PUÇISTËT – GJENERALËT SHESIN KOMANDANTIN

1113
Albert KOTINI

– Vijon nga numri i kaluar –

“Gjeneralët” shesin komandantin: “Beqiri na bënte presion”
Nga procesverbali i mbledhjes së Organizatës Bazë të Partisë të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, viti 1974
Në organizatën bazë të partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë zbardhen për herë të parë komploti mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut më datën 13 – 08 – 1974, ku i deleguar ishte Ramiz Alia. Pastaj vijojnë mbledhjet e datës 12 – 09 – 1974 mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut dhe Hito Çakos dhe mbyllet në datën 12 – 11 -1974 “dënimi i grupit Beqir Balluku, Hito Çako, Perit Dume, Sadik Bekteshi”. Protokolli me nr. 5 i datës 13-8-1974 përmban mbledhjen e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike ku marrin pjesë të gjithë komunistët. Në mbledhje merr pjesë Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH shoku Ramiz Alia. Rendi i ditës së mbledhjes ishte: “Punimi i letrës së Pleniumit të 5-të të KQ të PPSH mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. Në presidium zgjidhen tre veta Ramiz Alia, Dilaver Poçi e Duro Shehu
– Shoku Ramiz: – A i mbani protokollet? Apo nuk e shikoni ju këtë çështje?. Nga Drejtoria Politike është caktuar një shok që të shohë protokollet. 
– Agron Dushku: – Këtë vit i kemi parë. 
– Shoku Ramiz: Drejtoria Politike nuk e ka bërë punën e vet dhe shoku Hito duhej ta dinte këtë. 
– Shoku Hito: – Kur kanë ardhur tek unë, kanë ardhur me ndrojtje. Unë u kam thënë që të shkojnë tek Beqiri. 
– Nane Kutro: – Dhe ne shkuam tek Beqiri.
– Shoku Ramiz: – Vetëm Beqiri ka qenë kështu apo ka pasur dhe të tjerë?
– Nane Kutra: – Ne ia thamë atij këtë në zyrë, por po ashtu e kritikuam edhe në organizatën bazë, por ai u justifikua me atë që ka qenë i sëmurë. Fakti është që ne nuk i kemi qëndruar atij si duhet. Edhe kur vinte në Organizatën Bazë ai e kthente vëmendjen kryesore në çështje që i interesonin atij, deri tek kuzhinieri i SHQUP-it.
– Shoku Ramiz: – Me se është marrë komiteti i partisë dhe çfarë detyrash ka zgjidhur?
– Nane Kutra: – Komiteti i Partisë është marrë me problemet kryesore, si për gatishmërinë luftarake etj.. Kemi marrë në raport Organizatën Bazë të Drejtorisë së Parë, sigurisht pa hyrë në detaje. 
– Shoku Ramiz: – Po për stilin dhe metodën e punës, për problemet e edukimit, të hierarkisë, të kuadrit etj.. Ç’ka bërë Komiteti i Partisë
– Nane Kutra: – Ç’është e vërteta në këtë drejtim kemi mungesa. Ne i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi bërë disa përcaktime. Po t’i shikosh në letër këto duken sikur janë shtruar mirë, por në praktikë ne nuk na vlen shumë për të dëshiruar puna jonë. Në përgjithësi problemet janë analizuar drejt, por përsëri ka vend për t’i shikuar.
– Shoku Ramiz: – Kur flasim për Komitetin e Partisë, përfytyrojmë se është organi më i lartë i partisë e duhet ta ketë autoritetin më të lartë se drejtoritë. A ishte në dijeni Komiteti i Partisë për të tëra problemet në ministrinë e Mbrojtjes Popullore?
– Nane Kutra: – Jo. Për sa i përket materialeve të zeza, unë nuk kam pasur dijeni. Dija vetëm se punohej një material jashtë Shtabit të Përgjithshëm, por se ç’ishin ato materiale, unë nuk e dija.
