Prof. Kristo Frashëri * / Lidhja e Prizrenit në dokumentet historike të kohës

1169

Rrëfen historiani i njohur Prof. Kristo Frashëri mbi rolin e Abdyl Frashërit në Kuvendin e  Prizrenit

Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet veta më 10 qershor 1978, në një nga sallat e Medresesë së ndërtuar në shekullin e 17-të nga Mehmet Pasha. Merrnin pjesë rreth 110 delegatë. Punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura për publikun. Mbledhjen e kuvendit e drejtoi delegati më i moshuar, Iliaz Pashë Dibra ose Iliaz Pashë Qoku, siç e quanin dibranët. Iliaz Pashë Qoku ishte një veteran i luftërave të armatosura kundër Tanzimatit, dhe si i tillë ai vazhdonte të gëzonte simpati në masat malësore dibrane. Ai ishte një autonomist i matur, si pjesëtar i rrymës së moderuar. Si rrjedhim, Iliaz Pashë Dibra u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Përgjithshëm në saje të simpatisë që gëzonte në masat popullore malësore dhe të pozitës centriste që zinte në korrentet politike të ditës. Në ditën e parë të punimeve, në kuvend folën delegatë që u takonin të tria rrymave politike. Hollësira nuk kemi por mund të merret me mend se secila palë parashtroi pikëpamjet e veta rreth karakterit të organizatës dhe programit të saj politik. Nga punimet e ditës së parë, kemi vetëm një fragment të fjalimit të zjarrtë që mbajti Abdyl Frashëri, delegati i Toskërisë. Teksti është i besueshëm mbasi pajtohet plotësisht me pikëpamjet e shprehura nga rilindësi i shquar në artikujt e tij të botuara disa javë më parë. Vetëkuptohet se divergjencat më të mprehta u shfaqën rreth dy çështjeve parimore të dorës së parë që duhej të vendoste kuvendi: rreth karakterit të organizatës dhe programit të saj politik. Partizanët sulltanistë, përfaqësoheshin nga një pakicë delegatësh madje, pesha e tyre numerike parashihej të ulej më tepër me ardhjen në Prizren të delegatëve nga dy vilajetet e tjera, të cilët ishin pa përjashtim kundërshtarë të karakterit islamik të organizatës. Por, për patriotët revolucionarë koha nuk priste. Momenti ishte krucial. Kuvendi po i zhvillonte punimet nën presionin e dy motiveve me rëndësi jetike për fatin e Shqipërisë. Mbi delegatët ushtronte presion, nga njëra anë, nevoja për ta çuar sa më parë zërin e kërkesave të tyre në Kongresin e Berlinit ku po vërshonin delegacione qeveritare nga të gjitha shtetet ballkanike, nga ana tjetër, ngutësia për të organizuar sa më shpejt rezistencën e armatosur kundër vendimeve që parashihej se do të merrnin Fuqitë e Mëdha në dëm të tërësisë territorial të atdheut. Përveç këtyre dy presioneve, të cilat qëndronin mbi kryet e delegatëve si Shpata e Damokleut, vepronte edhe presioni i fuqishëm që ushtronin autoritetet qeveritare osmane ndaj delegatëve të rrymës së moderuar për t’i detyruar që të hiqnin dorë nga kërkesa për vilajetin e bashkuar shqiptar të pajisur me disa të drejta autonomiste. Këto divergjenca u dukën sidomos kur u shtrua për diskutim teksti i memorandumit