Prof. Kastriot Bezati: Brigada VI, vënd nderi ndër 24 brigadat e LANÇ-it luftuan e çliruan bashkë me popullin Shqipërinë

247
Ishte pranverë e vitit të fundit të Luftës, kur poeti i lirisë Memo Metua nga Kuçi i Kurveleshit, ngriti këngën:
Dil nëno të shikosh jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë
Brigada VI zë një vend nderi ndër 24 brigadat e UNÇSH, të cilat lindën e jetuan në vitet e LANÇ-it, luftuan e çliruan bashkë me popullin Shqipërinë. LANÇ-i (7 prill 1939 – 29 nëntor 1944) qëndron brenda hapësirës kohore të Luftës II Botërore (edhe pse tek ne LANÇ – i filloi 145 ditë më parë dhe përfundoi 129 ditë po më parë se Lufta II Botërore), e cila u zhvillua në 2077 ditë (1 shtator 1939 – 8 maj 1945), përbën një nga epokat më të lavdishme të shqiptarëve dhe shpëtoi nga copëtimi Shqipërinë. 
Ishte pranverë e vitit të fundit të Luftës, kur poeti i lirisë Memo Metua nga Kuçi i Kurveleshit, ngriti këngën:“Dil nëno, të shikosh jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë! …”. 
Në luftë ajo edhe u formua. Të katër batalionet që u inkuadruan në të, “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Baba Abaz” dhe “Naim Frashëri” (ku u rreshtua edhe një pjesë e partizanëve të Batalionit “Thoma Lula”), gjithsej 912 partizanë, mëngjesi i 26 janarit 1944 i gjeti në të dy anët e Luginës së Përmetit. Kodrat pranë xhadesë u bënë “vendi i përurimit”, ndërsa “duartrokitjet” ishin krismat e armëve që zbrazeshin mbi nazistët e tradhtarët, të cilët suleshin si bisha të egra drejt Përmetit nga Berati e Tepelena, Konica e Leskoviku, Poliçani e Zagoria. Kush ishin këto 4 batalione që u inkuadruan në Brigadën VI? “Asim Zeneli”, batalion i formuar më 7 gusht 1943 në rrapet e Prongjit të Kardhiqit të Gjirokastrës me komandant Shefqet Peçin. Asim Zeneli, nga Progonati i Tepelenës, komisar i çetës “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit, ra heroikisht më 2 korrik 1943 në luftë me fashistët italianë në Grykën e Mezhgoranit. Vite më vonë, me vargjet e Qamil Buxhelit, këngëtari i madh, partizani Mentor Xhemali, do të këndonte në shumë skena brenda e jashtë Shqipërisë këngën kushtuar Asim Zenelit “Një zë po del nga Grykë e Mezhgoranit …”. “Abaz Shehu”. Më 12 dhjetor 1943 u nda Batalioni “Asim Zeneli” dhe u formua edhe Batalioni “Abaz Shehu”. Abaz Shehu, nga Bënça e Tepelenës, u caktua komandant i Brigadës V të UNÇSH, por këtë detyrë nuk arriti ta kryente, sepse ra dëshmor në luftë me nazistët gjermanë më 2 dhjetor 1943 tek Ura e Gjormit të Vlorës. “Baba Abaz”, batalion i formuar më 10 gusht 1943 te rrapet e Vjosës në Donie të Kalivaçit të Tepelenës me komandant Baba Fejzon e komisar Zenel Shehun. Baba Abazi (Abaz Sherif Memushaj) u pushkatua nga pushtuesit 20 ditë më parë (në korrik 1943), sepse e ktheu Teqen e Rabijes në bazë të LANÇ-it. “Naim Frashëri”, batalion që mbante emrin e poetit të madh, ndërgjegjes së kombit shqiptar, Naim Frashërit. U formua më 16 gusht 1943 në Poliçan të Gjirokastrës dhe u riorganizua më 18 tetor 1943 në qytetin e Përmetit me komisar Petrit Radovickën dhe zv/komandant e më vonë edhe komandant Feti Bubësin. Kompania e katërt e këtij batalioni u formua nga partizanët e Batalionit “Thoma Lula”.Udha