Prof. Dr. Agron F. Fico/ Rauf Fico te “kafe” e Kadaresë

1237
Sigal

Nderimi, vlerësimi dinjitoz i Kadaresë për Rauf Ficon në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”

Tiranë, 20 janar 2015

 Libri i Kadaresë “Mëngjeset në Kafe “Rostand” është një  vepër e re në universin e tij letrar. Libri është njëherazi një mozaik esesh të një arti elitar dhe të rinisë së përhershme krijuese të metodës kadarejane si shkrimtar gjithmonë befasues. “Mëngjeset në Kafe Rostand” sjell dëshminë e re, por jo të fundit, se ka një Kadare, ka vetëm një shkrimtar të madh, pavarësisht nga koha kur ka shkruar, para ose pas viteve 1990, siç e dyzojnë disa keqdashës me frymëzim nga e kaluara komuniste. Madje, në këtë libër, me një lexim të kujdesshëm, lexuesi ndjen energjinë krijuese rinore të vetë shkrimtarit. Më erdhi si një gjë krejt e papritur dhe e gëzueshme titulli i librit, që kishte në krye kafenenë “Rostand”. Kisha qenë aty në maj 2009 dhe kisha takuar e pirë kafe me Kadarenë. Në maj 2009, time bija më kishin ftuar që përvjetorin e ditëlindjes ta festonim bashkë në Paris. Delina, njëra nga vajzat, më telefonoi paraprakisht nga Tirana (atëherë jetoja në Nju Jork) dhe më pyeti:

 -Babi, a do një hotel me pesë yje apo të shohësh Parisin?

 Natyrisht që do të doja të vizitoja Parisin, po pa menduar e parashikuar thellë përgjigjen që dhashë. Ditët e para të majit 2009 bashkë me bashkëshorten u nisëm në mëngjes herët nga aeroporti J.F. Kenedi i Nju Jorkut dhe aty nga mesdita zbritëm në Paris, në aeroportin Charl De Gol dhe pasi rrufitëm një kafe në hollin e aeroportit u nisëm për në hotelin e rezervuar. Shoferi, një algjerian, fliste vazhdimisht në celular, si duket me të dashurën, dhe ne vështronim përmes qelqeve të dritareve të makinës mahnitjen parisiane. Pas afro 2 orësh arritëm në një rrugicë dhe ndaluam te një hotel ku shkruhej “Cujas hotel”. U ngjitëm në dhomat e caktuara dhe befasia ishte tronditëse. Një dhomë e vogël, me krevate konviktorësh prej dërrase të papunuar dhe dy rafte dërrasash e një dritare që shikonte brenda murit të dhomave përballë. Stresi ishte i menjëhershëm dhe i nervozuar iu drejtova gruas:

 -Po ku e gjeti vajza këtë hotel si hani i Stavros në Gjirokastër?!

 Hani i Stavros ishte një bujtinë fshatarësh, djathtas rrugës që të zbriste në lagjen Hazmurat, në të cilën vendoseshin aty fshatarët  bashkë me kafshët e tyre. Gruaja që t’i shpëtonte rrebeshit tim të zemërimit për këtë han-hotel, doli nga dhoma e tek dera më tha:

 -Po dal mos gjej ndonjë fryt.

 Po u kthye shpejt me fytyrë të qeshur dhe pa më lënë ta pyesja pse u kthye, shtoi:

 -Sapo dola në rrugë takova Ismailin me Helenën dhe ata si dhe unë u habitën, më pyetën dhe i pyeta dhe shprehën dëshirën që të takohemi.

Brenda atyre ditëve që qëndrova në Paris mësova se pallati i Kadaresë me hotel “Cujas” ishin fare afër. Kështu ndodhi që u takuam disa herë, madje një të shtunë në mbrëmje shkuam edhe për vizitë tek apartamenti i Kadaresë.

Në mëngjesin e dytë të qëndrimit në Paris, ndërsa rrija ulur në lokalin përballë Kopshtit të Luksemburgut, u duk Kadareja që kapërceu udhëkryqin e rrugës St. Michel dhe vinte nga rrija unë. U përshëndetëm dhe më ftoi në kafene ngjitur me lokalin, por nga habia dhe hutimi nuk kisha vënë re se si quhej kafeneja që hyra.

Kisha pirë kafe në “Rostand” pa e ditur që quhej “Rostand”.

Kafeneja, siç shkruan te libri “Mëngjeset në Kafe Rostand”, mësojmë nga vetë Kadareja, është qendër e intelektualëve elitarë dhe shkrimtarësh e artistësh të njohur, por nuk ka ndonjë feksje mobilimi.

