Prof. Dr. Agron F. Fico/ Skënderbeu dhe Epika popullore historike

1373
Sigal

Trimëria, patriotizmi dhe heroizmi i luftëtarëve tanë e detyrojnë sulltan Muratin që të pranojë, duke kërcitur dhëmbët: “S’ asht e mundun me hy n’ Kruve!” Njihet historikisht se, me disfatën e turpshme në muret e Krujës, sulltan Murati mbylli një jetë mbretërimi gati 3-vjeçare. Disa muaj më vonë, Murati II vdiq në Andrianopojë. Fitorja e madhe e forcave shqiptare kundër ushtrive turke në dyert e Krujës më 1450 e rriti autoritetin e vendit tonë. “Në vendet e tjera, populli shqiptar, fitoi respektin e përgjithshëm, kurse Skënderbeu u njoh nga opinioni evropian si një nga kapitenët më të shquar të kohës”. Ndër këngët popullore që lidhen me epokën e luftërave të popullit shqiptar të udhëhequr nga Skënderbeu kundër turqve është edhe një fragment kënge botuar së pari në revistën “Edukata e re”, Tiranë 1931, nr. 10, f. 302. Kruja që ishte kryeqendra e rezistencës dhe vatra e flakës së lirisë, në këngën popullore paraqitet si personifikim i patriotizmit dhe heroizmit shqiptar. Zadrazemit i duket “zi” kalaja e Krujës. Rezistenca, lufta e vendosur, dashuria e flaktë për atdheun e luftëtarëve tanë, e detyrojnë agresorin osman, që të pohojë të vërtetën e hidhur: “S’kanë ç’i bajnë ksaj topat e mij”. Çdo gur e frëngji i kall datën armikut, prandaj sadrazemi “fshin lotët me shami”. Turqit donin t’i shuanin Krujës edhe emrin, dhe e pagëzuan Akhisiar. Emrat Zidoll dhe Akhisiar u përdorën prej turqve për zëvendësimin e emrave të lashtë të qyteteve tona. Por me rëndësi është se në orvatjet që t’i shlyente emrin Krujës, armiku tregoi se ka ndjerë veten keq e mos më keq përballë qëndresës së paepur të shqiptarëve; nga goja e tij kuptojmë se në ç’kondita të vështira e kishin vënë luftëtarët tanë sulmuesin e huaj. Në këngë përzihet kujtimi i Skënderbeut me atë të Ali Pashë Tepelenës dhe gruas tij të krishterë, Vasiliqisë, ndonëse me përkatësi kohësh të ndryshme. Kënga ka një sfond të fortë popullor dhe sjell jehonën e një lufte rreth mureve të Krujës. Bashkëpunëtori i jashtëm i Institutit të Folklorit, Hilmi Sadiku, në janar të 1967 në fshatin Çidhna e Poshtme të rrethit të Peshkopisë, gjeti një këngë popullore që bën fjalë për luftërat e popullit shqiptar kundër turqve. “Këngën -thotë mbledhësi- e kam dëgjuar nga fshatari 80-vjeçar Ali Sufa, nga Çidhna e Poshtme, i cili pretendon se kjo këngë është shumë e vjetër”. Kënga është e afërt me faktin historik dhe flet për rezistencën kundër sulltan Mehmetit. Pas disfatave të vazhdueshme që kishin pësuar pashallarët turq, Sheremet Beu, renegati Ballaban Pasha dhe Jakup Arnauti, “sulltan Mehmeti II vendosi më në fund të vinte vetë në Shqipëri. Në qershor të vitit 1466, në krye të armatës prej rreth 150 mijë vetësh të jeniçerëve dhe të ushtrive të Anadollit e të Rumelisë, duke ardhur nga Manastiri, hyri në Shqipëri”. Lufta heroike e shqiptarëve në muret e Krujës e detyroi pushtuesin e Stambollit dhe projektuesin e pushtimit të Italisë, sulltan Mehmetin II, që të ikte i turpëruar. “Në vjeshtë, pasi kishte përfunduar ndërtimin e kalasë (është fjala për kalanë e re, që u ndërtua mbi themelet e kalasë së vjetër të Valmit e që Mehmeti II e quajti Ilbasan, d.m.th. që sundon, Shën. i autorit) sulltani u largua nga Shqipëria. Gjatë rrugës prej Elbasanit në Dibër, ai rrethoi dhe pushtoi qytetin e Çidhnës, ku ishin strehuar rreth 10 mijë gra, pleq e fëmijë, të larguar nga krahinat fushore dhe, pasi e shtiu në dorë, i masakroi barbarisht si hakmarrje për disfatën e turpshme.” Pra, kënga të krijon përshtypjen se bën fjalë për ngjarjen e Çidhnës, krahinë e Dibrës në të dy anët e lumit Drin:

Sulltan Mehmeti n’kamb u çue,

Mexhelisit nji selam ia ka çue,

Traj hordit me m”i hazrue,

Se për Dibër due me i çue.

