Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi/ Tafil Danaj-partizan dhe ushtarak i respektuar

567

Korrieri trim dhe i palodhur i Asim Zenelit në frontin e llogoreve partizane

(me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Atdheut)

Burra që bëjnë histori

Progonati është i lashtë dhe me histori të pasur. Burrat e tij dhe të krejt Labërisë janë si rrepet monument kulture në qendër të fshatit. Atje gjen dëshmi të lashtësisë e qëndresës. Atje e kanë burimin trimëritë, bujaria dhe fisnikëria e banorëve të Progonatit e të krejt Kurveleshit. Progonati, është ndjerë dhe në fakt ka qenë gjithmonë i lirë e “rebel”. Rrënjët e thella dhe traditat luftarake nisin në thellësi të shekujve. Nuk ka fshat në Labëri që nuk ka në qendër të saj pemën e rrapit. Atje është mikpritja për ngjarje  historike, takime, betime, vendime deçizive për të shkuar në luftë, për të bërë paqe e për të vendosur drejtësinë në mexhlis të burrave. Shkruhej me gjak dhe noterizohej me besë. Nuk është mit dhe as legjendë se, në vitin 1625, një misionar i Vatikanit, informonte papatin për një përleshje të banorëve të Progonatit, në Labëri, me osmanët, dhe shprehte habinë se, “si ishte e mundur që në këtë vend “turqit luftonin kundër turqve”! Por në fakt misionari gabonte. Kryengritësit ishin shqiptarë autoktonë gjithmonë me shpirt liridashës që kanë luftuar kundër çdo pushtuesi. Tradita luftarake vijon me bilbilejtë si histori lavdie, me Hamit Gugën si gur i rëndë i dëshmisë së qëndresës popullore, me luftrat e përgjakshme kundër andartëve grekë në 1913-1914, me kryengritjen e Hetem Totos kundër shtypjes dhe shfrytëzimit monarkik, por që u ngrit e u lartësua me formacionet solide partizane gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Këtu në Progonat, në fshatin mes malesh, lindi 93 vjet më parë, më 1 prill 1921 Tafil Sinan Danaj, një hero i heshtur, partizan i orëve të para, ushtaraku me gradë nënkolonel, atdhetar, patriot dhe i ndershëm, punëtor fjalëpak e punëshumë, i papërkulur, i komunikueshëm e tolerant, por edhe konsekuent në parimet e tij deri në fund të jetës. Tafil Danaj u lind në trevën luftarake labe me tradita të trungut familjar në përballje me gjithë pushtuesit e atdheut.

Progonati – djepi që rrit burrëri dhe mençuri

Nuk gjen në Kurvelesh e Labëri fshat pa zakone e tradita të shquara. Nuk gjen oxhak e vatër atdhetare që nuk ka mëkuar nëpër breza shembuj burrërie e fisnikërie. Kështu edhe fshati i Tafil Danaj, Progonati përkundte në djepe me dru lisi, djem e vajza për Shqipërinë. Progonati ndodhet në zonën malore te Kurveleshit të Sipërm. Ashtu si dhe fshatrat e tjera në këtë kështjellë malore, shquhet për një histori sa të lashtë aq dhe të pasur me tradita patriotike. Në shekuj Kurveleshi ka lindur burra trima, të mençur, e liridashës. Të parët e fisit Danaj kanë luftuar me armë në dorë sa herë e ka kërkuar nevoja për liri ndaj pushtuesve. Në këtë 70 vjetor të çlirimit të Atdheut nderimi, dashuria e respekti përpara veprës së ish-partizanit dhe kuadër i Br.XIIS, për ushtarakun e talentuar në specialitetin e ndërlidhjes, për veteranin e shquar të LANÇ, Tafil Sinan Danaj është nderim para së gjithash për një jetë me vlerë në shërbim të Atdheut, që njëherësh nderohet një armatë luftëtarësh dhe ushtarakësh të gjithë Labërisë dhe më tej të Shqipërisë. Është jeta e një njeriu të thjeshtë e patriot, që meriton respekt e nderim jo vetëm në këtë 70- vjetor të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë, por përkulje e mirënjohje edhe nga gjithë brezat që do vijnë.

