Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/ Figura të shquara të atdhetarizmit dhe të rinisë antifashiste

980
Sigal

(Babë e bir të një ideali, Hasan Stafa e Qemal Stafa)

Historian ushtarak

 Historia e jetës dhe aktiviteti ushtarak e atdhetar i Hasan Stafës e i familjes së tij, të djemve të tij, Veli e Qemal Stafa, i cili fali jetën për lirinë e atdheut, janë simbole për pjesëmarrje e heroizëm në luftë, për ngritjen dhe konsolidimin e shtetit, si dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Qemal Stafa u lind në Elbasan më 10 mars të vitit 1920 në një familje patriote të njohur atdhetare. Hasan Stafa, babai i Qemalit, u shqua si ushtarak trim e atdhetar. Familja e tij vinte nga Zabzuni i Gollobordës. Hasan Ahmet Stafa u lind në vitin 1878, në Elbasan, ku familja kishte vendbanimin e ri. Aty ai mbeti jetim fare i ri, por falë shkollimit të mesëm me rezultate të dukshme dhe me talent të rrallë, me mbështetjen e miqve siguroi një bursë në Akademinë e Stambollit.

Në Akademi spikati talenti, dhe duke qenë ndër më të mirët krijoi marrëdhënie të shkëlqyera me shokë e eprorë, që më pas do të bënte karrierë ushtarake duke zënë miqësi deri me Qemal Ataturkun, si bashkëstudent dhe shok i ngushtë me të. Në shenjë respekti ndaj shokut të ngushtë Qemal Ataturkut, ai e pagëzoi djalin e tretë me emrin Qemal.

Pas mbarimit të akademisë titullohet oficer dhe merr gradën e togerit, ku qeveria turke e dërgon më shërbim në Manastir, Serez, Selanik etj.. Veprimtari të gjerë zhvilloi kur shërbente në Manastir, sidomos pas ekspeditës famëkeqe të Durgut Pashës në Shqipëri, duke ndihmuat të gjithë bashkatdhetarët e persekutuar nga pushtuesit turq.

Hasan Stafa përkrahu e mori pjesë në lëvizjen e turqve të rinj dhe shumë shpejt do të zhgënjehej, pasi filloi Lufta Ballkanike, ku u gjend në frontin turko-serb me gradën Kapiten. Në një nga beteja ai zihet rob nga serbët dhe qëndron i internuar për gjashtë muaj në Beograd.

Pas shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali, kthehet në atdhe dhe u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës. Por, pas dorëheqjes së Ismail Qemalit, ngeli i papunë si ushtarak dhe kthehet në Elbasan, ku çeli një librari.

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Hasani rikthehet në detyrë si ushtarak, në shërbim të shtetit të ri me gradën ushtarake Major. Ishte ndër oficerët e parë që u vu në shërbim të qeverisë së zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës. Kreu detyra të ndryshme si në Krujë, Tiranë e Elbasan.

Revolucioni i Qershorit i vitit 1924, që solli në krye Fan Nolin, e emëruan në detyrën e drejtorit të Zyrës së Rekrutimit në Shkodër, ku ishte vendosur familjarisht me banim. Në punë Hasanin e çmonin si njeri të ditur e të shkolluar për kohën. Ai u dallua si ushtarak i zgjuar dhe i matur në veprime e gjykime. I zhgënjyer nga rrjedhat politike të kohës, i larguar në moshë të re nga Forcat e Armatosura, regjimi i monarkisë, e la ushtarakun e njohur të karrierës që t’i kalonte vitet e jetës në pension parakohe.

