Prof. Emil Lafe/ Eqrem Çabej dhe Gjuha shqipe

1241
Sot është një ditë e mbarë dhe e shënuar për ne të gjithë dhe për shkencën albanologjike. Instituti Albanologjik i Prishtinës, qendra kryesore dhe historike e veprimtarisë shkencore në fushën e studimeve shqiptare në Kosovë, ka ardhur ndemjet nesh në Tiranë jo vetëm për një takim të thjeshtë shkencor, por edhe në një mënyrë simbolike: për të dëshmuar se shkenca shqiptare është dhe do të jetë e njësishme në frymën, në misionin dhe në detyrat e saj sot e në të ardhmen. Ne jemi në një mendje me shokët tanë në Prishtinë e më gjerë se detyra jonë madhore është që të përparojmë hap pas hapi në ndërtimin e një shteti kulturor, shkencor, arsimor,të përbashkët e të njësishëm, në gjithë hapësirën ku jeton populli shqiptar. Dhe këtë detyrë e shohim edhe si përmbushje nga ana jonë të platformës së ndërtuar nga qeveritë e dy vendeve, të Shqipërisë dhe të Kosovës, e cila mbështetet në vullnetin dhe dëshirën e përbashkët të shqiptarëve. Revista “Gjuha shqipe” për të cilën jemi mbledhur sot, e nisi rrugëtimin e saj më1982, një vit i vështirë për Kosovën dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me të pas demonstratave të vitit 1981 me zhvillimet dramatike që i pasuan. Ajo erdhi në bibliotekën albanologjike si simotra kosovare e revistës “Gjuha jonë”, që nisi të botohej këtu nga Akademia e Shkencave më 1981. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë ishin fuqizuar një varg faktorësh, si zgjerimi i funksioneve të gjuhës standarde dhe ngritja e prestigjit shoqëror të saj, shtimi i shkollave e i arsimtarëve, zgjerimi i shtypit dhe shtimi i botimeve të shumënduarshme, shtimi i radhëve të hulumtuesve në fushën e gjuhësisë, – të gjitha këto kishin bërë të nevojshme dhe të mundshme që krahas revistave shkencore të cilat u drejtoheshin kryesisht specialistëve, të fillonte botimi edhe i ndonjë reviste tjetër, që të çonte më drejtpërdrejt te rrethet e të interesuarve arritjet e gjuhësisë normative dhe, nga ana tjetër, të sillte shqetësimet dhe problemet e zbatimit të gjuhës standarde në praktikë. Botimi i të dyja revistave ka qenë domosdoshmëri, por realizimit të domosdoshmërisë ia hapin rrugën njerëzit me vizion dhe me zemër të madhe. I tillë ishte profesori ynë i paharruar Eqrem Çabej. Në Mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave në shkurt 1979, ai mbajti një fjalë programore kushtuar detyrave të gjuhësisë shqiptare në fushën e gjuhës shqipe e veçanërisht të gjuhës standarde, duke e vënë theksin te pastrimi dhe pasurimi i mëtejshëm i gjuhës. “Jemi të mendimit, – u shpreh ai, – se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe… Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e të pastrimit të gjuhës.” Në përgjigje të këtij propozimi të mbështetur edhe nga Akademia e Shkencave, duke e vlerësuar kujdesin ndaj gjuhës si përparësi të politikës kulturore të shtetit, Këshilli i Ministrave nxori atëherë një vendim të posaçëm për “Krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”. Një pikë e veçantë e vendimit përcaktonte: “Për të trajtuar çështjet e pastrimit e të pasurimit të gjuhës shqipe, të krijohet revista “Gjuha jonë”, organ i Akademisë së Shkencave.”

Të njëjtat probleme

Të njëjtat probleme, por shpesh edhe më të mprehta, përballonte praktika gjuhësore në Kosovë, në Maqedoni e në vise të tjera. Në ato rrethana Instituti Albanologjik u bë nismëtar i një Simpoziumi historik për probleme të kulturës së gjuhës, që u mbajt në Prishtinë në dhjetor të vitit 1980, i cili pati ndikim të drejtpërdrejtë që Instituti të themelonte edhe një revistë të re për këto probleme. Nga dy titujt e propozuar nga E. Çabej, njërin, “Gjuha jonë” e kishte marrë revista e Tiranës; tjetrin “Gjuha shqipe” e mori simotra e saj e Prishtinës. Në fillim të viteve ’80, Kosova gjendej nën dhunën policore dhe psikologjike të pushtetit të Serbisë. Me gjithë ndërprerjen e plotë të komunikimit me institucionet shkencore e arsimore të Kosovës, neve na erdhi lajmi i mirë i botimit të revistës dhe me rrugë të tërthortë edhe numri i parë. Prof. Androkli Kostallari shkroi atëherë një recension të frymëzuar e vlerësues për këtë revistë. Titulli “Tribunë e re e gjuhës shqipe” përmban edhe thelbin e misionit të revistës. Recensioni mjaft i shtjelluar i A. Kostallarit ndërlidhet edhe me Simpoziumin e dhjetorit 1980 në Institutin Albanologjik dhe me punën e dendur që bëhej në Kosovë për njohjen dhe përhapjen e gjuhës standarde, si mjeti themelor i ruajtjes së njësisë dhe përbashkësisë kombëtare. Përqafimi dhe zbatimi vullnetar i një standardi gjuhësor të përbashkët ka qenë Rruga e parë e Kombit ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, para se të ndërtohej rruga e sotme. Duke u bërë shprehës i ndjenjave dhe mendimeve të gjuhëtarëve të Shqipërisë, prof. A. Kostallari shkruan ndër të tjera në recensionin e tij: “Me kënaqësi të veçantë është pritur nisma e Institutit Albanologjik të Prishtinës për botimin e revistës “Gjuha shqipe”, e cila është bërë një tribunë e re shkencore e popullore për gjuhën letrare kombëtare shqipe. Që në numrin e parë të kësaj reviste, e cila është, ndër të tjera, edhe një dëshmi e qartë e rritjes cilësore të gjuhësisë shqiptare në ato vise, theksohet se “dashuria për gjuhën amtare, ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i ndërgjegjshëm ndaj saj” janë kushte të domosdoshme për të ngritur më lart kulturën gjuhësore dhe, për të mënjanuar të metat e dobësitë që vihen re në përdorimin e shqipes letrare, duhet ‘të mobilizohet në mënyrë të ndërgjegjshme gjithë potenciali profesional e shkencor që merret me këto çështje.”

Revista “Gjuha shqipe”

Në rrugën që ka përshkuar revista “Gjuha shqipe” nga viti i themelimit (1982) deri sot është ndeshur me pengesa e vështirësi. Në periudhën 1991-1996 dhe në vitin 1999, d.m.th. për shtatë vjet, botimi i revistës u ndërpre. Nga viti 2000 ajo del rregullisht dhe nga viti 2005 për çdo vit kanë dalë nga tre numra me rreth 130-140 faqe mesatarisht. Lënda e revistës është e larmishme dhe e dobishme si për diskutimet teorike rreth çështjeve të standardit e të normës, ashtu edhe në vështrimin praktik. Sot është rasti t’i i shprehim nderimin tonë akademikut dorëmbarë Idriz Ajeti, kryeredaktori i parë i revistës (1982–1986), ai që e përudhi atë dhe veprimtarinë për kulturën e gjuhës në Kosovë në rrugën e drejtë që sintetizohet në parullën “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”; po ashtu dr. Shqir Beranit (1933-2013), kryeredaktori i dytë (1987–1988), punëtor i palodhur dhe i përkushtuar në fushën e gjuhësisë normative, dhe me merita të veçanta për përhapjen e kulturës gjuhësore në Kosovë. Në vijim revistën e drejtuan prof. Qemal Murati (1989–1990), Ragip Mulaku (1997-2004) dhe prej vitit 2005 e në vijim përsëri prof. Qemal Murati, punëtor i fortë, energjik dhe prodhimtar në fushën e studimeve gjuhësore. Redaksia e revistës është kujdesur që në fillim të krijojë e të afrojë një numër të madh bashkëpunëtorësh jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e nga Mali i Zi. Faqet e revistës kanë qenë të hapura gjerësisht edhe për autorët nga Shqipëria. Ndër 278 emra autorësh që dalin gjithsej në bibliografinë e plotë të revistës, 108 (d.m.th. gati 40 %) janë autorë nga Shqipëria (një numër i mirë prej tyre me disa shkrime). Kjo, nga njëra anë tregon se problemet e normës letrare dhe të praktikës gjuhësore këndej dhe andej janë në një masë të madhe të përbashkëta, por nga na tjetër dëshmon orientimin e redaksisë dhe të vetë Institutit Albanologjik për lidhje të ngushta bashkëpunimi, për të përballuar së toku detyra tona, si gjymtyrë të një trupi të vetëm. 