Fëmijëri e burrëruar në trevën labe

Fëmijërinë e tij Tafil Danaj e kaloi aty, ku lindi buzë kanioneve të thella shkëmbore, aty ku shqiponjat kanë folenë e tyre, me aromën e trëndelinës së maleve të Kurveleshit heroik, së bashku me moshatarët e halleve, duke kullotur bagëtinë në pjerrësitë e fshatit, në Gadrisht, buzë humnerës së Cerkërzë në honet e thella e në stogonet e Malit të Thatë, por mbi të gjitha buzë humnerash të jashtëzakonshme, unikale në Ballkan. Atje, ku “pula ha stërrall” gjendet konaku i përjetshëm i Danajve. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e tij të dashur, në situatë tepër të vështirë të skamjes dhe të fukarallëkut. Jeta në fshat herë-herë bëhej edhe dramatike nga skamja, uria dhe sëmundjet. Ishte shekulli që sapo kishte shkundur supet nga pesha e rëndë e pushtimit. Për të gjithë moshatarët e tij, vitet kalonin dhe fytyra e mjerimit pengonte buzëqeshjen e moshës. Brengat e hallet ishin shtruar këmbëkryq në Progonat, në Labëri dhe në gjithë Shqipërinë. Fëmijët edukoheshin me cilësitë morale më të mira labe. Mosha e rinisë ishte eliminuar sepse nga fëmijë bëheshe burrë dhe nuk kishte kohë për të jetuar rininë. Kështu që rinia dhe burrëria ishin bërë njësh. Traditat e luftërave për liri dhe pavarësi çuan në një  lëvizje masive çlirimtare. Sikurse gjithë rinia e trevës labe, amaneti i të parëve për liri ishte kërkesë imediate e kohës. Nga ana tjetër liria ishte prej shekujsh në dejet e labit.

Korrieri i Asim Zenelit në frontin e llogoreve partizane

Pushtimi i vendit më 7 prill 1939 e gjeti Tafil Danaj në moshë rinore. Ai sapo kishte mbushur 17 vjeç. Mobilizimi ushtar do të ishte një ëndërr e vrarë, por shpejt do të arratisej nga ushtria për t’ju bashkuar lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare, me çetën luftarake të Progonatit për lirinë e vendit. Shkurt-marsi i vitit 1943 e gjeti Tafil Danaj nga njëra llogore në tjetrën kudo, ku ishte forca antifashiste partizane në rritje. Tafili ishte korrieri partizan i Asim Zenelit. Më vonë partizani i burrëruar 22 vjeçar Tafil Danaj u bashkua me batalionin “Baba Abaz” ndërsa me formimin e Brigdës se XII Sulmuese më datën 20 maj 1944 inkuadrohet në radhët e kësaj brigade. Misioni i parë luftarak i kësaj brigade ishte në roje besnike të Kongresit të Përmetit (24 deri më 28 maj 1944). Gjithashtu në moshën 22 vjeçare luftonte krah komandantit trim Refat Barjami si dhe partizanëve Mehmet Lagji, Sami Bineri, Luftar Bolena, Shega Onjea, Petrit Çobani, Qemal Klosi, Latif Shehu, Burbuqe Plaka, Rifat Dizdari etj.. Ai luftoi trimërisht në të gjitha betejat që zhvilloi Brigada e XII Sulmuese si në Shkallën e Zezë, në Delvinë, në  Sarandë, në grykën e Kakomesë,  në Krekez, në Nivicë-Bubar, në Sasaj, në Himarë, në Borsh, në Vlorë etj., dhe në të gjitha luftërat e tjera që zhvilloi BrXIIS. Gjatë luftimeve të ashpra u plagos dy herë, në ije dhe në mjekër, por nuk u tërhoq asnjëherë nga fronti i betejave. Tafil Danaj u bashkua që në rininë e tij të hershme me luftëtarët e formacioneve partizane dhe dosja e tij dhe e gjithë luftëtarëve meriton të shkruhet me shkronja të arta në Arkivat e Shtetit Shqiptar dhe jo më në kartotekën e Qendrës së Personel Rekrutimit të FASH, ku duhet të jetë biografia zyrtare e gjithë partizanëve, çetave, batalioneve, brigadave sulmuese, divizioneve e korparmatave të UNÇSH që shkruan epope lavdie në mesin e shekullit të kaluar (XX). Tafil Danaj si dhe gjithë ish-partizanët gjatë gjithë jetës kanë kujtuar me mirënjohje e respekt të thellë gjakun e dëshmorëve të rënë për atdhe si Shefit Hekali, Birçe Sinemati, Mersin Çulli, Cirok Cama, Baxhul Nora, Mato Lazaj etj..

