Prof. Ilia Telo: Ulja e varfërisë është detyrë urgjente e mbarë shoqërisë shqiptare

1197
Janë fakte të njohura nga të gjithë, se vendi ynë është më i varfri në Evropë, për faktin se niveli i prodhimit për frymë të popullsisë është më i ulët në kontinent. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është fakti se, niveli i korrupsionit është në përmasa të mëdha dhe si rezultat të ardhurat e buxhetit të shtetit për frymë të popullsisë janë shumë të ulëta. Në Raportin e Departamentit të Ekonomisë dhe Punës Sociale të OKB-së në vitet e fundit, në lidhje me varfërinë në botë, theksohet se me gjithë progresin e madh që është arritur pas Luftës së Dytë Botërore për uljen e varfërisë, problemi i varfërisë në botë mbetet shqetësues. Kjo për faktin se, duke marrë kufirin 1,25 dollarë në ditë si kufi të varfërisë, rezulton se 1,4 miliardë njerëz në botë kanë të ardhura më pak se ky kufi dhe këta përbëjnë rreth 20% të popullsisë së botës. Çrrënjosja e varfërisë përbën një domosdoshmëri morale dhe etike, e cila i 
ka rrënjët në parimet, të cilat udhëheqin Kombet e Bashkuara. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut në paragrafin 26 pohon: “Çdo njeri ka të drejtën e një jete të standardeve të përshtatshme për sa i përket shëndetit, mirëqenies se tij si dhe të familjes së tij, duke përfshirë këtu ushqimin, veshjen, strehimin, kujdesin mjekësor si dhe shërbimet e nevojshme sociale”. Në qoftë se përdoret kurba e varfërisë e Bankës Botërore, 2 dollarë në ditë dhe jo një dollar në ditë, shifrat e varfërisë ndeshen në shumë vende në zhvillim.Vitet e fundit OKB përcaktoi objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm për periudhën 2016-2030. Në vijim po japim dy objektiva kryesorë:
-Eliminimi i varfërisë në të gjitha format kudo.
-Eliminimi i urisë, arritja e sigurisë ushqimore dhe e përmirësimit të ushqyerjes.
Mirëpo që të arrihen këta objektiva duhet që shtetet e ndryshme të përcaktojnë objektiva konkretë sipas nivelit të varfërisë që kanë. Objektivat për zvogëlimin e varfërisë duhet të përfshihen në programet e partive politike. Në vendin tonë, duke qenë se mungon treguesi zyrtar i minimumit jetik, nuk mund të caktohen objektiva realë për uljen graduale të popullsisë së varfër.
Në bazë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave), “MINIMUMI JETIK është shuma e parave që duhet të zotërojë çdo person për të përballuar nevojat minimale bazë të mbijetesës së tij si qenie shoqërore”.
Treguesi i minimumit jetik është një kategori sociale, ekonomike, historike dhe shtetërore. Është kategori sociale se lidhet me shoqërinë, është kategori ekonomike se përcaktimi i këtij treguesi bëhet nëpërmjet llogaritjeve ekonomike, është kategori historike se madhësia e tij nuk është e njëjtë në periudha të ndryshme kohore dhe treguesi përmbledhës llogaritet për gjithë vendin. Si përcaktohet treguesi i minimumit jetik? Nuk ka një metodë të njëjtë në përcaktimin e këtij treguesi. Në vendet e zhvilluara kapitaliste, ku prodhimi i brendshëm bruto për frymë të popullsisë është i lartë, minimumi jetik merret në një përqindje të caktuar të këtij treguesi. (Kohët e fundit rekomandohet të merret 60 për qind e vlerës mesatare të prodhimit të brendshëm bruto për frymë të popullsisë). Në vendet e prapambetura, ku prodhimi i brendshëm bruto për frymë të popullsisë është i ulët, nuk ka kuptim që minimumi jetik të llogaritet në vartësi të prodhimit të brendshëm bruto, sepse kjo shumë nuk plotëson kërkesat e popullsisë sipas përmbajtjes së treguesit të minimumit jetik. Në këto vende minimumi jetik duhet të llogaritet me metodën analitike. Sipas kësaj metode përcaktohen nevojat analitike të njerëzve për këto grupe shpenzimesh:
1. Shpenzime për artikuj ushqimorë.
2. Shpenzime për artikuj të veshmbathjes.
3. Shpenzime për pajisje dhe orendi shtëpiake.
4. Shpenzime të tjera.
Shpenzimet për artikujt ushqimorë në këto vende zënë pjesën kryesore të shpenzimeve të minimumit jetik. Përcaktimi i këtyre shpenzimeve bëhet në mënyrë shkencore nga dietologët duke marrë parasysh se nevojat ditore të njeriut që punon në punë të lehtë janë 2500-2700 kalori. Kaloritë, sipas dietologëve, duhet të sigurohen duke zbatuar raporte optimale midis proteinave, yndyrnave dhe karbohidrateve, pjesa më e madhe, rreth 60%, duhet të kenë origjinë shtazore dhe rreth 40% origjinë bimore. Grupet e tjera të shpenzimeve përcaktohen me studime të veçanta. Në kushtet e ekonomisë së tregut, ku çmimet janë të liberalizuara, është e domosdoshmë që treguesi i minimumit jetik të indeksohet me indeksin e çmimeve të shitjes me pakicë, duke përfshirë dhe ndryshimin e tarifave të shërbimit ndaj popullsisë (rekomandohet që indeksi i çmimeve në këtë rast të llogaritet për mallrat dhe shërbimet që përfshihen në shportën e minimumit jetik). Gjatë regjimit të kaluar totalitar në vendin tonë minimumi jetik për një të punësuar ishte caktuar në mënyrë arbitrare: 450 lekë në muaj (aq sa ishte dhe paga minimale mujore në sektorin shtetëror). Absurditeti arriti kulmin që në shtetin më të varfër të Europës, që ishte Shqipëria, nuk kishte të varfër, në një kohë që në vendet e tjera (duke përfshirë dhe SHBA) pranohej dhe pranohet që 15-25 e popullsisë është e varfër. Pas vitit 1990, me përmbysjen e rendit totalitar dhe vendosjen e ekonomisë së tregut, nga sindikatat është kërkuar vazhdimisht që të përcaktohet treguesi i minimumit jetik zyrtar nga ana e shtetit dhe e partnerëve socialë. Në Konferencën tripalëshe të organizuar nga Organizata Botërore e Punës në Tiranë, në vitin 1995, u theksua: “Çuditërisht, Shqipëria është ndër vendet e vetme të rajonit ku autoritetet nuk bëjnë përllogaritje të minimumit jetik zyrtar ose të nivelit të varfërisë, duke vështirësuar kështu çdo krahasim me pagat minimale ose me ato mesatare”.Treguesi i minimumit jetik duhet të rillogaritet, sepse gjatë kohës ndryshojnë çmimet me pakicë dhe tarifat e shërbimeve, si dhe normativat e ndryshme të shpenzimeve. Kohët e fundit, sipas llogaritjeve që ka bërë Instituti i Punës i BSPSH, treguesi i minimumit jetik mujor për frymë të popullsisë është rreth 16 mijë lekë. Ata persona që nuk sigurojnë këtë shumë parash në muaj, konsiderohen dhe janë të varfër. Ja çfarë theksohet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar në lidhje me këtë çështje: “Shteti dhe partnerët socialë duhet të hartojnë strategji për zvogëlimin gradual të numrit të personave me të ardhura më të vogla sesa minimumi jetik”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore kanë caktuar disa kufij orientues për minimumin jetik apo kufirin e varfërisë. Kështu, për varfërinë ekstreme është caktuar më pak se 1 USD dhe rreth 2 USD në ditë për frymë të popullsisë si kufi i varfërisë. Këto të dhëna shprehin vlerën e dollarit amerikan të para vitit 2000 dhe shërbejnë më shumë për të bërë krahasime midis vendeve. Këto nuk mund të zëvendësojnë metodën analitike për llogaritjen e minimumit jetik. Jo vetëm kaq, por këto i përkasin vlerës së dollarit të para 20-25 viteve, mirëpo aktualisht fuqia blerëse e dollarit është më e ulët. Një tregues i rëndësishëm, i cili shërben për të vlerësuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe standardin e jetesës së popullsisë, është prodhimi i brendshëm bruto (GDP) për frymë të popullsisë gjatë vitit. Me qëllim që të krahasohen të dhënat e vendeve të ndryshme, prodhimi i brendshëm bruto vlerësohet në “euro” ose në dollar amerikan (USD). Në një nga vitet e fundit, prodhimi i brendshëm bruto në vendin tonë dhe mesatarja e Bashkimit Europian shprehur në USD ishte si vijon:
-Në vendin tonë 4565
– Mesatarja e Bashkimit Europian 34060.
