Prof. Asoc. Bernard ZOTAJ/ Vlerat dhe rëndësia e Zonës së Parë Opertive Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër 1943-1944

1473
Sigal

Zona e Parë Operative  (Z1Op) u krijua më 4 gusht 1943, në Kuç të Kurveleshit

*Historian ushtarak

 Zona e Parë Operative Vlorë-Gjorokastër-Mallakastër (Z1Op) u krijua më 4 gusht 1943, në Kuç të Kurveleshit. Z1Op ishte një tip formacioni me paraqitje të veçantë, me karakteristika dalluese nga ato të formacioneve të mëparshme apo ato pasuese, si Br.S etj. Si tip formacioni ajo mbeti e vetmja në llojin e vet në shkallë vendi dhe nuk u pasua nga të tjerë. Në pikpamje ushtarake përbënte një formacion të shkallës operative me mundësi të mëdha luftarake, por edhe administrative dhe me rezerva të pashtershme njerëzore, morale e materiale në shërbim të luftës dhe të misionit të saj çlirimtar.

Z1Op u shtri në qarqet e Vlorës dhe të Gjirokastrës, si dhe në krahinën e Mallakastrës dhe pati disa karakteristika të veçanta si: një sipërfaqe mjaft të gjerë, me dalje në det dhe kufi me Greqinë prej disa km; terren tepër të përshtatshëm për mbrojtje, për sulm dhe për prita; shtrihej në mjaft zona e krahina të çliruara, me tradita atdhetare të ndezura duke u kthyer në baza të fuqishme të LANÇ-it, në prag të krijimit e gjatë funksionimit të shtabit të Zonës; popullsia në shumicën dërmuese ishte e lidhur me luftëtarët e lirisë dhe kishte traditë luftarake; u bë një burim i pashtershëm e i përhershëm për furnizimin e formacioneve partizane me luftëtarë, me ushqime e veshmbathje, duke krijuar kushte edhe për formimin e formacioneve më të mëdha të ushtrisë së rregullt, krahas plotësimit të nevojave të formacioneve të veta luftarake partizane e vullnetare; rol luajtën edhe besimet fetare, veçanërisht ajo bektashiane, që ishte më e përhpur në zonë.

Lidhjet

Lidhjet, vartësitë e raportet që u mbajtën ndërmjet formacioneve të ndryshme luftarake e ndihmëse të Z1Op, janë të ndryshme nga ato të njësive apo të formacioneve të tjera. Qarqet ushtarake këtu u vunë plotësisht në vartësi të Komandës e të Shtabit të Z1Op, ndërkohë që qarqet e tjera vareshin drejtpërdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm (SHP).

Në juridiksionin e Z1Op kishte forca që vareshin drejtpërdrejt prej saj e më pas u krijuan dhe vepruan në gjithë hapësirën e Zonës edhe njësi sulmuese të shkallës operative (Br.S) të cilat vareshin nga SHP, por që sipas detyrave të këtij të fundit, bashkëvepronin dhe kryenin detyra me ide dhe objektiva të përbashkëta me Z1Op. Në Zonë u realizua një gërshetim i përkryer i veprimeve luftarake të formacioneve të vet Zonës (Gr.P, b.p. dhe formacioneve vullnetare partizane, si dhe të gjithë komandave të qarqeve dhe të vendit, spitaleve partizane, depove, punëtorive, e deri te skuadrat e mirëmbajtjeve të rrugëve, ndërlidhja etj), por edhe në mes tyre dhe Br.S partizane që vepronin në Zonë.

