Prof. Ass. dr. Spiro V. Mëhilli: E vërteta mbi Bombën Atomike Gjermane

1050
Sigal

Si ra në duart e amerikanëve bomba e destinuar për japonezët. Vendimi për hedhjen e Bombës Atomike në Hiroshima. Testimet në laboratorin atomik nazist

Shumë është folur, nëse e kishte prodhuar Gjermania Bombën Atomike. Romano Musolini në librin e tij “Akti i fundit: e vërteta e fshehur mbi fundin e Duçes” botuar nga Rizzoli në vitin 2005, në kapitullin “Ishte gjermane bomba atomike e hedhur mbi Hiroshima?” aludonte se Hitleri dispononte armë të tmerrshme, duke thënë se “kam vizituar laboratorët sekretë, të cilët ishin në kontrollin e fundit dhe mbeta i impresionuar”.

Në fund të vitit 1938 gjermanët kishin filluar kërkime dhe eksperimente sekrete në Penemunde, lokalitet në Detin Balltik. Ajo bazë shërbente për kërkime aerospaciale dhe u bë aktive, në gusht të vitit 1943, kur një spiun lajmëroi anglezët se gjermanët për të goditur Londrën po përgatisnin “bomba fluturuese” që u bënë të njohura me emrin “V2”. Romano Musolini shkruan: “Në kthim nga udhëtimi nëpër Gjermani në prill të vitit 1944, babai im dhe vëllai Vitorio, më treguan për një top bashkë me “V2” me hedhje të largët, i aftë të shkatërronte kryeqytetin Anglez dhe për një gaz me efekt shkatërrues. Por arma absolute ishte tjetër gjë. Ai fliste për Bombën Atomike që shkencëtarët gjermanë nuk e kishin testuar vetëm në tavolinë. Eksperimenti ishte kryer në Turingia dhe i kushtoi jetën qindra robërve rusë të pranishëm në atë zonë”.

Bomba atomike u realizua nga kërkuesi gjenial Baroni Manfred fon Ardenne (Baroni fon Ardenne ndërkohë punonte edhe për bombën me Hidrogjen. Fon Ardenne në vitin 1955 mori “Çmimin Stalin” ekuivalent me çmimin “Nobel” sepse kontribuoi më vitin 1949 për bombën e parë atomike sovjetike. Fon Ardenne dhe Fritz Houtermans punuan së bashku edhe për bombën me Hidrogjen në BS dhe ndërsa SHBA-të bombën me hidrogjen e eksperimentuan më 1 nëntor të vitit 1952, sovjetikët e realizuan në gusht të vitit 1953) në bashkëpunim me fizikantin Fritz Houtermans, ish-studiuesi i parë që arriti të gjente me preçizion masën kritike, sepse një bombë atomike me Uranium235 mund të shpërthente në çdo çast. Ardenni punoi në tunele të blinduar të kështjellës Lichterfelde në rrethinat e Berlinit, që furnizoheshin me gjenerator elektrostatik me mbi 2.000.000 volt dhe arriti të ngrinte dhe një tjetër ciklotron unik. Ky ciklotron ishte një makinë e jashtëzakonshme dhe duke e modifikuar në fund të prillit 1942 me një ciklotron normal, e transformoi atë në një aparat të ngjashëm me “Beta Kalutronin” që Ernest O. Lavvrence e ndërtoi në Oak Ridge të Amerikës, për projektin “Manhatan”, disa vite më vonë.

