Qeveria e Tiranës harron Esad Toptanin, Vlora kujton Avni Rustemin

1015
Sigal

Si e ekzekutoi në Paris 99 vjet më parë djali i Libohovës dhe heroi i Vlorës, Avni Rustemi tradhëtarin e kombit Esad pashë Toptanin. Si nisi përplasja pas arrestimit nga Esati të djalit të Ismail Qemalit, plani për vrasjen e tradhtarit, komploti i Turqisë dhe zemërimi i Vlonjatëve

Më 13 qershor 1920 vritet me atentat në Paris, Esad Toptani

99 vjet më parë – “aromë” Vlore në Paris!

 

Nga Ergys Alushi

– Atentatori ishte shqiptari Avni Rustemi nga Libohova, por i rritur dhe i frymëzuar në Vlorë për kryerjen e vrasjes.
– Viktima shoqërohej nga nipi i tij Xhemil be

j Vlora, në shtëpinë e të cilit u zhvillua Kuvendi Kombëtar i shpalljes së Pavarësisë 28 Nëntor 1912, ndërkohë që ishte dhe kryetar i bashkisë së Vlorës në ditët e Pavarësisë.
– Në Paris ishte dhe Nuredin bej Vlora, që ishte delegat i shqiptarëve të Amerikës në Konferencën e Paqes. Vlonjati i Vlorajve, që ishte diplomuar në Paris dhe kishte luftuar me armë në dorë kundër grekëve dhe Haxhi Qamilit në vitin e trazuar 1914.
– Në kryeqytetin francez ishte parashikuar të shkonte dhe Ismail bej Vlora, me shpenzimet e partisë së shqiptarëve të Amerikës, por ai do të vdiste në rrethana ende misterioze në një hotel, në Peruxhia të Italisë.
– Enigmë kanë mbetur dhe emrat e dy vlonjatëve që kishin fjetur një natë më parë në atë hotel.
– Ismaili dhe Esadi ishin dy armiq të betuar kundër njëri tjetrit. Herën e fundit të përplasjes midis tyre Esadi kishte urdhëruar arrestimin e kundërshtarit të tij, por urdhri ishte refuzuar nga paria e Vlorës.
– Në Vlorë, lufta për çlirimin e qytetit dhe bashkimin me pjesën tjetër të vendit ishte në kulmin e saj, jehona kishte arritur deri në Paris.
Pas lirimit nga burgu, Avni Rustemi do të pritej si hero në Vlorë dhe në shumë krahina të vendit.

Po cila ishte historia e përplasjes midis dy njerëzve të fuqishëm të kohës, Ismail bej Vlora dhe Esad pashë Toptani?

Çfarë kishte ndodhur midis tyre dhe grupimeve që përfaqësonin?

Kush e nisi i pari përplasjen?

-Kryetari i Qeverisë, Ismail Bej Vlora do të emëronte në postin e ministrit të brendshëm, Esat Pashë Toptanin, me të cilin njihej kohë më parë. Ata të dy, bashkë me Hasan Prishtinën, Syrja Bej Vlorën e të tjerë, më 12 janar 1912, kishin zhvilluar takimin në: “Taksim” të Stambollit

-Plani për ta vrarë Esat Pashën sapo ai të zbriste nga anija, në Skelën e qytetit, nisi të përflitej në qytet dhe fjalët shkuan deri te Ismail Bej Vlora.

“Pas bajramit, ka mbeshtjellur të gjithë ministrat duke pritur shokun e ‘tyne, ministrin e të brendmeve që t’ i shtudiojnë e t’ u japin çashtjeve me interes të math. Por, në vent të Z. ministër erth një telegram nga Durës..”

-… “Aty, dërguesi thotë se Ti, kryetar i Qeverisë, sepse telegrama asht e drejtuar te Zoteria e ‘Tij- u a more nga dora fuqinë e ministrave. Bane një nom administrimi, e këshillove:…”

-Miting në Vlorë kundër Esad Pashë Toiptanit

-Për largimin nga qeveria të Esat Pashë Toptanit, nuk do të rrinte pa reaguar as kryetari i qeverisë së Vlorës, Ismail Bej Vlora

-Në qytetin e Durrësit, Esad Pashë Toptani do të formojë një qeveri të re, në përbërje të së cilës do të ishin emra si Faik Konica, Dervish Hima, Fazil Pasha e të tjerë.