që kuvendi do t’i drejtonte Kongresit të Berlinit. Ndryshe nga patriotët revolucionarë, të cilët ngulnin këmbë për një besëlidhje me karakter kombëtar, partizanët sulltanistë kërkonin që në memorandum të shprehej besnikëria ndaj sulltanit dhe të heshtej për të drejta vetëqeverisëse, mbasi këto do të hapnin, sipas tyre, një konflikt të brendshëm me Portën e Lartë, në dëm të interesave të vendit. Duke e përshkruar këtë konflikt politik dhe ideologjik i cili u shtri po ato ditë në Shkodër, konsulli frëng, G. Pons, raportonte një javë më vonë, se për të mënjanuar përçarjen, delegatët e të gjitha rrymave u detyruan të linin për më vonë atë çka ata i ndante dhe të përqendroheshin rreth asaj që ata i bashkonte, konkretisht rreth vendosmërisë të të gjitha palëve për të kundërshtuar çdo gjymtim të tërësisë territoriale të atdheut, rreth së cilës, sikurse shënonte ai ekzistonte një unitet i plotë. Ky unitet u arrit duke hequr nga memorandumi si shprehjen e besnikërisë ndaj sulltanit, ashtu dhe kërkesën për reforma autonomiste në Shqipëri. U dha pëlqimin për të formuar një besëlidhje të përgjithshme, me karakter politik dhe ushtarak, pa e cilësuar as Lidhje Shqiptare, as Lidhje Islamike, por thjesht Lidhje ose Lidhje e Prizrenit. Kuvendi vendosi, para së gjithash, të njoftonte me anë të një peticioni popullor, Kongresin e Berlinit që të mos i jepte asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu i tyre, asnjë shteti të huaj. Përndryshe, thuhej në Tercuman-i Sark, “përfaqësuesit shqiptarë”, ishin betuar se do të luftonin deri te njeriu i fundit për të kundërshtuar çdo vendim që do të cenonte tërësinë territorial të atdheut të tyre. Sipas burimeve të tjera, kuvendi hartoi jo një por dy peticione, të nënshkruara nga katër mijë veta,55 nga myslimanë dhe të krishterë bashkërisht,56 njëri për Kongresin e Berlinit, tjetri për Portën e Lartë. Veç kësaj, kuvendi caktoi dy delegacione për t’i paraqitur dorazi, në Berlin dhe në Stamboll, këto peticione dhe për të ndjekur nga afër fatin e tyre. Historiani serb, J. Haxhivasiljeviçi, njofton se delegacionin shqiptar për në Kongresin e Berlinit e kryesoi Abdyl Frashëri. Përbërjen e delegacionit tjetër nuk e dimë, por mbërritjen e tij në Stamboll e njohim nga lajmi i botuar në Tercuman-i Sark më 22 qershor 1878. Vendimi i dytë i rëndësishëm që mori Kuvendi i Përgjithshëm kishte të bënte, sipas njoftimit të botuar në organin e Sami Frashërit, me pajisjen e Lidhjes së Prizrenit me forcat e armatosura, të cilat do të përdoreshin për të kundërshtuar vendimet e padrejta që parashihej se do të merrte Kongresi i Berlinit. Këto forca të armatosura do të formoheshin me vullnetarë shqiptarë në mënyrë krejtësisht të pavarur nga Porta e Lartë dhe do të viheshin në dispozicion të Lidhjes së Prizrenit. Aty thuhej gjithashtu se fill pas marrjes se vendimit kishte filluar regjistrimi i vullnetarëve dhe se ishin preferuar në radhë të parë ata që kishin armë në shtëpitë e tyre. Lidhur me ushtrinë