Kënga është 33 vargjesh dhe ka mjaft elemente të reja (S’ep asker e s’ep vergji), por fondi themelor i saj është lufta kundër mizorive, barbarive të ushtrisë turke në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit. Kënga thotë:

Traj hordit n’Dibër paskan shkue,

T’tan Çidhnën e kan rrethekue.

Në krye të rezistencës së Çidhnës është Jovan Noka, personazh i mjaft gojëdhënave popullore, që në këngë del si organizator dhe luftëtar popullor:

Jovan Noka a çue n’ kam,

T’tan Çidhnës po i ban selam.

Cull e gra n’ She t’ Thatë t’i shtajm,

Për tri vjet buk t’u çojmë.

Lufta ishte e ashpër:

Nisi lufta e mur gjam deti,

Mur gjam deti e u shemka kepi,

Tan me xhak u mushka Seta.

Nisi lufta e mur xham Batafi,

Traj hordit Çidhna i pikati.

Konkluzione

Së pari, në këngë, afër elementeve të vona, rrinë pranë edhe elemente të hershme.

Së dyti, ngjarjet që pasqyrohen në këngë, duken sikur pleksen edhe me ato të vjeshtës 1466. Së treti, qëndrimi politik i rapsodit popullor është i drejtë; lufta popullore fiton mbi gjithçka, edhe mbi ushtrinë e madhe dhe mizoritë sado barbare. Shqipëria mbeti gjithmonë një kockë e fortë për pushtuesit osmanë edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Në këngën e bukur “Gjorgj Golemi” del qartë në pah rezistenca e vendosur e shqiptarëve dhe tërbimi i sulltanit:

Ky sulltani qan me lot,

Kam dhe një Skënder n’ Sopot.

Kjo qe meritë, në radhë të parë, e luftës së masave popullore dhe në veçanti e fshatarësisë. Gratë, ashtu si burrat, luftuan me të njëjtën vendosmëri dhe guxim të madh, dhe përballuan me trimëri edhe rrebeshet e luftës:

Sopotare moj të ngrata,

Rrokni thika, rrokni shpata.

A do ikim të shpëtojmë,

A do rrimë të luftojmë?

Na do rrimë të luftojmë!

Gjorg Golemin s’e turpërojmë.

Pra, vetë poezia popullore zbulon karakterin e thellë popullor të luftërave të shqiptarëve kundër turqve agresorë dhe tregon se Skënderbeu, në gojën dhe ndërgjegjen e popullit shqiptar, në këngën dhe në legjendat e tij, është kënduar si shembull trimërie e guximi. Shtypja e egër dhe barbaritë e pushtuesve turq i detyruan shqiptarët të marrin rrugën e hidhur të mërgimit, të kërkojnë strehë larg atdheut. Ata u vendosën kryesisht në tokat e shkreta të Italisë jugore dhe në Sicili dhe morën me vete shumë kujtime të luftërave kundër turqve osmanllinj. Jehona e betejave të Skënderbeut ndihet e fuqishme në këngët e shqiptarëve të Italisë. Shekulli XV është shekulli i trimërive shqiptare kundër “kjenit turk”. Poeti popullor anonim këndoi rezistencën dhe patriotizmin e shqiptarëve. Ngjarjet që trajtohen te këngët popullore për Skënderbeun i përkasin shekullit XV dhe u bënë të njohura me botimin e De Radës më 1866, të “Rapsodie d’un poema albanese”. Në ciklin e epikës popullore, që botoi De Rada rreth Skënderbeut, e para këngë që flet për ngjarje të jetës së heroit, është “Martesa e Skënderbeut”. Martesa e Skënderbeut, sipas këngës, është një ngjarje me rëndësi të madhe, me një rëndësi kombëtare, prandaj janë mbledhur princër e kapedanë me influencë që të zgjedhin nusen e kryetrimit. Kjo afron me atë që thotë historiani ynë, Marin Barleti: “Purpurantët e tij dhe princër fqinj e fare fis… po përpiqeshin kush e kush më parë t’i fusnin në mend idenë që të martohej”. Skënderbeu, pasi këshillohet me bujarët e tij se ku ta marrë nusen, vendosi vetë që ta marrë arbëreshe. Skënderbeu:

Por di u çë kam të marrë

Vashën e dua t’arbresh

Glughie e zakoneshi.

