Prof. Thanas Meksi: Dëshmi dhe foto e re e Vangjel Zhapës, “Nderi i Kombit”

1463
Në vazhdën e studimeve dhe hulumtimeve për filantropin Vangjel Zhapa, kohët e fundit, pas festimit të 155-vjetorit të Rilindjes së Lojërave Olimpike, në Labovë të Zhapës, Odrie, zbulohet një foto e rrallë dhe plot patos e tij. Foto është ekspozuar nga Galeria “Foto Badescu”, Bukuresht. Fotografia e Vangjel Zhapës është e viteve 1850-1860 dhe më e bukura e gjetur deri më sot. Ajo e paraqet Vangjel Zhapën të shëndetshëm, trup me gjatësi mbi mesataren, të pashëm dhe dinamik. Autori i fotos është fotografi profesionist Emanuel Badescu, i cili e ka ekspozuar atë në vitin 2014, 28 nëntor. Vangjel Zhapa, filantropi më i madh i Ballkanit, ndoshta edhe në shkallë Europiane, paraqitet me plot madhështi në këtë foto. Dihen disa karakteristika të Vangjel Zhapës nga rinia e tij, vraponte shumë, hedhës i fuqishëm dhe kalërues i mirë. Ndër shokë ishte më i shkathëti dhe dallohej për gjykime dhe arsyetime të matura, por dhe shumë iniciator, sidomos në organizimin e lojërave me shokët. Ndaj, kjo foto e moshës mbi 50-vjeçare e Vangjel Zhapës, ekspresive dhe dinamike e këndshme dhe serioze, ja vlen për t’u ekspozuar dhe studiuar. Foto më të mirë se kjo, që po paraqesim këtë vit, nuk kemi pasur për Vangjel Zhapën. Jo vetëm ekspresive dhe plot dritë, por foto e një burri shteti, dinamik e entuziast. Jo, sepse fotot e tjera kanë qenë të dobëta dhe pa dritë për një figurë të madhe! Por ato janë paraqitur aty-aty me fotot e Kostandinit, kushëriri i tij, që ishte i shkurtër dhe i dobët. Në një shkrim libri, ai portretizohej me shprehjen “Dy figura në një trup”. Gjetje jo e duhur redaksionale, më shumë publicistike, jo e vërtetë dhe e saktë, që nuk i afrohet aktualitetit. Shprehje për show! (Shën. Th.M.). Vetë libri “Vangjel Zhapa, fillesë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, autor Thanas Meksi, historian, ndriçohet nga kjo foto plot patos e dritë. Libri së shpejti del nga shtëpia botuese “Mapo Edicion” ka disa kapituj si: Arsimimi i të gjithëve, Rilindja e Lojërave Olimpike, veprimtaritë kushtuar V. Zhapës, publicistika për të, periudha e punës e panjohur për të, Testamenti , foto e gravura, korrespondenca me Greqinë, Rumaninë e Turqinë, hulumtime dhe studime shkencore, etj. Vend të dukshëm në libër zënë vendlindja e tij, Labova dhe publicistika kushtuar V. Zhapës pas vdekjes, sidomos nga rumunët. Kopertina me foton e re të Vangjel Zhapës është një risi, një “zbulim” i bukur për këtë shqiptar të madh.
Sigal