Profesor Sami Repishti: Kthehem në atdhe me dashuri për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri. Historia e burgjeve komuniste, arratisja, politikanët e demokracisë dhe takimi me Presidentin Bush

250

Historitë e të burgosurve në burgjet e komunizmit. Arratisja dhe kthimi në atdhe, në 1992-shin dhe marrëdhëniet me politikanët e demokracisë. Veprat “Pika loti“ dhe ”Nën Hijen e Rozafës”. Takimi me George H.W. Bush

 

Sami Repishti: “Kthehem në atdhe me dashuri për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri”

 

(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar Profesor Sami Repishtit)

 

Thanas L. Gjika

 

Vijon nga numri i kaluar

 

Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëherë je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.

Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vetëvrasje në varrezat e Tiranës më 1956.

Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet te Plaku i numrit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokët e tij, Ibrahim Derguti dhe Mark Cacaj, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë krahu nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…

Bir i dejë i Shën Françeskut, i kushtohet portretizimit të bashkëvuajtësit në qelinë e hetuesisë, klerikut At Çiprian Nikaj. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët Atë Pal Dodaj, Atë Mati Prendushi dhe Atë Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Françeskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një rreshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u tha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, Atë Çipriani ia rrëfeu autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia la si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Mbajtja e zbatimi i amanetit të bashkëvuajtësit të qelisë, përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.

Thjeshtësia dhe përshpirtshmëria e klerikut të përkushtuar Atë Çipriani jepet përmes lutjes që ai përsëriste disa herë në ditë duke iu drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!

Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qëndresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…

Keqtrajtimi i njerëzve mesatarë jepet me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertë Mehmet Dokuzi dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhrat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.

Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet Dokuzi nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Informatori i Sigurimit, një bashkëfshatar kishte shpifur, sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltërat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa informatorëve (spiunëve), por të vetë pushtetit komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si “krijues i botës së re” dhe i “njeriut të ri”, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.

Për të justifikuar përdhunimet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë edhe shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me dhunë, fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale. U shpallën e u luftuan si armiq e tradhtarë të gjithë ballistët, bajraktarët, xhandarët, avokat-mbrojtësit, priftërinjtë, etj. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft prej të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin “armik të popullit, gjakpirës të popullit”, kur ai dhe të parët e tij si bajraktarë ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur rregull në fshatin e vet.

Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të elitës intelektuale shqiptare e shtynë autorin të arrinte që në vitet 1960-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shumë shkrimtarë dhe studiues të ditëve tona nuk kanë arritur ende.

Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Evropë, që shtrydhi në tortura tregtarët, që mundoi me uri punëtorët e që varfëroi katundarët deri ku nuk shkonte më. Epokë, e cila përdhosi nxanësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.

Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu.

Ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë, e këtyre njerëzve që i shërbenin me besnikëri të verbër pushtetit pa vrarje ndërgjegjeje, jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht bashkëkombësit e vet të dënuar pa faj. Faktikisht njerëzve të tillë të pashpirt autori nuk u kushton asnjë portret ose shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet, njerëzve të dënuar jo se kishën kryer ndonjë faj, por sepse duhej ngjallur terror në popull. Përjashtim bën autori për rastin e Xhevahirit, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë. Ai ishte zgjuar nga droga partiake dhe e urrente politikën shtazarake të partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve. Herë u tregonte se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, e herë u tregonte lajme nga jeta jashtë burgut për t’i mbushur me durim e guxim…

Në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë e vërtetësinë dhe sidomos nivelin artistik.

Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (ONUFRI, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij. Përshkrimet e jetës personale e familjare të dhëna thjesht me figura letrare përmes një rrëfimi të ngrohtë, i krijojnë lexuesit idenë sikur edhe ai është duke jetuar vuajtjet bashkë me autorin… Nga ana gjuhësore këto dy vepra letrare, si dhe veprat e llojeve të tjera të tij, shquhen për pasuri leksikore dhe fjali e fraza të përpunuara, për dialektin shkodran letrar të afruar me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rrallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin sa më shumë nëndialektalizma të tij.

Si përfundim themi se veprat Pika loti dhe Nën Hijen e Rozafës bëjnë pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare të burgut, se ato paraprijnë veprat madhore të letërsisë sonë Rrno vetëm për me tregue të Atë Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit Rrugët e Ferrit dhe Ferri i çarë (OMSCA-1 2012) e disa simotra të tyre.

Pa urrejtje, por me ligj

Kur e pyeta Profesor Samiun, se cila ka qenë arritja e tij më e madhe, ai nuk më përmendi ndonjë titull vepre e as ndonjë nga bëmat konkrete të tij, por më tha: Suksesi im ma i madh ka qenë, dhe mbetet, fitorja ime kundër urrejtjes. Asnjiherë nuk i kam lejue vetes me urrye, me gjithë kundërshtimin e fortë që kam tregue kur nuk kam qenë dakord. Kështu, ditën e parë kur mbrrita në Shqipni më 9 gusht 1992, deklarova para gazetarëve në Rinas: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’, thanie jo origjinale, por gur themeli për mendimet e mia, e huazueme nga fjalimi i Presidentit Abraham Lincoln mbajtun në mbarim të Luftës Civile në Getisburg PA gjatë së cilës ishin vra ma shumë se 600.000 amerikanë.

