Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Mbi pushtim gjerman të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

1065
Dokumente që flasin
Ditë më parë Dr. Marenglen Kasmi, studiues dhe historian ushtarak në emisionin “Debati në Channel One”, ka treguar për zbulimin e bërë në arkivat e Bundesarchiv në Berlin, në lidhje me 14 muajt e Gjermanisë naziste në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Ai flet për një histori të panjohur deri më parë, për shumë detaje dhe personazhe historik, por të theksuar edhe më parë nga historianët shqiptarë. Këto fakte të prura prej tij, e që japin një panoramë të gjendjes së Shqipërisë nën pushtimin gjerman, e pasurojnë më tej këtë periudhë dhe ju japin mjaft argumente problemeve të ngritura në kohën e demokracisë për pushtimin gjerman dhe zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Studiuesi i vëmendshëm dhe historian njëkohësisht, ka hedhur dritë për disa anë të panjohur, duke sjellë dokumente, fotografi e filma të kohës që tregojnë dhe japin detaje për këtë periudhë. Duke gërmuar në arkivin shtetëror të Berlinit, me ndjesinë e historianit dhe të të vërtetës historike, ai ka arritur të gjejë kronika javore që operatorët e ushtrisë i filmonin në të gjithë vendet ku kishte ushtarakë gjermanë. Historiani është i saktë kur detajon, se Gjermania naziste u fut në Shqipëri më 9 shtator 1943 dhe u largua më 29 nëntor 1944. Nëpërmjet dokumenteve të ushtrisë gjermane, jep përgjigjen e prerë edhe për debatin e kotë të bërë në këto 27 vjet, se ishte pushtim apo se gjermani kaloi në Shqipëri, se i ra rruga. Debati i zhvilluar pas rrëzimit të sistemit komunist, ka qenë jashtë termave të dokumenteve në këtë periudhë. Është e vërtetë se Gjermania në të gjitha frontet ishte në kalim, sepse kishte filluar tërheqja e përgjithshme. Studiuesi M. Kasmi thekson, se nuk ishte ky termi i duhur, nëse ishte kalimtar apo pushtuese ushtria gjermane. Rëndësia qëndron, se si u karakterizuan këto 14 muaj.
Ishte një pushtim i mirëfilltë
E thënë më troç, ishte një pushtim i mirëfilltë, duke iu referuar dokumentacionit ushtarak. Ai sjell argumente të urdhrit nr. 1 të Div. 297, si njëri nga dy divizionet që morën pjesë në pushtimin e Shqipërisë. Tekstualisht shkruhet… urdhër për pushtimin e trojeve shqiptare. Nga ky urdhër del se është pushtuar jo vetëm territori brenda kufijve të Shqipërisë, por të gjitha trojet e saj, jashtë kufijve të vitit 1913. Pra, kur kapitulloi Italia, u bë futja e dy divizioneve gjermane më 9 shtator 1943 në Shqipëri. Ky ishte finalizimi i pushtimit, pasi Gjermania, në pranverën e vitit 1943 po shkonte nga shkonte makina e luftës. Ndaj dhe kërkonte të forcohej ky frontit. Aleatët theksonin se Shqipëria i plotësonte kushtet e mundshme për një zbarkim nëpërmjet detit Adriatik. Në këto kushte prioritet merrte mbrojtja. Dy divizionet gjermane erdhën nga Kosova dhe Maqedonia. Gjermanët ishin që në vitin 1941 në Kosovë. Më 9 shtator 1943 dy kolonat kryesore që pushtuan Shqipërinë ishin nga këto vende.
Numri i ushtarëve gjermanë dhe të rënët në luftë
Numri i ushtarëve gjermanë që erdhën në Shqipëri në këto 14 muaj, ka qenë në 36.500 forca. Ky është një numër i nxjerrë nga organika e divizioneve gjermane. Në historiografinë shqiptare deri në vitin 1990 është shkruar, se ushtria gjermane futi në Shqipëri deri në 70 mijë forca. Por forca të mirëfillta pushtuese ishin vetëm 36.500. Ndaj duke pasur parasysh, thekson historiani Kasmi, se kur bëheshin operacione masive, si ai i dimrit 1943-1944 dhe i qershorit 1944, vinin forca ndihmëse nga Janina. Statistikat dhe dokumentet e institucioneve përkatës të të rënëve në luftë, prej gjermanëve janë 2400 dhe të gjithë ushtarakë. Kjo hedh dritë mbi atë të pavërtetë që thuhej këto vitet pas ’90-s, se partizanët nuk kanë bërë luftë dhe nuk kanë vrarë asnjë ushtar gjerman. Vërtet historiografia komuniste, ka thënë se ishin me mijëra, madje duke shkuar në shifrën 20 mijë. Por kjo duhet studiuar, pasi ende ka ushtarë gjermanë të pa identifikuar.
