Prof. Ass. dr. Spiro V. Mëhilli: Bomba Atomike Gjermane dhe pasojat shkatërruese në Japoni

1002
Sigal

Vijon nga numri i kaluar

Hedhja e bombës në Hiroshima dhe Nagasaki. Ndërhyrja ruse në lindjen e largët dhe dokumenti zyrtar i kapitullimit japonez

Para se bomba e dytë bërthamore të hidhej në Nagasaki, u mblodh këshilli drejtues suprem i luftës së Japonisë. Tre gjeneralë ishin për dorëzim dhe tre për të vazhduar luftën. Kryeministri Suzuki që mbante gradën e admiralit dhe Ministri i Punëve të Jashtme Shigeri Togo votuan në favor të dorëzimit. Ministri i Luftës, gjeneral Anami ishte për të vazhduar luftën. Togo dhe Suzuki në një takim sekret me Perandorin Hirohito bënë që ai të shkonte vetë në këshill dhe të thoshte: “Nëse do të vazhdojmë luftën mund të çojmë në asgjesimin e popullit japonez dhe të zgjasim vuajtjet e gjithë natyrës njerëzore. Duket qartë që vendi ynë nuk është në gjendje të përballojë luftën dhe vihet në dyshim aftësia për të mbrojtur brigjet e tij”. Katër minuta para orës 2 të mëngjesit të 9 gushtit 1945, kur qindra bombardues amerikanë sulmuan ishullin Honshu, një bombardues B-29 u nis nga ishulli Tinian me bombë të mbushur me Pluton 239 që u quajt “BOCK’S CAR” ose “Trashaluqia”. Ajo kishte përmasat: 3,2 metra gjatësi, 1,5 metra gjërsi dhe peshonte 4,5 ton. Frederik Boku ishte emri i komandantit të bombarduesit, por, në të vërtetë, avionin e drejtoi majori Sharl V. Svenei. Objektivi ishte qyteti Kokura, i cili për momentin ishte i mbuluar me mjegull dhe tym industrial. Urdhëri i marrë ishte që bomba të hidhej vetëm mbi objektiv të dukshëm, kështu që avioni vazhdoi fluturimin drejt Nagasakit. Dy minuta pas orës 11, ose 9 orë pasi avioni ishte larguar nga ishulli Tinian, bomba e hedhur mbi qytetin e Nagasakit shpërtheu në 450 metra lartësi dhe rezultoi 15% më e fuqishme se ajo që u hodh mbi Hiroshima. Nga 57.000 shtëpi që kishte qytetit, 20.000 u shkatërruan apo u dëmtuan rëndë. Numri i viktimave shkoi në 70.000, ku 15.000 ishin ushtarakë. Qytetit i buzëqeshi fati pasi bomba fatmirsisht ra 4,7 km larg nga qendra dhe duke qenë se qyteti i Nagasakit ishte i ngritur në disa kodra, bëri të mundur amortizimin e dëmtimeve më të shumta në ndërtesa dhe në njerëz. (Hiroshima rrezatim i pastër dëmtoi 35.000 veta ose 11.7%, kurse në Nagasaki 22.000 veta ose 11%. Ministria e mbrojtjes amerikane në vitin 1957 dha të dhëna se shkaqet kryesore të vdekjeve në të dy qytetet kanë qenë: Nga djegiet në Hiroshimë 20% ose 60.000 veta dhe në Nagasaki 21% ose 41.000 veta; nga vala goditëse, në Hiroshima 29% ose 78.000 veta dhe në Nagasaki 22.5% ose 45.000 veta. Sipërfaqja e dëmtuar në Hiroshima ishte 13,2 km2, kurse në Nagasaki 6,7 km2. Humbjet e pakthyeshme shëndetësore ose të vdekur kapën 27% të të dëmtuarve; humbjet shëndetësore që kërkonin ndihmë mjekësore ishin 45% dhe të padëmtuar mbetën vetëm 28%). Amerikanët kishin dhe dy bomba rezervë që sipas parashikimeve do t’i hidhnin me 13 dhe 16 gusht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar luftuan pothuaj tërsisht të vetëm me Japoninë kokëfortë për 3 vjet, 7 muaj e 25 ditë, duke i shkaktuar rreth 3.000.000 deri 4.000.000 ushtarakë e civilë të vrarë dhe nga 130 anije luftarake i mbytën 110. Sipas marrëveshjes së Jaltës, BS do të futej në luftë me Japoninë në Lindjen e Largët brenda 3 muajve pas kapitullimit të Gjermanisë dhe perfundimit të luftës në Europë, me kusht që t’i njihej Mongolia e Poshtme, Sahalini Jugor, dhënia me qira e Port Arturit, administrimi i ishujve Kurilie dhe shfrytëzimi i përbashkët me kinezët i shoqërisë hekurudhore të Kinës Lindore dhe Mançurisë Jugore, që mundësonte një rrugëdalje për në portin e Dairenit, dhe të drejtoheshin nga një komision sovjeto-kinez me përparësi ruajtjen e interesave sovjetike, kurse Kina të gëzonte sërish pavarësinë e plotë të Mançurisë. Më 8 gusht 1945, trupat sovjetike sulmuan Mançurinë Lindore nga territori Siberian të komanduara nga mareshall Malinovski në drejtim të Mugdenit, nga Malenkovi në drejtim të Harbinit dhe nga mareshall Vasiljevski, i cili ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Frontin në Lindjen e Largët, në drejtim të Citisianit. Ushtria sovjetike prej 1.600.000 trupash më 25 gusht 1945 pushtoi Port-Arturin dhe shpartalloi ushtrinë japoneze të disllokuar në atë territor duke vrarë 80.000 veta, kapur robër 500.000 ushtarë e oficerë, 148 gjeneralë dhe plaçkë lufte 925 avionë, 369 tanke, 1226 topa, 1340 mortaja, 4836 mitrolozë, 300.000 pushkë dhe fundosur 50 anije. Ushtria e Kuqe nga ana e saj pati 8000 të vrarë dhe 20.000 të plagosur. Bashkimi Sovjetik mori të gjithë territoret që i takonin dhe më 1 shtator pushtoi ishujt Kurile që shtriheshin nga ishulli më verior i Japonisë deri në gadishullin e Kamçatkës dhe ishullin Palau që ia dorëzoi amerikanëve, duke çuar në një konflikt ndërshtetëror që vazhdon dhe tani. Lufta midis BS dhe Japonisë megjithëse nuk zgjati më shumë se tri javë, bëri që një numër i madh i robërve japonezësh të dërgoheshin për të punuar në projekte të ngutshme ndërtimi në Siberi dhe në Azinë Qendrore. Japonia kishte hyrë në luftë duke pasur një flotë me tonazh të përgjithshëm prej mëse 5,5 milionë tonësh, që më vonë e rriti atë duke rrëmbyer e ndërtuar anije të tjera të reja. Tonazhi i anijeve japoneze të mbytura arriti në 8,5 milionë tonë, prej kësaj sasie 5 milionë mund të regjistrohen për llogari të nëndetëseve.