Hasan Stafa ishte njeri i ushqyer me idetë e Rilindjes, veçanërisht me veprat e Sami Frashërit, duke i ruajtur me kujdes në bibliotekën e shtëpisë. Ai njihte mirë iluministët frëng e në radhë të parë Rusoin. Lexonte rrjedhshëm në turqisht e frëngjisht. Ishte njeri me kulturë dhe i shëtitur, për kohën e tij, çmohej si burrë me logjikë. Nga natyra ishte gjakftohtë e vinte i butë, megjithëse, kur e donte rasti dinte të tregohej kurajoz. Ai ishte i thjeshtë, i sjellshëm e i afruar me njerëzit, dinte të bisedonte shtruar me cilindo. Të preferuarit e tij ishin zanatçinjtë dhe nëpunësit e vegjël, shembull që më pas do ta ndiqte më vonë dhe i biri, Qemali. Në korrik të vitit 1935 ndahet nga jeta, duke u lënë fëmijëve të tij, nder dhe emër të mirë. Rrugën e tij luftarake e vazhduan djemtë dhe familja e tij.

Në gjurmë të babait, Qemali, e nisi aktivitetin e tij revolucionar që kur ishte fare i ri, në bankat e shkollës, në gjimnaz, në Shkodër e në Tiranë. Nxënës në gjimnazin e shtetit të Shkodrës, Qemali ishte një revolucionar kundër regjimit të Monarkisë. Qemali u lidh me masën e varfër të punëtorëve, me zanatçinjtë e të rinjtë si Vasil Shanto, Jordan Misja, Vojo Kushi etj..

Qemali u aktivizua i ri në një nga celulat e qytetit, mori pjesë në lëvizjen revolucionare të rinisë, u bë një nga drejtuesit e shoqërisë jashtë shkollore, “Besa Shqiptare”, e cila u bë qendër e edukimit të të rinjve të gjimnazit me idetë revolucionare të kohës. Në numrin e parë të revistës së kësaj shoqërie, Qemali shkroi kryeartikullin me titull “Qëllimi ynë”, që ishte një thirrje për luftë kundër regjimit shtypës. Kjo thirrje nuk doli në dritë, sepse nuk u lejua të botohej revista.

Kur ishte në gjimnaz në vitin 1935, në moshën 15 vjeçare, ai bëri hartimin me titull “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”, ku për herë të parë hedh në letër mendimin e tij mbi nevojën e shembjes së rendit borgjez dhe të vendosjes së një rendi të ri.

Në vitin 1936 familja e Qemalit vendoset në Tiranë, ku ndoqi mësimet në gjimnazin shtetëror të Tiranës. Në gjimnaz, ai vazhdoi veprimtarinë revolucionare, u lidh me të rinjtë e varfër, nxënës të gjimnazit dhe forcoi lidhjet me të rinj punëtorë, si topografë, marangozë, furrtarë, etj.. Ai luftoi për të demokratizuar shoqërinë “Fryma e re” dhe organin e saj me të njëjtin emër, që grumbullonte nxënësit e gjimnazit. Në këtë kohë bashkëpunon me rrethet përparimtare të intelektualëve e punëtorëve e zhvillon një aktivitet të ndjeshëm në fushën letrare, duke botuar në revista e në të përkohshme të atëhershme shkrime, të cilat ishin një akuzë e rëndë për regjimin e Zogut. Shkrime si “Qortimet e vjeshtës” të botuar në revistën përparimtare “Bota e re” e Korçës, paraqisnin mjerimin dhe varfërinë e shtresave të ulëta të popullit dhe dëshirën e flaktë të tij për çlirimin dhe shpëtimin e tyre.

Për aktivitetin e tij revolucionar Qemali, u ndoq nga regjimi i Zogut. Gjatë vitit 1937 u arrestua dy herë. Në Tiranë u lidh me Vasil Shanton, u organizua në grupin komunist të Shkodrës në vitin 1937. Së bashku me Vasil Shanton zhvilloi veprimtari revolucionare, ku u lidh me punëtorët, si dhe organizon aksione të rinisë shkollore.

Në vitin 1938 shkoi në Paris, Francë së bashku me vëllanë Velinë, për mjekim, i cili ishte i sëmurë. Në Itali, më pas regjistrohet në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Firences. Kthehet në atdhe dhe në janar të vitit 1939, ku u arrestua e u dënua me burgim nga gjyqi që regjimi i Zogut zhvilloi kundër intelektualëve të rinj.

