tyre plotëson më së miri njohuritë që lidhen me periudhat e para e pas viteve 1890, të luftës antifashiste Nacional -Çlirimtare, dritë hijet e  sistemit socialist që lanë pas, dhe përshtypjet e sistemit pluralist që po jetojmë. Njihesh me kontributet e figurave zagorite që i përkasin historisë së shkruar në çdo epokë të zhvillimit ekonomiko- shoqëror të vendit. Kështu rrjedhin natyrshëm bisedat për problemet e përditshme me karakter social – ekonomik, politik e shoqëror. Pikëpamjet e ndërsjella midis tyre më parë do përqendrohen tek jetesa e vështirësitë e natyrave të ndryshme që përballen bashkëfshatarët e tyre me banim në Zagorie e sidomos në drejtim të infrastrukturës të zonës së tyre.  (Këto takime mes zagoritëve janë prezente dhe në ambjente  të tjera në Tiranë e qytete të ndryshme  të vendit)

Zagoritët presin që Zagoria të bëhet një zonë turistike me vlerë kombëtare

 

Përfundimi i rrugës së asfaltuar automobilistike me parametra bashkëkohor, në Nëntor 2011 që lidhi Gjirokastrën me Çajupin, është e mirëpritur për zagoritët dhe ka rritur mundësinë që ata të çmallen me vendin e tyre të origjinës. Pas mbledhjes së dt.11.5.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e pikës 27 të saj,  “Mbi planin e Përgjithshëm Vendor për Komunën Zagorie”, kjo rrugë e ka bërë realitet ëndrrën e tyre të vjetër për ta  kthyer Zagorinë në një zonë atraktive turistike  jo vetëm për banorët e saj por dhe gjithë turistët e atij rajoni e më gjerë. Në bashkëbisedimin e tyre zagoritët, ashtu me urtësi e mençuri, falënderojnë bashkëpunimin e pushtetit vendor në Zagorie me qeverinë e djeshme, për rrugën dhe planin rregullues të zonës, e ndërkohë me durim e shpresë kërkojnë e nxisin bashkëpunimin midis komunës e qeverisë aktuale për të gjetur fondet apo për të nxitur investitorët që ky plan të zbatohet. Madje shprehen të gatshëm të kontribuojnë me të gjitha mënyrat që Zagoria e tyre e dashur të kthehet në një zonë turistike, sepse duan që vlerat e saj ti bashkëndajnë me të gjithë shqiptarët, por edhe më gjerë.