– Shoku Hito: – Duhet t’i saktësojmë gjërat që të sqarojmë njëri- tjetrin. Të jemi në dijeni të materialeve dhe këto i kundërviheshin tezave të Këshillit të Mbrojtjes. 
– Shoku Nane: – Komiteti i Partisë nuk ka ditur gjë. Unë nuk i kam lexuar materialet. 
– Shoku Hito: – Në mënyrë zyrtare as unë as shoku Petrit e qa më tepër Beqir Balluku, nuk të kemi thirrur. 
– Shoku Nane Kutra: – Komitetit të Partisë nuk i është thënë. Vetëm nga shoku Hito kam marrë vesh, i cili më tha se e hoqëm qafe atë material. 
– Shoku Ramiz: – Pse komiteti i Partisë nuk ka qenë në rolin e tij?Për ty si komunist, cila ka rëndësi më shumë hierarkia apo partia?
– Shoku Nane Kutra: – Për mua ka rëndësi partia mbi të gjitha. Mua më ka munguar konformizmi, të cilin nuk kam qenë në gjendje ta përballoj. 
– Shoku Ramiz: – Ç’influencë ka liberalizmi? 
– Nane Kutra: – Duhet të isha më kërkues, më këmbëngulës. 
– Shoku Ramiz: – Po presione a ke pasur?
– Nane Kutra: – Nga Beqir Balluku kemi pasur presione, kurse shoku Hito na ka ndihmuar shumë dhe ka qenë shumë i preokupuar për punën e Komitetit të Partisë. 
Shoku Ramiz: Megjithatë nuk kemi bërë gjë. 
– Nane Kutra: – Ashtu është, çështjen nuk e kemi çuar deri në fund. Këtu është dhe liberalizmi ynë. 
– Shoku Cito: – Unë të kam thënë që t’ia thuash Zeqir Ballukut dhe ti ia ke thënë, por çështja është që nuk i është raportuar Komitetit Qendror. 
– Nane Kutra: – Tendenca e Zeqir Ballukut ka qenë që Komitetin dhe Organizatën e partisë ta kishte vetë në dorë. Ne i jemi kundërvënë, por dhe jemi thyer. Për klubin Partizani, tregonte shumë kujdes. 
– Shoku Ramiz: – E ndriti dhe atë.
– Nane Kutra: – Ai ngulte këmbë që të hiqej ky apo ai kuadër. Ne i kemi rezistuar, por ai gjente tjetër rrugë, duke i hequr nga organika. Ai s’pushoi së foluri derisa u hoq Dhori Shkodrani. Shoku Cito na thoshte që të qëndrojmë, por ai dilte me shkurtime organike. Dhe kështu u hoq komisari dhe doktori. Doktorin vetë e vuri, vet përsëri e hoqi. Ai ka diktuar që të bëhej mbledhja e organizatës në klubin Partizani për heqjen e trajnerit të dytë. Unë nuk e bëra mbledhjen. Ai më ka kërcënuar dhe unë i kam thënë që nuk e kam bërë unë. Por më në fund mbledhja u bë se trajneri kërkoi vetë të ikte. Se iu krijuan kushte të tilla. Për kalemxhinjtë Organizata vendosi që ata të kthehen në kandidatë partie. Komiteti i partisë nuk e ka shqyrtuar akoma këtë çështje. Cili ka qenë qëndrimi i tyre? Një farë përmirësimi ka bërë Ernesti, i cili pranoi se nuk i lejohej të shkruante kuturu, pa u menduar. Format e edukimit i drejtoi Komiteti i Partisë. Nga pikëpamja e funksionimit ka dobësi, pjesëmarrja nuk është në shkallën e duhur. Më shumë mungojnë kuadrot kryesore si Sulo Kozeli, Andon Sheti, Mendu Backa. Ka dhe të tjerë që mungojnë si në format e edukimit dh enë mbledhjet e partisë. Këtë e justifikojnë se janë me shërbim, por duhet të vijnë në ato që të jenë, se kanë makina. 