-Fuqitë e Mëdha i kishin marrë masat që bisedimet midis të dyve të zhvilloheshin në bordin e një luftëanije në detin e Vlorës.

-Esad Pashë Toptani me cilësinë e kryeministrit të Durrësit, urdhëron çarmatosjen e oficerëve holandezë dhe burgosjen e Ed’hem Bej Vlorës, djalit të Ismail Bej Vlorës.

Plani për ta vrarë Esadin që në 1913!

Vlonjatët kishin dashur ta vrisnin Esad pashë Toptanin qysh në vitin 1913 kur ai erdhi në Vlorë, i ftuar nga Ismail bej Vlora për të qenë ministër në qeverinë e tij.

Emërimi i pashait të Toptanëve në qeverinë e Ismail bej Vlorës, nuk u prit mirë nga disa rrethe patriotësh në Vlorë, të cilët mendonin se Esat pashë Toptani, kur ishte larguar nga Shkodra e kishte kryer akt tradhtar në marrëveshje për t’ua dorëzuar qytetin, malazezëve. Dorëzimi kishte ndodhur në një kohë kur malazezët po tërhiqeshin dhe forcat ndërkombëtare po i vinin në ndihmë Shkodrës së rrethuar.
Plani për ta vrarë Esat Pashën sapo ai të zbriste nga anija, në Skelën e qytetit, nisi të përflitej në qytet dhe fjalët shkuan deri te Ismail Bej Vlora. Ky i fundit nuk pranoi që të kryhej një akt i tillë që, sipas tij, do të ishte pabesi, dhe turpi do t’i mbetej atij, qeverisë dhe Vlorës, pasi qëllimi ishte për t’i bashkuar shqiptarët për çështjen kombëtare e të mos derdhej më gjak me njëri tjetrin. Kështu që Esat Pashë Toptani, pasi mori garancitë për jetën e tij, zbriti nga anija dhe filloi punë si Ministër i Brendshëm, por pa e ndaluar veprimtarinë e tij kundër qeverisë së Ismail Bej Vlorës. Madje ai paraqiti dhe një program të ri të hartuar nga Faik Konica në mbështetje të ndryshimit të raportit të forcave në qeveri dhe në administratë.
(Raporti nr.121 i Pollanc drejtuar Berhtoldit Durrës Tiranë 12.8.1913.

 

Largimi nga Qeveria i Esad Pashë Toptanit

Kur mori postin e Ministrit të Brendshëm, Esati ndërmori një udhëtim jashtë Shqipërisë dhe kur u kthye prej andej, nuk u kthye më në Vlorë, por qëndroi në Durrës, duke vazhduar të kryente detyrën e Ministrit në kundërshtim me vijën e përgjithshme të deriatëhershme të qeverisë provizore. Me vendosjen në Durrës, Esat Pashë Toptani do të krijonte qeverinë e Shqipërisë së Mesme, duke dalë kështu hapur kundër qeverisë së Ismail Bej Vlorës.
Ja si tregohet në gazetën “Përlindja e Shqipnisë” largimi i Esad Pashës nga qeveria e Vlorës: …”Si i vuni ne rregull gjithe punët n’ ato vise armike të qetesiës e të rregullës, Z. minister i të brendmeve u-kthye në Vlonë, ndenj dy javë dhe, me të afrar bajrami, u-nis sërish për Tiranë. S’ ka dyshim, një ministër cilit i pëlqen rregulla aq shumë sa Z.iës së ‘tij, nuk munt të rinte i qetë në çiflik të vet t’i festojë të kremtet; po, pa reshtur ministri inspektonte mënyrën e administrimit të Durrësit, Tiranës, Kavajës e Krujës.
Pas bajramit, ka mbeshtjellur te gjithe ministrat duke pritur shokun e ‘tyne, ministrin e te brendmeve që t’ i shtudiojnë e t’ u japin çashtjeve me interes të math. Por, në vent të Z. ministër erth një telegrame nga Durësi, ku gjendeshe Z.e tij. Telegramë e çuditurë si breshri prej qellit të thjelltë a si gjyleja në mes të dasnës i çuditi, i habiti e i mahniti të gjithë ata q’e kënduan. ..”

