Prof. Pajtim Bejtja: Fjalori i gjeologjisë

1377
Sigal

Para nja dyzet vjetësh, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë mori një nismë të rëndësishme, për të botuar terminologjinë e disa shkencave kryesore, në trajtën e një serie fjalorësh tekniko-shkencorë, në disa gjuhë. Numri 11, i botuar në vitin 1964, përmbante terminologjinë e gjeologjisë, të hartuar nga disa pedagogë të fakultetit të gjeologjisë, në bashkëpunim me një gjuhëtar të Institutit, që përgjigjej për fjalorin.

Të interesuar për terminologjinë, unë, si redaktor në SHBLSH dhe pedagog i jashtëm në Fakultet, si dhe një koleg tjetër, gjeolog e pedagog i brendshëm, e studiuam me kujdes për tre muaj fjalorin, u konsultuam edhe me fjalorë të ngjashëm të vendeve të tjera, krijuam mendimin tonë për vlerat dhe të metat e tij dhe më në fund shkruam një artikull që e botuam në një gazetë. Instituti i Gjuhësisë, që më vonë e ribotoi artikullin tonë në një përmbledhje artikujsh për serinë e fjalorëve, organizoi një takim të autorëve të fjalorit me ne, të drejtuar nga drejtori i Institutit.

Diskutimi vazhdoi gjatë dhe me zjarr, me pranim dhe mospranim të vërejtjeve tona. Ne në artikullin tonë nuk merreshim me autorët, por me produktin e punës së tyre. Ndër të tjera, ngriheshim kundër purizmit, por njëkohësisht kërkonim që të mos përdoreshin pa nevojë terma të huaj, siç ndodhte në fjalorin e botuar. Ne kërkonim, gjithashtu, që të përcaktoheshin dhe të respektoheshin disa kritere kryesore, p.sh., a do të përkthehen emrat e shkencave apo jo? Në fjalor pak emra shkencash ishin përkthyer, kurse të tjerët jo. Kështu, “stratigrafia” ishte përkthyer “shtresëshkronja”. Ne u shprehëm kundër përkthimit të emrave të shkencave dhe në diskutim e sipër unë iu drejtova gjuhëtarit:

– Çështja nuk është a jemi në gjendje t’i përkthejmë termat, por a duhet t’i përkthejmë të gjitha kategoritë e termave. Si t’i përkthejmë, është një çështje që vjen më pas, në qoftë se vendosim t’i përkthejmë. Ju nuk keni qenë konsekuentë në fjalorin që keni hartuar. Kur keni përkthyer termin stratigrafi, pse s’keni përkthyer edhe termin gjeologji, për shembull? – vijova unë.

– E si ta përkthejmë termin “gjeologji”?, – u hodh gjuhëtari.

– Fare kollaj, – iu përgjigja unë, me ton gjoja serioz. “Gjeo” do të thotë “Tokë”, “logos” do të thotë “shkencë” ose “fjalë”. Në Kavajë fjalës i thonë “llogje”, kështu që “Gjeologjia” përkthehet “Tokëllogjja”.

Drejtori i Institutit, që po më dëgjonte me vëmendje, duke kujtuar se po flisja seriozisht, filloi të qeshte me ulërima, duke mbajtur barkun me dorë dhe duke thënë në mënyrë të përsëritur: – Ku të vajti mendja inxhinier, ku të vajti mendja inxhinier….

Me të vërtetë, ku më vajti mendja? Edhe tani, pas dyzet e ca vjetësh, nuk e kuptoj pse nuk sajova termin “Tokëfjala” apo “Dhefjala”, për shembull, në ngjashmëri me “Dheshkronja”, siç thoshin rilindësit për gjeografinë, ose me “Shresëshkronja”, siç kishte bërë gjuhëtari për stratigrafinë, po “Tokëllogjja”! Ndoshta trurit tim i shkrepi në çast të sajonte një term të tillë, për të treguar se ku të çon purizmi i skajshëm.