Prof. Kristo Frashëri / Abdyl Frashëri, frymëzuesi dhe organizatori i Lidhjes së Prizrenit

1608
Sigal

Dokumente të panjohura më parë në librin e Profesor Kristo Frashërit “Lidhja Shqiptare Prizrenit (1878-1881)”

 Një memorandum tjetër me një ton po aq luftarak qe edhe ai drejtuar më 15 qershor 1878 Kongresit të Berlinit nga përfaqësuesit e rretheve të Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Lezhës, Krujës, Tiranës, Kavajës dhe Podgoricës, myslimanë e të krishterë, të cilët duket se formuan Komitetin Ndërkrahinor të Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Shkodrës. Memorandumi,i u nënshkrua publikisht në sytë e autoriteteve lokale. Pasi protestohej kundër përmbajtjes së Traktatit të Shën-Stefanit, i cili i jepte Malit të Zi viset shqiptare, në memorandum thuhej: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë popullit duke ju lutur që të merrni parasysh fatkeqësitë që kërcënojnë ekzistencën tonë, kemi nderin të deklarojmë se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, krejt ndryshe, për nga raca dhe nga feja, nga ato të sllavëve, është unanimisht i vendosur të mbrojë atdheun kundër çdo copëtimi territorial që është projektuar, si një veprim në kundërshtim  Pak a shumë një përmbajtje të tillë kishte edhe memorandumi që dibranët u dërguan më 18 qershor 1878 përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Berlin. Nga protestat dhe peticionet e tjera të redaktuara gjatë ditëve të Kongresit të Berlinit, vlen të përmendet më në fund akti i nënshkruar nga 70 delegatë të Kuvendit të Përgjithshëm, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e rrymës sulltaniste, të cilët u detyruan t’i bënin lëshime njëri-tjetrit, për të siguruar sa më tepër nënshkrime. Ky lëshim kuptohet nga përmbajtja e peticionit, i cili edhe pse nuk zë në gojë Shqipërinë, është i zhveshur nga fryma islamike. Ndërkohë në Shkodër dhe më pas në Dibër dhe në Jug, pas njohjes me vendimet e Kongresit të Berlinit filluan të zgjidhej turi i dytë i delegatëve të Lidhjes së Prizrenit. Ardhja e delegatëve të krahinave të tjera të vendit përkoi me lajmet shqetësuese që filluan të vinin nga Kongresi i Berlinit. Si rrjedhim, Kuvendi i Përgjithshëm i rifilloi punimet e veta më 1 korrik 1878, në një kohë kur tensionin e brendshëm që kishin shkaktuar ndërhyrjet arbitrare të sulltanistëve e rënduan ca më tepër vendimet e padrejta që kishin marrë Fuqitë e Mëdha në dëm të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Sipas diplomatit rus, I. Jastrebov, në Prizren kishin ardhur rreth 300l delegate, kurse ne njohim poshtë lart, 140 emra, nga të cilët 96 përfaqësonin vilajetin e Kosovës, 26 vilajetin e Shkodrës dhe 20 vilajetin e Janinës. Midis përfaqësuesve të Toskërisë, siç quhej pjesa shqiptare e vilajetit të Janinës, ndodhej edhe Abdyl Frashëri, i cili ndërkohë ishte kthyer nga misioni i tij në Berlin. Edhe këtë radhë jemi të detyruar të pohojmë se njoftimet që kemi për turnin e dytë të punimeve të Kuvendit të Përgjithshëm janë fragmentare. Si dhe më parë, bisedimet u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe nuk u pasqyruan me shkrim, kurse teksti i vendimit kryesor ende nuk ka dalë, integralisht, në dritë. Prej tij kemi vetëm një fragment të riprodhuar nga konsulli italian në Shkodër, Berio dhe disa njoftime të përmbledhura nga Lippihu dhe Ponsi. Raporti i Jelinekut drejtuar Vjenës në ditët e para të korrikut, i cili me siguri përmbante lajme të rëndësishme mbi punimet e Kuvendit të Përgjithshëm, nuk ka rënë ende në duart tona. Bisedimet