Hans Zinsseri, pilot ushtarak gjerman ka thënë: “Një natë të kthjellët në fillim të tetorit të vitit 1944, ndërsa fluturoja me avionin e nisur nga Ludvigshlusti (aeroport ushtarak në jug të Lubekas), në kërkim të një avioni të humbur me fluturim civil gjatë një eksperimenti sekret, u verbova për mbi 2 sekonda nga një ndriçim i madh që shpërtheu papritur në qiellin e errët. Më pas pashë të ngrihej nga toka lart në qiell një re gjigante tymi që në 15 sekonda arriti të merrte formën e një kërpurdhe gjigante. Pas pak, avioni u përfshi nga një valë e fuqishme goditëse dhe e pata shumë të vështirë të arrija ta mbaja avionin në fluturim, ndërsa papritur shpërtheu një furtunë vetëtimash dhe shkarkimesh elektrike të fuqishme. Kur gjithçka kaloi, kërkova të lidhesha me bazën, por të gjithë instrumentët në bord sikur ishin zhvendosur dhe radioja nuk punonte”.

Kështu bomba atomike gjermane shpërtheu në mesnatën e 11-12 tetorit 1944 në ishullin Rugen, ku ishte ngritur në sekretin më të madh një laborator atomik nazist shumë i avancuar. Oficeri italian Luixhi Romersa i dërguari i besuar i Duçes i pranishëm natën e 11-12 tetorit 1944 do të thoshte: “Ditën pas shpërthimit shkuam të verifikonim pasojat dhe pamë që bomba kishte shpërthyer në qendër të fshatit, aty ku banonin robër lufte që përdoreshin për punë të sforcuar. Asnjëri prej tyre nuk kishte mbijetuar, bile nuk gjetëm asnjë mbeturinë të trupave të atyre të varfëve si dhe të barakave mizerje ku ata banonin”.

Nga 11 tetori për rreth 60 orë në gjithë atë zonë si dhe në Berlin nuk funksiononte asnjë linjë telefonike. Këtu Hitleri firmosi aktin zyrtar që të shfrytëzoheshin të gjitha rezervat e duhura për të fabrikuar bombën atomike. Kompania gjermane e I.G. Farben në vitin 1941 ndërtoi një fabrikë të madhe, për ndërtimin e së cilës punuan 25.000 veta të marrë nga kampi i Aushvicit. Kjo fabrikë e markës “Buna” ishte një impiant gjigant sekret i destinuar për të prodhuar “elementin 94”, emër që i dhanë Plutoniumit, që duhej për bombën atomike. Kur impianti përfundoi, të gjithë banorët e fshatrave të afërt polakë u larguan me forcë nga shtëpitë e tyre për t’u zëvendësuar me rreth 10.000 teknikë e shkencëtarë së bashku me familjet. Një grup tjetër që punonte për ndërtimin e bombës atomike ishte dhe ai që drejtohej nga prof. Kurt Diebner. Në vitin 1944 ai u transferua në Ilm, fshat në rrethinat e Meiningenit për kërkime laboratorike. Ky punonte nën varësinë e Geringut. Gjenerali i SS Obergruppen Furher Hans Kammler ishte përgjegjësi direkt nën urdhërat e Hitlerit për të gjithë aktivitetin nazist mbi kërkimet e armës sekrete. Laboratorët gjigantë amerikanë të projektit “Manhatan” ishin me vonesë në përgatitjen e bombës së parë atomike operative. Ata në maj të vitin 1945 kishin vetëm 32 kg uran të gatshëm dhe diçka më pak aritën të siguronin 3 muajt pasardhës, që tregonte se forcat e armatosura amerikane nuk kishin mundësi të siguronin një sasi të mjaftueshme materjali eksploziv për të vendosur brenda bombës që do të hidhej në Hiroshima, bombë, që të shpërthente në mënyrën e duhur, kishte nevojë për të paktën 100 kg nga ky material shpërthyes. Ku i gjetën amerikanët këto kilogramë uranium në mesin e vitit 1945?