luftarake e Brigadës VI fillon në Përmet. Qyteti i Përmetit u pushtua nga fashistët italianë më 11 prill 1939 dhe u çlirua më 13 shtator 1943. Qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë. Edhe pas kësaj dite pushtuesit hitlerianë e kanë riokupuar Përmetin edhe tri herë të tjera gjatë operacioneve të tyre ushtarake: më 3 nëntor 1943, 1 dite, më 28 janar – 2 shkurt 1944, 6 ditë, më 11 – 29 qershor 1944, 19 ditë, por pa mundur të ngrenë pushtetin dhe administratën e tyre në qytetin e Përmetit. Në dimrin e viteve 1943 – 1944 Përmeti u përfshi në operacionin e madh të pushtuesve gjermanë të quajtur “Horridoh” (thirrje për të çuar gjahun), i cili u zhvillua në rajonin Gjirokastër, Përmet, Berat, Ballsh, Tepelenë nga 21 janari deri më 6 shkurt 1944 dhe, në këtë operacion, morën pjesë 10 000 ushtarë gjermanë të Korpusit XXI e XXII. Më 20 janar 1944, një batalion i regjimentit të 227 të Divizionit të 100-të hyri nga Fieri në Mallakastër me qëllim që të mbërrinte në Këlcyrë. Po atë ditë një batalion i Regjimentit të 54-t po i këtij divizioni u nis nga Çorovoda për të dalë në Dëshnicë dhe kishte si qëllim të arrinte në Këlcyrë e në Përmet. Batalioni i Regjimentit të 54-t (1000 ushtarë) si detyrë të parë kishte të kapte Tendën e Qypit e pastaj të vazhdonte marshimin për në Këlcyrë. Sa kaloi Veleshnjën ai ra në goditjen e Grupit III të Beratit (Skraparit), i formuar 3 ditë më parë, më 18 janar 1944, në Qafën e Liqedhit të Skraparit me komandant Zylyftar Veleshnja e komisar Iliaz Sevrani. Dy batalione të Brigadës I UNÇSH nën komandën e Mehmet Shehut, komandantit të brigadës, Batalioni I (me komandant Xheladin Beqiri – Karadaku) dhe Batalioni III ( me komandant Gjeli Argjiri), që ndodheshin në Dëshnicë, i pari në Zhepovë dhe i treti në Ballaban, marshojnë me shpejtësi për t’i ardhur në ndihmë Grupit Partizan të Skraparit. Batalioni i 3-të sapo u ngjit në Tendën e Qypit më 20 janar 1944 u hodh në kundërsulm mbi nazistët e Vermahtit dhe, disa orë më vonë, arriti dhe hyri në veprim edhe Batalioni I i Brigadës I. Batalioni i Regjimentit të 54-t gjermanë, pasi la mbi 100 të vrarë në Tendën e Qypit, u rikthye në Çorovodë. Gjaku i 17 dëshmorëve dhe heroizmi i partizanëve të Brigadës I dhe Grupit të Skraparit bënë që të arrihej fitorja në Tendën e Qypit. Mësymjen nazistët e përsëritën më 24 janar 1944. Ndërkohë ata sulmuan xhadenë nga Qafa e Kiçokut kundër Batalionit të 4-të të Brigadës I. Përballë epërsisë, me rregullin më të madh, u vendos tërheqja e partizanëve të Brigadës I dhe të Grupit të Skraparit dhe vetëm pas kësaj tërheqjeje të partizanëve, Batalioni i 4-të i Repartit 54-t doli më 26 janar në Luginën e Vjosës në rajonin Kuqar – Këlcyrë. Grushti i rëndë që morën nazistët në Tenden e Qypit dhe gozhdimi i tyre në vend për 5 – 6 ditë pati rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në trevën e Përmetit. Brigada VI, sipas planit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, do të përurohej më 26 janar 1944 në qytetin e lirë të Përmetit, ndaj me vendim të Shtabit të Zonës I Operative, më 22 -24 janar 1944 të 4 batalionet u vunë në lëvizje në drejtim të Luginës së Vjosës. Më 25 janar çdo gjë ishte gati për ceremoninë e përurimit që do të