shqiptare, gazeta turke “Zaman” (Stamboll) njoftonte një ditë më pare se në bazë të informatave të saj, kuvendi i Prizrenit kishte vendosur të hartonte edhe një rregullore ushtarake. Vendimi i tretë i rëndësishëm synonte paqësimin e përgjithshëm të shqiptarëve. Për këtë qëllim, kuvendi i Prizrenit, shpalli, sipas zakonit tradicional të vendit, një besë të përgjithshme. Me shpalljen e saj, do të ndërpriteshin, derisa të ekzistonte rreziku i jashtëm që kërcënonte atdheun, të gjitha mëritë dhe gjakmarrjet. Në bazë të besës, të gjithë shqiptarët të prekur nga mëritë, do të pajtoheshin pa përjashtim njëri me tjetrin. Vendimi i fundit që mori Kuvendi i Përgjithshëm, gjithashtu me rëndësi të jashtëzakonshme për momentin historik, kishte lidhje me barazinë politike dhe juridike të mbarë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Në bazë të këtij vendimi, Kuvendi i Përgjithshëm shkelmonte kështu në praktikë politikën tradicionale osmane të diskriminimit fetar të qytetarëve dhe vinte në jetë parimin themelor të Rilindjes Kombëtare mbi vëllazërimin e të gjithë shqiptarëve në fushën e të drejtave dhe detyrave politike. Vendimi i Kuvendit të Përgjithshëm për të themeluar një organizatë politike jo islamike dhe për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, tregonte se Porta e Lartë, me gjithë pjesëmarrjen e delegatëve sulltanistë dhe me gjithë praninë e vëzhguesve qeveritarë, nuk arriti dot t’ua impononte shqiptarëve platformën e saj politike. Vendimi ishte i lidhur aq ngushtë me interesat kombëtare të Shqipërisë, sa cilësohej ashtu siç qe në të vërtetë, një lëvizje patriotike që kishte dalë nga nisma popullore. Karakteri patriotik dhe popullor i saj dukej në mënyrë të veçantë, te britmat e pakënaqësisë dhe të zemërimit që po tregonin haptazi delegatët kundër sulltanit halif dhe kundër Portës së Lartë. Me një fjalë, besëlidhja e Prizrenit u vu mbi binarë të tillë, të cilët nuk mund t’u shërbenin aspak interesave të Perandorisë Osmane.  Lidhja Shqiptare, në kuptimin patriotik shqiptar, ishte tashmë një fakt i kryer. Megjithatë, Porta ngurroi ta shpërndante Kuvendin e Përgjithshëm. Arsyen na e thonë tërthorazi konsujt e huaj kur flasin për zemërimin e thellë që kishte pushtuar shqiptarët ndaj Portës, e cila me nënshkrimin që kishte vënë në Traktatin e Shën-Stefanit kishte pranuar copëtimin e trojeve të tyre në dobi të monarkive fqinje. Njëri prej tyre, konsulli Jelinek, na e thotë pothuajse shkoqur kur shkruan më 18 qershor 1878 se dëshira që shprehu Kuvendi i Përgjithshëm për të qëndruar më tej nën sundimin e Perandorisë Osmane, ishte e kushtëzuar me zotimet që Porta e Lartë duhej të përmbushte ndaj Shqipërisë. Në qoftë se Kongresi i Berlinit, raportonte ai, do të merrte vendime të tilla që do ta dobësonin Perandorinë Osmane në një shkallë aq të madhe sa ajo të mos ishte në gjendje ta mbronte atdheun e tyre nga lakmitë territoriale të fqinjëve, atëherë delegates kishin ndërmend ta shpallnin Shqipërinë principatë