Po të merret e barabartë me 100 mesatarja e Bashkimit Europian, atëherë prodhimi për frymë në vendin tonë është vetëm 14%! Prodhimi i brendshëm bruto dhe ai për frymë të popullsisë janë vetëm njëra anë e çështjes, ana tjetër shumë e rëndësishme është treguesi i raportit midis të ardhurave të buxhetit të shtetit në krahasim më prodhimin e brendshëm bruto. Ky tregues në vendin tonë dhe mesatarja e Bashkimit Europian është si vijon:
– Në vendin tonë 24%
– Mesatarja e Bashkimit Europian 45%.
Të dhënat tregojnë qartë se vendi ynë nga njëra anë zë vendin e fundit në prodhimin e brendshëm bruto për frymë të popullsisë dhe nga ana tjetër zë përsëri vendin e fundit në treguesin relativ të raportit të të ardhurave të buxhetit të shtetit krahasuar me prodhimin e brendshëm bruto. Niveli i ulët i të ardhurave të buxhetit në vendin tonë shkaktohet nga informaliteti dhe korrupsioni. Ky është faktori kryesor i nivelit të ulët të shpenzimeve për çështje sociale krahasuar me shpenzimet e buxhetit të shtetit. Puna e madhe që bën qeveria për uljen e informalitetit dhe korrupsionit duhet përkrahur nga të gjithë se do të ndikojë në rritjen e të ardhurave të popullsisë. Në shpenzimet për çështjet sociale bëjnë pjesë: shpenzimet për sigurimet shoqërore, për sigurimin shëndetësor, pagesat për papunësinë dhe ndihmat ekonomike. Krahas vëllimit të këtyre shpenzimeve në shifra absolute llogaritet dhe pesha specifike e tyre në prodhimin e brendshëm bruto. Në tabelën që vijon po japim të dhëna në lidhje me raportin e prodhimit të brendshëm bruto të vendit tonë me mesataren europiane në një nga vitet e fundit (duke marrë për bazë fuqinë blerëse të USD) dhe treguesin e peshës specifike të shpenzimeve sociale, krahasuar me prodhimin e brendshëm bruto.
Krahasimi i treguesve socialë të vendit tonë me mesataren europiane (në %)
Emërtimi Pesha specifike e shpenzimeve sociale krahasuar me prodhimin e brendshëm bruto
Bashkimi Europian 30
Shqipëria 10
Burimi: epp eurostat, ec, europa, eu/tgm table.
http, eurostat.ec, europa. eu/table.do.tgm
Të dhënat e tabelës së mësipërme po i paraqesim në grafikët që vijojnë.
Të dhënat dhe grafiku tregojnë se në vendin tonë, jo vetëm prodhimi i brendshëm bruto është më pak se 1/3 në krahasim me mesataren europiane, por, për çështjet sociale që përmendëm më sipër shpenzohet sa 1/3 e mesatares europiane.
Pensionistët në vendin tonë janë të diskriminuar
Pensionistët në vendin tonë janë një shtresë shoqërore e diskriminuar, për faktin se pensioni është shumë i vogël dhe i pamjaftueshëm. Për këtë le të marrim treguesin e raportit të pensionit mesatar krahasuar me pagën mesatare. Para vitit 1990, madhësia e këtij treguesi ishte rreth 70%, ndërsa në vitet e fundit zbriti në rreth 35%.