brenda Kuvendit të Përgjithshëm, vazhduan tri ditë, kurse më 4 korrik 1878 duket se u zhvilluan bisedime jozyrtare midis delegatëve, sepse këta filluan të largohen nga Prizreni qysh të nesërmen, më 5 korrik 1878. Lippihu, i cili u çudit për kthimin e tyre kaq shpejt në Shkodër, na jep njoftimet e para rreth frymës së bisedimeve të Prizrenit. Nga njoftimet e para që ai voli prej delegatëve shkodranë, kuptohet se në Kuvendin e Përgjithshëm pati debate të zjarrta. Që pati debate të ndezura, këtë na e thotë edhe konsulli grek në Manastir, P. Logothetis, i cili shton se gjatë atyre ditëve “agjitacioni” midis delegatëve arriti kulmin. Lippihu thotë gjithashtu se blloku që u formua rreth Kararnamesë midis delegatëve sulltanistë dhe patriotëve të moderuar tani u përça. Këtë përçarje, Lippihu e paraqet si mosmarrëveshje midis Abdullah pashë Drenit dhe lljaz pashë Dibrës. Nuk është vështirë të kuptohet se prapa mosmarrëveshjeve që dolën në shesh midis dy pashallarëve të fuqishëm, pasqyroheshin divergjencat e theksuara që ekzistonin midis dy rreshtimeve politike që ata udhëhiqnin. Në literaturën historiografike ndeshet, sikurse u tha, pohimi kur si Lidhja e Prizrenit u themelua në mbledhjen që zhvilloi Kuvendi i Përgjithshëm më 1 korrik 1878122. Madje, sipas historianit italian, R. Almaxha (Almagia), atë ditë Kuvendi i Përgjithshëm mori dy vendime të rëndësishme – të kundërshtonte deri në vdekje copëtimin e trojeve shqiptare nga kushdo qoftë dhe të kërkonte bashkimin e këtyre trojeve në një njësi politiko-administrative të veçuar, pra në një vilajet shqiptar me një autonomi të gjerë nën sovranitetin e sulltanit. Historiani turk, S. Kylçe shkruan nga ana e vet se më 1 korrik 1878 Kuvendi i Përgjithshëm miratoi në mënyrë të fshehtë një rezolutë prej 5 pikash, me të cilat kërkohej nga Porta e Lartë: njësimi i vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm; pajisja e këtij vilajeti me një administratë autonome; formimi i forcave të armatosura shqiptare (milici dhe ushtri), të veçuara nga forcat e armatosura perandorake; mëkëmbja brenda këtij vilajeti e një Kuvendi të Përgjithshëm si organ të rregullt me pushtet legjislativ; emërimi i një kryetari shteti në krye të Vilajetit Shqiptar. Por këto njoftime dhe vlerësime nuk janë të sakta. Sikurse u pa, Lidhja e Prizrenit u thellua nga Kuvendi i Përgjithshëm më 10 qershor 1878, kurse më 1 korrik 1878 ajo u pajis me statutin e saj themeltar. Dy ndër pesë kërkesat e rezolutës, për të cilat bën fjalë S. Kylçe – kërkesa për vilajetin shqiptar dhe për emërimin e një presidenti në krye të këtij vilajeti, – nuk pasqyrohen në burimet dokumentare të kohës. Sot për sot mund të thuhet se Kuvendi i Përgjithshëm, u dha fund punimeve duke zgjedhur organet e Larta të Lidhjes Shqiptare: Këshillin e Përgjithshëm ose Këshillin Qendror dhe Komitetin Kombëtar ose Komitetin për Shpëtimin Publik, siç e quajnë disa konsuj të huaj në raportet e atyre ditëve. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë, emrat e të cilëve nuk i dimë të gjithë. Prej tyre dimë vetëm emrat që na jep J. Haxhivasiljeviçi për përfaqësuesit e Vilajetit të Kosovës, G. Pons për ata të vilajetit të Shkodrës dhe përsëri J. Haxhivasiljeviçi për një pjesë të përfaqësuesve të Vilajetit të Janinës. Në Këshillin Qendror u zgjodhën 28 anëtarë nga Vilajeti i Kosovës, 18 anëtarë nga ai i Janinës dhe 10 anëtarë nga vilajeti i Shkodrës. Nga emrat e anëtarëve kuptohet se në Këshillin e Përgjithshëm hynë përfaqësues nga të gjitha rrymat, duke përfshirë edhe