të pavarur me qëllim që ta merrnin vetë në dorë mbrojtjen e kufijve të saj68. Shkurt, Porta e Lartë ngurroi ta shpërndante Kuvendin e Përgjithshëm nga frika se ndërhyrja e saj do të shkaktonte revoltën e shqiptarëve. Por nga an tjetër ajo nuk i humbi shpresat për ta kthyer Kuvendin e Përgjithshëm në binarë: e politikës osmane, pra për t’i dhënë Lidhjes karakterin e një organizate parashtetërore islamike me qëllim që të luftonte me anë të saj, pa dalë vetë në skenë, për të mbrojtur interesat e saj perandorake. Por edhe qarqet patriotike shqiptare nuk e konsideruan vendimin e 10 qershorit 1878, si një fitore përfundimtare. Organizata politike kombëtare për të cilën kishte nevojë Shqipëria ende nuk ishte krijuar. Kështu me mbështetjen e autoriteteve shtetërore, sulltanistët kaluan në sulm për ta marrë në duart e tyre drejtimin e kuvendit, sidomos tani që filloi beteja për ta pajisur Lidhjen e Prizrenit me programin e saj politik, me statusin e saj juridik, me organet e saj drejtuese dhe me forcat e saj të armatosura. Presioni i fuqishëm që ushtruan autoritetet shtetërore në kuvend dhe jashtë kuvendit, i mahisi më tej divergjencat që ekzistonin më parë midis delegatëve të rrymave të ndryshme. Duke parë kundërshtimin e rreptë të patriotëve radikalë, delegatët sulltanistë u përpoqën t’i përfundonin diskutimet para se të arrinin delegatët e vilajeteve të Shkodrës dhe të Janinës. Patriotët radikalë i rezistuan presionit të autoriteteve shtetërore, por një pjesë e delegatëve centristë kapitulloi, pasi morën, si duket, premtime se nuk do ta kthenin besëlidhjen islamike shqiptare në një organizatë islamike ballkanike. Patriotët revolucionarë, përkundrazi, i përqendruan përpjekjet e tyre, për ta vonuar vendimin rreth programit deri në mbërritjen e delegatëve të tjerë. Në të njëjtën kohë, ata ushtruan telegrafisht presion në Shkodër dhe në Janinë, për nisjen sa më parë të delegatëve të tyre. Shkodranët u përgjigjën telegrafisht, më 13 qershor 1878, se ishin paraprakisht dakord me vendimet që do merreshin në Prizren, pa e kuptuar, si duket nga mungesa e informacionit, se miratimi symbyllurazi, mund të ishte në favor të kundërshtarëve të tyre. Duke parë se sulltanistët po ngulnin këmbë për miratimin e shpejtë të programit, delegatët radikalë filluan të deklaronin se nga mungesa e përfaqësuesve të vilajeteve të tjera, kuvendi i Prizrenit do të kishte karakter krahinor dhe jo kombëtar. Jehona e kësaj zhurme, pasqyrohet edhe në raportin e përmendur të Jelinekut, i cili e njoftonte ministrin Andrashi, më 18 qershor 1878, se në Prizren pritej të vinin delegatët e viseve të tjera të Shqipërisë që bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, të Janinës dhe të Manastirit me qëllim që kuvendi krahinor të kthehej në një kuvend të përgjithshëm, i cili të kërkonte nga Kongresi i Berlinit “rregullimin e Çështjes Lindore në interes të Shqipërisë” dhe të “merrte vendime të përbashkëta, të zbatueshme” për të gjitha viset shqiptare.

