Prof. Farudin Hoxha: Si i ndërtoi Shqipëria 650 diga

800
Sigal

 

INTERVISTA/ Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë
nga amortizimi i ujëmbledhësve 


Leonard VEIZI

 

Nuk e ka në plan të pushojë pa e vrarë mendjen, të ndjekë
me fanatizëm edicionet e lajmeve në televizor dhe as të shohë me ankth ndeshjet
e “Champion League”. E megjithatë, koha nuk i jep as mundësinë të bëjë shëtitje
rreth liqenit artificial e të mendojë qoftë dhe për një çast të vetëm, se për
një digë si ajo që është ndërtuar në kodrat e kryeqytetit për mbledhjen e ujit,
ai ka punuar për ta lartuar atje, në Fierzë, Koman apo gjetkë. Por dhe nëse
gjen kohën për t’u qetësuar e për të mbledhur veten pak, atij sërish i duhet të
jetë atje, në tavolinën e tij të punës, ku projektet që zëvendësojnë njëra
tjetrën e presin vazhdimisht. Ndaj ai, është gjithmonë në lëvizje të pandërprerë,
për të ideuar ndërtimin e një digë të re, apo për të bërë oponencën e një
punimi të me të njëjtat vlera. Dhe digat, vazhdojnë të jenë në projektet letër,
që ndonjë ditë më pas të ngrihen atje, në shtratin e një lumi të rrëmbyer…

 

…Tanimë kohët kanë ndryshuar. Thuhet se ishin më të
sigurta dhe se shteti kujdesej më shumë për to. Por jo të gjitha digat e ndërtuara
në Shqipëri tashmë e kanë këtë siguri. Vitet kanë kaluar dhe parametrat e tyre
nuk mund të jenë ato të viteve të para pas ndërtimit. Dhe këtu nuk flitet vetëm
për digat e hidrocentraleve, por dhe për ato të liqeneve apo rezervuarëve që përdoren
për vaditjen e tokave, apo si burim për ujë të pijshëm. Tanimë një pjesë prej
tyre janë në fazën e amortizimit dhe, më mos qoftë e thënë, nëse ndonjëra prej
tyre shembët a çahet, pasojat do të jenë katastrofike. Kjo sidomos kur bëhet
fjalë për 306 digat më të mëdha të vendit. Ky rrezik evident, i lançuar ndonjëherë
edhe nga ndonjë gazetë a televizion, duket se nuk është marrë fort seriozisht
nga strukturat përkatëse që duhet të përgjigjen për to. Profesor Farudin Hoxha,
i njohur më së shumti si një preh heronjve të ndërtimit të hidrocentraleve, gjatë
një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen për rrezikun që ka sot
vendi ynë, nga mosmirëmbajtja e digave ujëmbledhëse:

Cila është gjendja aktuale e digave të ndërtuara në vendin tonë?

“Me ujin dhe me zjarrin mos luaj”, thotë populli ynë. Pikërisht
këtë intervistë dëshiroj ta zgjeroj për veprat dhe objektet që trajtojnë ujin,
për të cilat po nuk u kujdesem me maksimumin e përkushtimit e të dijeve bashkëkohore,
ato kthehen në një “cunam” të papërmbajtshëm që merr dhe shkatërron çdo gjë që
gjen përpara. Lidhur me këtë temë, meqenëse m’u drejtuat, më lejoni edhe mua të
them në mënyrë mjaft të përmbledhur disa nga mendimet e mija.

Ku do të ndalemi më konkretisht?