Z1Op, në vartësi nga koha dhe rrethanat, organizoi dhe kreu veprime luftarake fillimisht me forcat e veta partizane e vullnetare, deri në nëntor 1943 dhe, më pas, edhe në bashkëveprim me njësitë sulmuese të SHP, deri më tetor 1944, kur pushoi veprimtarinë. Analiza e funksionimit të Komandës e Shtabit të ZIOp me gjithë shkallët hierakike të saj, si dhe e veprimtarisë së dendur të saj, evidencon qartazi dy shtylla mbi të cilat ajo është mbështetur dhe ka realizuar detyrat që shtronte Këshilli i Përgjithshëm ANÇ, si dhe SHPUNÇSH, funksioni luftarak dhe administrativ i saj.

Zona në fuksionin e saj luftarak

Zona në fuksionin e saj luftarak ka qenë organizatore dhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejt duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në momentet më kyçe në veprimtarinë luftarake të vet UNÇSH. Kështu mund të theksojmë: veprimet e njëkohshme për përballimin e sulmit gjerman dhe çarmatosjen e forcave italiane pas kapitullimit të këtij të fundit; realizimin me sukses për kushtet e kohën e luftës së parë ballore në Drashovicë, në Konispol me 1943 etj; përballimin e gjendjes dhe zhvillimeve komplekse luftarake të krijuar gjatë dy mësymjeve të mëdha e të përgjithshme gjermane gjatë Dimrit 1943-1944 dhe të Qershorit 1944 krahas disa operacioneve të pjesëshme të forcave gjermane dhe të bashkëpunëtorëve të tyre; pjesëmarrjen aktive në Kundërmësymjen Pranverore të UNÇSH (prill-maj 1944); çlirimin e plotë të qyteteve dhe të territorit të vet Zonës në bashkëpunim me njësitë e UNÇSH, apo dhe vetëm dhe mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit.

Komanda dhe shtabi i ZIOp në funksionin e vet administrativ, ka kryer një kompleks detyrash, më kryesoret janë: ngritja, forcimi dhe mbrojtja e pushtetit të popullit në luftën që realizohej nëpërmjet Këshillave NÇ të fshatrave, krahinave, qyteteve e qarqeve; puna politike, sqaruese dhe mobilizuese me popullin, mbrojtje e popullsisë nga operacionet dhe veprimet luftarake të armikut dhe veglave të tij, si dhe ndihma për kapërcimin e vështirësive të operacioneve të armikut, në veçanti dhe të gjendjes së luftës në tërësi; dhënia e ndihmës për familjet më me nevojë e veçanërisht të atyre partizane, të dëshmorëve etj; mobilizimi dhe furnizimi i formaconeve luftarake me luftëtarë e materiale në çdo kohë e situatë; sigurimi i të dhënave informative, përpunimi i tyre dhe marrja e masave për përballimin e operacioneve të vazhdueshme; organizimi e riorganizimi i vazhdueshëm i formacioneve partizane, të Zonës, të pushtetit ushtarak të prapavijave duke bërë furnizime me forca njerëzore e materiale; sigurimi i funksionimit të pushtetit të prapavijave në zonat e çliruara dhe vendosja në to e spitaleve, depove, punëtorive etj; në vartësi nga mundësitë ringritja e funksionimin e sistemit arsimor veçanërisht atij fillor e 7 vjeçar; rindërtimi e mirëmbajtja e rrugëve, i linjave telefonike etj; likujdimi i agjenturës zerviste, demaskimi i bashkëpunëtorëve të nazistëve dhe i veprimtarisë së tyre armiqësore etj.

Rol të rëndësishëm…

Krahinat e Z1Op kanë luajtur rol të rëndësishëm në plotësimin e detyrave luftarake e administrative nga të cilat vareshin. Sipas direktivave të Shtabit të Përgjithsëm të UNÇSH dhe vendimeve të Komandës së Zonës, më 10-11 tetor 1943, u krijuan 5 grupe partizane me nga tre batalione secili. Por pati dhe grpe si Grupi i Tretë i Mallakastrës që kishte katër batalione. Por komanda e shtabi i saj mbajtën në rezervë dhe dy batalione. Kështu Zona kishte gjithsej 18 batalione partizane të organizuar dhe gjithmonë në gatishmëri të përhershme luftarake.

