Prof. Pëllumb Xhufi/ Tek kisha, në Kodër ku u masakruan 220 burra e djem hormovitë

1141

Në Homovë u përkujtua 100-vjetori i masakrës së andartëve grekë

Të dielën, në 27 prill, në fshatin Homovë u përkujtua 100-vjetori i masakrës së burrave të atij fshati këtu e një shekull më parë. Pikërisht, në 29 prill 1914, bandat e ushtarëve dhe të andartëve grekë masakruan 220 burra e djem hormovitë brenda ambienteve të manastirit të Shën Mërisë, mbi fshatin Kodër. Mungonin shumë “ekscelensa” të ftuara me këtë rast. Mungonte Presidenti i Republikës, i cili në një moment të parë kishte konfirmuar pjesëmarrjen. Por, Presidentët tanë punojnë me axhenda të huaja: para pak vjetësh, një paraardhës i Nishanit mungoi në festimet e 28 Nëntorit, për të kryer një vizitë në Athinë, pikërisht në atë Athinë që është përpjekur e përgjëruar aq shumë për 28 Nëntorin e Shqipërisë. Dje, Presidenti Nishani preferoi të lerë Hormovën, për të shkëmbyer ca fjalë të çiltra, si prej të diele, me Kryetarin e Parlamentit grek. Pra, mungonte Presidenti dhe njerëzit e Presidentit, mungonte Kryeministri dhe njerëzit e Kryeministrit, makar edhe gazetarët e historianët e përhershëm të oborreve kryeministrore, të cilët kujtojnë se historia e vërtetë e shqiptarëve përmblidhet në faqet e kujtimeve krepuskolare dhe egocentrike të Eqerrem Bej Vlorës, apo në ekspozitat plot sharme e vezullime “evropiane” në kujtim të princit Vid apo të mbretit Zog (të më ndjejnë të ndjerët, nuk e kam me ta), ku medaljet, shpatat, parzmoret e praruara, monedhat, komçat, pullat e puplat e ekspozuara rreken të na mbushin mendjen se Shqipëria ka qenë një vend i përparuar, një vend normal, “si gjithë vendet e tjera evropiane”.

Por le të kthehemi…në Hormovë. Organizatorët e aktivitetit, Sheh Hysen Ali Hormova dhe Kryetari i Komunës Qendër, Redi Rama, do kishin dashur shumë që të paktën në këtë 100 vjetor, politika e Tiranës të shkonte tek njerëzit për të përkujtuar një ngjarje, që është një gur themeli në historinë tonë të re. Por, edhe pse organizatorët e papërtuar të këtij eventi e përjetuan, padrejtësisht, si një dështim të tyre mungesën e “ekselencave” të Tiranës,  gjithçka shkoi për mrekulli në praninë e zgjedhurve lokalë, të Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, të homologut të tij të Gjirokastrës, Flamur Bime, të kryetarëve të komunave të Lopësit e të Kurveleshit, të Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçi, të djalit hormovit, Prof. Skënder Gjinushi, i cili me humorin e tij bëri të harrohen shpejt përfaqësuesit e munguar të Tiranës.

Në fakt, nuk ishte një ditë feste e hareje. Në Hormovë u përkujtua një ngjarje e kobshme, vrasja e programuar e të gjithë burrave të fshatit nga ana e bandave greke të komanduara nga Athina zyrtare. Kjo, për t’iu kundërvënë ndarjes së kufijve greko-shqiptarë të fiksuara përfundimisht nga Protokolli i Firences (dhjetor 1913), organizoi lindjen e lëvizjes “vorio-epirote” dhe krijimin e qeverisë së “Epirit autonom”. Kjo “qeveri”, dihet mirë, drejtohej nga ish-ministra të qeverisë greke, si Zografi, Karapanos e Dhuli, përkatësisht kryeministër, ministër i jashtëm dhe ministër i luftës. Si për ta shenjtëruar luftën për “Vorio-Epirin”, në këtë grup butaforik u përfshinë edhe tre klerikë të lartë grekë, mitropolitët e Korçës, Gjirokastrës e Konicës. Këta faqezinj, në shkelje flagrante të parimeve të fesë ortodokse dhe të kanoneve të kishës, i kthyen vendet e shenjta, kishat e manastiret e vjetra shqiptare të Delvinës, Gjirokastrës, Përmetit, Skraparit, Korçës e Kolonjës, në shtabe lufte, ku projektohej djegia e fshatrave dhe zhdukja e popullsive muslimane dhe ku me retorikën e tyre të egër nacionaliste, këta propagandistë fanatikë e të kobshëm të “helenizmit”, nxisnin ndjenjat kriminale të andartëve dhe të oficerëve grekë, përpara se këta të niseshin, me thikë në dhëmbë, drejt fshatrave e qyteteve të jugut. Kështu u dogjën e u përzhitën mbi 300 fshatra në Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Korçë, Leskovik e Kolonjë. Kjo histeri vrastare në fshatrat e gjithë jugut shqiptar, u ndihmua nga rebelimi i haxhiqamilistëve tanë të Shqipërisë së Mesme, të cilët kërkonin kthimin tek regjimi i “dovletit”, si dhe nga elementë të veçuar grekomanë. Mes fshatrave që grekët dogjën deri në shtëpinë e fundit, ishte edhe Frashëri i Abdylit, Naimit  Samiut. Frashëri banohej më së shumti nga shqiptarë të krishterë, por megjithatë, grekët donin të fshinin me çdo çmim nga faqja e dheut dhe nga filli i kujtesës vendin ku u gatua ideja kombëtare shqiptare.

