Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/ ‘Heroi i Popullit’ Bajram Curri, komandant i talentuar popullor

1827
Bajram Curri ka lindur në Krushë të Madhe… Shtëpia e Currve të Gjakovës, kanë qenë të cilësuar zotni, me këtë titull, të Krasniqes. Titullin deri tek Bajrami, familja e pati Agë, prej qëndresës së të atit ndaj trupave osmane më 1860 në malësitë e Krasniqes. Këtu i burgosur, lindi më 1862 Bajram Curri. Pas gjashtë muajsh Sulltan Abdyl Hazizi vendos t’i lirojë kosovarët… Malësia e Gjakovës e nis në luftë më shumë për të marrë pagëzimin, po Bajram Curri i prin luftës përkrah Sulejman Vokshit e Riza Kryeziut, përkrah Jakup Ferrit e Haxhi Zekës, që ka për të qenë emblema e tij për shumë kohë. Betejat në Pepiç e Velikë, në Nevshak-Velika ishin ndeshje të vogla për luftëtarët e regjur, që prisnin luftën vendimtare të 5 janarit 1881. Në këtë përpjekje fitimplote për shqiptarët, Bajram Curri u njoh për së afërmi me Haxhi Zekën… Ai u rreshtua përkrah Mic Sokolit dhe Ali Ibrës në forcat e Sulejman Vokshit. Ai ishte jo vetëm luftëtar i shquar, por edhe një ndër udhëheqësit kryesorë më të dashur për popullin e Malësisë së Kosovës. Në 1899 kur u formua Lidhja Shqiptare e Pejës, vazhduese e veprës së Lidhjes së Prizrenit, Bajram Curri u bë ndihmësi më besnik i Haxhi Zekës… Bajram Curri ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900…. Ai u shqua si udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë dhe ishte një nga prijësit kryesor të Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. Në Manastir, Bajram Curri njohu plot burra të dëgjuar, të Shqipërisë së Jugut, po Sali Butkën dhe Bajo Topullin i ndant veç. Flet për ta kur kthehet në Prishtinë. Curri u zgjodh nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Bajram Curri me Isa Boletinin dhe të tjerë ngulën këmbë, që edhe shqiptarët duhej të përkrahnin lëvizjen xhonturke dhe të kërkonin kushtetutën. Ai ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, ku u bëri një qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës… Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të armatosur, dhe u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë turke në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Më tej së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Mbresëlënëse në futjen në dorë të Shkupit është besa e përgjithshme që u vendos për të mos cënuar rendin e rehatinë e qytetarëve. Në vitin 1912, atdhetari i vjetër u bë ndër drejtuesit kryesore të Kryengritjes së Përgjithshme antiosmane.
 
Kuvendi i Junikut dhe betejat nga Qafa e Prushit deri në çlirimin e Shkupit dëshmuan vlerat e gjithanshme të “tribunit të vegjëlisë”. Pritej vetëm kryengritja e përgjithshme… Me besim dhe vetmohim të Hasan Prishtina dhe Bajram Curr me shokë, veriu shqiptar, i mbarsur me idenë e kryengritjes, dhe jugu shqiptar, i mbarsur me idenë e lirisë, çdo gjë tashmë pritej nga gryka e pushkës… Në vendimet e Ferizajt, Bajram Curri është mbështetësi kryesor i mendimeve dhe propozimeve të Hasan Prishtinës. Një mbështetje po kaq të madhe pati edhe nga Isa Boletini… Bajram Curri me forcat e tij hyn në Shkup me muzikë e flamuj, duke krijuar kështu një ndjenjë të gëzuar që ngjallte besim për të ardhshmen… U përgatit të nisej për Vlorë, zgjodhi edhe trimat që do të merrte me vete, po lajmet për një përqëndrim të ri trupash në Gjakovë e vonuan disa ditë… Pas 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë dhe për zhvillimin arsimor. Kryengritësit shqiptarë u përgjakën me trupat serbe duke luftuar deri në tërheqje. Humbjet qenë të mëdha nga të dy palët. Bajram Curri me luftëtarët e vet zbrapset në drejtim të Qafës së Morinës. Aty i bëri qëndresën e fundit… Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizojnë qëndresën e popullit në malësi. Të dy bashkë e ndjejnë nevojën e Isa Boletinit. Ata