Më 15 gusht 1945 Japonia ra dakort të pranonte ultimatumin me kusht që SHBA-të mos të preknin të drejtat e ligjëshme të Perandorit si Sundimtar Supreme i Japonisë. Flota aleate hyri në portin e Tokios, dhe në mëngjesin e 2 shtatorit 1945 në bortin e korracatës “MISURI” u nënshkrua dokumenti zyrtar mbi kapitullimin e Japonisë ku:

1- Përfaqësuesit e Japonisë në emër të Perandorit, të Qeverisë e të Kuartierit Perandorak pranojnë dispozitat e deklaratës së Potsdamit.

2- Pranojnë dorëzimin pa kushte pranë fuqive aleate të kuartierit perandorak japonez e të fuqive japoneze kudo që ndodhen.

3- Urdhërojnë të gjitha forcat tokësore e detare dhe popullin japonez t’u japin fund luftimeve, të ruajnë e të mbrojnë nga dëmtimet anijet, aeroplanët dhe çdo pronë ushtarake e civile, konformë me urdhërat që do të lëshohen nga Komandanti Suprem i Fuqive Aleate.

4- Kuartieri Perandorak Japonez të urdhërojë të gjitha forcat japoneze ose ato që janë nën kontrollin e tyre, do dorëzohen pa kushte.

5- Të gjithë zyrtarët civilë, ushtarakë dhe navalë, duhet t’u binden urdhërave të Komandantit Suprem Aleat dhe të qëndrojnë në vendet e tyre të punës.

6- Të marrin përsipër në emër të qeverisë dhe të Pasardhësve të saj, të vazhdojnë dispozitat e deklaratës së Potsdamit me mirëbesim.

7- Qeveria Perandorake Japoneze dhe Kuartierin e Përgjithshëm Perandorak të lirojnë menjëherë robërit e luftës aleatë dhe civilët e internuar.

8- Pushteti i Perandorit dhe i Qeverisë Japoneze për të sunduar shtetin do t’i nënshtrohen Komandantit Suprem të ushtrive aleate, i cili do të marrë ato masa që do jenë me vend për plotësimin e këtyre kushteve të dorëzimit.

Më 1 tetor 1945 në Port-Artur u vendos eskadra ruse për të qëndruar në ruajtje të paqes dhe sigurinë e territoreve të saja. Në 14 shkurt 1950 midis BS dhe Republikës Popullore Kineze u mbyllën bisedimet mbi lidhjen dhe ndihmën reciproke dhe po atë vit Bashkimi  Sovjetik i ktheu Republikës Kineze Port-Arturin dhe qytetin Dalnij.