Qeveritë shqiptare luftonin kundër forcave komuniste
Studiuesi M. Kasmi argumenton se “një qeveri që funksionon mbi bazën e urdhrave të qartë dhe direktivave të qarta me pushtuesin quhet kolaboracioniste”. Qeveritë shqiptare të Rexhep Mitrovicës, Fiqiri Dines dhe Ibrahim Biçakut bashkëpunuan ngushtësisht me pushtuesit gjermanë. Pra ishin qeveri që komandoheshin nga gjermanët, si dhe ishin qeveri që luftonin kundër forcave komuniste. Ndaj dhe veprimtaria e këtyre qeverive, për sa kohë që ushtria gjermane ishte në Shqipëri, këto qeveri bënë maksimumin e mundshëm dhe luftuan për të penguar ardhjen e komunistëve në pushtet. Autori thekson edhe një fakt, të cilit i duhet kushtuar vëmendje. Ai thekson, se Gjermania është mbajtur gjatë këtyre 14 muajve me shpenzimet e qeverisë shqiptare. Dhe më tej rendit dhe një shifër tjetër. Gjermania ka konsumuar 16 për qind të nevojave të saj me kromin shqiptar në këtë periudhë.
Rezistenca që sjell dhe krenari
Fakt është se kundër gjermanëve dhe këtyre qeverive ka pasur rezistencë të organizuar nga lëvizja partizane. Po të mos ishte kjo rezistencë duhen parë se cilat do të ishin pasojat e Shqipërisë. Thelbësore në këtë mes del problemi se ku do renditej Shqipëria. Po të mis ishte kjo rezistencë masive, Shqipëria do të ishte trajtuar ndryshe, se kishte një qeveri që bashkëpunonte qartë dhe hapur me ushtrinë naziste. Historiani Kasmi sjell një argument, ku komandanti Neubacher ishte shprehur se, jemi ne që duam, që të ekzistojë Shqipëria dhe nuk mund të na vërë Mehdi Frashëri përpara fakteve të kryera dhe nuk mund të veprojë asnjëherë në kundërshtim me interesat gjermane. Ndaj dhe ne, thekson M. Kasmi, duhet të krenohemi si shqiptarë që kemi bërë në 14 muaj të pushtimit gjerman rezistencë. Ne duhet të jemi krenarë për rezistencën dhe që partizanët arritëm ta rreshtojmë Shqipërinë në anën e duhur të forcave që luftuan kundër ushtrisë gjermane. Shqiptarët u rreshtuan në krahun e duhur.
Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 1944
Historiani M. Kasmi, ka theksuar një të vërtetë historike. Kam prirjen t’u besoj më shumë historianëve shqiptarë se sa atyre historianë të huaj, që shkruajnë për historinë e Shqipërisë. Nuk ka dyshim që jemi çliruar më 29 nëntor 1944, sepse ka dokumente të ushtrisë gjermane që shkruajnë për këtë çështje. Në raportin e datës 30 nëntor është shkruar, se Shkodrën e lëshuam dje. Pra nuk ka diskutime në këtë aspekt. Vlen për t’u përmendur lufta për çlirimin e Tiranës. Ushtria Gjermane nuk kërkonte shkëputje të forcave, përkundrazi priste që t’i bashkonte ata që vinin nga Greqia me ato në Shqipëri. Sulmi mbi autokolonën gjermane që vinte nga greqia ua preu shpresat se do mund të bënin reprezaljet e planifikuara. Kështu që, edhe pse gjermanët në Tiranë kërkonin të iknin, por kjo gjë nuk po ndodhte me atë lehtësi që ata kishin menduar. Në këtë situatë mes ushtarëve gjermanë pati shumë problem. U vranë shumë, por edhe u vetëvranë shumë. Duhet theksuar se në Tiranë nuk ka pasur forcë të mirëfilltë ushtarake. Kuadrot gjermane kanë qenë pjesë e logjistikës, personel shërbyes në vendkomandë, në spitalet, autoofiçinat, pra reparte të kësaj natyre. Dhe pikërisht kjo kolonë që erdhi nga Maqedonia, i shërbeu përforcimit të këtyre forcave, që nuk përballonin dot situatën e rëndë të krijuar. Urdhri ishte për tërheqje, pasi forcat partizane kishin mbërritur shumë afër Tiranës.

Ne presim që studiuesin Dr. Marenglen Kasmi, ta shikojmë në vijimësi në debate dhe në shkrime të tilla për të pasqyruar me saktësi dhe vërtetësi këtë luftë, nëpërmjet dokumenteve që gjenden në arkivat e Gjermanisë, por dhe më gjerë.
Sigal