Duke përgëzuar dhe uruar kolegët

Duke përgëzuar dhe uruar kolegët tanë të Institutit Albanologjik për punën e tyre cilësore dhe për vendosmërinë në mbrojtjen e parimeve, të frymës dhe të arritjeve të Kongresit të Drejtshkrimit, vërej me keqardhje dhe njëkohësisht me dhembje se revista “Gjuha jonë” u ngulfat në vitin 2010, kur drejtuesit e rinj të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe bashkëpunëtorët e koordinatorët e tyre nisën të vinin në veprim të ashtuquajturat “politika të guximshme gjuhësore”, të cilat u panë qartë si në organizimin, ashtu edhe në zhvillimin e punimeve të Konferencës së mirënjohur të Plazhit të Durrësit në dhjetorin e lagësht të vitit 2010. Si rezultat i orientimeve shkencore të shtrembra dhe i politikave të gabuara është krijuar në gjuhësinë tonë një gjendje e padëshirueshme, që ka ngjallur shqetësim publik dhe që ka si pasojë të pashmangshme uljen e nivelit të kulturës gjuhësore. Ata që janë pak më larg, shpesh dinë të vrojtojnë më mirë, prandaj, për të karakterizuar këtë gjendje po ju sjell fjalët e profesorit arbëresh Matteo Mandalà në një intervistë të botuar këtu: “Gjatë këtyre dy dekadave janë polarizuar dy fraksione, që herë kanë propozuar ndryshime a plotësime, herë kanë kërkuar krijimin e një standardi të ri, gjithherë me argumente më së shumti ideologjike, që në njëfarë mënyre janë jehonë e historisë politike të vendit, por që s’kanë të bëjnë me problemet e vërteta të standardit. Këto vitet e fundit debati është fashitur disi, por do të ishte naive të mos vihej re se propozimet për “përmirësime” fshehin në thelb përpjekjen për një reformim rrënjësor të standardit të vitit 1972, gjë që në fakt as më tremb e as më çudit: mjafton të studiohen veprat e autorëve të vjetër arbëreshë për të kuptuar se ata ishin shumë më të pjekur e mendjehapur sesa ne sot! Ajo që më shqetëson e ndonjëherë më acaron vërtet janë format e pazakonshme, madje do të thosha tinëzare me të cilat synohet të arrihet një objektiv i ndryshëm nga ai që deklarohet me fjalë.” Një vërtetim të këtyre fjalëve të kolegut arbëresh na e jep edhe ajo që është botuar në shtyp lidhur me mbledhjen e ditëve të fundit të Këshillit Ndërakademik. Tre numrat e revistës “Gjuha shqipe” të vitit 2015 janë një përgjigje shkencore e pjekur, e argumentuar dhe arsyetuar si me argumente gjuhësore, ashtu edhe të natyrave të tjera, ndaj orvatjeve herë të hapura e herë tinëzare, për të cilat bën fjalë profesori arbëresh. Revista “Gjuha shqipe” mbron vlerën tonë më të madhe kulturore, gjuhën shqipe, dhe formën më lartë të zhvillimit të saj, gjuhën standarde shqipe, me të cilën është mishëruar kultura dhe shkenca shqiptare, jeta shoqërore e politike prej gati gjysmë shekulli. Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare falënderon redaksinë e revistës dhe Institutin Albanologjik që na dhanë mundësi t’ua shpërndajmë në formë elektronike lëndën e vitit 2015 të kësaj reviste anëtarëve të shoqatës dhe dashamirëve të gjuhës shqipe. Me këtë rast u shprehim edhe përgëzimet tona të çiltra për punën e kryer dhe u urojmë përparime e arritje të reja. Gjithashtu shprehim dëshirën që Instituti Albanologjik të jetë edhe herë të tjera i pranishëm ndërmjet nesh për të paraqitur punët dhe botimet e tij të larmishme nga tematika e të rëndësishme dhe me interes të përgjithshëm nga përmbajtja.
Sigal