Kur vinin partizanët në Progonat thoshin: “Erdhën “Danajt”

Fisi “Danaj” i Progonatit sinonim i ortekut partizan

Në Luftën Nacionalçlirimtare kontributi i progonatasve ishte maksimal, ku krenaria e progonatasve si dhe e mbarë kombit ishte se ata ditën të renditen në krahun e duhur, kundër fashizmit dhe bashkëpunëtorëve. Heroizmi dhe heroikja partizane qëndron tek ndjenjat e atdhedashurisë dhe dashuria për atdheun. Propaganda e luftës partizane ishte lufta pa kompromis ndërsa për krahun e kundërt gjatë periudhës së luftës ishte përhapur një maksimë, që shpejt u bë e vërtetë: “Pranë pushkës s’e bëj dot, pranë gavetës mbushe plotë”. Formacionet partizane të Labërisë e më gjerë shtëpinë e kishin në male, në shtigje e qafa, ku në të gjitha stinët veç zemrën e kishin pranverë dhe mendjen tek liria që si në çdo përballje me armikun do të buronte vetëm nga gryka e pushkës partizane. Por shtëpia e partizanëve ishte në çdo vatër shqiptare, kudo ku liria ishte aspiratë e kohës. Fshati Progonat kishte mbushur radhët partizane me dhjetëra luftëtarë për çështjen e kauzës së madhe të çlirimit. Por është fakt historik i dokumentuar se nga fisi “Danaj” kishte më shumë partizanë se nga çdo fis tjetër, prandaj kur vinin partizanët në Progonat banorët shpreheshin: “Erdhën “Danajt” dhe jo “Erdhën Partizanët!”. Tafil Danaj dhe shumë “Danaj” të tjerë si: Novruz Danaj, Murat Danaj, Qerim Danaj, Çarçan Danaj…do të shpalosnin ndjenjat liridashëse në luftë kundër pushtuesit. Danajt ishin jo vetëm një fis i madh, por përmbanin edhe një çetë partizane më vete të Progonatit. Kontributi dhe përkushtimi i tij, do të shoqërohej më vonë me një karrierë të suksesshme ushtarake, duke mbetur një nga bijtë më të lavdishëm të fshatit, të Kurveleshit dhe të krejt Labërisë. Ky bir i shquar i Danajve të Progonatit mori pjesë edhe në luftën për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit nazifashistë më 20 tetor 1944, si pjesë e Br. XIIS, që shkroi epope lirie. Ai ishte dëshmitarë okularë i çlirimit të qytetit të flamurit dhe ky ishte privilegj për këtë brigadë të shquar të ortekut popullor partizan.

