Promovimi i “Skënderbegasit ndër vite…” në Athinë, manifestim kulturor

1172
Autorët Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, përveçse morën një vlerësim për këtë libër cilësor u takuan edhe me ushtarakë në emigrim prej kohësh në Greqi
Promovimi i librit “Skënderbegasit ndër vite…” i autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, pjesa e dytë, organizuar më 30 tetor 2017 në një nga mjediset e zgjedhura në ‘Omonia’ të Athinës, përveçse morën një vlerësim për këtë libër cilësor dhe punën profesionale të autorëve, u kthye në një manifestim kulturor nga pjesëmarrës të shumtë, ushtarakë në emigrim prej kohësh në Greqi, dhjetëra të tjerë që udhëtuan me autobusë e mjete të ndryshme nga Shqipëria për në vendin fqinj enkas për këtë aktivitet, gazetarë e shkrimtarë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Athinë, përfaqësues të ambasadës shqiptare në Greqi, miq të autorëve, gazetarë etj… Gjatë 3-4 ditëve në kryeqytetin helen, pikërisht në qendrën e tij, ashtu si dhe në mjediset ku u zhvillua aktiviteti të dielën, nuk mungoi dhe kënga labe e këngë të tjera shqiptare. Sigurisht, në mbarëvajtjen e tij, paraprirë me masa konkrete, meritë ka Shoqata e Ushtarakëve në rezervë e Shqipërisë, dega e saj në Athinë, shoqata e ushtarakëve të Sarandës, Shoqata Kombëtare “Skënderbegasi”, dega e saj në Athinë dhe komuniteti i ushtarakëve, gazetarëve e intelektualëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Siç pohuan për “Telegraf” disa nga të pranishmit, për nga pjesëmarrja dhe mënyra e organizimit, ky aktivitet promovues, i konceptuar në formën e spektaklit, është ndër më të arrirët e organizuar për më shumë se dy dekadat e fundit për librat e autorëve nga Shqipëria e ndoshta dhe më gjerë.