u kërkojnë Fuqive të Mëdha me anë të një letre dërguar përfaqësuesëve të tyre në Shkodër, që të ndërhyjnë pranë Beogradit dhe Cetinës për të respektuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Letrën e firmos i pari Hasan Prishtina dhe i dyti Bajram Curri. Bajram Curri rri maleve. Herë qëndron në Dragobi, herë hidhet në Nikaj e Mërtur e ndodh që kalon edhe në Krumë. Pushteti i malazezve shtrihet me egërsi në të gjithë Malësinë e Gjakovës, po malet mbeten si gjithnjë pa sanjë pushtet. Bajram Curri gjatë pushtimit austro-hungarez “rrin në shtëpi të vet në Gjakovë” pa asnjë detyrë zyrtare. Bajram Curri nuk e di mirë as ku e ka familjen… Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore formohet në Shkodër Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, organizatë politike me parime demokratike. Bajram Curri është entizuiast për të. Megjithëse në kushte të ndryshme dhe larg njeri tjetrit, “Hoxha Kadriu, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri qenë një treshe e pandalshme, që e plotësuan njeri-tjetrin… bile, ndër disa periudha, të caktueme historike e politike të vendit tonë sa që s’mund të interpretohen pa njeri-tjetrin”. Në vitin 1918 si anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, u bë një nga udhëheqësit kryesorë të tij. I ngarkuar nga ky Komitet, i dërgoi një protestë Konferencës së Paqes në Paris (1919) në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa protofol të qeverisë dhe Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Si ministër pa protofol në qeverinë e Tiranës, tregoi se burrat e ndershëm të popullit e gjejnë veten për t’i shërbyer Shqipërisë. Më tej, caktimi i tij si Komandant i Përgjithshëm i operacionit kundëresadist, tregon për përvojën e gjatë të luftës, si dhe popullaritetin që gëzonte në masta e gjera popullore. Ai merr fuqi të plota nga qeveria e Tiranës mbi Forcat e Armatosura, madje sa të zgjasë operacioni, “do të ketë tagër t’i jap urdhër edhe gjindarmërisë”. Ai komandoi njësi të rregullta ushtarake dhe vullnetare, gjithsej deri në 3.000 mijë trupa. Kështu ai nisi operacionin kundër bandave esadiste, të hapur në ballë të gjerë në gjysmë harku dhe e mbajti të fshehtë planin që kishte hartuar dhe vetëm në mesnatë të 4 qershorit 1920 u dha trupave urdhër për të nisur sulmin… Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu u vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elez Isuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.
Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkon në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit. U vra nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë në Dragobi të prirë nga Ceno Kryeziu.
Me vdekjen e Bajram Currit zhduket një fytyrë plaku fisnik nga kuvendet dhe sheshet e Shqipërisë. Heroi i Popullit, Bajram Curri, e mbylli jetën e tij ashtu si jetoi, me nder e armë në dorë, duke shkruar me 29 mars 1925 në Shpellën e Dragobisë, pjesën e fundit të jetës së tij epope, për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën e brezave, imazhi i një figure legjendare, si rrallë bashkëkohës i tij, shok e bashkëluftëtarë ose kundërshtarë.
Veprimtaria e shumanshme atdhetare e Bajram Currit, spikati me forcë edhe në jetën politiko-shoqërore shqiptare të viteve 1920-1924. U shqua për një ndihmesë në luftën për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe në konfrontimet që i hapnin rrugë demokratizimit të jetës politike në Shqipëri… Më pas, i pakënaqur nga politika e diktatit të qeverisë mori pjesë në lëvizjen e marsit 1922, kurse në 24 maj shpërtheu në Krumë kryengritjen e armatosur në favor të opozitës liberale, e cila u kurorëzua me fitoren e Qershorit. “Plaku i maleve” siç quhet në popull ishte pushka e parë dhe e prapme e Revolucionit… Është shpallur Hero i Popullit shqiptar nga Malësia e Gjakovës.
Sigal