Bijtë e Progonatit- gjerdanbashkuar në betejat për liri

Tafil Danaj e njohu mirë fshati, treva labe, Kurveleshi për trimëritë si partizan, me dy plagë në luftës, por edhe si një ushtarak i formuar, profesionalisht i aftë. Pas braktisjes së shërbimit ushtarak në kohën e pushtimit pati një shembull të madh frymëzues Asim Zenelin, por dhe Mustafa Matohiti (nga Lekdushi), këta dy tribunë popullore që ndezën prushin atdhetar në trevën labe e më gjerë. Tafil Danaj në kujtimet e tij ka shkruar pikërisht për dy dëshmorë idhuj e frymëzues: Asim Zeneli që ra dëshmor në Meshgoran si dhe Novruz Danaj, që ishte djali i xhaxhait të tij, por dhe bashkëluftëtar i rreshtave partizane dhe që ra dëshmor në Vidohovë në provokacionet e gushtit të vitit 1949. Për Asim Zenelin historia shkruan: “Asimi është lindur më 1916 në Progonat ishte shok e bashkëluftëtar, një udhërrëfyes e mësues, komandant e komisar fjalëmbël që udhëheq me shembullin personal”. Tafili e kishte ndjekur me vëmendje dhe admiruar bashkëfshatarin e tij edhe pse ishte pesë vjet më i madh në moshë. Tregimi për heronjtë nuk ndalet: “Asimi në vitin 1936 kishte fituar një konkurs dhe u nis për të vazhduar shkollën ushtarake në Itali. Atje ai pa pasojat e regjimit fashist dhe rrezikun e pushtimit të Shqipërisë nga një forcë fashiste apo naziste. Bashkë me miqtë e tij të shkollës protestoi kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, organizoi një demonstratë antifashiste në shkollë dhe për këtë u arrestua në vitin 1939. Në fund të vitit 1941 ai u kthye në atdhe dhe ju bashkua batalionit “Dajti”, dhe më tej kaloi në çetën partizane “Koto Hoxhi”. U ngarkua si drejtues politik i çetës “Hajredin Tremishti” dhe ishte mjaft aktiv në rritjen e lëvizjes për liri e çlirim derisa më 2 korrik 1943 në Mezhgoran në një përleshje me nazistët ra dëshmor i kombit”. Hero i Mezhgoranit mbeti një shembull frymëzimi për partizanin e ri Tafil Danaj dhe gjithë formacionet partizane, që gjakun e dëshmorëve dhe heronjtë e luftës i përjetësoi në këngë. Uragani popullor dhe orteku i furisë partizane erdhi duke u rritur. Një muaj pas rënies së fushën e nderit të Arsimit, u ringrit madhërishëm më 7 gusht 1943 në rrepet e Kardhiqit, ku katër çeta partizane formojnë batalionin partisan “Asim Zeneli”. Biografia e këtij batalioni u shkrua me gjakun e bijve më të mirë të Labërisë, përfshi dhe fshatin e dashur të Tafilit, Progonatin, i cili dha atdheut njëzetë e gjashtë dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare.

Sfidë vdekjes gjatë betejave të LANÇ-it

Të mbash në krah, plagët, trimërinë e heroizmin partizan!

Br. XII S kishte përmbushur me sukses detyrat në zonën e Delvinës e Sarandës si dhe po vazhdonte luftimet në zonën e bregdetit jonian shqiptar. Më 21 shtator 1944, vetëm dy muaj e disa ditë para çlirimit Kompania e II e Batalionit të I, ku bënte pjesë Tafil Danaj u ndesh ashpër me forcat pushtuese gjermane në fshatin Sasaj midis Lukovës dhe Piqerasit. Në këtë betejë merrnin pjesë edhe partizanë nga Br.XIVS dhe Br.XVIS. Ishte një betejë e ashpër dhe e pabarabartë. Në një xhephane lufte ishin partizanë të disa formacioneve luftarake. Por një predhë artilerie e armikut shpërthen pranë pozicioneve partizane dhe plagosen në mjekër Dallandyshe Bektashi nga Tepelena dhe Tafil Danaj nga Progonati. Por plaga e partizanes ishte shumë e rëndë dhe me rrezik jete, që të kujton plagën e Kanan Mazes në Luftën e Vlorës (1920). Edhe pse i plagosur në mjekër në pozicionin e tij luftarak i dha ndihmën e pare të menjëhershme duke e marrë në krah partizanen Dallëndyshe Bektashi, e cila këtë moment e ka sjellë në kujtimet e saj për ndihmën e menjëhershme që i ka dhënë partizani Tafil Danaj. Ndihma dhe solidariteti partizan bëri që t’i shpëtohej jeta e pionieres partizane. Kur i panë shokët i kishte mbuluar gjaku. Komanda partizane pas lidhjes së plagëve direkt në betejë, e përcolli për mjekim fillimisht në spitalin partizan të Gusmarit të shoqëruar nga Reiz Malile; ndërsa më vonë e dërguan në spitalin e Brindizit në Itali për mjekim të specializuar. Partizanja u kthye shëndoshë e mirë nga Italia pasi u mbijetoi nëntë operacioneve deri sa nofulla e saj rifilloi të funksiononte. Ajo ishte një ndër gjashtë mijë partizanet që bënë histori duke sfiduar vdekjen dhe kushtet motit, por nuk e harroi asnjëherë ndihmën e menjëhershme në momentin e parë të plagosjes që ja dha partizani Tafil Danaj. Edhe Tafili e jetoi jetën me ndershmëri e sakrifica që as fëmijëve nuk u tregonte dy plagët e Luftës Nacionalçlirimtare dhe jo më të mburrej me ‘to. E ndjente se kishte bërë vetëm detyrën ndaj Atdheut.

