Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI & Angjelo KAZO/ Beteja labe në Fushëbardhë

980
Sigal

(100 vjet nga beteja popullore labe e Skërficës)

 Beteja popullore labe e Fushëbardhës në Skërficë grupohet në ato luftëra lokale, ku andartët synonin jugun e Shqipërisë, shfarosjen e një popullate autoktone që jetonte në truallin mijëravjeçar. Kjo çoi fqinjët tanë jugorë drejt objektivit strategjik të vjetër. Atë që nuk mund ta bënte ushtria e bënin andartët që shkaktuan shkatërrime masive e barbare në fshatra dhe, si pasojë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, banda të armatosura grabisnin e terrorizonin popullatën civile. Flakët e luftës në Ballkan përfshinë dhe jugun e Shqipërisë. Beteja e Skërficës nuk është një betejë e shkëputur e vitit 1914, por një vijimësi qëndrese e nisur në frontin e kryeqendrës së vilajetit Janinës si dhe në frontet e tjera të luftës. Trupat greke e ato të veshur si andartë shkruan faqen më të erret të historisë së fqinjësisë, bënë masakra dhe shkaktuan tmerret e pamëshirshme që njerëzimi kishte njohur. Lufta më madhore u zhvillua në Skërficë dhe në Cepo, në dy pozicione strategjike të spikatura. Në drejtim të Rrëzomës e Skërficës u derdhën mbi 1500 andartë dhe ushtarë të skalionuar, të pajisur me armatime të kohës dhe mbështetej me artileri. Skërfica u kthye për një javë istikami i qëndresës së përgjakshme. Garantimi i tërheqjes së banorëve të fshatrave në drejtim të Vlorës si dhe mungesa e mëtejshme e municioneve dhe futja në veprim e “kalit të Trojës”, nga ana e andartëve që depërtuan përmes malit të Pilloit, duke marrë forcërisht udhërrëfyes seniciotë për të krahëmarrë forcat që mbronin “Patkoin strategjik” të Skërficës bëri që luftimet të vijonin në vija të tjera më në thellësi. Shtrirja e frontit të luftës ishte nga Kameniku në Vraholl, mbi gurët e Bashe, Gropa e Dërrasës, Qafa e Skërficës, e cila ishte pika ekstreme e thellësisë së pritës. Forcat greke vinin nga Lavani dhe nga Mali i Gjerë. Çeta e parë e Fushëbardhës por dhe fshatrave të tjerë përbëhej fillimisht nga 40 luftëtarë që shpejt çeta u bë me 120 luftëtarë. Burrat e Fushëbardhës dhe të gjithë krahinës së Kardhiqit e Rrëzomës me në krye Halil Sullo, riorganizuan forcat luftarake për mbrojtjen në Qafë të Skërficës. Në kohën, kur Skërfica mbrohej, komandanti i luftës dërgoi korrierin e luftës Cenko Onjea, me detyrë në interes të frontit, por grekët e pikasën dhe e plagosën rëndë, aq sa dhe kartën e leu me gjakun e tij, duke shkruar faqe heroizmi në një lëndinë të blertë sipër Fushëbardhës në Qafë Dardhë. Çeta që luftonte kundër andartëve dhe ushtrisë greke bëri një qëndresë të pashembullt duke luftuar me të gjitha mënyrat. Andartët “civilë”, të armatosur ushtarakisht, kampin e kishin ngritur në Luvadh dhe që vrojtonin gjithë lëvizjet e fshatarëve nga fusha në drejtim të Qafës së Skërficës. Kërcënimi i Qafës së Skërficës që ishte edhe një ndër pesë portat hyrëse të Labërisë, ishte serioz dhe u mbrojt me gjak. Në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror çeta bëri një qëndresë heroike nga 20 deri në 26 qershor 1914. Rajoni i Qafës së Skërficës u kthye në një xhephane të vërtetë lufte. Rezistenca ishte mjaft e fortë dhe pati përgjakje nga të dy palët. Beteja e Skërficës përshkruhet nga dëshmitari okular patrioti Ramiz Harxhi 100 vjet më parë nga SHBA: “Në luftën e rreptë, që u bë në Skërficë,/Ku, kundër një tufe, luftoi një pakicë,/Trimërisht luftuan me rrëmbym sa s’thuhet,/Sa q’ajo betejë as mund të përshkruhet,/Këtu grekë u grinë, u grinë e u korrë…/Të pavdekur janë gjith’ata luanë,/Që për nder të kombit u grin’e u vranë”. Lufta filloi në Gurët e Bashe, ku kishin dalë fillimisht në pritë 12 fushëbardhas dhe më tej vijoi tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze.. e deri në Qafë të Skërficës. Lufta e Skërficës i ngjante një patkoi të gozhduar ashpër në dy faqe të maleve Gramati dhe Pillua. Ishte një luftë për jetë a vdekje; e cila vazhdoi me pushkë, thika, kama e bajoneta, por edhe me gurë nga luftëtarët e çetës së Fushëbardhës si dhe me artileri e armatim dhe me pajisjet më moderne të kohës nga ana e andartëve. Fushëbardha dhe fshatrat në Qafën e Skërficës përreth dhanë dëshmorë në emër të kauzës së