Takimin që nisi në orën 11”00, e hapi Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë Dega Greqi, z. Aqif Bozhiqi. Në vazhdim e morën fjalën z. Thoma Konduri, Kryetar i SHKURSH, z.Ernest Naçe, Atasheu Ushtarak i Shqipërisë në Greqi, z. Ardjan Daullja, Kryetar i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Greqi, z. Anastas Guma, Kryetar i Shoqatës Aleanca Kombëtare, Dega Sarandë, z. Kristaq Hysolli kryetar i Shoqatës “Skënderbegasi” në Athinë, z.Subi Hidaj, z. Abdurrahim Ashiku gazetar dhe ish- skënderbegas, Koço Pirali, ushtarak emigrant në Athinë etj… “Sihariqin për këtë eveniment ne e mësuam nga gazeta “Telegraf” dhe nga mediet televizive të Shqipërisë, referuar asaj. Është një festë për të gjithë ne, emigrantët që kemi ikur që para më shumë se dy dekada. Ndaj, kemi ardhur këtu familjarisht, të gëzohemi për këta dy libra të mrekullueshëm, por dhe të çmallemi me njeri-tjetrin. Ju ndoshta në Shqipëri nuk e kuptoni plotësisht ndjenjën tonë, faktin që sot ne po derdhim dhe lot, por ky aktivitet i mrekullueshëm, ka vlera shumë të mëdha. Ju faleminderit!”- pohoi mes të tjerave Koço Pirali. “Gëzimi im është i dyfishtë, së pari, si nëpunës i shtetit, që ndjej detyrim të marr pjesë e të kontribuoj në këtë aktivitet në shërbim të historisë e kulturës sonë, e tjetër, dhe si ish-skënderbegas që ka mësuar dhe është edukuar në këtë shkollë me vlera. Aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme, me vlera të pallogaritshme dhe duhet të jenë në vazhdimësi..”- pohoi mes të tjerave Ernest Naçe, Atasheu Ushtarak i Shqipërisë në Greqi. Z. Kujtim Boriçi, njëri nga autorët e librit, foli për punën dhe sakrificat që ju deshën të bënin për të mbledhur materialet e dy pjesëve të para të librit ” Skënderbegasit ndër vite…”. I emocionuar që ndodhet midis ish-skënderbegasve në Athinë, z Boriçi foli për arsyet kriminale që çuan qeverinë e kohës në vendimin absurd të mbylljes së shkollës “Skënderbej”. Ky ishte një vendim në dëm të interesave kombëtare shqiptare. Ai premtoi se volume të tjera do të dalin në të ardhmen. Diskutantët kujtuan me nostalgji dhe emocione të fuqishme ato vite fëminore të jetës së tyre në ” Fidanishten e Ushtrisë” siç quhej ndryshe shkolla jonë ushtarake “Skënderbej”. U përmendën shokët e klasës, kuadrot që na u bënë prindër dhe na përgatitën ushtarakisht. Mësuesit e palodhur që së bashku punuan në krijimin e karaktereve tona të forta. Ju bë homazh shokëve tanë ish – skënderbegas që dhanë jetën në krye të detyrës, atje ku Atdheu i thirri. Nga bankat e kësaj shkolle kaluan mbi 36 mijë skënderbegas , të cilët kudo ku kalonin populli i shikonte me respekt, i nderonte e krenoheshe me ta. Populli i shikonte në veprat madhështore si Hidrocentrali i Fierzës e Komanit, në hekurudhat dhe tarracat e Lukovës e Ksamilit…… Në vazhdim të diskutimeve, një këngë e re labe për skënderbegasit, me zë të parë Subi Hidën, shoqëruar nga grupi lab, elektrizoi gjatë sallën. Për të kënaqur pjesëmarrësit në këtë aktivitet të rëndësishëm, organizatorët ishin përkujdesur që më parë, duke përgatitur dhe një guidë turistike, ku gjatë këtyre ditëve, u vizituan objektet kulturore e historike të Athinës, të Selanikut, të Kallabakës, Lamias, Lamias, Janinës etj… Ciceronë, por dhe shumë emigrantë që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj, u ofruan të pranishmëve të dhëna e kuriozitete të shumta për vendet historike e ngjarje kulture, ku në një formë apo një tjetër, kanë dhe lidhje me historinë e Shqipërisë e shqiptarëve. 

(Shkrimi është marrë nga gazeta “Telegraf”, e premte 3 nëntor 2017. Autorë Kristo Hysolli & Enver Hajdari)
Shënim i autorëve: Me mjaft interes janë ndjekur promovimet e librit “Skënderbegasit ndër vite….”, pjesa e dytë dhe në Sarandë, Berat, Vlorë etj… Në promovimin e zhvilluar në Sarandë, ku aktiviteti ishte konceptuar në formë spektakli, me pjesëmarrjen dhe të grupit polifonik vendas dhe artistëve të tjerë, u publikua për herë të parë dhe kënga polifonike për skënderbegasit: “Bij të këtij vendi ne jemi”, me tekst të ish-skënderbegasit Subi Hida. Ja teksti i kësaj kënge: 

“Jemi bij të këtij vendi, 
Skënderbegas emrin kemi, 
Jeta jonë lavdi mbuluar, 
Për Atdhe jemi betuar.
Për Atdhe e për flamur, 
Jetën s’e kursyem kurrë, 
Ne lirinë e duam shumë, 
Syri nuk na bëri gjumë. 
Emrin Skënderbegas kemi, 
Në furtunë si Zgalemi, 
Kudo që të na kërkojnë, 
Si shqiponjat fluturojmë.
Shkolla jonë lavdi mbuluar, 
Me Skënderbegas të shquar”. 