kryhej të nesërmen, më 26 janar 1944. Kishin ardhur në Përmet edhe kuadrot drejtuese të caktuara për Brigadën VI: komandanti Tahir Kadareja, komisari Mustafa Matohiti, zv/komandanti e më vonë edhe komandant Jaho Gjoliku dhe zv/komisari Haki Toska. Por në mbrëmjen e asaj dite, Shtabit të Brigadës ende të pa përuruar, i dolën përpara detyra luftarake tepër urgjente: forcat naziste të gozhduara për disa ditë në Tendën e Qypit e Qafën e Kiçokut kishin arritur në Këlcyrë dhe po përgatiteshin të marrshonin drejt Përmetit. Në të njëjtën kohë po afrohej drejt Përmetit një kolonë tjetër gjermane që marshonte nga Ura e Peratit. Këto grupe armike, së bashku me forcat e tjera hitleriane që marshonin nga ana e Pogonit dhe Gjirokastrës, kishin filluar operacioni “Horridoh”. Në këto kushte Shtabi i Brigadës vendosi që formimi i Brigadës VI të bëhej jo me fjalime e parakalime, por me luftime të ashpra ndaj dhe urdhëroi që batalionet të mos grumbulloheshin në qytetin e Përmetit por të vendoseshin në pozicione luftimi gjatë Luginës së Vjosës. Në mëngjesin e 26 janarit 1944 batalionet ishin vendosur: Batalioni i 3-të “Baba Abaz” në rajonin e Mbrezhanit, Malëshovës dhe Peshtanit, Batalioni i 2-të “Abaz Shehu” në mbrojtje të rajonit Varibob, Kuqar dhe Seniçan, Batalion i 1-rë “Asim Zeneli” në mbrojtje të kodrave Kuqar, Pacomit, Kosinë, Zleushë dhe Batalioni i 4-të “Naim Frashëri” në mbrojtje të rajonit Mali i Bardhë dhe Petran. Qysh atë ditë forcat armike u orvatën të hynin në Luginën e Vjosës. Në këtë mënyrë më 26 janar 1944, kur krismat e armëve përziheshin me valët e shkumëzuara të Vjosës, partizanët trima konsakruan formimin e Brigadës VI të UNÇSH. Ajo përballoi mësymjen armike dhe më 30 janar çliroi hapësirën Përmet – Këlcyrë – Dangëlli. Duke u gdhirë 31 janari 1944 në Dangëlli zbarkuan edhe 35 desantë anglo-amerikanë, të gjithë pilotë, të cilët, ishin nisur me një avion nga Greqia për të kaluar në Itali. Udha luftarake e brigadës vazhdoi ashtu si filloi, heroike, me luftimet “bajonetë më bajonetë”, që u zhvilluan më 7 e 8 shkurt në Lunxhëri dhe zhvilloi luftime heroike në Qestorat. Më tej, në rrugën e saj, veçohet goditja e asgjësimi më 12 shkurt i garnizonit armik në Tepelenë. Më 17 shkurt ajo çliroi Libohovën dhe nga 19 deri më 29 shkurt zhvilloi luftime të ashpra për çlirimin e Kurveleshit të Poshtëm dhe Mesaplikut. As hekuri e çeliku nazist, as bora e furtuna e dimrit, nuk i theu partizanët, ndërkohë që armikut ata i shkaktuan dëme të mëdha: vranë 397, plagosën 475 dhe kapën robër 628 nazistë e mercenarë. E përgjakshme ishte lufta që u zhvillua më 29 mars 1944 në rajonin e Patosit. “Shkuan shumë vite që u ndamë nga ty, Bilbil Matohiti që s’të shohë me sy! ..”. Me këto vargje populli i dha pavdekësi komisarit të brigadës, Mustafa Matohitit, nga Lekdushi i Tepelenës, që ra heroikisht bashkë me trimat Meleq Gosnishti nga Gosnishti i Përmetit dhe Lefter Talo nga Vurgu i Sarandës për marrjen e Kalasë së Margëlliçit. Në këtë luftë të përbashkët të Brigadës VI me Grupin III të Mallakastrës ra heroikisht për marrjen e Kalasë edhe luftëtari i këtij grupi Dino Kalenja, që ishte edhe poet, nga Kalenja e Mallakastrës. Më 30 mars brigada zhvilloi luftime të rrepta për