Prof. Dr. Zaho Golemi: Gjeneral Dilaver Poçi, simboli i LANÇ dhe Labërisë

436

dhe pavarësisë kombëtare

 

Gjeneral Dilaver Poçi – Burrë me trimëri dhe mençuri të rrallë

 

(Në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së Gjeneralit nga Fushëbardha)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Akademia e Forcave të Armatosura

Gjenerali lab me tipare aristokrate

 

Dilaver Poçi ishte gjeneral fisnik, që pushtoi mendjet e zemrat e njerëzve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në paqe. Ai ishte njohës i mikut dhe armikut, njohës i realiteteve ushtarake, vizionar, mendimtar, analizues e psikolog i spikatur. Lufta dhe puna, drejtimi dhe udhëheqja e bëri analizues e vizionar, që luftonte e sakrifikonte për fitoren, udhëhiqte dhe këshillonte, nuk luftonte për bujë e madhështi por mbi gjithçka për mision. Ai ishte gjenerali që luftonte dhe nuk mposhtej, që kishte humbur beteja por kish fituar luftën, ishte lexues i pasionuar, i armatosur me një bagazh të pasur dijesh për t’u admiruar, dinte të vepronte në çdo kohë, njihte mirë përvojat botërore të luftërave e betejave, kishte njohuri të qëndrueshme për lidërshipin ushtarak botëror, gjeneralizmin dhe mendimtarët ushtarakë botërorë, ishte përzgjedhës e qibar në metodat e drejtimit, lektor që të “hapte mendjen”, bindës në argumente. Mbështetja tek njerëzit ishte çelësi i suksesit. Mendonte e vepronte si gjeneral duke bërë jetën e ushtarit, kishte tipare fisnike më se njerëzore e aristokrate. I shërbeu partisë-shtet dhe u godit nga partia në kulmin e karrierës së tij në moshën 50 vjeçare. Dilaveri u qëndroi konsekuent e besnik idealeve të LANÇ-it dhe nuk i shkeli asnjëherë ato, duke qenë dhe zëvendëskryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Popullit Shqiptar. Ai ishte bir i Fushëbardhës që ngeli deri në fund të jetës pjesë e korpusit ushtarak me gjykim e mendim progresiv të thellë ushtarak. Nga brezat e ushtarakëve kujtohet si oficer i pjekur, diplomat i matur. Ai ishte dhe mbeti djalë vendi e llaf kuvendi sikurse thotë populli “fjala si binte në tokë” sepse kishte zgjuarsi e intuitë të hollë labe.

Dritëro Agolli për Gjeneral Dilaver Poçi: “njeri me mendje të ndritur”

Dritëro Agolli, (në parathënien e librit “Gjeneral i Labërisë Dilaver Poçi”, të autorit të këtij shkrimi), shkruante: “Në jetën time, në përgjithësi të gjatë, kam njohur shumë ushtarakë me grada të ulëta dhe të larta, nga gjithë llojet e ushtrisë. Kam njohur gjeneralë e admiralë të njohur, nja pesë a gjashtë si Ziqiri Meron, Arif Haskon, Qemal Podën, Vehbi Hoxhën, Zija Kambon dhe Dilaver Poçin unë i kam pasur miq. Për Gjeneral Dilaver Poçi kam një nderim të madh sepse ishte njeri me mendje të ndritur… kemi qenë të dy anëtarë të Komitetit Qendror… ishte nga njerëzit më të kulturuar dhe më fisnikë që kam njohur; kishte një ligjëratë të butë, filozofonte dhe lexonte shumë libra… unë e kërkova Dilaver Poçin për ta bërë mik dhe e pata mik gjithë jetën… sepse ishte burrë me trimëri dhe mençuri të rrallë”.

Fisi “Poçi“ nga Fushëbardha e njerëzve zemërbardhë

 

Hadër Poçi, i biri i Poço Xhuvanit dhe gjyshi i Dilaverit, plaku i urtë, i besës dhe i pushkës, i njohur për trimëri dhe mençuri, lindi në vitin 1842, në Fushëbardhë të krahinës së Kardhiqit. Ai jetoi, punoi dhe luftoi në Fushëbardhë dhe në të gjithë Labërinë. Atje prehen eshtrat e tij. Ndërsa Habili, babai i Dilaverit, gjatë gjithë jetës, përcolli aftësi të spikatura e cilësi të trashëguara si luftëtar, punëtor, shumë i shoqërueshëm dhe që mbijetoi nga shtypja osmane deri në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Emri i Gjeneral Dilaver Poçit dhe i Poçajve të tjerë, ka hedhur rrënjë të thella në memorien e Fushëbardhës dhe Labërisë. Edhe pse, pas një persekutimi 15-vjeçar të Gjeneral Dilaverit dhe të të gjithë fisit të tij, edhe pas një harrese, për arsye persekucioni nga ish-regjimi, përsëri për Gjeneralin dhe fisin e tij vendlindja mbeti zemra e madhe, që pulson, rreh dhe mbledh rreth vetes bijtë e bijat dhe i orienton në jetë. Historia nuk harron. Poçajt u rikthyen gjithë dinjitet në vendin e lartësuar, të respektuar e të merituar. Edhe pse të larguar në vite nga Fushëbardha, Poçajt nuk harruan jetën e historinë e vendlindjes, hallet e gëzimet e krahinës dhe bashkëfshatarëve. Vendlindja e të parëve ngelet vatra e madhe, guri i rëndë i kujtimeve që nuk mund të zhbëhet, jo në vite, por as në qindravjeçarë. Është më se kuptimplotë ajo që thotë Islam Poçi në gazetën “Fushëbardha“: “Secili nga Poçaj, ka çarë vetë, me punën, me djersën dhe me meritat e tij”. Me të drejtë, edhe sot e kësaj dite, kur në lartësitë e fshatit Fushëbardhë koha hedh borë e suferinë, dielli lëshon rreze, era fërshëllin e uji gurgullon, lëndinat jeshilojnë dhe gjethi shpërthen, blegërimat mbushin lëndinat, cicërimat korijet, breza të tërë të lindur apo jo atje, por që kanë gjenin e prejardhjes dhe ndjenjën e vendlindjes të fuqishme, ashtu sikurse dhe shumica e fisit “Poçi“, me mburrje thonë: “Origjina jonë, rrjedh nga Fushëbardha”, atje ku borërat, ujërat, gurët dhe zemrat e njerëzve janë të bardha.

Fëmijë i shkëlqyer në mësime dhe i burrëruar para kohe

 

Vetëm 6 muaj pasi kishin ikur nga Fushëbardha, Habilit dhe Sherifesë u lindi djali i parë, që e quajtën Dilaver. Ai lindi më 25 maj 1919. Emrin ia vuri gjyshi. E quajti Dilaver, emër që e mbajti denjësisht 82 vjet, emër që e la në kujtesën e brezave. Bashkëmoshatarët, bashkëluftëtarët, e veteranët që jetojnë në shekullin XXI, mësojmë se me të drejtë ata e vendosin Dilaverin në pjesën përbërëse të historisë së gjallë të shekullit të XX, si një vlerë që jeta dhe vepra ia dha atij, kudo që punoi e jetoi. Në vitin 1926, babai i Dilaverit, Habili u rikthye në Fushëbardhë. Me vete kishin katër vocërrakë; më i madhi, Dilaveri 7-vjeçar, Zenepja 5-vjeçare, Myzejeni 3-vjeçare e Drita 1 vjeçe. Ky ishte një kthim i detyruar, se jeta ishte bërë mjaft e vështirë. Skamja dhe uria kishin pllakosur gjithë kazanë. Bereqeti qe shumë i pakët dhe tregtia nuk lëvizte. Pas një viti në Fushëbardhë familja shtohet edhe me një djalë: Zenelin. Por pas dy vjet qëndrimi në fshat familja merr sërish rrugën drejt Sarandës, ku kishin shumë miq e shokë. Megjithatë lidhjet me fshatin e lindjes asnjëherë nuk i harroi. Ishte i pranishëm në gjithë gëzimet e hidhërimet e bashkëfshatarëve. Shtëpia e tij në Sarandë ishte derë e hapur për farefisin, miqtë, shokët e hallexhinjtë. Shkollimi ka qenë preokupimi kryesor i elitës përparimtare. Fëmijët i orientojnë që të jenë të ditur e me kulturë. Patriotët kishin hapur 5 shkolla me konvikte në të gjithë Shqipërinë, një prej të cilave në Sarandë. Përfundimi i një shkolle ishte privilegj vetëm i disave. Shkollat e mesme ishin shumë të kufizuara dhe nuk bëhej fjalë për shkolla të larta, që ndiqeshin vetëm jashtë vendit. Plaga e analfabetizmit ishte e thellë. Edhe pse kapaciteti i shkollës ishte i vogël, Dilaveri 9-vjeçar mundi të futej në shkollë në vitin 1928, në Sarandë. Ndjehej si në ëndërr në Sarandë, që në atë kohë ishte si një fshat. Shkolla filloi t’i hapte dritaret e mëdha të jetës. Atje gjeti ngrohtësinë e shokëve dhe mësuesve, që ishin intelektualë dhe patriotë të vërtetë. Shkolla ishte për të një dritare e madhe diturie, ku jepnin mësim Irfan Roshi, drejtori Hiqmet Roshi, Lame Xhama, Sadik Pejani, Xhevdet Kofina, Muhamet Golemi, Xhemile Golemi etj. Pas përfundimit të shkollës në Sarandë me këmbënguljen e tij takon ish-ministrin e Arsimit të Monarkisë Fran Ivanaj, i cili ndihmonte shumë njerëzit që kishin etje për dituri. Ai i akordon një bursë studimi në Institutin Teknik i Mbretnisë shqiptare, Shkolla e Mesme Teknike “Harry Fultz”. Fakt është që, Dilaveri shkëlqeu në mësime në shkollën e suksesit amerikan në Shqipëri ku mësues të përkushtuar ishin ndërmjet të tjerë dhe dy amerikanë, Harry T. Fultz & Charls A. Hollingshed. Shkolla “Harry Fultz” e nisi jetën me 32 nxënës më 1921 dhe pas 12 vjetësh u rrit, në mbi 500 nxënës, nga të cilët 300 me bursë nga amerikanët dhe rreth 150-200 me bursë të Ministrisë së Arsimit të qeverisë shqiptare. Edhe sot në këtë shkollë gjenden arkivat e viteve ’20-të të shekullit të kaluar ku për nxënësin Dilaver Poçi dedikimi është “excellent”/i shkëlqyer.

Aktiviteti revolucionar i antifashistit të orëve të para

 

“Shkolla më dha dritën e diellit, më çeli sytë, më bëri që të di të zgjedh në jetë”. Kështu shprehej Dilaveri mes miqsh e shokësh. Ai kujton jetën e pas shkollës dhe profesionet ku ka punuar për të nxjerrë bukën e gojës. Veprimtaria revolocionare e Dilaverit gjatë viteve të pas shkollës teknike, 1938-1941 erdhi duke u rritur sidomos në Tiranë e Vlorë, por me objeksione më të qarta ajo ka qenë në qytetin e Sarandës. Që nga viti 1938 ka qenë anëtar i grupit komunist të Shkodrës, nga merrte detyrat si aktivist. Ka qenë një ndër 200 anëtarët e parë themelues të PK. Këtë gjë ai e shprehte, jo për t’u mburrur e as për të përfituar privilegje, e quante si një detyrim që kishte pasur ndaj atdheut dhe popullit. Zemra e tij rrihte një me hallet e kombit, vuante robërinë dhe aspironte lirinë e barazinë shoqërore. Ky ishte dhe mbeti ideali i Dilaverit gjatë gjithë jetës. Me porosi të Qarkorit të Gjirokastrës ai kishte ngritur njësitin e Sarandës. Por aktiviteti i tij i dendur kishte rënë në sy të fashistëve. Bënte pjesë në rininë elitare të jugut me pikëpamje të fuqishme antifashiste. Varka e jetës po mbushej me jetë të përkushtuar ku prushi i atdhetarisë ishte parësor.

Pushka që zgjoi Labërinë – LANÇ, lufta e sakrificave të mëdha partizane

 

Dilaver Poçi kishte rënë në sytë e spiunëve të fashizmit në Sarandë dhe ndërkohë pritej arrestimi i tij. Për t’i shpëtuar ndjekjes më 7 shkurt 1942 u largua nga Saranda dhe kaloi në ilegalitet, duke shkuar në vendlindje në fshatin Fushëbardhë. Aty ngriti të parin njësit të fshatit dhe vazhdoi të punojë për ngritjen e njësitit gueril të krahinës së Kardhiqit. Për dhjetë muaj rresht luftë e përpjekje Dilaveri i ra krahinës së Kardhiqit dhe Kurveleshit kryq e tërthor, shtëpi më shtëpi, konak më konak e stan më stan. Shfrytëzoi të njohur e të panjohur. Bëri miq të shumtë në çdo fshat. Fitoi zemrat e fshatarëve. Ishte njeri i aksionit. Nën shembullin e krijimit të çetës së parë partizane më 5 qershor 1940 në Pezë, që ishte çeta e parë jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan e Evropë u krijuan çetat në Jug të vendit. Në gjithë vendin e ngritën 288 çeta partizane. Ato ishin bërthama e LANÇ-it. Labëria si gjithmonë ishte në avangardë. Më 1.4.1942, Dilaveri do të ndiqte nga afër formimin e çetës së parë partizane të Kurveleshit. Çeta u mblodh te shkëmbi i Majës së Shakës në Malin e Gusmarit. Zhvilloi aksione dhe asgjësoi mjaft spiunë të fashizmit, midis të cilëve dhe nënprefektin e Kurveleshit. Goditi karabinierët e xhandarmërisë armike si në Zhurin e Gusmarit, Garxhun, Ujë të Ftohtë të Tepelenës etj. Çeta e Kurveleshit ishte çeta e dytë e krijuar në Shqipëri pas asaj të Pezës dhe që u pasuan nga çeta “Koto Hoxhi”, “Hajredin Tremishtit”, “Plakë”, “Çerçiz Topulli” dhe “Avni Rustemi” etj, të cilat i përkasin vitit 1942. Në tetor 1942 do të gjendej në Sheper të Zagorisë, atje ku formohej çeta “Koto Hoxhi”, me komandant Pano Xhamballa dhe komisar Vasil Kati, të dy miq të Dilaverit. Më 27.11.1942 në inaugurimin e çetës “Hajredin Tremishti” në Kuç.

12.12.1942 – Në Fushëbardhë krisma e parë partizane për çlirimin e Shqipërisë

 

Me përvojë të pasur në aktet sublime popullore të themelimit të formacioneve të para partizane, do të kurorëzonte në fshatin e tij të lindjes, në Fushëbardhë, më 12 dhjetor 1942, në sheshin e quajtur Zhërmë, te rrapi shekullor, krijimin e çetës së krahinës së Kardhiqit (fillimisht e quajtën çeta e “Çakallit”(pseodonimi gjatë LANÇ). Kjo çetë, me vendim të Qarkorit të Gjirokastrës, më 27.2.1943, në fshatin Prongji, do të pagëzohej me emrin “Çerçiz Topulli”. Nga ndonjë mosnjohës i luftës së vërtetë të kësaj çete, me apo pa dashje, është ngatërruar data dhe vendi i krijimit të çetës me datën dhe vendin e dhënies së emrit, që në fakt 12.12.1942 dhe vendi Fushëbardhë është i shenjtëruar. Dilaveri do të shprehej se: “e quaj me fat që kam vepruar në një ndër zonat më të shquara të LANÇ-it, në hapësirat e Zonës së Parë Operative, që përfshinte pothuaj gjithë hapësirën jugore të Shqipërisë, nga krahu i majtë i lumit Vjosa, deri në derdhjen në det, në sipërfaqe mbi 6000 km2, që përfshijnë rrethet Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Mallakastër, Përmet. Dilaver Poçi, fillimisht në çetë mblodhi rreth vetes bashkëluftëtarët: Siri Çarçani, Gani Aloçi, Mitat Kondi, Nishat Kondi, Emro Kondi, Elmaz Zervoi, Hariz Shalari, Sami Golemi, Karafil Bello, Nimet Veliu, Zenel Bello, Fidai Veliu, Tahir Xhuvani, Alem Shehu, Ziadin Çarçani, Aliko Shalari, Hidajet Hida, Hariz Hila, Islam Poçi, Rami Makashi, Brahim Miho, Mato Mato, Siat Mustafarai, Shemo Hida, Teno Pula, Kutbi Gjeçi, Rahim Boçka, i riu nga Gjirokastra Ago Topulli, etj. Luftëtarët e çetave të Labërisë personifikoheshin me epitetin tradicional jugor “çeço”. Lëvizja e fuqishme antifashiste në Shqipëri i dha botës alarmin e rrezikut të fashizmit. Çeta erdhi duke u rritur dhe forcuar dita-ditës. Në pranverë 1943 numri i çetës u shtua shumë, gati u trefishua me partizanë e partizane nga fshatrat e krahinës së Kardhiqit, por edhe nga qyteti i Gjirokastrës. Çeta “Çerçiz Topulli”, e komanduar nga Dilaver Poçi, kreu një veprimtari luftarake të dendur në zonën e Kardhiqit, në Rrëzomë të Delvinës (Janar 1943) dhe në Vurg të Sarandës, ku ka kryer dy inkursione të suksesshme: i pari nga 5 shkurti 1943 deri në 23.2.1943 dhe i dytë nga 2.3.1943 deri 20.3.1943. Çeta dha një ndihmesë në formimin e Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare në disa fshatra të Kardhiqit, ku ende nuk ishin krijuar ato dhe për plotësimin e disa të tjerave që kishin pësuar ndryshime. Çeta më 18–20.12.1942 preu linjat telefonike e telegrafike Delvinë-Sarandë, goditi postbllokun italian te Ura e Shijanit, mbi lumin e Kalasës, në rrugën Delvinë-Sarandë, sulmoi një togë të përforcuar e të fortifikuar, duke i shkaktuar dëme në njerëz dhe humbje të mëdha në materiale. Në mes të muajit janar 1943 çeta goditi me organizim prite një kamion me ushtarë fashistë, në afërsi të urës së Kardhiqit, në rrugën Gjirokastër-Tepelenë dhe një grup milicësh. Efektivitetin e çetës “Çerçiz Topulli” në krahinat e Vurgut e të Theollogos, Lefter Talo e pasqyron në raportin që i bën Komitetit Qarkor për Gjirokastrën, fill pas largimit të çetës, raport i cili gjendet në arkivin e rrethit të Sarandës dhe AQSH: “Dilaveri u bë simbol i unitetit të trevave shqiptare e minoritare, lebërve e vurgasve, bregasve e çamëve. Ishte zona e një uniteti të fortë që krijoi, farkëtoi e siguroi lidhje të qëndrueshme në emër të idealeve të larta të lirisë dhe të pavarësisë, pavarësisht kombësisë”. Fakt historik është që çeta “Çerçiz Topulli”, ishte njësit partizan i parë që veproi në zonën e varfër të jugut, ku zotër ishin feudalizmi e bujkrobëria. Kjo çetë ishte shkëndija e parë e shpresës për fshatarët për të ndërtuar një jetë “me oxhak dhe me themele..”.

Bashkëveprimi, çelësi i suksesit në Luftën Çlirimtare

Bashkëveprimi e bashkërendimi i veprimeve luftarake ishte çelësi i suksesit. Djemtë e Labërisë ndër ta Dilaver Poçi, u bë shtysë e fillimeve të luftës antifashiste në të gjithë Labërinë. Çetat partizane “Çerçiz Topulli”, të Kurveleshit, çeta e Rinisë në Stegopul, çeta “Koto Hoxhi” etj., kryen veprime edhe të përbashkëta dhe hodhën vështrimin për rritjen e lëvizjes antifashiste në qarkun e Gjirokastrës, ku u formuan disa batalione territoriale dhe batalione partizane më të organizuara si “Asim Zeneli”, “Misto Mame”, “Thanas Ziko” etj. Në qark u krijuan kushtet për krijimin e katër nga njësitë më të mëdha të UNÇSH dhe më konkretisht: Brigada VI Sulmuese, formuar në 26.1.1944 në Përmet, Ishte e para brigadë në qarkun e Gjirokastrës, me partizanët e batalioneve “Asim Zeneli”, “Baba Abaz”, “Abas Shehu”, “Naim Frashëri”, kompania “Thoma Lulo” e batalionit “Çamëria”, ku më vonë u fut dhe batalioni “Zaho Koka”. BrVIIIS ose BrIS e re/”Brigada Labe”, u themelua në 25.4.1944 në Sheper të Zagorisë. Brigada XII Sulmuese u krijua në Sukë të Përmetit më 20.5.1944 me 600 partizanë të ardhur nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Brigada XIV Sulmuese Partizane u krijua më 20.8.1944 në fushën e Sheperit, me partizanë të Grupit I partizan të Kurveleshit, të Grupit III partizan të Mallakastrës dhe të Grupit IV partizan të Çamërisë, që bënin pjesë në Zona I Operative, Vlorë-Gjirokastër. Pas çlirimit të Shqipërisë, Brigada XIV Sulmuese u vendos në Vlorë e Sazan.

 

Vijon