Për Fejzo Lalën, skënderbegasin piktor që bëri emër në Amerikë*

Veri Talushllari
Ndonjëherë në jetë të bie në pjesë të bësh të pamenduarën; ja, mua më duhet të bëj një portret piktori(!) Por meqë për punë vizatimesh i kam pasur duart gjithnjë të thata, bëj atë që di të bëj më mirë: Marr penën… Ulem në tavolinë me personazhin tim dhe gjatë bisedës mundohem të kap tiparet e tij. Jemi të njohur të vjetër, nga viti i largët 1971, kur Fejzo kalonte korridoreve të Shkollës “Skënderbej” me një dosje kartoni me dy lidhëse lecke, dhe ne e dinim që aty kishte portrete skënderbegasish, mësuesish e oficerësh, apo ilustrime shkrimesh të revistës “10 Korriku”, gazetës “Luftëtari”, apo organeve të tjera letrare të kohës. Ka kaluar shumë dallgë në jetë, si të gjithë, por më pëlqen të mendoj dhe nuk gaboj, se ka mbetur ai djaloshi i imët nga Kuçi i Kurveleshit, që bënte çdo ditë mbi një orë rrugë në këmbë për të vajtur në shkollë, duke kaluar përrenj të rrëmbyer e nëpër rrugë dhiare, shpesh të mbuluara me borë e të rrëshqitshme nga shiu a balta. “Aty, në fshat, në shkollën e vogël, kam bërë vizatimet e portretet e para”, thotë Fejzua. Dhe vazhdon më tej: 

-Ca punë të mia i pa njëherë i pari i partisë në rreth dhe ai urdhëroi të shkoja në shkollë. 
-Ne Lice?- e pyes. 

-Ai ashtu tha, po papritur përfundova në Shkollën “Skënderbej”, me premtimin se do me çonin te studioja në Liceun Artistik, si kontigjent i ushtrisë, gjë qe ngeli vetëm një ëndërr për mua, me gjithë se kisha dale shkëlqyeshëm në konkursin e pranimit. Pasioni, vetëm pasioni më mbajti mbi ujë… Krahas detyrave dhe ngarkesës që kishim në shkollën “Skënderbej”, fillova të punoj portrete dhe skica të shokëve të mi, apo momente nga jeta dhe stërvitja në shkollë, duke tërhequr pak nga pak vëmendjen për pasionin që kisha për artin. Aty hapa mini-ekspozitat e para, por lidhja me shtypin ushtarak ishte shumë e rëndësishme. Nuk i harroj emocionet e para për botimet e mia ne shtyp. Me shumë respekt kujtoj ndihmën e Fluturak Gërmenjit, Lirim Dedes, Hysni Milloshit, Sadik Murrës, piktorit Robert Guci, e shumë të tjerëve. Garova dhe për në Institutin e Arteve, por përsëri nuk më kualifikuan, edhe pse kisha marrë dy herë çmime kombëtare për grafikën, nga që shumica e të drejtave të studimit që jepeshin ne atë kohë për Akademinë e Arteve, ishte në shumë raste monopol i pamerituar i fëmijëve të artistëve apo politikaneve të kohës.

Në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve hapa ekspozitat e para, kujton Fejzua. Tashmë isha portretist dhe grafist i njohur. Miqësia me piktorët ushtarakë Fatmir Haxhiu e Dulejman Topallaj dhe piktorë të tjerë të njohur, ishte shkollë më vete, më ndihmoi të merrja njohuri për pikturën në veçanti, por edhe për artin në përgjithësi.

Karrierën si oficer Fejzua e bëri ne garnizonin e Fierit që do ta quaja qytet artistik. Aty gjeta një ambient të mirë pune dhe një shoqëri artistësh figurativë shumë të talentuar e mjaft dashamirës si Minella Saro, Pandeli Lena, Haxhi Kalluci, Gjergj Toska e shumë të tjerë.