– Shoku Ramiz: – Në këtë çështje duhet të vini rregull kategorik. Në mbledhjet e partisë dhe në format e edukimit duhet të vijnë të tërë, duke filluar që nga drejtori politik. Edhe në qoftë se janë me shërbim, duhet të vijnë patjetër.
– Duro Shehu: – Unë nuk kam ditur asgjë për këto materiale. Jam i informuar vetëm pas mbledhjes që u bë në Durrës, duke më thënë diçka shoku Cito. Po ashtu edhe shokët e tjerë të udhëheqjes nuk dinin gjë. 
– Shoku Cito: – Unë propozoj, që të them mendimet e mia, lidhur me këtë problem, dhe gjatë diskutimit do të dalin dhe përgjigjet e pyetjeve.
DISKUTIMET
1-Shoku Cito Çako (me shkrim) (Në kohën kur flet për kuotën në stërvitje, …që merrnin nga ferma etj.)
– Shoku Ramiz pyet: – Kujt ia qatë hallin ju, vetes apo ushtrisë?
– Shoku Cito: – Ia qamë hallin vetes. 
– Shoku Ramiz: – Është legalizuar kjo me urdhër?
– Shoku Cito: – Kjo është shkelje ligjore.
– Shoku Ramiz: – Mbi ç’bazë është bërë kjo? Ka veprime për këtë? Ka urdhër?
– Shoku Cito: – Për shembull, kemi bërë një stërvitje në Korçë. I themi komandantit dhe Komisarit të korpusit që të na sjellin diçka. Ja, në emër të këtyre shkelen ligjet . 
– Shoku Ramiz: – Domethënë Komisari dhe Komandanti i Korpusit bëjnë çfarë të duan. Po në shtëpi të vetë, çojnë mall ata?
– Shoku Cito: – Mbase mund ta bëjnë edhe këtë. Po kështu kur vemi në pushime, për shembull, bëjmë piknike dhe ushqimin na e sigurojnë. Këtu është koncepti :mall belik”. Nuk është puna e Zeqir Ballukut, se ai nuk ka më mundësi të bëjë, por puna është që ne vetë të nxjerrim mësime për të ardhmen. 
– Shoku Ramiz: – Pikërisht këto janë shenjat e degjenerimit. Këto e çuan dhe Zeqir Ballukun deri këtu. Ja, këtu duket puna dhe kontrolli i partisë. Kjo nuk duhet lejuar. 
– Shoku Cito: Unë mendoj që me ushtarët dhe oficerët të punohen disa pjesë nga letra. 
– Shoku Ramiz: Në materialin e Komitetit Qendror, ka dalë se raportet që i dërgoheshin Komitetit Qendror i shihte më parë Beqiri. Pse veprohej kështu
– Shoku Cito: – Unë kështu e kam gjetur. Kur erdha unë, e ndryshova këtë, por Beqiri më kundërshtoi, duke më thënë se duhej t’i shikonte njëherë ai. Unë pranoj se i kam diskutuar problemet dhe me Beqirin dhe me shokun Petrit, Por nuk jam aspak pishman, për arsye se Komitetit Qendror i kam raportuar për çdo gjë, që më është mbushur mendja mua. Për çfarë nuk është dërguar fajet i kam unë. Unë i kam raportuar shokut Hysni e shokut Ramiz dhe kam marrë vazhdimisht udhëzime. Unë kam mendimin që duhet të vijnë më shumë shokë nga Komiteti Qendror për të ndihmuar në punët e partisë në ushtri përfshi dhe instruktorët e KQ-së. Në mbledhjet që bëhen në KQ mendoj se duhet të marrin pjesë drejtues të sektorëve të punës në Drejtori, në ushtri e komitet të Partisë. Po ashtu vetë instruktorët duhet të venë e të forcojnë bashkëpunimin.
– Shoku Ramiz: – Që nga mbledhja e Byrosë Politike dhe e Pleniumit, ka kaluar një muaj e gjysmë dhe ju thellë duhej të keni reflektuar, gjetur thellë shkaqet e të keni mendime se përse nuk erdhët të raportonit më parë në KQ për këto koncepte të Zeqir Ballukut. Si e shpjegoni ju këtë? 