Një histori nga zagoriti 83 vjeçar, Sotir Mino

 Mes kësaj atmosfere  miqësore midis zagoritësh të tërheq vëmendjen më i moshuar prej tyre,  ai është z.Sotir Mino. Xha Sotiri tek sa më shikon që i afrohem, më buzëqesh dhe më fton në një bisedë dashamirëse, të cilën mendova ta ndaj me lexuesin e nderuar të kësaj gazete, në shenjë respekti para së gjithash për thinjat e 83 viteve të jetës së tij që po lë pas, mes gëzimeve dhe vështirësive të saj. Ai tregon se ka lindur në fshatin Zhej të Zagories më 17.6. 1931, mes brezit të dashur të grave punëtore e dinjitoze e burrave të saj të mençur, të penës dhe të pushkës, të besës e të kuvendit. Babai i tij  Lipe Aleks Mino nga fshati Zhej, pas emigrimit disa vjeçar në Stamboll të Turqisë, u kthye në vendlindje për të ndërtuar një jetë  më të mirë duke krijuar familjen e tij me vajzën nga Topova, Athina Koçi. Ata sollën në jetë 5 fëmijë: Aspasinë, Melpon, Forin, Aleksin dhe Sotirin, që trashëguan nga të parët e tyre kulturën, patriotizmin e traditat e krahinës së tyre zagorite. Kur ishte vetëm 12 vjeç, ai kontriboi në Luftën N- Çl si korrier i Bataljonit territorial për krahinën e Zagorisë. Pas Çlirimit të vendit së bashku me vëllezërit dhe motrat e tij, ata punuan në çdo sektor të jetës  me pasion e kulturë, ku u shquan për korrektësinë dhe shembullin e tyre pozitiv dhe lanë emrin e mirë për fisin e tyre. Sotiri mori  rrugën e dijes dhe shërbeu aty ku kishte nevojë atdheu. Fillimisht me mbarimin e arsimit bujqësor 1947-1949 në Lushnje, ai punoi si arsimtar në fshatrat Picar e Humelicë të rrethit të Gjirokastrës deri më 1951. Me mbarimin e Shkollës së bashkuar të Oficerëve më 1953, për specialitetin e armëve të rënda e deri sa  doli në pension (me gradën Major), ai shërbeu në organet e repartet e ushtarake në qytetet: Elbasan, Vlorë, Përmet e Tiranë. Gjatë kësaj  periudhe ai u shqua për korrektësi  në përmbushjen e detyrave të ngarkuara. Për këtë arsye më datë 1.7.1965 me dekret nr. 4026 Pres. Kuv.Pop. i Rep. Pop. të Shqipërisë e Dekoroi atë me Medaljen e “SHËërbimit ushtarak”. Sotiri krijoi familjen e tij me vajzën Lunxhjote nga fshati Humelicë, Varvara Rrapi, e cila u dallua në jetë për korrektësinë bashkëshortore në mirë edukimin e 5 fëmijve të tyre: Kristaqit, Donikës, Natashës, Rajmondës dhe Arianit. Ajo punoi me pasjon në profesjonin e robaqepses, ku u shqua për respektin e fituar në ambjentin shoqëror. Ishte një grua fisnike dhe e  organizuar në punë, jetë e në familje, shton me respekt xha Sotiri. Me këto përshtypje u nda ajo nga kjo jetë në vitin 2006 duke lënë pas kujtimet më të mira dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm për fëmijët dhe bashkëshortin e saj Sotir Mino.  Por vdekja  më 2011, në moshë 46 vjeçare e djalit të tij Arjanit, ( i cili jetonte me të) i shtoi dhe më shumë hidhërimin atij, në këtë moshë të thyer. Prandaj i rrethuar nga 4 fëmijët e tij  dhe 7 nipër e mbesa (Jonin, Tensin, Borën, Arlindin, Sarën, Mateon dhe Jurgenin) ai ndjen nga afër dashurinë e përkujdesjen e vazhdueshme të tyre duke zbutur sadopak dhimbjen e shpirtit  dhe të moshës së tij në vështirësitë e jetës së përditshme. Por përveç familjes biologjike, për të familja e tij e madhe mbetet ajo zagorite. Takimet e vazhdueshme të  tij me zagoritët i japin më shumë kuptim jetës së tij. Është model i bujarisë e mirësisë, i thjeshtë e i dashur. Ai i thotë mendimet troç e pa hezitim, është  nostalgjik i kujtimeve që lidhen me të kaluarën aty në Zagorie, i ndihmuar nga një memorie e saktë për njerëzit dhe ngjarjet e ndodhura në kohë dhe vënde të ndryshme. Mirësia e tij njerëzore buron pikërisht nga geni i tij familjar dhe kjo krahinë e dashur, e njohur për traditat e çmuara patriotike e kulturore. “Lumturohem mes kësaj atmosfere tepër miqësore midis vëllezërve të mi zagorit, thekson xha Sotiri. Këtu gjej ilaçin shpirtëror të vazhdimësisë së kësaj jete të trazuar, vazhdon ai.” Për sa më sipër, i uroj përzemërsisht, këtij zagoriti fisnik dhe nëpërmjet këtij shkrimi modest të gjithë bashkëmoshatarëve të tij, shëndet, mbarësi e jetë të gjatë.  Nderime dhe respekte për kontributin e tyre të admiruar në punë, jetë e familje.