Duke lënë mënjanë peripecitë e kohës, vështirësitë e profesionit, ngarkesën e shërbimeve, por me pasionin e madh qe ka pasur për artin, ka marrë pjesë rregullisht dhe me shumë seriozitet në

të gjitha ekspozitat lokale dhe Kombëtare që organizoheshin në atë kohë, gjithnjë me seri grafike me tematike të larmishme, në teknikën e linoleumit, dhe çdo herë të vlerësuara nga kritika dhe artdashësit. I kujtojmë dhe sot seritë me grafika aq të bukura të tij, me temë kryesisht të mbrojtjes si “Artiljerët”, “Tankistët”, “Urahedhësit “, “Xhenierët”, me marinarët e aviatorët, deri tek ndërlidhësit. Piktori ynë është vlerësuar me çmime të para, të dyta e të treta, ne ekspozitat e Galerisë Kombëtare të Arteve, në përvjetorët e Ushtrisë, dhe ngjarjeve të tjera. Punimet e Fejzo Lalajt mbushnin korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera, dhe sot gjenden ne muret e shumë familjeve, anë e kënd atdheut. Dhe jeta, siç erdhi për shumë nga ne,edhe piktorin tonë një ditë të vitit 2002 e hodhi në ShBA, në Nju Jork.

-Kam ardhur me një vizë turisti këtu ne USA. M’u desh shumë punë dhe sakrificë familjare që të realizoja dokumentet dhe të përfitoja nga statusi “Për Veti të Veçanta në Art”, thotë ai. Pas 

afro 4 vitesh pritje, iu bashkuan bashkëshortja dhe dy vajzat, dhe tani gjërat kanë shkuar pak a shumë në vendin e vet. Vajzat janë shkolluar në profesione arti dhe arkitekture dhe punojnë në shtetet e Bregut Perëndimor, Fejzoja dhe Valentina janë gëzuar me mbeskën e bukur Sofia, të cilës gjyshi i ka kushtuar disa nga punimet më mbresëlënëse në teknikën e litografisë. Ndjekësit e tij, në ekspozitat e shumta ku ka marrë pjesë në Nju Jork, Nju Xhersi, Siatëll, Los Anxhelos, Boston etj, por edhe miqtë e shumtë në rrjetet sociale, ku është shumë aktiv, kanë vlerësuar punimet e reja dhe të hershme. Le të përmendim “TRE BREZAT”, një grafikë e mrekullueshme në teknikën e litografisë, ku pema e jetës është shpalosur aq bukur, me rrënjët, trungun dhe degët të mishëruara në fytyrat e njerëzve të tij më të shtrenjtë.

Ndërsa punon çdo ditë në Parkun e famshëm Qendror të Nju Jorkut, ku dhe ka marrë motivet për disa punime shumë të vlerësuara në ekspozitat e çelura nga galeritë e artit, Fejzua ndjek studimet ne Kolegjin e Artit këtu ne NYC prej 7 vitesh, duke bere vazhdimisht përpjekje për të rrokur frymën dhe metodat e artit bashkëkohore dhe vazhdimisht ekspozon… Mbi tavolinë kam një listë të plotë të Ekspozitave ku ka marrë pjesë e ku ka punime aktualisht. Lista fillon nga viti 1975 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, me punimin “Në kohën e pushimit “, ku duken skënderbegasit duke pastruar armët e duke kënduar, (Fituese e Çmimit te tretë), apo portreti në tush, Ushtari i “Republikës”, (nderuar me çmimin e parë në një konkurs kombëtar), e pasi kalon në Fier, Vlorë, Berat e Prishtinë për të përmendur disa qytete në trojet Shqiptare), arrin tek Union City, Monkler, Martin Hick Gallery Belskie Museum, Nju Xhersi, Galeria Botërore e Artit në Park, Galeritë e Artit ne Chelsi e Soho e deri tek ekspozitat e fundit në Bashkinë e New Yorkut, NYU, Old Print Shop Gallery, Phyllis Harriman Mason Gallery, Galerin e Sirakuzës këtu në Nju Jork, etj., etj. Është e pamundur për këtë portret të shënoj të gjitha veprimtaritë e ca më tepër punime e piktorit tonë. Vetëm vlerësimet e piktorëve të njohur shqiptarë e të huaj, Haxhiut, Buzës, Përmetit, piktorit tjetër skënderbegas Bashkim Alushi etj., do të mbushnin faqe të tëra. Pastaj janë dhjetëra shënime të piktorëve e vizitorëve amerikanë, të befasuar me shijen dhe stilin e veçantë, me mjeshtërinë e sjelljes pothuaj të gjallë të shushurimës së gjetheve të Pyllit të Buronjave të Kuçit, apo të pemëve Central Parkut të Nju Jorkut, lëvizjes së njerëzve, kuajve dhe pajtonëve. 
Kolonel Ruzhdi Kuçi