Burra që i bëjnë nder Progonatit, Labërisë dhe gjithë Shqipërinë

Progonati i ka dhënë atdheut me dhjetëra djem, të cilët me devotshmëri kanë shërbyer në radhët e ushtrisë popullore, si Tafil Danaj, Novruz Danaj, Murat Danaj, Qerim Danaj, Çarçan Danaj, Bardho Hysi, Xhezo Haxhiu, Zano Muho, Ahmet Muho, Gjolek Ymeri, Islam Gaxhaj, e të tjerë si dëshmi e ndjenjave fisnike të atdhedashurisë, por dhe të aftësive dhe prirjeve ushtarake të trashguara në këtë fshat me tradita burrërore. Gjithashtu një nga partizanët e shquar si dhe kuadrot e shquar të Progonatit dhe të mbarë Kurveleshit ka qenë Alush Milori, bashkëluftëtar dhe mik i ngushtë i Tafil Danaj. Pas çlirimit të Shqipërisë Tafil Danaj ishte një kontingjent mjaftë i përshtatshëm për të shërbyer në radhët e Ushtrisë Popullore. Tafili përfundoi studimet në Shkollën Unike dhe me pas në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Pastaj dërgohet për specializim në shërbimin e ndërlidhjes. Kështu që ai shërbeu në disa reparte e njësi ushtarake si: në Gjirokastër, në Përmet, në Elbasan, në Korçë dhe në Tiranë. Por aktivitetin më të gjatë në shërbim ushtarak e ka kryer në Brigadën e V të Këmbësorisë në Kordhocë të Gjirokastrës. Ai ka qenë pjesëmarrës të të gjitha reformat për ngritjen e një ushtrie të re, në funksion të misionit fisnik të mbrojtjes së atdheut duke milituar për 33 vjet (1943-1976). Tafil Danaj është pjesëmarrës në shumë stërvitje që kanë zhvilluar Brigada, Divizione, Korpuse e deri në stërvitjet drejtonte Shtabi i Përgjithshëm. Për kualifikimet e tij të larta në specialitetin e ndërlidhjes Shtabi i Përgjithshëm dhe MMP e ka përzgjedhur nënkolonel Tafil Danaj për shumë vite me radhë si kryetar i jurisë kombëtare për marrjen në testim të radiotelegrafistëve ushtarakë shqiptarë. Tafil Danaj, gjatë gjithë jetës u rrit si një njeri me sedër e me shpirt të gjerë kolektiviteti, si ushtarak me një karrierë të suksesshme, që u ngjit në gradën ushtarake “nënkolonel”, por që pas heqjes së gradave më 1 maj 1966 e deri sa doli në pension më 1 prill 1976, militoi denjësisht në Ushtrinë Popullore, pa grada, por me krenari, urtësi e tolerancë. Në vitet e fundit në karrierës ushtarake ka shërbyer edhe komisar i Shkollës së Lirë Ushtarake në Gjirokastër. Toleranca, zemërbardhësia dhe korrektësia e disiplina ishte imponuese. Shembulli i tij fliste më shumë se fjalët. Është kjo arsyeja dhe çelësi i artë i suksesit. Të gjitha detyrat që ju ngarkuan Tafil Danaj i kreu me përkushtim, dinjitet, me krenari ushtarake dhe me respekt për vartësit e eprorët. Mbi korrektësinë e zemërbardhësinë flasin i madh e i vogël në lagjen ku ka banuar në Gjirokastër, flasin Fero Golemi e shumë veteran të tjerë. Por me konsiderata shumë të larta flasin edhe oficerë ndërlidhës si Ardian Kazo që e kanë pasur idhull për korrektësi dhe për shpirtin që i buronte mirësi. Për veprën e shquar si partizan dhe kuadër i rreshtave partizane si dhe për veprimtari shembullore ushtarake për më shumë se tre dekada, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH, e ka nderuar Tafil Danaj me dhjetë urdhra dhe medalje të ndryshme. Ai ishte veteran i LANÇ-it dhe mbeti i tillë deri në fund të jetës, kur u shua më 11 qershor 2005, duke qenë aktiv si pjesëtar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it për Gjirokastrën. Ai mbrojti me fanatizëm idealet e LANÇ deri në fund të jetës së tij duke i trashëguar edhe tek fëmijët.