Shumë njerëz në Shqipëri e keqkuptuan, duke menduar se Profesor Repishti qenkej kthyer në atdhe për të predikuar një pacifizëm dhe se ai nuk mendonte për dënimin e krimeve të komunizmit. Ky i përndjekur, që pati përjetuar prej diktaturës komuniste aq shumë vuajtje mbi kurrizin e vet e të pjesëtarëve të familjes së tij prindërore, nuk ka qenë dhe nuk është shprehur kurrë kundër dënimit të krimeve të komunizmit. Ajo që e dallon atë është fakti se ai mendonte dhe mendon që ky proces duhej e duhet të kryhet me ligj, pra së pari duheshin e duhen formuluar me ligj cilat kanë qenë krimet e diktaturës komuniste dhe pastaj të kryhej e kryhet dënimi i tyre sipas ligjit.

Disa përgjithësime të tij për gjendjen e Shqipërisë në tranzicion, janë proverbiale. Të tilla janë thëniet:

Krimi nuk asht dënue, e krimineli asht kthye në pushtet i veshun me rroben e ‘socialistit europian’.

Një pushtet i lindun nga gënjeshtra, i mbajtur me grykën e pushkës.

Një shoqëri e shkërmoquan nga pesha e randë e krimit të kryem nga xhelatët e indoktrinuem.

Gjendja politike vazhdon të jetë kaotike dhe ajo ekonomike e dëshpërueme.”

Jeta në ShBA, shkollat e larta që kishte kryer në Itali, Francë e ShBA dhe titujt shkencorë që kishte mbrojtur, e kishin maturuar mendjen e këtij shkodrani kundërkomunist. Mirëpo pushtetarët demokratë nuk mund ta kuptonin pjekurinë e tij. Sami Repishti ishte kundër gjuhës së ashpër që përdorte media socialiste kundër qeveritarëve demokratë dhe demokratëve në përgjithësi. Lajthitjen e socialistëve ai e shpjegonte duke e lidhur me origjinën e tyre komuniste, por ai nuk mund t’ia lejonte medias së Partisë Demokratike përdorimin e së njëjtës gjuhë plot sharje e fyerje ndaj kundërshtarëve, opozitës socialiste. Gjuha e ashpër plot sharje, fyerje e shpifje i kujtonte atij gjuhën e dikurshme të Partisë Komuniste të Shqipërisë kundër kundërshtarëve të saj ballistë e nacionalistëve. Kjo gjuhë plot sharje e shpifje ishte e ngjashme me gjuhën e dikurshme të luftës së klasave. Me një fjalë ai kuptoi se të dy partitë e mëdha, PS-ja dhe PD-ja, ishin pjella të mentalitetit të së njëjtës klloçkë, të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe se ato luftonin jo për parime, por thjesht për pushtet.

Keqkuptimet midis tij dhe drejtuesve të PD-së shpunë shpejt në ftohjen e marrëdhënieve dhe largimin e Profesor Repishtit nga Shqipëria dhe rikthimin e tij në ShBA. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave politike e shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i konsultonin, ose t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot.

Guximi për të kërkuar një të drejtë, ose për të kritikuar një dukuri të gabuar, kanë qenë tipare dalluese të Sami Repishtit. Në prill 1965, si treguam më lart, ai kërkoi i pari në Kongresin Amerikan, mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës edhe pse atmosfera ishte armiqësore. Këtë kërkesë ai e përsëriti më vonë dhe në artikuj e memorandume të ndryshme, si dhe në fjalime që mbajti disa herë po në Kongresin Amerikan dhe në disa takime të tij në Shtëpinë e Bardhë. Më 1986 në takimin me Nënpresidentin George Bush (Plakun), ai përgatiti dhe dorëzoi Peticionin për hapjen e një zyre informative amerikane në Kosovë. Hapja e kësaj zyre, ndonëse me disa vjet vonesë më 1996, krijoi kushte të favorshme për informimin e qeverisë amerikane mbi represionin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ajo zyrë luajti rolin e një ambasade amerikane në kryeqytetin e Kosovës së shtypur. Profesor Repishti kur shkoi në Shqipëri për të ndihmuar proceset demokratike në verë të vitit 1992 i kërkoi shpjegime ish–kryeministrit Aleksandër Meksi për “procesin” e dhënies së statusit të veteranit edhe “xhelatëve” të komunizmit, kërkesë për të cilën nuk mori përgjigje prej tij. Nga fundi i vitit 1992, mbas 30 vjet anëtarësimi në Federatën Pan-Shqiptare Vatra, ai u largua prej saj pa bujë, por i vendosur sepse ai pa se kjo organizatë atdhetare u bë një instrument i politikës së qeverisë shqiptare në kundërshtim me artikullin 5 të rregullores së saj ku thuhet: Vatra nuk merret me politikë. Ai u largua mbasi nuk mori përgjigje për pyetjet që i drejtoi kryesisë së Federatës: Pse jemi ba instrument i qeverisë së Tiranës? Pse nuk mbahet kongresi i Federatës? Pse nuk hapen degë të reja?

Nga viti 2017 e deri sot, Sami Repishti nuk ka reshtur së vëni në dukje se z. Donald Trump nuk është i përshtatshëm për President i ShBA-ve dhe me guximin e tij qytetar ka treguar shpesh herë dobësitë e këtij Presidenti si politikan e burrë shteti.

 

Vijon…