Për Athinën, shqiptarët ortodoksë, mbrojtës të idesë kombëtare, konsideroheshin po aq të rrezikshëm , madje më shumë, sa edhe shqiptarët myslimanë. Kjo ishte arsyeja përse në Frashër, në Luaras, në Panarit, në Treskë etj., andartët grekë vranë edhe shumë patriotë shqiptarë të besimit ortodoks.

Kështu, pra, në muajt prill e maj 1914, me dhjetëra mijëra banorë të fshatrave të jugut, braktisën vatrat e tyre dhe u dyndën drejt veriut. Shumica e tyre u strehuan në ullishtat e Vlorës e të Mallakastrës. Me mijëra ishin ata që vdiqën nga uria, etja, epidemitë e sëmundjet e ndryshme.    Me mijëra numëroheshin të afërmit e tyre të masakruar nga grekët. Në fund të kësaj Golgote shqiptare, burime të Fuqive të Mëdha llogarisnin se nga Shqipëria e jugut ishte detyruar të shpërngulej 80% e popullsisë myslimane shqiptare. Por një pjesë e kësaj popullsie ishte humbur përfundimisht. Në Kosinë, grekët vranë 75 banorë myslimanë të fshatrave përreth. Në Panarit u kaluan në satër 350 banorë dhe u dogj plotësisht një fshat i rrallë për nga bukuria dhe nga historia. Fshati nuk e mori dot veten nga ajo gjëmë. Shkrumb e hi u bënë edhe Leskoviku, Barmashi, Këlcyra, ……..

Por, nëse tragjedia e këtyre fshatrave dhe e banorëve të tyre konsumohej larg syve të opinionit, tragjedia rrëqethëse e njërit prej tyre, e Hormovës, pati rastin të dëshmohej nga një ekip ndërkombëtar i kryesuar nga gjenerali holandez Dever. Ky ishte informuar se aty nga fundi i prillit 1914, andartët grekë, pasi kishin rrethuar Hormovën, kishin mbledhur djemtë dhe burrat e fshatit  dhe i kishin shoqëruar ata në manastirin e Shën Mërisë, në fshatin fqinj të Kodrës. Kur ekipi i Gjen. Dever mbërriti aty, në fillim të majit, ai u ndesh me një pamje rrëqethëse. Në degën e një lisi dhe në kombanaren e kishës, pranë tij, vazhdonin të qëndronin varur dy trupa meshkujsh. Porta e kishës ishte e përgjakur dhe e bërë shoshë nga plumbat, gjë që tregonte se ishte përdorur si vend ekzekutimi. Brenda, muret e kishës ishin gjithashtu të lyera me gjak dhe me mbeturina trush njerëzorë. I gjithë ambienti rreth e rrotull kutërbonte erë kufome. Në oborrin para kishës u zbuluan tre varre masive me trupat e 220 burrave, që ishin mbuluar përciptazi. Holandezët pajtuan një grup ciganësh aty pranë, të cilët i nxorën kufomat, shumë prej të cilave ishin me koka të prera ose me kafka të copëtuara, për t’i rivarrosur në disa gropa të thella, të hapura rishtazi prej tyre.

Raporti i Gjen. Dever dhe i ekipit mjekësor, që e shoqëronte atë, i tronditi rëndë kancelaritë e fuqive të mëdha. Pesë vite më vonë, në përfundim të Luftës I Botërore, në Versajë u mblodh Konferenca e Paqes (1919). Pikërisht në atë konferencë, njeriu që në 1914 kishte orkestruar marshin funebër të Shqipërisë së Jugut, Kryeministri grek E. Venizellos, u përpoq t’u mbushte mendjen përfaqësuesve të fuqive fituese që t’ia aneksonin atë Greqisë. Por, pangopësia dhe cinizmi i kryeministrit grek, kësaj radhe bënë efektin e kundërt. Përfaqësuesit e Fuqive i kujtuan atij pikërisht masakrën e dëshmuar të fshatit Hormovë dhe tragjedinë e 300 fshatrave të tjera të Shqipërisë së Jugut, të shkretuara e të shpopulluara nga bandat greke. Dhe në fund i thanë atij, se Greqia nuk mund të pretendonte si të vetin një territor, ku në vitin 1914 ushtria greke kishte spastruar me dhunë 80% të popullsisë.

E rrëfyer kështu, masakra e Hormovës ngjan si dy pika uji me masakrën e Reçakut, në shkurt të vitit 1999. Të dyja janë momente kthese në historinë e re të shqiptarëve. Janë dy ngjarje që, të raportuara nga dy gjeneralë të rreptë e kurajozë, Gjen. Dever dhe Gjen. Walker, tronditën rëndë ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar, si në 1914, ashtu edhe në 1999. Martirizimi i shqiptarëve në Hormovë, Panarit, Kosinë e gjetkë, në 1914, vuri një hipotekë të përgjakur mbi trojet e Shqipërisë së Jugut dhe ngjalli simpatitë e para për shqiptarët tek një Evropë, që deri atëherë kishte qenë cinike me ta. Masakra e Reçakut, nga ana e saj, farkëtoi një lidhje të re e të fortë të shqiptarëve me SHBA dhe Europën demokratike, i dha fund hezitimeve të komunitetit ndërkombëtar dhe i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.