Në roje të kufirit shqiptar-Danajt japin përsëri dëshmorë për Atdheun

Pas LANÇ-it, përballja e shqiptarëve me provokacionet e monarko-fashistëve në gushtin e vitit 1949-të ishte dhe mbetet një ndër faqet më të shndritshme të historisë sonë kombëtare. Por nuk ka pasur epokë luftarake që nuk ka dëshmorët e vet, që ndrijnë në panteonin e kombit shqiptar. Djali i xhaxhait, miku dhe shoku i armëve Novruz Danaj pas shtigjeve partizane të lirisë, frymëzuar nga idealet atdhetare ishte rreshtuar në frontin e mbrojtjes së kufirit tokësor. Nga të dhënat arkivore dokumentare shikojmë këto të dhëna: “Kufiri shqiptar ishte bërë prej vitesh arenë e provokacioneve të shkaktuar nga shtetet fqinje, për qëllimet e tyre agresive apo pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Viti 1949 është “i veçantë”. Vetëm gjatë këtij viti në kufijtë shqiptare u bënë gjithsej 747 provokacione të llojeve të ndryshme (tokësore, ajrore e detare), nga të cilët 612 në kufirin me Greqinë (303 tokësore, 299 ajrore e 10 detare); 130 në kufirin me Jugosllavinë (57 tokësore, 69 ajrore e 4 detare) dhe 5 (ajrore) në sektorët bregdetare me Italinë”. Provokacionet greke në kufirin me Shqipërinë arritën kulmin e tyre më datë 2 gusht 1949, kur forcat e tyre ushtarake organizuan dhe kryen sulmin e armatosur kundër rojeve kufitare shqiptare në sektorin e Devollit, duke shkelur kështu dhe integritetin territorial të RPSH. Kufitarët e postës kufitare Vidohovë, të armatosur me pushkë e automatik, me 3 mitralozë të rëndë, 4 të lehtë, bëri që lufta të vazhdonte e ashpër për 7 orë rresht sidomos në kuotën 1309 m. Rojet e kufirit shqiptar nuk u zmbrapsën duke lënë në fushën e nderit 29 dëshmorë si kapiten Novruz Danaj, Kapiten Memo Nexhipi, Aspirant Ferid Bregasi si dhe ushtarët Tafil Ferhati, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani, etj., dhe u plagosën më shumë se 127 vetë. Kjo është faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare.

Ndjenjë njerëzore për të rënët për atdhe

Nëna e dëshmorit: “… pa na sjellë fitoren mos e kalo shtegun..”