Zemërimi i Vlorës për largimin e Esad Pashë Toptanit

 

Largimi nga qeveria e Vlorës e Esad Pashë Toptanit dhe formimi i një qeverie të re në Durrës, shkaktoi zemërim në Vlorë, por edhe disa qytete të tjera të vendit. Kundërshtarët e tij në disa raste fajësonin edhe Ismail Bej Vlorën, që sipas tyre ishte treguar i dobët kur kishte afruar në qeveri, njeriun që një shumicë e shqiptarëve e konsideronin tradhtar, duke e dorëzuar Shkodrën te malazezët. Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”në numrin e saj të datës 20 shtator na informon për mitingun e zhvilluar në Vlorë, të premten 19 shtator 1913.
Në ora 10 u mbajt një miting i madh, i organizuar prej një komiteti. Qëllimi i mitingut ishte të protestonte kundër klikës së Tiranës, e cila ka paturpësinë të sjellë trubullime sot kur Shqipëria ndodhet në kaqe reziqe. …”. Fjalimin e parë e mbajti kryekatundari i bashkisë Ibrahim Abdullah, i cili ndër të tjera tha se “ca re të zeza janë ngritur në Durrës e në Tiranë nga ca njerës të liq për të trubulluar qetësinë e Shqipërisë. Këta njerës kërkojnë që të bëhet kryeqytet Durësi, të ndrohet kabineti duke formuar një të ri Esat Pasha dhe të kërkojnë Princin që të vinjë një or’ e më parë…”. Pas Kryekatundarit e mori fjalën Mihal Grameno, i cili ndër të tjera tha se “këjo klikë punon nën urdhrin të dhespotit Durrësit, i cili është një grek dhe vetëm të mirën e Shqipërisë nuku do…”. Në fjalën e tij ndër të tjera, Jani Minga do të thoshte “Popull: tynë që të kanë lënë të verbër, tynë që të kanë rjepur, tynë që të kanë lënë të varfë, xgohu. Xgojohu popull nga gjumi se ata njerës të liq kërkojnë e paskëtaj të të shesin lëkurën në treg…”. Në fund e mori fjalën Mustafa Ilmi, i cili tha në mesin e fjalës se “Nuku jam anëtar i Qeverisë sotme, mundet jam dhe kundra, po jo sot kur Shqipëria është në rrezik dhe gjysma e shkelur, po kur të vinjë dita e bukur që të regullohet Shqipëria atëhere mund të kërkojmë të ndruarut të kabinetit…” Populli në shesh thërriste “Rroftë Qeveria!” “Poshtë tradhtarët!”. Duke kënduar “Flamurit pranë bashkuar” u përndahnë me qetësi.”

Reagimi i Ismail Bej Vlorës për largimin e Esat Pashës nga Qeveria

 

Për largimin nga qeveria të Esat Pashë Toptanit, nuk do të rrinte pa reaguar as kryetari i qeverisë së Vlorës, Ismail Bej Vlora. Edhe pse nuk pati një deklaratë zyrtare nga ana e tij për këtë veprim, reagimi i parë i kryetarit të qeverisë mësohet nga një telegram që Ismail Bej Vlora i dërgon klubit “Lidhja Shqiptare në Shkodër” në përgjigje të një telegram që klubi i kishte dërguar për t’u informuar në lidhje me lëvizjet e Esat Pashë Toptanit. Telegrami është botuar në “Përlindja e Shqipëniës”-E mërkurë 24 shtator 1913, me titullin “Shkodra dhë lëvizja e Essad Pashës”. Sapo u përhap fjala për punën e Esad Pashës, nga gjithë viset e Shqipëriës së lirë veç Durrësit, Kavajës e Tiranës, e pyetën telegrafisht qeverriën duke kërkuar kthjellime.

E para telegram asht ajo e klubit “Lidhja kombëtare në Shkodër”: Z.Kryetar i Qeverriës i dërgoi kryetarit të kllubit telegramën e gjatë që po botojmë ma poshtë: Të nerçmit Kryetar të klubit “lidhja Kombëtare në Shkodër” Për fat të keq sa do herë që Shqipënia ndodhet në rrezik Esad Pasha del në shesh e nxjer nga nonjë ngatërim. Ashtu kur Evropa po mirrej me cashtjen e Shkodrës e ashtu edhe sot që Komisia Europiane po nisë punën e kufinjve të Jugës, Esad Pasha po nxjer prapë trazime të rezikshëm në ditën e stoshme pse në kërkimet e tija të paarësyëshme e të pa themel u ndihmon kundrështimëvet t’armiqvet t’anë që e duan Shqipniën të ndame e të copëtuëme. Ndër të tjera Esad Pasha kërkon të ndrohet kabineti dhe qeveria të dërgohet në Durrës, punë të dyja të dëmshme në ditën e sotshme e të paaarësyëshme pse nuk mund të kuptohet si një ministër pa dhënë akoma dorëheqjen mundet me bamun kërkime të këtilla…”