Sipas Josef M. Skalia në librin: “Germany’s Last Mission to Japan”: the failed voyage of U-234” bazuar në dëshmitë e shefit radiotelegrafist të U-234 Volfang Hirsfeld dhe komandantit të fregatës së Marinës Mbretërore Kanadese James Lamb, rezulton: Në shkurt të vitit 1945 kur LIIB për Gjermaninë e Hitlerit ishte në pikën e fundit, ndërsa Japonia vazhdonte të rezistonte, kapiteni nazist Johan Heinrih Fehler (1910-1993) në krye të nëndetëses gjermane U-234 u ngarkua të kryente një mision të rrezikshëm dhe tepër sekret në Lindjen e Largët. Sipas urdhërave të marra direkt nga admirali Karl Denitz, Delfini i Hitlerit, njësia e tij nënujore me bazë në Kiel duhej të kalonte me mision Detin e Veriut, Oqeanin Atlantik nga veriu drejt jugut, Kepin e Shpresës së Mirë, të futej në Oqeanin Indian me drejtim të lindjes dhe të arrinte bazën japoneze të Penang në Malezi ose bazën e Xhakartës në ishullin Xhiava. Johan Fehleri duhej të dorëzonte pranë autoriteteve japoneze rreth 150 ton armë speciale, pajisje ushtarake të përpunuara, me një fjalë, materiale të domosdoshme për të mundur që ushtria japoneze të vazhdonte luftën e pashpresë kundër forcave aerodetare e trokësore anglo-amerikane që përgatiteshin të sulmonin tokën japoneze. Ngarkesa e çmuar përbëhej nga tre gjuajtësve modernë reaktivë Messershmitt “Me 262” dhe “Me 163” të smontuar dhe të futur në arka, një Planer bombardues Henschell “Hs-293”, motorë aeronautikë të ndryshëm reaktivë “Junkers”, një ton postë rezervate dhe dokumente sekrete, disa qindra kg. plane për ndërtimin e armëve të telekomanduara (vdekjeprurësit V1 dhe V2), kaçatorpediner të klasit “ 36 C” dhe “Z 51”, njësi sulmuese “M” dhe “S”, nëndetëse tip II,IX,X,XI,XXI dhe XXIII, projekte për bomba të telekomanduara “Lorenz 7 H2”, mekanizma lufte “7 D” dhe radarë “FUG 200 Hohehtrveil” për avionë sulmues nate. E plotësonte këtë ngarkesë një sasi e madhe fuçish me ujë të rëndë gati për përdorim dhe 80 kuti “të arta” dhe konteinerë të korracuar me një peshë 560 kg dioksid urani U235.

Natën e 25 marsit të vitit 1945, pasi në bordin e nëndetëses ishin ngarkuar materialet e një rëndësie të jashtëzakonshme, komandanti gjerman Fehler mori në bord edhe 12 pasagjerë që do të shkonin në cilësinë e konsulentëve për shkencëtarët dhe ushtarakët japonezë. Ata ishin: gjenerali i Luftvaffes, Urlih Kessler, që do të instruktonte pilotët japonezë mbi avionët e rinj “Me 262” dhe “Me 163”; Oberstleitenanti Erih Menzel, po nga Luftvaffe, si ekspert i impianteve radar dhe i novigimit natën; Oberstleitenanti Fritz fon Sandrart i “Flackut”, projektues i sistemeve të sofistikuara për veprime ajrore; Oberstleitenanti Heinrih Hallen i “Flackut”; kapitenfregate Gerhard Flacke, inxhinier dhe arkitekt detar, si dhe kapiteni Rikard Bulla, ekspert në armatimet ajrore dhe detare. Në nëndetëse ishte edhe Kay Neisheling, agjent i shërbimeve sekrete të Kriegsmarinës, të cilit nazistët i besuan detyrën të diskreditonte rrjetin e organizatës së spiunazhit sovjetik të Riçard Sorgesit, që në vite kishte vepruar në Japoni duke furnizuar me informata të rëndësishme sovjetikët dhe aleatët anglo-amerikan. Më në fund, ata morën edhe disa shkencëtarë civilë të impenjuar në projekte të rëndësishme ushtarake. Në nëndetëse ishte edhe doktor Heinz Shlike, shpikësi i “fuzionit” me infra të kuqe që funksiononte në mënyrë perfekte, përgatitur nga nazistët për bombën atomike të tyre. Mesnatën e 25 marsit të vitit 1945, U-234 la portin e Kielit dhe mori kursin drejt bazës gjermane të Kristiansandit në Norvegji, ku do të merrte disa fustime përmbajtje të një “preparati kimik” të veçantë, të destinuar për laboratorët e fizikës në Japoni. Pas një lundrimi të qetë, U-Boti arriti në portin norvegjez dhe ngarkoi fustet speciale.