Në gjyq nga i akuzuar u kthye në akuzues i regjimit e rendit feudalo-borgjez. Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë arratiset nga burgu dhe bashkë me Vasil Shanton organizon qëndresën antifashiste, punon pa u lodhur për tërheqjen e rinisë në luftë kundër pushtuesit të huaj. Vijoi përkohësisht studimet në Itali, por në kushtet e reja që u krijuan Qemali u hodh me të gjitha forcat në luftë kundër fashizmit. Më 27 dhjetor 1940, për aktivitetin e tij antifashist, u arrestua në Itali nga kuestura dhe u burgos në burgun e Firences. Më 15 qershor 1941, për mungesë faktesh, u lirua nga burgu dhe u kthye në atdhe. Pas kthimit në atdhe u hodh në ilegalitet.

Në këtë kohë Qemal Stafa u takua me mjaft atdhetarë dhe komunist që po punonin për formimin e një organizate politike, që të ngrinte popullin në luftë kundër pushtuesit fashist. Kështu me mjaft revolucionarë të tjerë, si me Vasil Shanto, Enver Hoxha, etj., punuan për shkrirjen e grupeve komuniste dhe formimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Qemal Stafa mori pjesë aktive në punët e partisë, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të përkohshëm dhe sekretar politik i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste.

Kreu me sukses shumë detyra të rëndësishme për organizimin e forcimin, për luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë e tradhtarëve të vendit, për demaskimin e shpartallimin e elementëve përçarës etj. Kështu Qemal Stafa u bë një figurë e shquar e rinisë antifashiste shqiptare.

Më 5 maj 1942, në Tiranë, duke luftuar me armë në dorë kundër milicisë fashiste dhe tradhtarëve të atdheut, ra në fushën e betejës, militanti komunist Qemal Stafa. Dita e rënies së tij u bë simbol i qëndresës së partizanëve në luftë për çlirimin e atdheut.

Qemal Stafa ishte dhe letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus” në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e rinj realistë të viteve ‘30 të shek XX, në Shqipëri. Në shkrimet e tij u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk mposhten nga vështirësitë, që luftojnë për një botë të re. Në një varg shkrimesh me karakter publicistik Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës” (1961).

Pas çlirimit të atdheut, që në vitin 1945 ju titulli i lartë “Hero i Popullit”. Për nder të emrit dhe të veprës së tij heroike, si dhe të shembullit të frymëzimi për rininë në luftë dhe në kujtim të dëshmorëve të atdheut, dita e rënies së tij, në vitin 1946, u shpall si “Dita e Dëshmorëve të Atdheut”, ditë që vazhdon të përkujtohet edhe sot, duke u kthyer kështu në një traditë. Por kjo ditë nuk përkujton vetëm një dëshmorë, port ë gjithë ata qindra e mijëra njerëz, që me dashurinë e tyre për lirinë dhanë jetën për atdheun. Emrin e Qemal Stafa e mbajnë rrugë e sheshe, shkolla e institucione, dhe në monizëm qendra pune e reparte ushtarake. Në kryeqytet, në sheshin që mban emrin e tij, është ngritur busti i heroit.

Për figurën e Qemal Stafës është shkruar monografi nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, është realizuar filmi “Qortimet e vjeshtës”, si dhe janë bërë mjaft piktura e portrete për figurën e tij, janë shkruar tregime e poezi, si dhe janë ngritur shtëpi muze në Shkodër dhe në Elbasan. Për figurën e ushtarakut Hasan Stafa është shkruar nga në librin “Ushtarakët e Gollobordës” nga Kujtim Boriçi dhe Eduard Abazi.

Figura e Qemal Stafës është bërë simbol i kombit shqiptar, ai nderohet dhe vlerësohet për veprën e tij. Atdheu përulet me respekt dhe mirënjohje për para varrit të tij, të vendosur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.