“Një plag’e tretë nga dor” e Esad Pashës në trup të Shqipëniës”


( Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e mërkurë 15 tetor 1913, nënshkruar në fund të shkrimit me “A.”)

Gjithë Shqipëria ka marrë vesh gjer sot q’Esad Pasha, i cili pas të dhanit të Shkodrës në dorë t’anmikut, me ndihmën morale të Serbiës e të Malit Zi edhe me fuqiën e ushtëriës turke, kumandën e së cilës e kish marë pas një ngiarjes tragiike, kërkoi të prishnjë vendimet që kish bërë e tanë Evropa për të mirën e Shqipëriës edhe, duke marrë në dorë fatin e ‘saj, desh t’i lidhnjë Shqiptarët nën zgjedhën e armiqve.
I pa ngjinjur me të gjitha këto vepra të këqia Esad Pasha, në ditët e fundit, themeloi në Durrës një pleqësië nën kryesiën e tij. ‘Qeverri e Shqipëriës’, e cila për një shkak patriotik fort të lartë, desh t’i dëftejë Evropës se gjith Shqipëtarët, të mëdhenj e të vegjël, janë të lidhur për shpëtimin e liriën e atdheut, i mbylli sytë dhe e mbuloi ligësiën e ‘tij duke i dhanë ministërin e punëve të brendme. Zgjyra e fytyrës së ‘tij, me këtë emënim u-la për pak kohë, po, zemra i mbet, si giithmonë, e zezë
Si ministër, u-ngrit e vate në Tiranë dhe, si ma e keqeja vegël e anmiqve, dolli në shesh për të kërkuar prej kabinetit, anëtar i të cilit ishte, gjëra që as anmiqët nuk do të kuxonin t’i kërkojnë. Ma tepër se një muaj, duke vënë në dorë qeveriën e sanxhakut të Durrësit, lojti një komedhië, e cila nuk ka shëmbëll n’historiën të popujve.
Qeverria e duroi, jo nga frika, po nga turpi edhe nga dëshira që komedhia e ‘tij, të mos kthenet në një tragiedië gjakëtore në mes të vëllezërve. Gjak nuk u d
erth, po, helmi i mendimeve të ‘tij, i hidhënoi të gjithe atdhetaret dhe i gëzoi të gjithe anmiqt.
Nuk mbesoheshe kurrë se një njeri si Esad Pasha, sado i lik që të jetë, më një kohë si e sotmja, do të defteheshe ndihmëtar’ i dëshirave t’anmiqve.
Cili Shqipëtar, pra, pa zemër dhe i lik, do t’i ba- het shok ati njeriu që punon me kaq paturpësië pass interesit e anmiqve te kombit t’onë? S’ka dyshim askush! Askush sepse populli shqipëtar, i cili shumë herë e ka provuar hollësiën e ‘tij në të kupëtuar ç’punë asht për të mirën e ‘tij dhe ç’punë asht për humbjen e ‘tii, edhe këtë radhë e ka për të pikasur qëllimin e fshehtë e punëve t’Esad Pashës, qëllim i cili,duket faqas se asht kundër morallës, kundër atdhesiës, kundër Shqipëriës. Sa për Qeverriën e Pertashme, ajo, si giithmonë, edhe këtë radhë e ka për të bërë detyrën e ‘saj në një mënyre e cila do t’i kënaqnjë të gjithë Shqipëtarët q’ë duan të mirën e atdheut.” 

