Prof. Asoc. Zaho GOLEMI & Nexhip ONJEA/ Peza- spiranca historike e LANÇ

985
Sigal

Në Pezë erdhën nën një çati klasa e shtresa me bindje politike të ndryshme

Peza është një vend historik, ku është ankoruar një pjesë e historisë shqiptare të LIIB. Konferenca e Pezës u mbajt pikërisht në Pezë, fare pranë kryeqytetit të shqiptarëve. Kuvendi nuk ishte masiv, por idetë ishin të mëdha. Vetëm njëzetë delegatë ishin përfaqësues të krahinave, e besimeve të ndryshme fetare. Faktikisht shqiptarët e mbajnë mend historinë fillestare të luftës nga Parrulla e famshme e konferencës, që ishte deviza që udhëhoqi pjesën dërrmuese të shqiptarëve në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare: “bashkim pa dallim feje, krahine e ideje në luftë pa kompromis kundër pushtuesve të vendit”. Në Pezë erdhën nën një çati klasa e shtresa me bindje politike të ndryshme, por që rrymat politike të tyre ishin ende të pakonsoliduara.

 Pjesëmarrësit

Pjesëmarrës ishin Myslim Peza, Abaz Kupi, Azis Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Ndoc Coba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni, Skënder Muço; ndërsa nga ana e partisë komuniste merrnin pjesë Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishti, Koco Tashko, Nako Spiru dhe një vajzë nga dibra Nexhije Xhuglini që më vonë do të bëhej bashkëshorte e Enver Hoxhës, kryetarit të shtetit shqiptar të pasluftës. Fakt është se me miratim të të gjithë delegatëve kryetar u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar i Konferencës së Pezës u zgjodh Mustafa Gjinishi. Diskutimi në konferencë u fokusua kryesisht në organizimin dhe përgatitjen e forcave në një luftë të përbashkët kundër pushtuesve italianë. Në fakt i gjithë organizimi i luftës më vonë mori emrin: “Fronti Nacional-Çlirimtar”. Të gjithë pranishmit hynë në debate në lidhje me simbolet komuniste, si ylli i kuq, i cili nuk pranohej nga fronti jokomunistët, që ishin krahu tjetër politik me bindje e ide të ndryshme.

Rezolucioni i Konferencës

 Dokumentet historike tregojnë se u miratua një rezolucion, në të cilin thuhej: “…përfaqësuesit e të gjitha tendencave nacionaliste, PKSH-së, Rinisë Komuniste, Rinisë Nacionaliste dhe Rinisë Femërore Popullore, miratonin deklaratën përkatëse, ku përkrahej koalicioni kundër nazi -fashizmit…. përkrahej lufta e atyre çetave që kishin luftuar deri ato momente, duke i dhënë rëndësi, nga ana tjetër, çështjes së këshillave nacionalçlirimtare”. Mbledhja e Pezës ishte në vazhdën kuvendore të shqiptarëve për të biseduar për hallet e preokupimet nga më madhoret të kombit, në atë kohë nën pushtim. Prandaj delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe Rinisë Femërore Popullore të Shqipërisë, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhtarët e shitur tek i huaji, mbasi përkujtuan dëshmorët e rënë në luftë kundër fashizmit, mbasi shqyrtuam mirë gjendjen shqiptare dhe veçanërisht, mbasi theksuan dëshirën dhe nevojën për organizimin e të gjithë energjive shqiptare për bashkim të plotë të tyre me Luftën e madhe nacionalçlirimtare, ku u arrit në këto përfundime deçizive: “Aktualisht gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste. Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë”. Traktati i shteteve në koalicion antifashist (27 shtete) ishte nënshkruar në Uashington prej tre fuqive më të mëdha të boshtin antifashist: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe e Bashkimit Sovjetik duke nënvizuar, përpjekjet vetë të popujve të shtypur, që ofronin garanci për pavarësinë dhe larine.

Fronti i dytë dhe Peza

 Fronti i dytë është një çështje javësh, luftërat nacional – çlirimtare sa vijnë po bëhen më të tmerrshme. Shqipëria jonë qe nga të parat në Europë që pati fatin e zi të robërohej prej fashizmit italian me pushkë. Shqiptarët e pritën me pushkë fashizmin italian dhe treguan heroizëm të paparë në bregdetin shqiptar në Shëngjin, në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, ku gjaku i djemve tanë skuqi bregdetin e Adriatikut dhe Jonit. Kompleksiteti i LANÇ-it si dhe rruga e hidhur e mërgimit për disa krerë tregoi se çfarë paqartësie kaloi rruga e kompromisit dhe problematika e sjellë nga Politikëbërja e kohës. Fakt është se tash duhet gjykuar ftohtë dhe triumfatorët dhe fituesit e luftës ishin ata që derdhën gjakun ballazi dhe shqiptarisht. Kompromiset ishin shumë të brishta dhe jo gjithmonë kanë funksionuar qartazi. Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional, të përbërë nga: Kamber Qafëmolla si kryetar; Mustafa Gjinishi si sekretar dhe më tej anëtarët Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha, Ymer Dishnica. Duhet thënë se me përjashtim të Enver Hoxhës dhe Myslim Pezës, të gjithë të tjerët u cilësuan si tradhtarë nga historiografia, e cila përpiqej t’i jepte rolin e udhëheqësit. Por konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se, ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve. Fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën egërsisht, por nuk mundën ta shuanin zjarrin e ndezur për liri e bashkim antifashist të shqiptarëve.