sulltanistë, të cilët, me gjithë disfatën politike që pësuan, qëndruan (ndonëse përkohësisht), në radhët e Lidhjes Shqiptare. Shumicën dërrmuese të Këshillit të Përgjithshëm tani e përbënin patriotët e rrymës së moderuar, të cilët përfaqësoheshin nga lliaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Ali pashë Draga, Hasan pashë Draga, Haxhi Sadik Tetova, Hysen bej Gjilani, Ali bej Tirana, Qazim bej Gjirokastra, Mustafa Nuri Vlora, Shaban Bej Peja, etj.. Patriotët radikalë përfaqësoheshin kryesisht nga Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, etj. Ndër figurat e pakta sulltaniste që hynë në Këshillin Qendror, qenë Abdullah pashë Dreni, Osman Myflti Prishtina, Filë Mustafa Shkupi, Haxhi Sadik Tetova, Sadik pashë Hoxholli, Abedin pashë Dino, etj. Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm, i cili ishte njëkohësisht Kryetar i Lidhjes Shqiptare, u zgjodh Iliaz pashë Dibra, kurse nënkryetar, sheh Mustafa Tetova apo Mustafa efendi Tetova. Në Komitetin Kombëtar, i cili u vesh me funksione ekzekutive u zgjodhën 13 anëtarë, njëri prej të cilëve, Ymer Prizreni (Haxhi Ymeri) u caktua kryetar, kurse të tjerët u ndanë në tre komisione, me funksione dikasteriale, me nga 4 veta secili. Komisioni i Punëve të Jashtme do të ndiqte çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe në mënyrë më të ngutshme punimet e Kongresit të Berlinit. Kryetar i komisionit u caktua Abdyl Frashëri, i cili do të ndihmohej nga Shaban Peja, Galip Shkupi dhe Asaf Manastiri. Komisioni i Punëve të Brendshme, me kryetar Haxhi Shaban Prizrenin dhe anëtarë Qorr Abdyl Shkupin, Esat pashë Tetovën dhe Mahmut efendi Qypriliun, do të merrej me ruajtjen e rendit publik, me mëkëmbjen e organeve pushtetore dhe me ndjekjen e çështjeve gjyqësore. Komisioni i Punëve Financiare kishte për detyrë jo vetëm të administronte buxhetin e Lidhjes Shqiptare, por të siguronte, në të njëjtën kohë edhe pajisjen e forcave të armatosura me armë, municione, pajime, veshmbathje, ushqime. Kryetari i komisionit të tretë u caktua Sulejman Vokshi me anëtarë Zija Prishtinën, Shefik Gjilanin dhe një tjetër, emrin e të cilit nuk e dimë. Ndryshe nga Këshilli i Përgjithshëm, në Komitetin Kombëtar nuk hyri asnjë partizan sulltanist, ndoshta sepse këtë nuk donin që të komprometoheshin përballë Portës. Anëtarët e tij u takonin dy rrymave patriotike, por zërin kryesor e kishin patriotët revolucionarë me Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin dhe Sulejman Vokshin në krye.  Kështu, pas tri javësh morën fund punimet e Kuvendit të Përgjithshëm. Sipas korrespondentit nga Kosova të gazetës serbe “Istok” (Beograd), ato “përfunduan me një ceremoni të shkëlqyer”. Më tej ai shkruan: “Jashtë Kuvendit u zhvillua një manifestim ku u kënduan këngë të ndryshme. Në fund, të gjithë pjesëmarrësit u betuan se askujt nuk do t’i lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë. Disa prej tyre dhanë besën se kështu do të veprojnë edhe me turqit”. Me shpërndarjen e Kuvendit të Përgjithshëm, organi më i Lartë i Lidhje Shqiptare të Prizrenit u bë Këshilli i Përgjithshëm, përpara të cilit do të jepte llogari Komiteti Kombëtar. Këshilli i Përgjithshëm, nga ana e vet, mori vendim që të gjithë anëtarët e tij të shpërndaheshin nëpër krahinat e tyre për të ndihmuar në organizimin e degëve të Lidhjes Shqiptare nëpër krahina dhe në zbatimin e detyrave urgjente që dilnin nga programi i saj politik. Në Prizren do të qëndronin vetëm shtatë anëtarë të Komitetit Kombëtar, për të ndjekur dhe koordinuar punët e përditshme.