Mesazhi i vetëvrasjes së Hitlerit

Pasi u furnizua me naftë, natën e 15-16 prillit të vitit 1945, U-234 la portin e Kristiansandit dhe vetëm pas 25 ditë udhëtimi, çuditërisht të qeta në Oqeanin Atlantik, nëndetësja nga Komanda Qendrore mori një mesazh që i bënte të ditur se më 8 maj të vitit 1945, Hitleri kishte vrarë veten dhe se Gjermania ishte dorëzuar pa kushte tek angloamerikanët. Dy ditë më pas, ndërsa nëndetësja vazhdonte udhëtimin, komandanti Fehler mori një mesazh të dytë, këtë herë nga Admirali i Madh Karl Denitz, që e urdhëronte komandantin e Delfinit të Hitlerit, U-Botin 234, t’i dorëzohej pa kushte amerikanëve. Fehler ndërpreu udhëtimin e qetë në kursin që kishte marrë drejt Japonisë dhe u drejtua me shpejtësi për në pikën më të afërt të bregut veriperëndimor amerikan, për të ndaluar dhe për të dorëzuar ngarkesën e çmuar. Dy “miqtë japonezë” që kishin marrë me vete, pasi u mbyllën në kabinën e tyre, menduan të vetëvriteshin me luminal. Këto janë të dhëna e versionit zyrtar për të përligjur vrasjen e tyre, sepse ata, pasi kishin kuptuar çfarë po ndodhte, donin të shtinin në dorë nëndetësen, por u vranë nga gjermanët. Ka të dhëna që oficerët japonezë i arrestoi komandanti i U- Botit që i mbylli në dhomat e tyre dhe i ofroi në shenjë “mirësjelljeje” helmin me të cilin të helmoheshin si “rastësisht”. Komandanti i nëndetëses arriti të komunikonte me një bazë tokësore amerikane dhe i bëri të ditur se ishte duke u drejtuar drejt bregut për t’u dorëzuar. Lidhja u kap edhe nga një anije luftarake kanadeze që u ndodh mjaft afër dhe u drejtua menjëherë nga nëndetësja për ta shoqëruar në portin më të afërt që ishte në Kanada. Kur anija kanadeze iu afrua nëndetëses gjermane, kapiteni Fehler refuzoi të shoqërohej dhe tha se ishte i gatshëm të përdorte armët, dhe mbas shumë përpjekjesh arriti të shoqërohej nga një anije e madhe amerikane. Kështu filluan kontaktet me radio që çuan në një krizë në mes të komandave të zonës amerikane dhe asaj kanadeze, ku këta të fundit nuk e kuptonin pse U-Boti 234 donte të ndalonte vetëm tek amerikanët dhe jo tek ata, megjithëse bënin pjesë në Aleancën Perëndimore. U vendos që të merrte pjesë në shoqërim edhe anija e tyre që U-Boti 234 nazist të arrinte i qetë në brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, më 15 maj 1945, U-234 i Fohlerit u ankorua paqësisht afër Terranovas nga anija amerikane “Sutton” dhe u shoqërua për 4 ditë duke iu besuar në ruajtje del Cutterit “Argo” që e shoqëroi atë deri në Portsmuth, në Nju Hempshir, ku tashmë kishin arritur edhe tre nëndetëse të tjera gjermane: U-1305, U-873 dhe U-1223. Në port, U- Boti 234 u izolua në një zonë speciale në ruajtje të veçantë dhe pasi u mbulua me rrjetë imituese e të papërshkueshme, u vu në dispozicion të një grupi inxhinierësh dhe shkencëtarësh amerikanë, që shkuan me urdhër të Komandës së Përgjithshme. Aty shkoi dhe kryetari i “PROJEKTIT MANHATAN” gjeneral Leslie Groves. Materiali i gjetur tek U-234 u mbart nga një kolonë makinash dhe u shoqërua me autoblinda e tanke për në laboratorët e “PROJEKTIT MANHATAN”. Sasia prej 560 kg oksid uraniumi shërbeu për të plotësuar dy bombat atomike që do hidheshin në Japoni, ndërsa doktor Heinz Shlikes iu dha detyrë të punonte për të aplikuar “FUZIONIN” e shkrehjes së bombës, sepse ajo ishte në gjendje të shpërthente ashtu sikundër e kishin sjellur. Nëndetësja U-234 u fundos nga amerikanët më 19 nëntor 1947, 40 milje në lindje të Provincetos në Massachusstes e siluruar nga luftanija amerikane “USS Greenfish”. Gjithçka në vite mbeti “Sekret Ushtarak”. Për të gjithë shkencëtarët e bazës sekrete të Los Alamosit ishte e qartë se 560 kg oksid uranium ishin të destinuar për shkencëtarët japonezë që të prodhonin bombën e tyre të parë atomike. Për SHBA-të dhe teknikët e “PROJEKTIT MANHATAN” ngarkesa e sjellë nga U-Boti 234 ishte një “DHURATË NGA PROVIDENCA HYJNORE”.

