Qerime Halil Galica – Shota: Luftëtarja e shquar për lirinë e Kosovës

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

(Në kuadrin e 90 vjetorit të vdekjes)

Oda, vendi ku mori mësim dhe edukim
Në formimin e Shotës ndikoi së tepërmi i ati, Halil Radisheva, që e merrte përherë në oda ku mblidheshin burra. Në Drenicë në atë kohë nuk kishte shkolla, prandaj Shota mësoi në shkollën e jetës, në kuvende dhe në beteja, që në këtë kohë ishin bashkudhëtarë të jetës në Kosovë. Kështu, si në krejt malësitë shqiptare edhe në Drenicë ka ekzistuar oda. Ajo ka zëvendësuar zbrazësinë e mungesës së arsimit. Sipas traditës, oda ishte një farë institucioni tradicional mësimi dhe edukimi, ku derdhej e pafund e urtësisë popullore. Aty, me orë të tëra bëheshin kuvende, me zë të qetë e të matur, aty tregoheshin kujtimet e historisë së lavdishme, aty lëvdoheshin shembujt më të bukur të trimërisë, të nderit dhe të besës, aty shfrynte dufi dhe urrejtja për pushtuesit e veglat e tyre. Duke ndenjur afër të atit vajza përpiqej t’i shëmbëllente më tepër atij. Me kënaqësi e dëgjonte atë, kur tregonte se si gjatë dekadave të shkuara malet, grykat dhe fushat shqiptare ishin bërë shesh betejash të përgjakshme. Dëgjonte më të mëdhenjtë dhe blinte mend prej tyre. Mësoi për luftërat e zhvilluara para dhe gjatë Lidhjes së Prizrenit, në rrethinat e Nishit, Vranjës, Prekuplës, Kuishumlisë, Leskocit, Kumanovës, për betejat legjendare në Lim të Plavës, në grykat e Kaçanikut e Cemalevës, ku burrat e Drenicës kishin lënë nam. Kjo edukatë që mori në fëmijëri la gjurmë në gjithë jetën e saj. Fshati ku lindi Shota quhet Radishevë. Ai ndodhet në skajin veriperëndimor të Drenicës. Radisheva ka historinë e vet. Aty janë zhvilluar shumë luftëra kundër pushtuesve osman, turq, austriakë dhe serbo-malazezë. Vetëm në 10 vjetëve (1909-1919) Radisheva ishte djegur dhe shkatërruar tri herë, një herë nga turqit dhe dy herë nga pushtuesit serbo-malazezë. Që të tria këto djegie i jetoi dhe Shota. Gati gjithë verën e vitit 1909, Shota dhe fëmijët e Radishevës, u endën nëpër ara e kopshtie, që të gjenin ushqime për të ngrenë e jetuar.

Lidhja me Azem Galicën
Maji i vitit 1912 ishte muaji i kryengritjes së përgjithshme shqiptare, e cila, sikundër dihet, pati për djep të saj Kosovën. Flamuri i Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912 valëviti së pari në Drenicë. Atë e ngriti patrioti Hasan Prishtina e, mandej, krisma e pushkëve dhe thirrja “Eja, kush asht trim!”- ushtoi në të katër anët. Kosova, si det me valë, vërshoi mbi sheshin e gjerë të Arbërisë. Nga trupi i saj kryengritës, dolën në fushë mbi gjashtëdhjetë e ca mijë luftëtarë. Këtë ngjarje Azemi e jetoi me pushkë në dorë, ndërsa Shota e ndjeu dhe, me sa mundi, me këngën e saj përcolli e frymëzoi baballarët e vëllezërit e vet. Kudo u dëgjua melodia e këngës “Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit”. Grumbuj luftëtarësh kombëtarë shpejtonin të lidhnin besën me fjalët e këngës “Betimi i Kosovës”: 

Besa-besë nji besë kemi dhomë,
Ty, Shqipni, na të kemi none,
Besa-besë nji fjalë kemi thanë,
Për Shqipni jetën duem me dhanë. 

Shota në këtë kryengritje, babanë dhe vëllezërit i kishte në mal dhe nuk dinte gjë për fatin e Azemit, i cili ishte tretur në burgjet e largëta të Serbisë. Shota gjithmonë e kishte në mendje e në zemër Azemin. Ajo kishte vendosur ta lidhte jetën, vetëm me njërin, duke i falur dashurinë, më trimit e më të fortit, Azem Bejt Galicës. Një mbrëmje pranvere të vitit 1915, Azemi, bashkë me vëllezërit e tij, çau dyert e burgut, preu telat dhe, përmes fishkëllimave të plumbave të rojeve, u arratis. Mbas qindra kilometrash rrugë të vështirë e të gjatë, nëpër vende të panjohura, pa gjumë e pa bukë, mbërriti në Drenicë. Mori pushkën dhe, duke pasur përreth edhe trima të tjerë të Drenicës, menjëherë filloi luftën.