madhe të lirisë si Halil Sullo komandanti i çetës dhe organizatori kryesor i cili u vra në hyrje të Shkëmbit të Skamanos; Dalip Kondi u plagos rëndë tek “Përroi i Shametit” dhe vdiq poshtë “Varrit të Plakës” tek piksaret, eshtrat e të cilit janë gjetur pas tre vjetësh në sipërfaqe bashkë me pjesën metalike të pushkës; Mete Jonuzi ra heroikisht tek Kroi i Resule, pranë Gurëve të Bashe; Sejdi Baho u plagos rëndë në “Gropën e Gjeshtrës” dhe ndërroi jetë në spital në Tepelenë; Cenko Onjea u vra dhe u masakrua në Qafë Dardhë; Rizal Muho u vra tek Nomeja e Panjës mbi Kamenik; Halil Nora u vra në Qafë të Skërficës; Surja Tefa i plagosur rëndë luftoi trimërisht në Qafën e Trullave me mauxer dhe nagant, pa u dorëzuar dhe kur jeleku ishte mbuluar me gjak lufton deri në vdekje dhe nuk dorëzohej edhe nga torturat çnjerëzore të andartëve. Dëshmorët e Qafës së Skërficës pranë Fushëbardhës janë në panteonin e përjetshëm të mirënjohjes së kombit. Lufta kishte dhjetëra të plagosur si: Murat Cama, Hadër Uzeiri, të cilët pas shërimit të plagëve morën pjesë në Luftën e Vlorës më 1920. Në betejën popullore të Skërficës nuk u bë pakt me dredhinë, kur kërkohej “besë” nga pabesia. Kështu lufta ishte e ashpër dhe më në thellësi të Labërisë, në Zhulat, Golem e deri në Kuç etj. Shqiptarët u trupëzuan me qafën-kala natyrore të Skërficës dhe ngelën në panteonin e kombit, në memorien popullore të mbarë kombit shqiptar. Beteja e Skërficës vërtetoi qëllimin e shtabit madhor ushtarak fqinj pranë “qeverisë” autonome të Zografos. Ata kishin një mision: “grabitjen e truallit të fqinjëve, që s’ka qenë kurrë e tyre”. Por u përballën nga Cepua, Fushëbardha, Skërfica, Labëria me zjarrin e luftëtarëve popullorë. Skërfica tashmë është regjistruar në hartën e betejave shekullore, edhe pse beteja e Skërficës meriton studim të thelluar akademik ushtarak. Mbi Skërficë pranë Fushëbardhës në “Patkoin strategjik” kaluan “mysafirë” të shekujve legjionet romakë, normandë, venecianë, bizantinë, osmanë e grekë. Në Skërficë kaloi Pirroja i Epirit duke i shtuar krenarinë kaone e madhështinë ilire. Dëmi i masakrave së andartëve e ushtrisë në jug të Shqipërisë është katastrofik: 2500 të vrarë, 400 fshatra të djegura, mbi 200 milionë franga ari dëme. Opinioni publik ndërkombëtar veçanërisht ai britanik u indinjua nga ky veprim i Greqisë dhe protestoi me deputetët britanikë “Miqve të Shqipërisë” Sir Vvalter Guinness, Aubrey Herbert, Lord Lavvington, etj.. Ish-ministri i SHBA-ve në Athinë, Fred Vvilliams, që ishte edhe anëtar i KNK protestoi në atë kohë me forcë kundër aktit çnjerëzor të qeverisë greke, vizitoi Shqipërinë e Jugut, në shenjë proteste, u kthye në SHBA, dhe u bë mbrojtës i hapur i shqiptarëve”. Edith Durham shkruan: “Nuk mund t’i besoj ato që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe dhe grekët edhe sikur një shekull të tërë, të bëjnë pendesë, ata nuk mund t’i shlyejnë krimet e urryera që kanë bërë ndaj shqiptarëve”. Masakrat, e 1913-1914, nga fqinjët jugorë meritojnë në kohën e re europiane edhe ndjesë civilizuese. Për të përkujtuar këtë ngjarje në Fushëbardhë është ngritur Memoriali i luftës dhe mbijetesës më i madhi në Labëri. Ai është një kujtesë historike për veprimtarinë luftarake të qëndresës para një shekulli si dhe një simbol njerëzor uniteti e bashkimi ndjenjash e zemrash. Memoriali është sponsorizuar nga bijtë e Fushëbardhës dhe ndërtuar nga skulptori i talentuar Murat Këraj. Memoriali i luftës, qëndresës, eksodit e mbijetesës “Fushëbardha-2014”, është panteoni i Fushëbardhës, që përkujton 100 vjetorin e Betejës së Skërficës dhe nëntë dëshmorët e saj si karakoll i shekujve dhe stacion reference për brezat, një simbolikë e përbashkuar njerëzore e harmonizim të fqinjësisë së mirë europianiste.

Njoftim mediatik:

Më datën 16 gusht 2014 në orën 10.30 në fshatin Fushëbardhë, Shoqata Kulturore-Atdhetare “Fushëbardha” organizon ceremoninë përkujtimore të 100 vjetorit të Betejës së Skërficës, përkujtimin e dëshmorëve të rënë për Atdheun dhe inaugurimin e memorialit madhështor të ngritur në përkujtim të kësaj ngjarje. Marrin pjesë personalitete politike, ish- Presidentë, deputetë të Parlamentit shqiptar, historian, Prefektë, Kryetar Bashkish, shoqata kulturore-atdhetare, etj..