Si qëndron e vërteta mbi “Dhuratën Hyjnore” gjermane për SHBA-të?

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte tmerri i deteve dhe i oqeaneve. Ajo kishte afërsisht 1000 nëndetëse. Nga janari deri në korrik të vitit 1942, në brigjet e Amerikës, nëndetëset gjermane arritën të fundosnin 498 anije tregtare aleate. Nuk bëhet fjalë për anije luftarake. Flota aerodetare e aleatëve nga ana e saj fundosi 754 nëndetëse dhe 27.491 oficerë e marinarë gjermanë gjetën vdekjen, ku sipas Çurçillit, 594 nëndetëse u asgjësuan nga forcat aerodetare britanike. Në shkrimin e mësipërm del një problem i vështirë për t’u besuar. Nëndetëset sovjetike që erdhën në Bazën e Vlorës ishin projekt gjerman i modifikuar dhe i prodhuar në kantieret detare sovjetike si projekt C-613 i tonazhit të mesëm 1100 tonësh, 76 metra të gjatë dhe 3,6 metra të gjërë. Në atë mjedis mendoj se është e vështirë të mbartet e të transportohet një ngarkesë e tillë. Josif Stalini i informuar nga shërbimi sekret sovjetik nga informatat sekrete të dërguara nga Kim Filbi, Donald Duardt Maclean etj, ishte në dijeni që amerikanët në fshehtësi po përgatisnin Bombën Bërthamore dhe nuk i tregonin aleatit të saj të madh.