çlirimin e Rëzomës së Delvinës, ndërsa të nesërmen ndërmori sulmin mbi garnizonin armik në Mavrovë. Nga 5 deri më 13 prill mori pjesë në thyerjen e operacionit armik “Magjia e Pranverës”, ku shembull trimërie e guximi ishin edhe luftimet e 12 prillit në Kuç të Kurveleshit. Me heroizëm e plotësoi detyrën gjatë prillit dhe majit brigada edhe në qarkun e Vlorës. Nga 20 deri më 26 maj ajo kreu detyrën duke mbyllur drejtimin Vlorë – Tepelenë – Përmet për të siguruar Kongresin e Përmetit. Shumë të ashpra ishin luftimet e brigadës për thyerjen e Operacionit armik të Qershorit. Ajo mbrojti pozitat e fituara midis Vlorës, Himarës, Sarandës, Mesaplikut e Kurveleshit. Duke u ndodhur e rrethuar ajo bëri që çdo pëllëmbë tokë të kthehet në varr për armiqtë. U vranë 107, u plagosën më shumë se 120 dhe u kapën robër 124 nazistë të Vermahtit. Të rrepta ishin sidomos luftimet që u zhvilluan në Shën Vasil të Sarandës dhe në Himarë, përleshjet në Luginën e Shushicës, ndeshjet te Shkëmbi i Radit, në Vajzë e Beun, te Mali i Tartarit, në Papadhi e Skivovik, Kunjevë e në mjaft vende të tjera të Kurveleshit. Në këtë kohë brigadës iu shtua edhe batalioni “Zaho Koka”, i cili u formua në Bregdet, pasi Zaho Koka ra heroikisht në luftë me gjermanët në fshatin e lindjes, në Vuno të Himarës më 8 qershor 1944. Më 17 korrik 1944, luftëtaren e Brigadës VI, trimen Persefoni Kokëdhima, nazistët gjermanë pasi kishin mundur më parë ta arrestonin të sëmurë rëndë në fshatin e lindjes në Qeparo të Himarës dhe pasi e kishin torturuar më vonë në burgun e Gjirokastrës, e varën në litar së bashku me trimen Bule Naipi nga Gjirokastra në sheshin “Çerçiz Topulli”. Më 25 korrik brigada asgjësoi plotësisht trupat gjermane e të xhandarëve në Dukaj e Salari të Tepelenës, ku ra heroikisht Mitro Xhani nga Piqerasi i Sarandës. E shoqia, Athinaja, e vazhdoi luftën në radhët e brigadës me automatikun e Mitros. Më 4 gusht 1944, brigada inkuadrohet në Divizionin II të UNCSH. Tri ditë më vonë, më 7 gusht 1944, kur brigada në përbërje të divizionit vepronte në Shqipërinë e Mesme, nazistët gjermanë, Fato Berberin, pasi më parë kishin mundur gjatë një luftimi ta kapnin e pastaj ta burgosnin në qytetin e lindjes, në Gjirokastër, më pas e dërguan dhe pastaj e varën këtë trimëreshë në kampin e përqendrimit të Selanikut. Nazistët gjermane në vitet e Luftës II Botërore, varrën në litar 6 femra, 4 nga të cilat janë shqiptare, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi e Ganimete Tërbeshi nga Gjakova. Më 28 gusht brigada kaloi Shkumbinin. Pushka dhe kënga e saj gjëmuan në Elbasan e Tiranë, në Pukë e në Shkodër. Veçohen si ngjarje më të shënuara: luftimet nga 9 deri më 11 shtator në Labinot, të 26 tetorit për çlirimin e Shën-Palit, ato të nëntorit në Malin e Gojanit, Livadhet e Hamzës dhe në Fushë – Arrëz, kapërcimi i Alpeve të Veriut dhe luftimet e Dukagjinit. Në luftimet e Shën-Palit ra në fushën e nderit edhe borizani i brigadës Naun Thomollari nga Kutali i Përmetit, ndërsa një muaj më vonë, më 26 nëntor, në luftë me armiqtë, në Malësinë e Dukagjinit ra heroikisht pionieri, djaloshi 15 vjeçar, korrieri i brigadës Çelo Sinani nga Picari i Kurveleshit. Rruga luftarake e brigadës në Veri u kurorëzua me Çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Të nesërmen, më 30 nëntor 1944, brigada në radhët e Divizionit VI të UNCSH, ku ajo ishte inkuadruar qysh më 18 nëntor 1944, kaloj përtej kufirit shtetëror të Atdheut për të ndihmuar në çlirimin e vëllezërve kosovarë dhe të popujve të Jugosllavisë. Nga 42 luftimet që ajo zhvilloi në hapësirën e Jugosllavisë, veçanërisht të ashpra ishin luftimet në Kalanë e Medunit, Kosorit, Brskutit, Leva – Rekës. Në luftimet e ashpra të Leva – Rekës, të zhvilluara më 12 e 13 dhjetor 1944, vetëm nga Përmeti ranë heroikisht në luftë me nazistët e çetnikët 7 dëshmorë, Fanjo Çiçako nga Leusa, Hysen Spahiu nga Mërtinji, Kici Nauni nga Bënja e Shqerisë, Muke Topi nga Koblara, Ngjeli Gogo nga qyteti, Nuredin Rrapo nga Kuqari dhe Shezai Sejati nga Badëlonja. Të ashpra ishin luftimet që u zhvilluan edhe në Verushë, Suhagorë, Drinsko e Vishegrad. “Në Drinsko në Vishegrad, po lufton Brigad’ e Gjashtë”, – thotë kënga e popullit. Dhe u çlirua Vishegradi më 14 shkurt 1945. Më 12 mars 1945 brigada parakaloi në qytetin e Mitrovicës. Deri më 10 qershor 1945 brigada veproi në Kosovë. Nga 10 qershori deri në fillim të dhjetorit ajo zhvilloi luftime në qytetin dhe rrethinat e Shkupit, Velesit, Manastirit dhe Ohrit. Më 7 dhjetor 1945 brigada së bashku me njësi të tjera të UNÇSH u përqendrua në Korçë. Në brigadë u rreshtuan mbi 1700 partizanë. Ajo i shkaktoi armikut 3500 të vrarë, 5000 të plagosur dhe kapi robër 1947 hitlerianë e mercenarë. Përshkoi një itinerar prej 3500 kilometrash dhe morri pjesë në çlirimin e 32 krahinave dhe 8 qyteteve të Atdheut. Ranë në fushën e nderit 191 partizanë dhe 12 partizane, plotë 203 dëshmorë, që ndriçojnë si yje të pashuar në rrugën luftarake të Brigadës VI, “Heroinë e Popullit”.Vargjet e himnit të saj “Grusht çelik Brigad’ e Gjashtë për armiqtë e tradhëtarët! …”, lindën në luftë dhe u bënë flamur i partizanëve për çlirimin e Shqipërisë. Heronjtë e saj të Popullit, Mustafa Matohiti, Jaho Gjeliku, Meleq Gosnishti, Mitro Xhani, Fato Berberi, Lefter Talua, Persefoni Kokëdhima, Çelo Sinani dhe Avdul Hakiu, gjithë luftëtarët trima të Brigadës – Hero me luftën e tyre për çlirim hynë dhe mbetën në çdo kohë në historinë e Shqipërisë. Këta luftëtarë trima të Brigadës VI, që e filluan rrugën e brigadës në Përmet, si dhe gjithë luftëtarët e 24 brigadave të UNÇSH, janë të pranishëm dhe lartësohen edhe në veprat e skulptorit të shekullit, Odise Paskalit, në monumentet “Partizani Çlirimtar” ngritur më 1964 në Përmet dhe në monumentin “Partizani Fitimtar” ngritur më 1968 në Mat’hauzen të Austrisë, janë të pranishëm e lartësohen edhe në këngët e partizanit mitraljer të Brigadës VI, të këngëtarit të madh Mentor Xhemali, te këngët “Për ty Atdhe” dhe “Një zë po del nga Gryka e Mezhgoranit”. Nisur nga hapësira gjeografike ku veproi, si brenda ashtu dhe jashtë kufijve të Atdheut, nga betejat që ajo zhvilloi dhe nga detyrat që ajo zgjidhi në luftë për çlirimin e vendit, kjo brigadë hyri dhe mbeti në biografinë e popullit dhe të kombit, të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Mesazhi kryesor i jetës dhe veprës së Brigadës VI – “Heroinë e Popullit” është: Shqipërinë e ka bërë dhe do lartësojë Shqipëria.