(Ish-Skënderbegas. Komandant dhe Rektor i Akademisë së Forcave të Armatosura): 28 Marsi i vitit 1945, ishte dita kur për herë të parë u hapën portat e shkollës së mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Kjo shkollë është e njohur në historinë e arsimit të mesëm për cilësinë e mësimdhënies, për disiplinën dhe profesionalizmin e saj. Sot ne 72 vjetorin e shkollës sonë, ne kujtojmë e nderojmë skënderbegasit ndër vite, kolegët, komandantet e mësuesit tanë të paharruar… Shkolla na miqësoi, na beri te ditur dhe me mjaft kulture,na edukoi, na stërviti,na disiplinoi dhe na dha virtyte te çmuara, na kaliti vullnetin e dashurinë për profesionin e ushtarakut. Në këtë libër sillen dokumente interesante arkivore dhe kujtime, që mbeten pasqyrë e vlefshme në kohë për brezat. …Dhe ja ku jemi, në një takim ndryshe. Ajo që ndryshon nga takimet e tjera të këtij lloji është një libër, një enciklopedi, unike në llojin e saj: “Skënderbegasit ndër vite”, i autorëve Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla për Shkollën e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe për skënderbegasit e mrekullueshëm, vepër që rizgjon e sjell në vëmendje edhe njëherë ato vite të paharruara që mbushën jetën tonë rinore.

Pjesa e dytë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”, i kushtohet rreth 36 mijë kolegëve skënderbegas që studiuan në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” nga viti 1945 deri në vitin 1992….Ndaj jemi mbledhur, të kujtojmë, të promovojmë librin që përjetëson çastet më mbresëlënëse të kaluarës tonë dhe t’i sjellim ato mes nesh. Vetëm kështu takohet koha me kohën, vetëm kështu dy pamjet bëhen bashkë, duke shkruar dhe takuar një ditë. Autorët janë përpjekur që ngjarjet në këtë libër të jepen në kontekstin e kohës, kronologjikisht, e personazhet të renditen sipas moshës, me dëshirën e mirë që gjithçka të jetë sa më afër të vërtetës ..Në këtë kontekst, kjo enciklopedi, vit pas viti po e plotëson më së miri boshllëkun e krijuar pas viteve 90-të në historinë e Shkollës “Skënderbej” dhe skënderbegasit. Pa asnjë dyshim, për vlerat që mbart, kjo seri librash mund të quhet një historik i gjalle i kësaj shkolle të lavdishme. Këtu do të pëlqeja te citoja publicistin Arben Duka kur pohon : “keni ngritur një shtatore të gjallë që do të flasë e dëshmojë në shekuj për historinë e lavdishme të shkollës ‘Skënderbej” e skënderbegasve, për ata intelektualë vitalë që kanë qenë e mbeten në pararojë të Shqipërisë”. Libri ‘Skenderbegasit ndër vite‘ është një burim i dijes, i kënaqësisë, i lumturisë dhe madje i kurajës morale. Prandaj, shumanshmërinë e vlerave të “Skënderbegasve ndër vite…”, po e përmbledh me tre fjale : ‘Flori shkuar floririt ‘! Ndaj, ky libër është dhe do mbetet një pasuri e rrallë…”