Po e fillojmë me problemet e ujit. Në rruzullin tokësor rezervat
e ujit të ëmbël po bëhen nga dita në ditë më të pamjaftueshme për plotësimin e
nevojave të përdoruesve. Shkaqe të kësaj dukurie tashmë janë të njohura dhe e kanë
burimin kryesor në zhvillimet demografike dhe veprimtarinë e gjithanshme jetësore
të shoqërisë njerëzore. Është rritur mjaft norma e konsumit të ujit dhe e qëllimeve
për të cilat përdoret, është rritur mjaft numri i konsumatorëve dhe i nevojave të
tyre gjithnjë në rritje, është rritur me ritme shumë të shpejta numri i popullsisë
së globit dhe përqendrimi i saj në metropole dhe qytete, në kërkim të një jetë më
të mirë, por që bie ndesh me shpërndarjen e burimeve ujore, është rritur
ndjeshëm ndotja e mjedisit si rrjedhojë e veprimtarisë intensive ekonomike të
njeriut në kërkim të standardeve jetësore më të larta etj. Në këto kushte uji
mbetet për njerëzimin një pasuri me rëndësi strategjike, vlera e të cilit vjen çdo
ditë duk e u rritur. Ai është i pazëvendësueshëm. Pa të nuk ka jetë.

Cili është konsumi i ujit në ditët e sotme, kur tashmë është i njohur fakti
i krizës së burimeve ujore?

Gjatë periudhës 50-vjeçare, nga viti 1950 deri në vitin
2000, popullsia e globit është rritur 2,5 herë kurse konsumi i ujit është
rritur 4 herë, në një kohë kur burimet ujore, nga pikëpamja sasiore, mbeten po
ato. Në vitin 2025 popullsia e globit me ritmet e sotme të shtesës do të shkojë
në rreth 11 miliardë banorë. Këta dy tregues, duke pasur parasysh zhvillimet në
botë, paralajmërojnë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, por njëkohësisht shtrojnë
domosdoshmërinë e ruajtjes dhe përdorimit me shumë kujdes të rezervave të ujit të
ëmbël, Ndoshta në një të ardhme shumë të afërt, do të lindi nevoja për burime të
tjera ujore, të cilat gjithsesi për t’u sjellë në gjendje të përdorshme do të kërkojnë
shpenzime të konsiderueshme.

Po Shqipëria në çfarë kushtesh ndodhet?

Uji, si një nga elementet thelbësore të mjedisit, është
bërë objekt studimi e trajtimi i shumë institucioneve në nivel kombëtar dhe
ndërkombëtar, për të cilin janë zhvilluar shume aktivitete dhe janë hartuar një
sërë dokumentesh për mbrojtjen e tij. Dukuria e pamjaftueshmërisë së burimeve
ujore në vendin tonë ndonëse në stadin e sotëm të shoqërisë shqiptare nuk vërehet
dukshëm, është prezent. Kjo vërehet si në rrjedhjet ujore sipërfaqësore ashtu
dhe në ujërat nëntokësore, të cilat krahas ndotjes intensive, i nënshtrohen
edhe shfrytëzimit të tyre pa kriter. Në burimet ujore të vëna në shfrytëzim dhe
në sistemet e ujësjellsave që furnizojnë popullatën me ujë vërehet një administrim
i keq si nga furnizuesit ashtu edhe nga përdoruesit.

A kanë filluar mungesat e burimeve ujore?

Shqipërisë nuk i mungojnë rezervat e ujit, të këtij
elementi jetësor, me vlera të gjithanshme e të pazëvendësueshme dhe për
zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të saj. Vendi ynë renditet ndër vendet
me ujëshmëri të bollshme. Në territorin e Shqipërisë bien mesatarisht 1460 m/m reshje
atmosferike në vit. Rrjeti hidrografik lumor derdh në det mesatarisht rreth 42 miliard
m3 ujë në vit, ose rreth 12.000 m3 në vit për banor. Disa
prej lumenjve kryesorë të vendit, si Drini dhe Vjosa, pellgu ujëmbledhës të tyre
e shtrijnë edhe në territorin e shteteve fqinje, çka bën që të rritet ndjeshëm
rrjedhja ujore e tyre.

Po shfrytëzimi në çfarë kushtesh është?