* Marrë nga libri i Profesor Kristo Frashërit “Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881)

 _________________________________________________________________________________________________

DOKUMENTE HISTORIKE / Lidhja e Prizrenit në faqet e “Terxhumani shark” të Sami Frashërit

Disa hollësira rreth themelimit të Lidhjes së Prizrenit i njohim nga materialet e rubrikës së ngjarjeve që u botuan po atë ditë në Tercuman-i Sark pa emrin e autorit, por që kuptohet se janë shkruar nga pena e Sami Frashërit. Aluzionin e parë për takimin e Prizrenit, Sami Frashëri e dha qysh me 15 qershor 1878. Në artikullin me titull “Intrigat e sllavëve dhe të grekëve në Rumeli”, ai shkruante se “shqiptarët duke e kuptuar se çfarë rreziku po i vinte Shqipërisë nga ndarja administrative e Portës së Lartë dhe nga synimet territoriale të shovinistëve fqinjë, kanë marrë masa efektive për të kundërshtuar si ndarjen e trojeve të tyre në disa vilajete ashtu dhe copëtimin e tyre nga shtetet e huaja”. Pastaj, duke ju drejtuar qeverisë së Stambollit, Samiu shkruante se ishte mëse e nevojshme që edhe Perandoria Osmane të merrte, në të njëjtën kohë, disa masa kundër intrigave që po kurdisnin fuqitë e huaja në dëm të Shqipërisë. Çfarë masash? “Masa e parë që duhet të marrë Porta e Lartë – nënvizonte ai – është bashkimi i trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm duke i ndarë ato nga trojet me popullsi sllave dhe greke”. Dy ditë më vonë, Tercuman-i Sark-u njoftonte haptas mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm në Prizren. Më 17 qershor 1878, në një nga kolonat e saj shkruhej tekstualisht: “Shqiptarët, për të shpëtuar atdheun e tyre nga lakmitë bullgare, serbe, malazeze dhe greke që duan ta pushtojnë atë, organizuan në Prizren një Kuvend të përgjithshëm. Krahas argumenteve që sollën rreth i synimeve armiqësore të shteteve fqinje, ata shqyrtuan edhe masat që duhen marrë për të përballuar rrezikun që i kërcënohet atdheut të tyre”. Megjithatë, vendimet që mori Kuvendi i Përgjithshëm në momentin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, Sami Frashëri i shpalli me pak vonesë, më 23 qershor 1878. Në mënyrë të përmbledhur, por të qartë, ai njoftonte se “përfaqësuesit shqiptarë në Prizren” morën një varg vendimesh të rëndësishme, të cilat shprehnin programin e Lidhjes së Prizrenit në katër drejtime të ndryshme.

_________________________________________________________________________________________________

KARAKTERI PATRIOTIK I LIDHJES SË PRIZRENIT

Lidhja e Prizrenit, edhe pse më 10 qershor 1878 nuk u shpall zyrtarisht si një organizatë shqiptare, pati qysh në ditën e saj të parë, një karakter patriotik. Karakteri i saj patriotik duket para së gjithash në vendimin që mori Kuvendi i Përgjithshëm për të kundërshtuar vetëm copëtimin e trojeve shqiptare dhe jo shkëputjen e trojeve të tjera nga Perandoria Osmane, siç kërkonin delegatët e ardhur nga Hercegovina dhe Novipazari. Karakteri patriotik duket gjithashtu në detyrën që mori përsipër Lidhja e Prizrenit për të organizuar rezistencën politike dhe ushtarake duke mobilizuar vetëm shqiptarët, madje krejt shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare dhe krahinore

 _________________________________________________________________________________________________

NGA KRONIKA E KOHËS, TRI JAVË MBLEDHJE

Lufta për të përcaktuar programin e Lidhjes së Prizrenit, filloi qysh të nesërmen e thellimit të saj dhe vazhdoi më tepër se tri javë. Gjatë këtyre tri javëve mbledhjet qenë të vazhdueshme. Ato pezulloheshin në mbrëmje, por punimet nuk ndërpriteshin. Natën delegatët mblidheshin grupe-grupe, sipas rrymave, në vende të ndryshme, në shtëpitë ku u qenë caktuar për strehim. Aty delegatët rakordonin me njëri-tjetrin pikëpamjet që do të mbronin ose do të kundërshtonin të nesërmen. Sipas traditës popullore, delegatë të rrymës revolucionare mblidheshin në shtëpinë e patriotit prizrenas, Shuajip Spahiut, kurse delegatët sulltanistë në ndërtesën qeveritare, si mysafirë të mytesarifit të Prizrenit, Qamil beut. Duket se patriotët e moderuar nuk kishin një seli të veçantë për mbledhjet e tyre, por duke e konsideruar veten si ndërmjetës, ata takoheshin herë me njërën, herë me tjetrën palë. Mbledhjet e patriotëve radikalë qenë të fshehta. Të fshehta qenë edhe takimet e sulltanistëve, me ndryshim se në mbledhjet e tyre merrnin pjesë funksionarë të vilajetit dhe të mytesarifit