Por Progonatasit nuk janë vetëm të pushkës dhe të zakonit, ata janë edhe të penës, të fjalës, të artit e të shkencës. Nuk është e rastit që nga Progonati me palcë atdhetare, me një gurrë popullore e pasuri potenciale njerëzore vjen edhe në krijimtarinë e bijve të saj. Këtu është vendi, ku natyrshëm përdoret shprehja, “ku ka rrjedhur do pikojë”, jo vetëm për mall e ekonomi, për trimëri, urtësi, burrëri e besë, por edhe për muzën poetike krijuese. Kështu partizani dhe ushtaraku i njohur në jugun e Shqipërisë Tafil Danaj do të hidhte në letër vargje për lavdinë partizane: “..Në luftë shkuan në ballë,/Dhanë jetën për vatanë,/Malet tona për ta qajnë,../Për ata djemtë levenda,/Për hero Asim Zenelë,/Sadik Buzo Pallëverdhë,/Kapedan Halil Ymeri../Yjet që ndriçuan dhenë,/Vanë në luftë e s’u kthenë…Por vargu i shtruar i Tafil Danaj bëhet më luftarak dhe real kur shkruan për provokacionet e gushtit të vitit 1949 në postën heroike të Vidohovës, ku ndërmjet të tjerëve u vra edhe shoku i ngushtë i radhëve partizane dhe njëkohësisht djali i xhaxhait, dëshmori Novruz Danaj. Ja si janë derdhur në vargje dashuria për dëshmorin pa varr, sepse trupi i tij i vrarë u rrëmbye nga trupat pushtuese greke: “Burra gra do të luftojmë,/Ashtu si në Vidohovë,/Novruz Danaj biri jonë,/Mbi grekër e bëri forrë,/Lufton me bomba në dorë,/ kufirin me gjak e mbrojmë..” Dhe më tej poezia dhe vargëzimi popullor sa vjen e bëhet më i fuqishëm: “..të përkundi djepin me këngë trimërie,/Lule Novruz Danaj bir labërie,/kur greku kërkonte tokë shqiptare,/prapë të puthi nëna ballin dhe dyfekun,/pa na sjellë fitoren mos e kalo shtegun,/në një pyll me bredha plasi një dyfek,/luftove i vetëm një me dymbëdhjetë,/dhe qëlloje mëngjër me çdo plumb në mish,/me gjak skuqe tokën nga plumbi në sisë!”

Ideali i Tafil Danajt në panteonin e kombit shqiptar në këtë 70 -vjetor të çlirimit

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte një nga epopetë më të lavdishme të historisë së kombit, ideal për të cilin luftoi progonatasi Tafil Danaj. Duke u renditur në krah të aleancës fituese Shqipëria pati fatin e madh të konsiderohej si një nga kombet kontribuuese në krah të aleancës fituese anglo-ruso-amerikane, duke qenë i vlerësuar për kontributin e saj gjatë kësaj lufte ndaj okupatorëve nazi-fashistë. Politika shqiptare, si gjëja më e mbrapshtë që i ka rënë në hise këtij kombi, është munduar të përbaltë e të nënvlerësojë kontributin e atyre që dhanë jetën, e atyre që luftuan dhe u përgjakën me okupatorët, duke mos e ndarë kontributin e tyre fizik nga idetë e tyre politike. 70 vjet më parë formacionet partizane shpalosën vetitë dhe virtytet më të mira të shqiptarëve në shekuj. Njësitë partizane treguan energjikisht gatishmëri, besnikëri, urrejtje për armikun, shpirt sulmues dhe papërkulshmëri. Pjesë përbërëse e kësaj armate me ajkë trimash ishte padyshim Tafil Danaj me shokët e tij partizanë që u bënë tmerr për armikun dhe shpresë për popullin, që sollën lirinë me grykën e pushkës. Djemtë e vajzat e Shqipërisë me formacionet e tyre luftarake partizane e çliruan vetë Shqipërinë dhe kaluan kufijtë shtetërorë dhe krijuan imazh të shkëlqyer në popull dhe besim absolut në fitore, që erdhi më 29 nëntor 1944 me gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën heroikisht për çështjen e madhe të çlirimit të Atdheut. Tafil Danaj ishte model i prindit shembullor, ku bashkë me bashkëshorten Sose Kasneci (Danaj) lindën, edukuan e shkolluan tre djem e një vajzë me vlerat e cilësitë më të larta të shoqërisë e të përkushtimit në punë. Në idealet e tij partizane, ushtarake e atdhetare, qëndron heroizmi dhe madhërishmja që në të gjithë jetën e Tafil Danaj janë materializuar me thjeshtësi, ndershmëri, përkushtim si dhe me ndjenjë të lartë kombëtare e atdhetare.