Anë negative e këtyre rrjedhjeve mbetet jouniformitet i
theksuar i tyre në kohë dhe në hapësirën e vendit tonë. Shfrytëzimi i burimeve
ujore në kushte natyrore, pa ndërhyrjen e njeriut, karakterizohet nga një
shkallë e ulët e përdorimit të tyre dhe shoqërohet me mospërputhje të theksuara
në kohë dhe në sasi midis nevojave të konsumatorëve dhe atyre që ofron natyra. Për
zbutjen e këtyre mospërputhjeve, që çojnë njëherësh edhe në rritjen e shkallës
së shfrytëzimit të rezervave ujore, del nevoja e ndërtimit të digave, të cilat
në varësi të lartësisë dhe kushteve të terrenit krijojnë ujëmbledhës me vëllime
të ndryshme uji. Janë pikërisht këta ujëmbledhës, që në sajë të kapacitetit të
tyre bëjnë të mundur rishpërndarjen e rrjedhjes natyrale. Ata grumbullojnë ujin
në periudhën e lagur me reshje atmosferike të bollshme dhe e lëshojnë atë në
periudhën e thatë, në përputhje me nevojat e përdoruesve të ndryshëm të tij.

A ka në Shqipëri diga të përmasave të mëdha?

Sigurisht që janë ndërtuar dhe ka të tilla. Është një trashëgimi
që brezat e sotëm gëzojnë nga brezat paraardhës. Në Shqipëri janë ndërtuar
rreth 650 diga, 306 nga të cilat plotësojnë kushtet e vëna nga Komisioni Ndërkombëtar
i Digave të Mëdha, ICOLD, për t’u quajtur diga të mëdha. Midis 82 vende anëtare
të ICOLD-it, ku vendi ynë aderon që nga viti 1964, Shqipëria zë vendin e parë për
diga të mëdha për çdo banorë dhe vendin e 18 për numrin e përgjithshëm të digave
të mëdha. Për çdo 10.000 banorë vendi ynë ka afërsisht një digë të madhe. Diga e
Fierzës është midis 150 digave me të larta të botës. Ajo, së bashku me digën e
hidrocentralit të Komanit ka hyrë në botimet e specializuara të ICOLD-it.

Cili është kapaciteti ujëmbledhës i tyre?

Kapaciteti i ujë mbledhësave i krijuar nga këto diga arrin
në 4’6 miliard m3 ujë ose rreth 12% të rrjedhjes së përgjithshme
natyrale që lumenjtë tanë derdhin në det, në vitin mesatar. Sipërfaqja e
përgjithshme e pasqyrës së ujit të krijuar nga të gjithë ujë mbledhësit tanë arrin
në 226 km2. Sa renditëm më lart tregon për një shkallë të kënaqshme të
mundësive që krijohen për ujë dhe rregullim relativisht mirë të rrjedhjes natyrale
të lumenjve tanë, meritë kjo e digave të ndërtuara dhe e ujëmbledhësve të krijuar
prej tyre.

(Vijon nesër)


 Ujëmbledhësit

Ja dobitë nga ndërtimi i digave

Akademik Farudin Hoxha thotë se ndërtimi i digave ujëmbledhëse ka mundësuar që:

– Të prodhohen 5,34 miliardë KVV orë energji elektrike mesatarisht në vit

– Të vihen nën ujë ose të ujiten, se bashku edhe me burime të tjera ujore, rreth 400.000 ha tokë

bujqësore ose 57% e tokës se punueshme e cila deri ne vitin 1990 ka qenë rreth 700.000 ha

– Të zvogëlohen ndjeshëm përmbytjet e tokave dhe të qendrave të banuara nga vërshimet e lumenjve në kohë dimri

– Të krijohen kushte të favorshme për kultivimin e peshkut jomigrues

– Të mundësohet transporti i pjesshëm lumor

– Të ndikohet në përmirësimin e mikroklimës së zonave pranë ujëmbledhësave.