Dihet fakti që ai u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit. Kjo tregon jo vetëm dashurinë për vendin, por edhe vullnetin e Skënderbeut që të bashkohej me popullin. Kënga dëshmon për atë meritë të madhe të Skënderbeut në historinë tonë, për rolin e tij në krijimin e një pushteti të përqendruar kundër anarkisë feudale, proces ky i përgatitur nga gjithë zhvillimi ekonomik e shoqëror i mëparshëm i vendit. Ai u bë, pra, farkëtuesi i bashkimit kombëtar. Për Skënderbeun Fan Noli thotë se “jo vetëm e bëri këtë bashkim, po edhe arriti ta mbajë pothuaj njëzet e pesë vjet me radhë, në mes të furtunës së jashtme e të brendshme; kjo është një nga lavdit’ e tij më të mëdha”. Në këngën me titull “E motra e Skënderbeut”, megjithëse nuk flitet drejtpërdrejt për të, ai duket i madh nga efekti që i bën emri. Në këngë rapsodi popullor tregon se një motër e Skënderbeut shpëton nga turqit vetëm se sulltani ka dëgjuar emrin e Skënderbeut dhe ka marrë vesh se vajza e zënë rob është e motra e trimit shqiptar. Ngjarja na shpie në rrethet e Petrelës, një nga kryeqendrat e rezistencës shqiptare në shekullin e XV gjatë një ekspedite të sulltanit që të shtrojë Shqipërinë.
Figurën e Skënderbeut fantazia popullore në këtë këngë e ka zmadhuar në madhësi të jashtëzakonshme:

Skanderbeku, burrë i keq,

çë ndë vapt veries,

shkuli lis e bëri hije

e me shpatien ndër dorë,

s’e taraksënjën ushtërorë.

Në këngën “Skënderbeu dhe Miloshini” nuk është hero kryesor Skënderbeu, por Miloshini, personazh i paidentifikuar historikisht, i cili na është paraqitur me një trimëri të rrallë. Miloshini ngrihet nga sofra, shkon drejt në luftë dhe shpartallon e vë në ikje një ushtri të tërë armike. Kënga mund të sjellë kujtime të ndonjë lufte të Skënderbeut afër Ohrit më 1464. Figura e Skënderbeut del si autoritare dhe njëkohësisht popullore; është vënë mirë në dukje qëndrimi dhe sjellja vëllazërore e Skënderbeut me trimat e vet. Spikat në këngë urrejtja e papërmbajtur popullore për armikun turk:
Mba tutje mos u t’vras,

Se jam gjaku e deiturith,

Të gjakut të qenit turk.

Figura e Skënderbeut del më e gjallë dhe më trimërore në këngën e bukur “Skënderbeu dhe Ballabani”, që shquhet për thurjen e saj, për gjallërinë dhe figurat poetike. Heroi paraqitet me cilësitë e vërteta që ka pasur, njeri i aksionit të shpejtë, luftëtar trim dhe energjik, që përgjaket me armikun në beteja të pareshtura. Skënderbeu dallohet për urrejtje dhe përbuzje ndaj tradhtarit dhe është i tmerrshëm në luftë:

Nani, qeni renegat,

O m’e siell, o t’e siell.

Kënga popullore, ashtu si e paraqet edhe Marin Barleti, tregon se Skënderbeu kryente në mënyrë të shkëlqyer si detyrën e komandantit ashtu dhe atë të ushtarit; ishte i paepur përpara armikut. Poezia popullore është afër faktit historik. “Skënderbeu, të cilit nuk i shpëtonin pusitë, dredhitë dhe dhelpëritë barbare, ia ktheu prapa miqësinë, dhuratat dhe peshqeshet dhe, përkundrazi, i dërgoi një shatë, një pluar, një drapër dhe vegla të tjera bujqësore, me këshillën që të hiqte dorë nga punët e luftës… dhe të merrej me punët e fushës e të arave, sipas zakonit të t’et dhe të të parëve të tij”. Skënderbeu u ndesh disa herë me renegatin; në luftën e Sfetigradit (1465) Liveta, një ushtar trim, sipas Biemmit, i shpëtoi jetën atij. Figura e heroit tonë kombëtar jepet në kulmin e trimërive dhe aksioneve të guximshme, ku vepron me shpejtësinë e rrufesë:
Si ziarmi ndër kallametë,

Njerë çë mbioi udhë e grafoma

Me krera e të vdekur.