Vendimi për hedhjen e bombës në Hiroshima

Trumani sapo u zgjodh president i SHBA-ve pasi u informua nga zëvendësministri i luftës Stimson se deri ku kishte arritur projekti “MANHATAN” krijoi një komision të udhëhequr nga Byrnes dhe të përbërë nga shkencëtarët A.H.Kamptën, Enriko Fermi, Leslie Grovesi, Robert Openheimeri etj. Më 1 qershor 1945 në Los Alamos komisioni u shpreh se bomba duhet të përdorej sa më shpejt kundër japonezëve dhe duhej të hidhej mbi një objekt ku përveç popullatës civile edhe instalimeve ushtarake pranë qëndrave të banuara, të kishte dhe përqëndrime ushtarake, në mënyrë që veprimi i bombës të ishte më i madh, dhe hedhja duhej të bëhej në mënyrë sekrete pa bërë të ditur mbi efektin e saj shkatërrues. Më 16 korrik 1945 në ora 530 u eksperimentua shpërthimi i bombës së parë bërthamore në një kullë 100 fud të lartë në shkretëtirën e Alamagordos në Nju Meksiko, që e realizoi kapiteni Villjam Parsons. Kulla ku ishte vendosur mbushja bërthamore u zhduk nga temperatura e lartë. Në një rreze prej 1,5 km gjithçka u zhduk. Në largësi 30 km u thyen xhamat e dritareve. Më 17 korrik Stimsoni i vuri Çërçillit një copë letër në të cilën ishte shkruar: “Foshnjat lindën mirë e shëndoshë”. Po atë ditë, bombardues të ngritur nga aeroplanmbajtëset amerikane dhe angleze sulmuan instalimet ushtarake dhe aeroportet rreth Tokios, ndërsa bombardues amerikanë sulmuan qytetet industriale Mito dhe Hitaçi në ishullin Honshu. Më 30 korrik 1945 u rishikua plani i hedhjes së bombës dhe u zgjodhën 4 qytete. Gjenerali Karl Spatz telegrafoi në Uashington se Hiroshima ishte e vetmja nga katër qytetet e përzgjedhura që nuk kishte kampe përqëndrimi për ushtarë aleatë. Avionë amerikanë më 4 gusht 1945 hodhën 750.000 fletushka paralajmëruese mbi efektin shkatërrues të bombës për të detyruar qeverinë japoneze të ndërpriste luftën. Hiroshima ishte qytet i rëndësishëm ushtarak dhe industrial dhe kishte një popullatë prej 381.000 banorësh, por pas evakuimit të përgjithshëm shkoi në 255.000 banorë. Natën e 5 gushtit, 7 grupe avionësh amerikanë bombarduan territorin japonez: 70 avionë hodhën mina në detin e brendshëm, 65 avionë u drejtuan për të bombarduar Aganin, 102 në Maebash, 261 për të goditur zonën midis Nishinomijas dhe Mikages; 111 në Ube, 66 në Imabari dhe 2 avionë gati për t’u kthyer në Hiroshima. Në ora 245 të natës së 6 gushtit 1945 filloi operacioni “CENTREBOARD” kur skuadrilja e përbërë nga 3 avionë superfortesa B-29, njëra prej tyre që pilotohej nga kolonel Paolo V. Tibes me ekuipazh 11 veta nisi fluturimin nga ishulli Tinian në Mariane drejt qytetit të Hiroshimës, aty ku ishte qendra e Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të dytë të komanduar nga Mareshalli Shunroku Hata që përfaqësonte ajkën e trurit që drejtonte gjithë veprimet e ushtrisë japoneze. Në ora 8, 14 minuta dhe 45 sekonda të mëngjesit sipas orës së Japonisë, nga lartësia 10.000 metra u lëshua me parashutë bomba e parë bërthamore e quajtur “ENOLA GEI” ose “Vogëlushja”, që mbante emërin e vajzës së kolonelit Paolo V. Tibes. Ajo kishte mbushje me Uranium 235, dhe ishte e gjatë 3 metra, me diametër 62 cm dhe me peshë 4,1 tonë. Shpërtheu 600 metra mbi sipërfaqe të tokës. 12 km2 sipërfaqe u rrafshuan tërsisht. I gjithë qyteti u përfshi nga tymi dhe flaka. Nga 76.000 – 90.000 ndërtesa që kishte qyteti, 55.000 – 65.000 prej tyre u bënë shkrumb e hi. Nga 255.000 banorë, atë ditë vdiqën afërsisht 100.000, ku 20.000 ishin ushtarakë dhe 35.000 u plagosën. Nga 200 mjekë, 180 u vranë ose u plagosën rëndë; nga 55 spitale dhe qendra të ndihmës së shpejtë, 3 mbetën në gjëndje pune; nga 1780 infermiere, vetëm 150 mundën t’u shërbenin të plagosurve dhe kafshëve