Shota nuse në mal
Në vitin 1915, duke qenë gjithnjë kaçak nëpër Drenicë, Azemi u strehua për disa net në Klinën e Poshtme, te Muharrem Rexha. Atje takoi dhe Shotën me prindërit e saj. Me këta bisedoi vetë rreth martesës. Prindërit e Shotës i treguan Azemit se ata dhe vajza e kishin pritur dhe qenë gati për të bërë martesën sa më shpejt. Ndërkaq Azemi me dy vëllezërit e tij, Seferin e Zenelin, vazhdonte një jetë gjysmë ilegale në Drenicë. Njerëz dhe grupe të shkëputura si “kaçakë” nëpër Drenicë ishin të shumtë. Populli ishte me ta dhe i mbronte, ndërsa forcat e xhandarmërisë rrallë dhe vetëm në formë ekspeditash të mëdha mund të depërtonin nëpër Drenicë. Azemi po martohej duke qenë i arratisur. Për shkak të kësaj gjendjeje dasma u bë disi e veçantë. Midis krushqve përcjellës ishin vetëm i ati i Shotës, vëllezërit dhe burrat më besnikë të Radishevës. Mirëpo Galica veproi sipas mënyrës së vet, si krushq pati jo vetëm burrat e Galicës, por edhe shumë bij të Drenicës, që kishin dalë nëpër male. “Ke marrë nuse të mirë e për hajr të kjoftë, o Azem!” i thanë shokët Azem Galicës. “Po jo nuse për punët e shtëpisë, po nuse për në mal”, u përgjigj Azemi. Galica dhe shokët e luftës e martuan djaloshin me gëzim të plotë dhe, mandej, për inat të armiqve, bënë edhe qitje në shenje. Ndodhi ashtu si këndon poeti:

Dhe Shotën nuse hypë në kalë,
As princeshat e oborreve të mëdha,
Nuk patën kësi darsmorë të egër... 

Nusja e re, premtoi se do të ishte besnike nëpër male, Azemi u shtang e fytyra iu zverdh. Nuk dinte ç’të bënte. “Ndoshta kam me t’u dashtë, due me qenë shok me ty, të luftojmë e të vdesim bashkë, kij besim në mue, Azem!” Këto fjalë i tingëllonin atij në vesh dhe pyeste me vete: “Me marrë nusen me vete nëpër male?!” Kjo nuk ishte e lehtë. Madje as ai dhe gati askush tjetër nuk mund të besonte se nën hijeshinë e nuses së re fshihej trimëria e burrit, e bashkuar kjo me urtësinë plot ndiesi të gruas shqiptare! Që nga ajo ditë, lufta për liri u bë jetë e Shotës. Pa asnjë ngurrim ajo rroku pushkën, e hodhi mbi supet e saj të njoma dhe hyri në vallen e luftës së gjatë, të ashpër e të pamëshirshme. U nda nga ëndrrat e ndjenjat e nusërisë dhe hyri në radhën e nuseve të malit, në radhën e burrave dhe të çetave të lirisë. Duke filluar qysh atë çast e për tërë jetën, ajo pati pranë vetes për shokë të përhershëm pushkën dhe Azemin. Jeta e tyre u shkri në një jetë e luftë të përbashkët, kushtuar lirisë së atdheut. Kur Azemi, Shota dhe Ademi iu ngjitën maleve për të bashkuar rreth vetes bijtë e Drenicës në luftë kundër armikut, nënë Sherifja, me ndihmën e kushëririt të Azemit, Bek Hysenit nga Galica, atë natë mundi të strehohej nëpër katundet e Drenicës. Të nesërmen forcat serbe rrethuan Galicën, dhe, pasi e plaçkitën krejt mallin, dogjën shtëpinë e Azemit.