Një të vet zu e m’e la,

Atë qenin rinegat.

Laijmin të qellnej.

Kjo pohohet edhe nga Fan S. Noli, kur Skënderbeu u thotë ushtarëve: “Lëreni të shkojë; dikush duhet të arrinjë në Stamboll i gjallë që ta lajmërojë sulltanin për vijtoret tona”. Sipas këngës, Skënderbeu nuk e vret Ballabanin, po i pret veshin, që t’i kujtojë tradhtinë dhe ashtu i poshtëruar të vejë te padroni. Kënga, si dënim për tradhtinë, na thotë se Ballabanin e vrau padroni, sulltani, por historikisht Ballabanin e vret shqiptari Gjergj Aleksi rreth mureve të Krujës; ndërsa një këngë popullore thotë se është vrarë nga Tanush Topia, kunati i Skënderbeut. Fytyra e tradhtarit, e shëmtuar dhe e përgjakur pas prerjes së veshit, nga fytyra arrogante që ishte para ndeshjes, kthehet e bëhet edhe më tepër një fytyrë e përbuzur nga të gjithë, edhe nga padronët e vet. Tradhtari i mundur dhe i poshtëruar kthehet tek padroni. Lufta kundër Ballaban pashës, ashtu si lufta kundër sulltan Muratit dhe sulltan Mehmetit, në këtë këngë ruan frymën patriotike, heroizmin e shqiptarëve, që kundërshtuan dhëmb për dhëmb dhe luftuan trimërisht agresorët turq.
Një tjetër këngë që i kushtohet jetës së heroit kombëtar është edhe “Skënderbeu dhe vdekja”, në të cilën zbulohen disa cilësi të Skënderbeut. Aty Skënderbeu duket i lidhur me familjen dhe fatet e vendit, shqetësohet thellë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për këtë mbledh shpejt e shpejt këshilltarët e vet. Vdekjes i qëndron sypatrembur, por do të rrojë akoma, që të ruajë atdheun nga rreziku i ndërhyrjes së armiqve të huaj. Para vdekjes u jep porsi shokëve të luftës dhe të birit:
Mbi kalin, erëvet detit,

Gabëni fiamurin tim,

E ndë mest fiamurit

Lidh e le mahjeren time.

Kur t’frinjë vorea e keqe,

Murxhari në hinkëllisën,

Fiamuri përgapiet

E mahjeria trintëllisën

Ka i vrërti qiparis;

Turku i gjegjën e i trembur,

Tue kulturuar vëdekien

Çë fië te mahjeria ime

As ju pasën nkaha vatë.

Spikat fort në këto vargje patriotizmi i gjallë i Skënderbeut dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë për fatet e popullit dhe vendit të tij në të ardhmen. Tufa e këngëve arbëreshe botuar nga De Rada rreth emrit të Skënderbeut mbyllet me rapsodinë elegjiake “Vdekja e Skënderbeut”. Kjo është një këngë e shkurtër, në të cilën në mënyrë mjaft sintetike e me figura të gjalla dhe të forta, jepet lajmi i zi i vdekjes së Skënderbeut. Gjithë natyra merr pjesë në këtë fatkeqësi kombëtare; qielli është i zi sterrë nga retë e nga mjegullat e fillon shi me shtrëngatë. Kënga duket të jetë një përshtatje nga Barleti, i cili, në këtë rast, kishte përshtatur historianin e vjetër latin, Valer Maksimin. Por mënyra se si “gjamon” Lek Dukagjini të kujton plotësisht një zakon shqiptar, që ka vazhduar gjer vonë. Me vdekjen e Skënderbeut fillon tatëpjeta e rezistencës gati 25-vjeçare shqiptare dhe njëkohësisht zgjerohet shpërngulja në masë, sidomos në Italinë e jugut, me qëllim që t’i shpëtonin tërbimit otoman e që të ruanin traditat e zakonet shqiptare:

Por tre qint miil trima

Jetin çajtin detin,

Se të bajën besëzën.