Violeta Mejdani-Bylyku (Ish-mësuese në shkollën “Skënderbej”): Edhe unë, si një nga ish-mësueset e shkollës “Skënderbej”, përgëzoj autorët Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla për këtë libër shumë të rëndësishëm. Është një libër voluminoz, me dokumente e me vështirësi, por autorët ia kanë arritur. U lumtë! Periudha 1962-1968, kur unë kam dhënë lëndën e matematikës në shkollën “Skënderbej”, do të mbetet një nga periudhat më të mira të karrierës sime të gjatë si mësuese, pasi skënderbegasit, nxënës të përzgjedhur nga i gjithë vendi, ishin nxënës të mirë, të edukuar. Në atë shkollë kishte oficerë, mësues e punonjës nga më të mirët, e mbi të gjitha marrëdhëniet ishin të sinqerta, të forta e reciproke, bazë për tregues të lartë në ët gjitha fushat. Dashuria e skënderbegasve, e brezave që dhamë mësim, është reflektuar jo vetëm atë kohë, por dhe në vitet më pas. Respekt për këtë shkollë e njerëzit që punuan aty, respekt për autorët që me këtë libër po bëjnë një monument me vlera shoqërore, kulturore e historike.

Petrit Menaj (ish-skënderbegas, drejtues i lartë në UÇK në Kosovë, Maqedoni): Të gjithë të jemi krenarë për shkollën “Skënderbej”, për emrin dhe lavdinë e saj, e të falënderojmë autorët dhe shokët që kanë kontribuar në përgatitjen e librit “Skënderbegasit ndër vite….”.

Në këtë libër, ashtu si në pjesën e parë dhe kam besim se dhe në të tjerat më pas, gjejnë e do të gjejnë vend vetitë dhe virtytet më të mira që mbrujti kjo shkollë tek mbi 36 mijë skënderbegas, mundi dhe përkushtimi i edukatorëve tanë për misionin fisnik që e përmbushën me sukses. E ne skënderbegasit, si atdhetarë, besnikë, si intelektualë e luftëtarë komandues dhe ët vijës së parë, dimë të bëjmë më së miri atë që është në të mirë të atdheut, brenda e jashtë kufijve, dhe në Kosovë Maqedoni… Gëzuar festën e 72-vjetorit të shkollës, festë që i jep bukuri e madhështi dhe librit që kemi në dorë e po promovojmë së bashku.

Alvaro Hoxha (ish-skënderbegas): Unë i përkas brezit të skënderbegasve të vitit 1987-1991, ose më saktë, i fundit, që pasoi me mbylljen e kësaj shkolle. Jam krenar që jam pjesë e armatës së madhe e dinjitoze e skënderbegasve. …Të gjithë kanë një ditëlindje, kanë dhe një emër që u kanë vënë kur ata erdhën në jetë.. Por ne që kemi mbaruar këtë shkollë të lavdishme, kemi privilegjin të kemi një emër tjetër plot lavdi e domethënie, emrin “Skënderbegas”. E për këtë jemi fatlumtur dhe krenar. Ja i emocionuar dhe dëshiroj ti përshëndes autorët për këtë libër me vlerë, të përshëndes gjithë skënderbegasit atje ku janë, të përshëndes familjet e skënderbegasve që kanë përballuar jo pak vështirësi në jetë, por patën fatin që të kenë burrat, prindërit, fëmijët, vëllezërit apo motrat skënderbegas. Se emri “Skënderbegas” reflekton dashuri, kulturë, atdhetari, paqe, mirësi.
Sigal