– Të krijohen kushte për shtrirjen në thellësitë territorit të aktivitetit turistik dhe rekreativ

– Të krijohen kushte për sigurimin e ujit të pijshëm dhe atij komunal.

– Të ndikohet në zvogëlimin e erozionit nga rrjedhjet e ujërave sipërfaqësorë.

 

AKTUALITETI/  Çfarë po ndodh me 650
digat e ndërtuara në gjithë Shqipërinë

 

Ju rrëfej rrezikun e digave,

po u çanë na pret katastrofa

 

Nga viti 1957 kur daton dhe ngritja e digës së parë ne
vend, e deri në vitin 1990, kujdesi për to ka qenë maksimal. Por pas viteve ’90
problemet janë shfaqur dukshëm. Mendohej vetëm për shfrytëzimin e tyre dhe për
mirëmbajtjen shumë më pak, ose aspak fare. Duke iu referuar kësaj gjendje,
akademik Farudin Hoxha, thotë për “Telegraf”:

 

“Bërja e burimeve ujore të komandueshme, përmirëson mjaft
ndikimin e tyre në mjedisin natyral të vendit tonë. Nga studimet e kryera për shfrytëzimin
kompleks dhe optimal të të gjithë lumenjve të Shqipërisë, parashikohet të ndërtohen
edhe shumë diga të tjera të mëdha, të cilat do të bëjnë të mundur komandimin
pothuajse të plotë të rrjedhjes së lumenjve tanë. Kjo do të çojë në rritjen e ndjeshme
të mundësive të përmendura më sipër, madje disa prej tyre do të shumëfishohen. Siç
mund të kuptohet lehtë nga sa thamë më sipër digat dhe ujëmbledhësit e krijuar prej
tyre janë një pasuri kombëtare me vlera të mëdha, të jashtëzakonshme për
zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të vendit. Prezenca e digave dhe e ujëmbledhësve
të krijuar prej tyre, aktualisht në shfrytëzim në vendin tonë, nuk është e
rastësishme. Ato janë produkt i investimeve kolosale monetare, njerëzore e
intelektuale, të brezave paraardhës të popullit tonë që sot me modesti thonë “kemi
bërë detyrën”. Arritjet në këtë fushë janë vërtet të konsiderueshme. Por. Që këto
të jenë të qëndrueshme, në shërbim të ekonomisë e zhvillimit të vendit, lind domosdoshmërisht
nevoja për një mirëmbajtje të vazhdueshme e të kujdesshme të veprave. Kërkesa për
të mirëmbajtur e mbrojtur digat dhe ujëmbledhësat dhe për t’i vlerësuar ato si “objekte
të rëndësisë së veçantë” – lind jo vetëm për shkak të vlerave të mëdha ekonomike
që ato kanë në vetvete por mbi të gjitha nga fakti se, në rrethana të caktuara,
në një moment të caktuar, ato nga një burim të mirash të mëdha materiale, kthehen
në burim fatkeqësish, me pasoja të rënda ekonomike e mbi të gjitha njerëzore. Kjo
ndodh kur një digë çahet ose prishet. Falë punës së mirë projektuese e ndërtuese
por dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të tyre, në vendin tonë, që nga viti 1957,
kur u ndërtua diga e parë, e deri më sot, nuk ka pasur katastrofa me pasoja të rënda.
Ka pasur vetëm dëmtime të pjesshme digash, të cilat janë riparuar në kohë. Kjo
është pozitive dhe inkurajuese por nuk është e mjaftueshme dhe gjithçka. Me
keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e
shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre”.

 

Kujdesi

Digat, në mëshirën e fatit

“Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive,
kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është
shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë
në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to,
për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë
e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit
të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë
dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i
pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen.
Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen
e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik
real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i
pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë
humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë
e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike
të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë
premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra”, thotë akademik Farudin Hoxha
gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.