Dështimi i pajtimit Vlora – Toptani

 

Nëpërmjet “pajtimit”, shtete brenda KNK si Austro-Hungaria dhe Italia synonin bashkimin e Vlorës me Durrësin, për qëllim të interesave të tyre për portet shqiptare. Delegati francez dhe anglez në KNK ishin kundër propozimit për pajtim duke kërkuar vendosjen e kontrollit suprem të KNK duke thënë se “KNK nuk duhet të ngatërrohet në këtë luftë personash”. Delegati francez, Krajewski propozoi këtë proçedurë; Ismail Bej Vlora dhe Esat Pashë Toptani të jepnin dorëheqjen dhe pas kësaj të emërohej, i pari guvernator i krahinës së Vlorës dhe i dyti, guvernator i Durrësit. Të zgjidhej dhe një guvernator për Shkodrën e të tre të vendoseshin nën kontrollin e KNK (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit).
Pasi KKN mori pushtetin e Qeverisë së Vlorës, të 6 anëtarët e saj ndanë detyrat vepruese. Administrata e përgjithshme u drejtua nga Petroviç (Austro – Hungari) dhe Nadolny (Gjermani), Drejtësia nga Leon (Itali) e Petrojeff (Rusi), Financa nga Krajewski (Francë) dhe Lamb (Britani e Madhe). Nën këtë nivel ushtronte pushtetin administrata shqiptare e përbërë nga drejtorët: Fejzi Alizoti – i Punëve të Brendshme, Petro Poga – i Drejtësisë, Gjergj Çako – i Financës, Luigj Gurakuqi – i Arsimit, Lef Nosi –i Postë Telegrafëve.
Komisioni Ndërkombëtar i Kontrolli ishte pushtet ekzekutiv i dërguar nga Fuqitë e Mëdha, formimi i të cilit ishte vendosur në Konferencën e Ambasadorëve, më 29 korrik 1913, duke pasur qëllim kryesor organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja do të merrej me kontrollimin e administratës civile, të financave si dhe me hartimin e një projekti të hollësishëm për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, duke pasur një mandat 10-vjeçar KNK-së, i zgjatshëm në rast nevoje. Sipas procesverbalit të mbledhjes, Fuqitë e Mëdha i kishin marrë masat që bisedimet midis të dyve të zhvilloheshin në bordin e një luftëanije në detin e Vlorës. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, por edhe dy shqiptarët kundërshtarë, i trembeshin një atentati të mundshëm ndaj Esat Pashës, ndaj të cilit vlonjatët ishin organizuar për ta kryer një atentat, kur ai erdhi në Vlorë për të marrë postin e Ministrit të Brendshëm. Por ky takim nuk u realizua asnjëherë dhe ngjarjet përshpejtuan e rrodhën ashtu si i njeh historia.

Esat Pasha burgos djalin e Ismail Bej Vlorës dhe çarmatos oficerët holandezë

 

Esad Pashë Toptani me cilësinë e kryeministrit të Durrësit, urdhëron çarmatosjen e oficerëve holandezë dhe burgosjen e Ed’hem Bej Vlorës.
Kolonel Deveer dhe majori Thomson prej disa ditësh kishin ndërmarrë një udhëtim në disa qytete të Shqipërisë me qëllimin për t’u njohur nga afër me situatën në lidhje me organizimin e xhandarmërisë shqiptare. Me vete kishin marrë edhe djalin e Ismail Bej Vlorës, Ed’hem Bej Vlora. Me të arritur në Durrës, Esad Pashë Toptani, urdhëroi mbylljen në burg të Ed’hem Bej Vlorës, të cilin nuk e liroi as me kërkesën e oficerëve holandezë, por vetëm ditën e nesërme, kur ishin për t’u kthyer të gjithë bashkë në Vlorë.

Vlonjatët kishin dashur ta vrisnin Esad pashë Toptanin qysh në vitin 1913, kur ai erdhi në Vlorë, i ftuar nga Ismail bej Vlora për të qenë ministër në qeverinë e tij. Emërimi i pashait të Toptanëve në qeverinë e Ismail bej Vlorës, nuk u prit mirë nga disa rrethe patriotësh në Vlorë, të cilët mendonin se Esat Pashë Toptani, kur ishte larguar nga Shkodra, e kishte kryer akt tradhtar në marrëveshje, për t’ua dorëzuar qytetin, malazezëve

Vijon

 

Nesër do të lexoni

-Komploti i Turqisë në Vlorë dhe dorëheqja e detyruar e Ismail Bej Vlorës

-Urdhri i Esad pashë Toptanin për arrestimin e Ismail Bej Vlorës

Si u organizua komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit