Sigal

Mësues dhe komandant ushtarak

Idris Ruka lindi në periudhë të trazuar. Shqipëria ishte reduktuar në provinë të osmanëve. Populli nuk dinte as gjuhën e nënës, por kryengritjet nuk rreshtën asnjëherë. Populli ynë si fqinjët e tij, nuk i uli armët. Aleatë të mëdhenj apo të vegjël, më parë shikonin interest e tyre ekonomike e gjeopolitike, sa interesin e shqiptarëve. Nga trevat shqiptare kanë dalë burra shteti ndër më të shquarit, novatorë, reformatorë, strategë e liguinistë të pashoq. Shkëndia e parë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, u hodh që me Kryengritjen e madhe Fshatare kundër Reformave të Tanzimatit, e udhëhequr nga kreshnikë si Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu e të tjerë. Studiues të huaj e kanë konsideruar “kryengritjen më të guximshme dhe më të tmerrshme pas asaj të Skënderbeut”. Për këtë kryengritje më shumë shkruajnë histroianë të huaj se sa historian shqiptarë… Smokthina dhe fisi i Idris Rukës ishin pjesë e këtij realiteti të ashpër dhe nuk mund të rrinin mënjanë nga ngjarjet e mëdha historike të kohëve heroike. Qazimi, babai i Idriz Rukës me çetën e tij hyri nga të parët në Vlorë, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë më 28 nëntor 1912. Për merita luftarake e patriotike, u gradua dhe toger nga qeveria e u caktua me shërbim në Vlorë. Ndërsa Idrizi ka lindur në vitin 1893. Qazimi si njeri me shkollë e me kulturë u kujdes për arsimimin e të birit, Idrizi dhe ndjek shkollën fillore në Stamboll në vitet 1900-1904. Idrizi krahas turqishtes mësonte dhe gjuhën shqipe. Në vitet 1905-1907 ndjek shkollën në Vlorë e më pasë Institutin në Janinë. Vjen në Shqipëri dhe punon si mësues në Brataj e Mesaplik në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1919 Idrizi vazhdoi shkollën e Xhandarmërisë në Tiranë, që drejtohej nga patrioti i shquar major Ismail Haki Kuçi. Me mbarimin e shkollës me rezultate të dukshme emërohet adjutant në shkollë. Më tej punon me major Ismail Haki Libohova në batalionin e Elbasanit. Dhe Idrizin do ta shikojmë në Xhandarmërinë e Lushnjës, ku u ngarkua të mbronte punimet e Kongresit me forcat që dispononte. Idrizi mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 në xhandarmërinë e qendrës në Drashovicë.

Kudo punoi me ngulm

Në përfundim të luftës, Idrizi u caktua në Komisionin për marrjen në dorëzim të qytetit të Vlorës së çliruar. Komisioni nën kryesinë e major Kasem Sejdin Elbasanit filloi nga puna. Idrizi u emërua në Regjimentin e Tretë në Korçë që komandohej nga kolonel Mustafa Aranitasi. Nën komandën dhe drejtimin e kolonel Mustafait, Idrizi bashkë me shokë ia dolën të paralizonin veprimtarinë e shumë grupeve dhe individëve në shërbim të shovinistëve. Për rezultate shumë të mira, Idriz Ruka transferohet në Tiranë në detyrën e sekretarit të Ministrisë së Luftës, ku titullar i sekretarisë ishte kolonel Selaudin Shkoza. Në vitin 1928, në konkurimin për studime të larta të oficerëve të karabinerisë në Itali, ku dolën 150 fitues, Idris Rukën juria e konsideroi si kandidatin më të përgatitur. Studimet e larta i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Kur u kthye në Shqipëri, Idrizi punoi me ngulm për të shkruar një vepër shkencore të profilit profesional, ku studime të tilla në atë kohë nuk kishte në radhët e Forcave të Armatosura. Pas një periudhë të gjatë hulumtimi, studimi e përkthimi, ai botoi librin “Policia Shkencore”. Teksti pati një rëndësi të madhe për kohën. Libri gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Gjatë karrierës së tij ushtarake Idrizi ka shërbyer midis të tjerash edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, Rrethkomandant në Lushnje, Qarkomandant në Tiranë, Shkodër, Korçë, Dibër, Berat dhe Durrës. Idrizi në vitin 1935 ndodhej me shërbim në Durrës si komandant qarku, zëvendësprefekt dhe zëvendësdrejtor policie. E arrestuan në Durrës si përkrahës dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit dhe në gjyqin e bërë e dënuan me vdekje, me pushkatim.