Kalorëse e stërvitur e luftërave për liri
Në krahinën e Drenicës, e cila ishte ndarë me vijë demarkacioni midis pushtuesve austro-hungarezë dhe bullgarë, vepronin pa pushim luftëtarët trima të Azemit dhe të Shotë Galicës. Lufta e tyre nuk u kufizua në një qëndresë pasive e në një rreth të vogël, por kaloi kufijtë lokalë e u shpreh në shumë përpjekje e sulme mbi postat e territorit të Drenicës, të Mitrovicës e të Vuçiternës. Çetat dhe grupet e Drenicës në zhvillimin e tyre filluan të kishin të qartë konceptin e manovrimit; luftë me lëvizje e me zhvendosje të largëta, kalime herë në zonën austriake, herë në atë bullgare, veprime të çetës herë në grupe, herë të gjithë bashkë, organizim pritash dhe goditje në befasi etj. Vargu i përpjekjeve të Azemit e të Shotës kundër austro-bullgarëve ështe i madh. Në ditët e ftohta e plot borë, aty nga muaji shkurt 1916, duke kaluar nëpër katundin Lush (në afërsi të Mitrovicës) Azemi, bashkë me shokët e tij, ra në përpjekje me forcat armike, por nuk pësoi asnjë dëm. Gjatë vitit 1916 Azemi, me një grup shokësh, në afërsi të Galicës, organizoi një pritë kundër xhandarmërisë armike dhe postkomandantit të saj në Mikushnicë. Në dimrin e viteve 1916-1917, çeta e Azemit, nga ndjekjet e forcave austriake, u shtrëngua të shpërndahej në grupe dhe Azemi, Shota e Ademi, mbas një përpjekjeje me austriakët, kaluan në zonën e pushtuar nga bullgarët dhe u strehuan në katundin Obrij. Shota i kishte rënë kryq e tërthor Mitrovicës pa ia bërë syri e veshi tërr. Qysh se u njohën për drejtues të luftëtarëve të Drenicës, Azemi e Shotë Galica kërkuan që secili luftëtar të ishte i disiplinuar, trim, të sillej mirë me popullin, pa dallim feje dhe kombësie. Me këto ide dhe me luftën guximtare kundër sundimit austriak e bullgar gjatë viteve. 1916-1918, çeta trime e Drenicës dhe emri i Azemit e Shotë Galicës u bënë të njohur dhe të dashur për të gjithë popullin e Kosovës, deri sa Azemi më 17 korrik 1924 vdiq nga plagët e marrë në beteja. Në dimrin e vitit 1926-1927, Shota kërcënohej jo vetëm nga plagët por edhe nga uria. Më 14 dhjetor 1926, në një kërkesë drejtuar organeve të administratës shtetërore të kohës, ndër të tjera ajo u shkruan: “Unë jam e shoqja e Azem Galicës nga Kosova... Gjindem në katundin Shullaz të Krujës. Ndodhem me katër fëmijë e jam tue vdekë nga uria”. Por administrata zogolliane as nuk deshi të dinte nëse jetonte e jo më ta ndihmonte fatosen e luftërave për liri. Madje mbreti donte edhe të hakmerrej. Ai nuk harronte se ajo qe e shoqja e Azem Galicës, i cili, qysh në vitin 1920, bashkë me patriotin Hasan Prishtina, kishte mbrojtur me të gjitha forcat atdheun dhe i ishte kundërvënë Zogut, që ishte vegël e serbomëdhenjve. Shota sa vinte keqësohej. Plagët iu acaruan. Me kujdesin e bashkëluftëtarëve dhe mjekëve patriotë ajo mundi të shtrohej pak ditë në spitalin e Tiranës, që në vitin 1927 ndodhej afër sahatit të kryeqytetit. Në këto kushte ajo u detyrua të largohej e të shkonte në Derven. Këtu kaloi ditët e fundit të jetës. Kështu, një ditë të fundkorrikut të vitit 1927, në moshën 32-vjeçare, e tretur në mjerim, vdiq luftëtarja e shquar për lirinë e Kosovës, Qerime Halil Galica - Shota. Heronjtë gjithçka ia falin atdheut. Ata edhe pas vdekjes duan që trupin e varrin e tyre ta vënë në shërbim të tij. Prandaj, në çastin e fundit të jetës, Shota u la porosi bashkëluftëtarëve që ta varrosin buzë rrugës Shkodër-Tiranë, afër qendrës së Fushë-Krujës. Kështu ajo, siç ka qenë traditë e heronjve të lashtë, donte t’i ngjatjetonte e t’i thoshte çdo kalimtari: “Udhëtar! Mos harro, këtu pushon trimnesha shqiptare që 12 vjet me pushkë në dorë nëpër malet shqiptare luftoi për lirinë e Kosovës”.