 

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të luftës së madhe shqiptare turke u bë tmerri i Turqisë në shekullin XV dhe mburojë e qytetërimit evropian, fakt që detyrohet ta pranojë edhe sulltan Mehmeti: “Një luan të tillë do të mos lindë më dheu kurrë!” Pastaj shtoi: “Tani Evropa dhe Azia janë të miat!” Në epikën popullore historike figura e heroit paraqitet si simbol i luftës për liri të popullit shqiptar dhe kryengritjes kundër armiqve të vendit. Skënderbeu në këngën popullore është kënduar gjithmonë si shembull trimërie, guximi e burrërie. Ai u bë frymëzim, shembull në luftën kundër turqve. Malësorët e Veriut, në luftën kundër Hafiz pashës, i kërcënohen atij, dhe i kujtojnë se janë nipat e Skënderbeut:

Afiz pashë, n’daç me hikë vorrit,

S’dripi atit, hyp vaporrit.

Afiz pasha po i lyp vaden,

Me i ba tinzë heniqe natën,

Bajnë hënek t’luftonjë mas bregut,

Me të nipat e Skëndergegut.

Skënderbegu rrfe prej qiellet,

Pashallarve ja u njef hilet.

 

Me kujtimin e tij në zemër bijtë e shqipes luftuan kundër skllavërisë shekullore osmane. Shembulli i tij frymëzoi rezistencë të pamposhtur, sepse ai ishte luftëtar i një çështjeje të drejtë, armik i robërisë dhe plot dashuri për popullin e vet. Kështu Gjin Leka i thotë pashës:

Po thuej pashës edhe allaj begut,

S’lidhen t’ bijt e Skënderbegut

 

Me shembullin e Skënderbegut, rilindësit tanë, ia ndezën popullit zjarrin e atdhedashurisë:

Del steres e jo limanit,

Të shoç të zot e vatanit,

Bijt e Ismail Qemalit,

Të Skënderbe faqebardhit.

 

Këngët popullore për Skënderbeun rritën ndërgjegjen e popullit, frymën e qëndresës dhe të patriotizmit. “Shqiptarët, të ndezur nga këto këngë trimërore, e shikonin me sy hijen e Skënderbeut kaluar në krye të tyre dhe luftonin si luanë me forcë të përtëritur.”

 

BIBLIOGRAFI

  1. Marin Barleti: Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, përkthyer nga Stefan J. Prifti, Tiranë, 1964.
    2. F. S. Noli: Historia e Skënderbeut, Boston, 1921.
    3. U.SH.T: Historia e Shqipërisë I, Tiranë, 1959, f. 239-268; f.269-330.
  2. Dh. S. Shuteriqi: Legjenda e Skënderbeut, “Buletini i Institutit të Shkencave”, Tiranë, 1949, vëllimi i parë.
    5. Dh. S. Shuteriqi: Këngë popullore mbi Skënderbeun, “Literatura jonë”, Tiranë, korrik 1949.
    6. Dh. S. Shuteriqi: Kangët arbëreshe mbi Skënderbeun, “Mësuesi”, II, 1963, nr. 3.
  3. R. Sokoli: Skanderbegu ndër kangët popullore, “Arsimi popullor”, 1962 nr. 6, f. 26-36.
    8. Z. Kodra: Poezia popullore arbëreshe, Tiranë, 1957, f.3-31.
    9. Instituti i Shkencave: Këngë popullore historike, Tiranë, 1956.
    10. U.Sh.T: Folklori shqiptar, Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1959, f. 89-92.
    11. G. De Rada: Rapsodie d’un poema albanese, Firenze, 1866.
    12. Prof. G. Ferrari: Rapsodie e scene di vita degli albanesi di Calabria, Cosenza, 1959.
    13. Visaret e Kombit, vëllimi i parë, Tiranë, 1937.
    14. Instituti i Folklorit: Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912), vëllimi i parë, Tiranë, 1961.
    15. A. Buda: Fytyra e Skënderbeut nën dritën e studimeve të reja, “Buletin i Institutit të Shkencave”, Tiranë, 1951, nr. 3-4.
    16. B. H. Putilov: Kvoprosu ob atnashenijah epiçeskova tvorçestva sllavian i narodov jugo-vastoçnoj Evropi, Moskva, 1966.
    17. Trajtimi i disa toponimeve, legjendave, e këngëve të reja rreth Skënderbeut e shokëve të tij, Buletini për Shkencat Shoqërore, nr. 3, f. 103-115, 1954.