Mbajti qëndrim të ekulibruar, të dobishëm e patriotic

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Idriz Ruka si ushtarak ishte kuestor në Elbasan. Ai falë pjekurisë dhe kulturës së tij diti të mbajë qëndrim të ekulibruar, të dobishëm e patriotik. Pas çlirimit të vendit familja e Idriz Rukës ngeli në rrugë të madhe. Idrizi u dënua me pesë vjet burgim, duke ju konfiksuar pasuria pa vendim gjyqësor e duke mos i lënë gruas dhe fëmijëve pjesën e tyre. Në burgun e Burrelit, Idriz Ruka ju vu punës për të përpiluar një Fjalor model Anglisht-Shqip. Edhe këtu bie në sy intelekti i veçantë dhe largpamës i Idrizit. Ai punoi për fjalorin e madh dygjuhësh, ku kishte mbi pesëdhjetë mijë fjalë. Ai përherë ka sfiduar, çdo regjim të vendosur në Shqipëri, duke bërë punë të mira për vendin si njeri dhe ushtarak me kulturë që ishte. Kur fjalori mori pamje ai nisi korispodencën me Institutin e Gjuhësisë, duke u dërguar ekstrakte të veçanta nga dorëshkrimet e tij. Instituti i Gjuhësisë, kur morën vesh se Fjalori ishte i një të burgosuri politik, entuziazmi i tyre ra dhe filluan të kufizonin korispodencën. Fjalori mori formën e plotë. Paralelisht Idrizi kishte përpiluar edhe një “Metodë për mësimin e Gjuhës Angleze pa Mësues”. Të dy veprat ishin gati… Por u desh kleriku katolik Gjergj Simoni që t’i shpëtonte nga azgjësimi i plotë i tyre. Ende janë të pabotura… Jeta e Idris Rukës është një dramë, por bëri një përjashtim nga rregullat tradicionale të dramës. Se drama zgjat dy, tre a katër akte. Ja dhe pesë, ose gjashtë, fundi i fundit. Ndërsa “drama” e Idris Rukës tejkaloi çdo limit kohor. Ajo zgjati tërë jetën! Sidomos në dyzet vitet e fundit. Njëzet vjet në burg e gati, po aq edhe pas burgut. Drama e Idris Rukës, pas burgut, nuk ka ndonjë ndryshim të madh, nga drama e Idris Rukës në burg. Madje, shpesh, pas burgut, ajo bëhet më ngjethëse, më e trishtuar, më dhimbëse. Dihet historikisht se, revolucionet, shpesh kthehen kundër vetvetes, kundër qëllimit, synimeve, idealeve e premtimeve fillestare dhe, vjen një ditë, kur fillojnë dhe hanë bijtë e tyre më të mirë e, pastaj, edhe vetveten. Një lloj kanibalizmi revolucionar, ose revolucion kanibalesk, a si ta qush ndryshe.

Koloneli shkruante e shkruante

Idris Ruka nuk kishte të bënte me dukuri të tilla. Kjo do të ishte e papranueshme për të. Ai ishte bir i Shqipërisë dhe ashtu qëndroi deri në fund. Stuhitë dhe rrebeshet, vetëtimat dhe rrufetë qëllon që t’i godasin lisat e mëdhenj, por nuk i çrrënjosin dot. Idriz Ruka ishte zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja. Kolonel Idriz Ruka shkruante e shkruante, përpiqej të takonte nga të njohuri, por dyert nuk hapeshin për të… Ky i kishte shërbyer kombit, pavarësisht nga regjimet që merrnin në dorë fatet e kombit dhe të tij. Akile Tase, studiues i njohur i gjuhës angleze, ish ministër i arsimit dhe shok vuajtjesh i Idrizit ka shkruar se “këtë vepër monumentale të Idriz Ruka do ta kenë zili edhe vetë kombet e mëdha. Vetëm durimi prej stoiku, mund të bëj në këto kushte një vepër të tillë”. Idriz Ruka ishte një ushtarak i karrierës dhe shkencëtar i mirëfilltë. Ai ishte një bir i Shqipërisë dhe si i tillë qëndroi deri në fund të jetë. Pavarësisht nga të gjitha peripecitë në jetë nga regjimet ashtu edhe nga stuhitë, rrebeshet, vetëtimat dhe rrufetë, ai qëndroi si një ushtarak dhe kurrë nuk u ankua dhe ligështua. Kështu, tashmë pas kaq e kaq vitesh u botua për jetën e tij libri “Përmendorja e dhimbjes” i Tasim Aliaj, që u desh t’i shkruaj këto rreshta për ushtarakun e karrierës dhe shkencëtarin, që dijti në çdo kohë e rrethanë të ngrihet dhe t’i qëndrojë në këmbë kombit të tij, me dituri dhe urtësi. Për të tillë njerëz ka nevojë shoqëria dhe kombi.