Shkaqet e kësaj gjendjeje janë dy:
– Së pari: Aktualisht në vendin tonë numri i të punësuarve është i vogël. Papunësia është shkaku kryesor i varfërisë dhe i rritjes së emigrimit të jashtëm, që vazhdon dhe në vitet e fundit. Rritja e punësimit dhe zvogëlimi i papunësisë është rruga kryesore për shtimin e prodhimit kombëtar dhe të të ardhurave të buxhetit të sigurimeve shoqërore. Kjo do të ndikojë dhe në rritjen e madhësisë së pensioneve dhe në rritjen e mirëqenies së pensionistëve.
– Së dyti: Në vendin tonë, ndonëse vitin e fundit ka një rritje në numrin e kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore, prapëseprapë, një pjesë e të punësuarve nuk derdhin kontribute në buxhetin e sigurimeve shoqërore. Ky veprim ka dy anë negative. Nga njëra anë, krijohen vështirësi për sigurimin e fondeve për kontingjentin e tanishëm të pensionistëve dhe, nga ana tjetër, punonjësit, të cilët nuk janë kontribues, kur të plotësojnë moshën e pensionit nuk do të përfitojnë pension dhe shoqëria do të jetë e detyruar që t’i trajtojë ata në forma të tjera. Puna e mirë që ka filluar vitet e fundit për rritjen e kontribuesve është pozitive dhe duhet të vazhdojë dhe në të ardhmen. Edhe shpenzimet në sektorin e shëndetësisë janë të vogla dhe të pamjaftueshme. Në mënyrë të veçantë për grupin e pensionistëve në disa raste shpenzimet për mbrojtjen e shëndetit janë të larta dhe të papërballueshme me pensionet e vogla që merren.
Asistenca sociale në vendin tonë është simbolike dhe nuk mbulon as nevojat minimale të personave me asistencë sociale
Asistenca sociale në vendin tonë është simbolike, pasi madhësia e saj është shumë më e vogël se minimumi jetik i përllogarituir nga ana jonë. Ajo nuk mjafton për plotësimin e nevojave të familjeve me artikujt më të domosdoshëm. Vitet e fundit, ndonëse pensionet dhe pagat nominale janë rritur, asistenca sociale nominale pothuajse ka mbetur në të njëjtat nivele! Duke analizuar të dhënat në lidhje me ndihmën ekonomike, vihet re se në qarqet e Shqipërise së Veriut (Kukës, Shkodër, Dibër etj.) një pjesë e madhe e familjeve jetojnë me ndihma ekonomike. Në tabelën dhe grafikun që vijon po japim të dhëna në lidhje me peshën specifike të familjeve që marrin ndihmë ekonomike në krahasim me numrin e përgjithshëm të familjeve në një nga vitet e fundit.
Pesha specifike në përqindje e familjeve që merrnin ndihmë ekonomike
Emërtimi Përqindja e familjeve që marrin ndihmë ekonomike
1. Durrës 2
2. Vlorë 4
3. Fier 4.5
4. Tiranë 5.5
5. Gjirokastër 8.2
6. Berat 14
7. Korçë 14.7
8. Elbasan 14.9
9. Lezhë 21.1
10. Shkodër 22.4
11. Dibër 43.7
12. Kukës 66.5
Të dhënat e tabelës së mësipërme po i paraqesim grafikisht: 
Të dhënat e tabelës dhe grafiku tregojnë se midis qarqeve të vendit ka diferenca të mëdha në numrin dhe peshën specifike të familjeve që jetojnë me ndihma ekonomike. Kjo tregon se duhet të bëhet një politikë më e studiuar për zhvillimin territorial të vendit, duke u dhënë përparësi zhvillimit të bashkive të zonës veriore dhe verilindore të vendit.
Shënim: Ky material është pjesë nga libri “Popullsia e Shqipërisë dhe probleme të saj” i prof. Ilia Telos, i cili së shpejti del në qarkullim.
(8) Daniel Whitehead, “Përmirësimi dhe zhvillimi i politikës së pagave në Shqipëri, Tiranë, 1995, faqe 25.
Sigal