 Në Tirana gjen shumë më të bukura dhe nga luksi i tyre mbetesh  i befasuar. Por diçka mund të mësojnë kafexhinjtë e Parisit nga ata të Tiranës. Në kafetë tona  të Tiranës klienti hyn në mëngjes, porosit filxhanin me kafe dhe largohet ne drekë ose kur mbyllet kafeneja. Dhe arsyeja , sipas meje, është se pronarët e kafeneve të Tiranës për të krijuar një mjedis tërheqës për klientët, me shumicë të rinj të moshës 16-17 e gjer në 22 e 23 vjeç, vënë një të ashtuquajtur –muzikë  qe vetëm melodia nuk kuptohet. Kjo mpirje mendore dhe shushatje e klientëve e bën tejet të zgjatur qëndrimin me kafenetë tona. Ndërsa pronari i “Kafe Rostad,” siç na thotë Kadare , lejon edhe klientë me qen, qe te mund te shpejtoje largimin e klientëve dëshirë-qëndrues. Kadareja, siç e përmend vetë, kishte një vend të parapëlqyer dhe me një dosje me plot fletë të shkruara dhe të bardha, ishin mjetet e punës së vet. Ç’ mund të bisedonim dy gjirokastritë në një kafene të Parisit për qytetin e tyre, Gjirokastrën, kur njëri jetonte prej vitesh në Paris, ndërsa unë banoja në Nju Jork, përveç kujtuam vitet e rinisë shkollore në gjimnazin “Asim Zeneli”. Kadareja u interesua për miqtë e të njohurit e tij në Nju Jork, më pyeti për Gjekë Gjonlekën, një gazetar dhe botues në anglisht i kanunit të Lekë Dukagjinit, për botuesit e gazetës “ILLYRIA” Vehbi Bajramin e mjaft të tjerë. U fjalosëm për probleme te kulturës, botimeve, letërsisë dhe gjuhës. Ato ditë ishte botuar një shkrim i gjatë në një gazetë të Tiranës për post-modernizmin në letërsi, që kishte ngjallur dyshime për vërtetësinë e mendimeve dhe dukej më tepër si sprovë studentësh. Ai, duke iu referuar edhe disa fjalorëve akademikë në anglisht, frëngjisht e rusisht shtoi se ky koncept “post-modernizëm” i referohet vetëm pikturës dhe skulpturës. Ndërsa për konceptin e shprehur për standardin e gjuhës shqipe miratuar në Kongresin e 1972  si “gjuhë e drunjtë” tha se nuk gjen ndonjë mbështetje as teorike dhe as në gjuhën e gjallë. Libri i ri i Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Ronstad” është i ngjeshur me mesazhe fisnike dhe mendime kritike për disa aspekte të shoqërisë shqiptare, që ende nuk i ka kaluar, sepse ato vazhdojnë të mbuluara nga “sekrete” – dosje që i tremben dritës së të vërtetës. Në një ese të gjatë, autori flet për nënën e vet, që metaforikisht e quan ‘kukull” po që dhembshuria e saj ndihej që larg, kujdesi gjithashtu… (f 213)

 Më duket si vlerë tjetër e këtij libri të Kadaresë (pa u trembur, shkruesi i këtyre radhëve, për krenari dy lekëshe) vlerësimit që i bën Rauf Ficos, shtetarit dhe diplomati të shquar gjirokastrit kur shkruan: “ Shtëpia e Ficove, përveç që ishte e madhe, ishte ndoshta më e bukura e qytetit… që kishte nxjerrë, siç thuhej, Ministrin e Jashtëm më me nam të të gjitha kohërave në Shqipëri.” (f. 219) Dhe këtë vlerësimi politik  të lartë i shton edhe një detaj mjedisor: “…Rrjedha e ujit ndërronte emërtimin dhe nga “urë’ bëhej “Përroi i Ficos”… Merrej me mend se sa e lehtë do të ishte për këtë shtëpi që, pas një nami të tillë, t’i jepte emrin e saj rrjedhës së ujit.” (f. 219)

 Rauf Fico ishte një personalitet me integritet të lartë intelektual, politik, diplomatik dhe mbi të gjitha atdhetar i zjarrtë dhe konsekuent. “Rauf Fico ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri” – do të shkruante një vigan tjetër i panteonit shqiptar, Faik Konica. Nga shtëpi e madhe e Ficove dolën edhe mjaft njerëz të njohur e të nderuar si inxhinieri i talentuar dhe profesori i esperantos, Çefo Fico, doktori pediatër Remzi Fico, përkthyesi i njohur Enver Fico  e gjer te teologu erudit Bardhyl Fico etj.. Dhe ky vlerësim dhe nderim i Kadaresë nuk është as i vetëm dhe as emocional. Të shumta janë vlerësimet nga personalitetet e shquara dhe institucionet e larta europiane. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Sër Robert Hodgson shkruan se Rauf Fico ishte “një nga personalitetet më tërheqës në jetën publike shqiptare dhe njeri i padiskutueshëm për ndershmërinë dhe patriotizmin . Ndërsa një gazetë gjermane shkruante se Rauf Fico ishte një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit.

 Rauf Fico u përzgjodh si intelektuali dhe diplomati më i shquar shqiptar në botimin e fjalorit enciklopedik “Who’s Who në Europën Qendrore dhe Lindore 1933”.

 Rauf Fico që nga botimi i këtij fjalori enciklopedik më 1933 e gjer sa vdiq më 1944 mori mjaft dekorime dhe urdhra nga shtetet europiane dhe institucionet e larta të kulturës dhe shkencës. Lista e këtyre dekorimeve është e gjatë. Rauf Fico mban këto dekorata dhe urdhra: Kordonin e Madh të Urdhrit të Skënderbeut, Kordonin e madh të Urdhrit të Leopoldit të Belgjikës, Kordonin e Madh të Urdhrit të Kurorës së Luksemburgut, Kordonin e Madh të Kurorës së Rumanisë, Oficer i Legjionit të Nderit të Francës, Oficer Nderi i Urdhrit të Franc Jozefit; si dhe  titujt  akademikë . “Palma e Akademisë Franceze”, “Doktor nderi nga Akademia e Napolit”.

Në regjimin diktatorial në Shqipëri (1945-1990). Rauf Fico u la në heshtje dhe pa asnjë vlerësim. Habia është edhe më e madhe se edhe në këto 25 vite të pluralizmit demokratik dhe sidomos në këtë stinë dekorimesh dhe stër-dekorimesh për Rauf Ficon nuk kujtohet njeri.Nderimi, vlerësimi dinjitoz i Kadaresë për Rauf Ficon në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”  ashtu si kërkonte Faik Konica e një plejadë personalitetesh të huaja vite e vite të tëra, është edhe një thirrje, një kujtesë për shoqërinë dhe institucionet shtetërore për një nderim solemn e më të lartë për Rauf Ficon.