-Shoku Cito: – Unë nuk i kam raportuar KQ-së për arsye se pas atyre koncepteve nuk mendoja kurrë se ishte Zeqir Balluku. Unë mendoja se ato lakra i kishin kalemxhinjtë. Por nga ana tjetër ka influencuar dhe hierarkia ushtarake. Mua më ka munguar vigjilenca. Mua më ka penguar dhe fakti se Beqiri thoshte se udhëheqja ishte në dijeni. Megjithatë unë pranoj se nuk kam qenë në pozita revolucionare. Unë e kuptova se kjo ishte punë armiqësore, vetëm kur dëgjova se udhëheqja nuk ishte në dijeni se çfarë materiali bënte Zeqir Balluku. 
– Paskal Kote: – Del çështja se Zeqir Balluku nuk dihej, po ndaj kalemxhinjve, pse nuk mbajtët qëndrim? Po të ishte mbajtur qëndrim do të zbulohej e vërteta. 
– Shoku Cito: – Ne e vlerësuam se këto koncepte të tyre vinin si rrjedhim i mosnjohjes i tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Secili material nuk ka pasur tendencë për t’u përmirësuar, por për t’u adoptuar. Zeqir Balluku nuk paraqitej sikur i pranonte vërejtjet tona për ta përmirësuar materialin.
– Ilo Kote: – Që në vitin 1971 i keni parë këto materiale ju shoku Cito?
– Shoku Ramiz: – Që në vitin 1966.
– Ilo Kote: – Domethënë kjo është një punë antiparti. Pse nuk ia keni thënë shoku Cito KQ-së këtë?
– Shoku Ramiz: – Nuk ia kanë thënë. Ju mund ta dini se kjo u zbulua nga shoku Enver, i cili duke lexuar një raport të Shtabit të Përgjithshëm për disa çështje që ishin ngritur këtu në MMP, lidhur me stilin dhje metodën e punës, konkludoi se çështja ishte më e koklavitur. Atëherë ngarkoi shokun Mehmet e Hysni të cilët biseduan katër orë me Beqirin, shokun Petrit e shokun Cito, por nuk doli gjë. Në minutat e fundit, kur po i jepnin lamtumirën, shoku Petrit hedh fjalën ashtu kalimthi si pa gjë te keqe se në mes tij dhe Beqirit kishte kontradikta parimore. Shoku Mehmet e pyet se ku konsistonin këto kontradikta dhe ai përgjigjet: lidhur me një material, që punonte Beqiri”. Kështu u zgjidh filli i çorapes… 
– 2 – H. Ramohito: – unë do të ndalem në mësimet që kam nxjerrë për sektorin e punës, materialet, qëllimet, format dhe metodat e punës të Zeqir Ballukut që ishin një nyje e tërë armiqësore. Mjafton që të bëhej një ballafaqim: materialet me tezat, me fjalimet e shokut Enver në Pleniumin e 12-të dhe menjëherë del kundërvënia e hapur e kësaj vije si në çështjet ushtarake e politike, ashtu edhe në çështjet ideologjike. Kur udhëheqja e partisë konkludoi se këto koncepte ishin armiqësore, tha që shokët menjëherë duhet të nxjerrin konkluzione të drejta. Pleniumi i KQ-së na kritikoi shumë rreptë neve si drejtori politike se përse nuk raportuam në KQ lidhur me punimin e këtyre materialeve. Fakti se përse nuk u shtrua dhe nuk u analizua kjo çështje si gjithë shokët, edhe mua më ka preokupuar vazhdimisht. Kur u diskutua çështja e materialit të rrëshqitjes, u dënuan dy shokë, njëri me burg.

NESËR DO TË LEXONI
– Ramizi kërkon të dominojë roli i partisë në drejtimin e ushtrisë
– Vetëmbrojtja e Halim Ramohitos përballë pyetjeve të Ramiz Alisë
– Si e pranoi Arshi Çela konformizmin në Komitetin e Partisë të MMP
Sigal