DOKUMENTE HISTORIKE/ KUSH E FORMOI LIDHJEN E PRIZRENIT?…

Pati edhe vëzhgues të huaj, të cilët e vunë në dyshim që ato ditë tezën se Lidhja e Prizrenit u krijua nga Porta e Lartë e Stambollit. Sipas tyre, qëllimi i veçantë i Lidhjes së Prizrenit ishte të kundërshtonte reformat perandorake osmane, të cilat do ta dobësonin pozitën e privilegjuar që kishin shtresat e larta të shoqërisë shqiptare. Por ky interpretim është i gabuar. Sikurse do të shihet më tej, Lidhja e Prizrenit, vendosi të kundërshtonte të gjitha ato reforma të imponuara nga Fuqitë e Mëdha, të cilat favorizonin lakmitë shoviniste të monarkive fqinje. Qarqet politike shqiptare mbajtën që në fillim një qëndrim krejt të kundërt. Sipas tyre, Porta jo vetëm nuk e formoi organizatën shqiptare, por as që kishte dijeni për thinjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Duke ju përgjigjur gazetës “Tajms” (Times) të Londrës. Sami Frashëri hidhte poshtë jo vetëm akuzën se Lidhja e Prizrenit ishte krijuar nga Porta, por edhe tezën se Stambolli ishte në dijeni të themelimit të saj. Ai shkruante ato javë: “Porta e Lartë nuk ka pasur gisht në formimin e Lidhjes Shqiptare, madje vonë ajo e ka marrë vesh se ekziston një besëlidhje e tillë. Lidhja Shqiptare u formua nga shqiptarët për të shpëtuar nga thonjtë e të tjerëve tokat që janë pjesë e Shqipërisë dhe që banohen nga popullsi shqiptare. Ajo mbështetet në masën e gjerë të popullsisë. Prandaj Porta e Lartë nuk mund t’i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në Lidhjen e tyre”.Por edhe teza e Sami Frashërit nuk është plotësisht e saktë. Fakti që administrate osmane ishte në dijeni të mbledhjes së Kuvendit të Përgjithshëm as që mund të vihet në dyshim, ashtu siç nuk mund të vihet në dyshim edhe fakti tjetër se Porta nuk e dëshironte krijimin e një organizate patriotike shqiptare. Përse atëherë ajo nuk ndërhyri për ta shpërndarë Kuvendin e Prizrenit dhe përse e la të lirë themelimin e Lidhjes Shqiptare? Dy janë arsyet: besimi i saj i tepruar te elementët sulltanistë, të cilët ajo shpresonte se do ta tërhiqnin organizatën shqiptare në hullitë e programit të saj politik dhe frika e saj se po të përdorte dhunë policore kundër shqiptarëve do të shkaktonte kundërveprimin e tyre të armatosur. Nuk duhet harruar se në pranverën e vitit 1878 administrata osmane nuk e kishte në dorë situatën në Shqipëri. Veç kësaj hija e kryengritjeve gjysmëshekullore që kishin zhvilluar shqiptarët kundër Tanzimatit ende nuk ishte zhdukur. Si përfundim, Lidhjen e Prizrenit nuk e krijoi Porta e Lartë. Atë e formuan shqiptarët për interesat e tyre kombëtare. Porta e Lartë nuk e kundërshtoi themelimin e Lidhjes mbasi shpresoi se ajo do të formohej si një organizatë islamike për të mbrojtur interesat e veta perandorake. Më tej, kur Lidhja e Prizrenit doli si një organizatë patriotike shqiptare, ajo u detyrua të pranonte formimin e saj si një fakt të kryer. Duke e pranuar si një fakt të kryer, Porta vazhdoi të shpresonte se mund ta përdorte forcën e saj politike dhe ushtarake për të kundërshtuar cedimet territoriale që Kongresi i Berlinit i imponoi Perandorisë Osmane.

SHKODRANËT: “SHQIPËRIA E MUNDUR, POR JO E NËNSHTRUAR…”

Po ashtu, ditën kur u hap Kongresi i Berlinit, më 13 qershor 1878, qytetarët shkodranë i drejtuan ministrit të Jashtëm britanik, lordit Bikonsfild (Beaconsfield), një memorandum me një përmbajtje të lartë patriotike. Aty thuhej midis të tjerave: “Shqipëria nuk mund të përfaqësohet nga qeveria osmane. Shqiptari, qoftë katolik, qoftë ortodoks, qoftë mysliman, e urren aq pushtuesin turk sa edhe çdo pushtues tjetër të huaj. Porta e Lartë e ka mundur por jo nënshtruar Shqipërinë…Ajo ka ditur të shkaktojë anarki në Shqipëri, ta lerë vendin pa asnjë qeveri shqiptare, pa mundur të krijojë një qeveri turke. Ashtu sikurse nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, ashtu do të kundërshtojmë me tërë fuqitë tona kundër cilitdo që kërkon të na bëjë sllavë ose austriakë ose grekë. Ne nuk duam të jemi veçse shqiptarë”.

LIDHJA E PRIZRENIT, GATI EDHE ME USHTRI!…

Konsulli Jelinek njoftonte më 24 qershor 1878, se një ditë më parë kishin arritur në Prizren delegatët e sanxhakut të Manastirit dhe se pritej nga dita në ditë të vinin delegatët nga viset e Shkodrës dhe të Selanikut. Ai njoftonte gjithashtu se ndërkohë shqiptarët po bënin përgatitje serioze për ta mëkëmbur sa më parë ushtrinë e Lidhjes së Prizrenit dhe për të grumbulluar rezerva sa më të mëdha me armë, municione, ushqime. Ai shtonte se shqiptarët kishin bërë një marrëveshje të fshehtë me komandantët e disa garnizoneve osmane, në bazë të së cilës, sapo të fillonin veprimet luftarake të Lidhjes me monarkitë fqinje, forcat vullnetare shqiptare do të “sulmonin” depot e garnizoneve ushtarake osmane, kurse komandantët turq do ta bënin syrin e verbër.” Për një marrëveshje të tillë të fshehtë ngulin këmbë edhe disa vëzhgues të tjerë të huaj. Megjithatë, saktësia e saj mbetet për t’u provuar, ndonëse një praktikë e tillë ishte në rendin e zakonshëm të punëve, sidomos kur komandantët e reparteve osmane ishin shqiptarë me origjinë dhe me ndërgjegje.