Z1Op, në fushën e organizimit ushtarak, për vetë masën e gjerë të kontingjenteve që zotëronte krahina e Labërisë dhe ajo e Mallakastrës, por dhe të mobilizimit të popullit në luftë, shërbeu si burim i pashtershëm furnizimi me kontingjent njerëzor të 7 brigadave partizane të hapura në të gjithë Zonën. Të tilla ishin Br. V, VI, VIII, XII, XIV, XIX dhe XI S, si dhe plotësimin me kontingjente të shumta të brigadave të tjera të UNÇSH-së, si Br. I, II, III, IV, XVI S etj.

Mbi 16.000 djem e vajza u përfshinë në formacionet partizane dhe ranë në fushën e nderit 2130 dëshmorë. Në hapësirën e Z1Op vepronin edhe formacione luftarake të UNÇSH-së, si brigada sulmuese. Komanda e shtabi i Z1Op organizoi dhe ushtroi edhe pushtetin e prapavijave të Zonës si dhe formacionet ndihmëse luftarake të UNÇSH-së, çetat e batalionet territoriale në gjithë hapësirën e saj gjeografike.

Forcat e Z1Op, nën drejtimin e komandës dhe të shtabit të Zonës, kryen një sërë veprimesh luftarake të rëndësishme. Në shkallë zone u zhvilluan beteja të tilla si lufta e Konispolit, lufta e Libohovës, lufta e Drashovicës. Pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943) forcat e Zonës çarmatosën posta e garnizone të divizioneve italiane “Parma” e “Peruxhia” në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë, Drashovicë etj.

Në bashkëpunim me brigadat sulmuese që gjendeshin në zonë, Komanda e shtabi i Zonës përballuan një sërë operacionesh të pjesshme nazistëve gjermanë, si atë “Eilbote”, “Sturm”, “Bergkeseel”, si dhe dy operacione të mëdha të përgjithshme: operacionin gjerman të Dimrit 1943-1944, që ndërmorën nazistët gjermanë me forca të Korpusit XXI e XXII Malor dhe 5.000 forca mercenare, si dhe operacionin gjerman të Qershorit 1944, e cila në fazën e dytë të saj i zhvendosi veprimet luftarake në juridiksionin e Z1Op. Pranë shtabit të Z1Op gjatë luftës qëndruan dhe misione ushtarake të vendeve të kualicionit antifashist botëror si anglezë dhe amerikanë.

Pas përballimit me sukses të operacionit të Qershorit 1944, komanda e Zonës, në bashkëpunim me brigada sulmuese, organizoi veprimet luftarake dhe çliroi qytetet e Gjirokastrës, Delvinës, Vlorës e Fierit dhe krejt hapësirën e qarqeve e të krahinave që mbulonte ajo. Kështu Z1Op i plotësoi me nder dhe lavdi detyrat që iu ngarkuan.

Z1Op zhvilloi veprimtarinë në krahinën gjeografike në Shqipërinë Jugperndimore, me një sipërfaqe mbi 6.000 km2. Përfshinte tërësisht rrethet Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Mallakastër dhe pjesërisht Fierin. Përbëhet kresisht prej malesh me drejtim veri-jug, gryka, lugina e fusha.

Rrugët e Shqipërisë Jugore ishin me rëndësi për pushtuesi, në pikëpamje ushtarake, sepse ndërmjet tyre bënin furnizimet, manovrimet, tërheqjen e forcave e të mjeteve, vendosjen e lidhjeve midis forcave të vetë e granizoneve të shumtë të shtrirë në zonë dhe në krahinat e deri në shtetin fqinj.

Zona paraqet një teren tepër të përshtatshëm për lëvizje dhe manovrime të formacioneve të lehta luftarake, sikurse ishin forcat partizane, për mbrojtje të manovruar, për prita dhe për t’u maskuar dhe si bazë nisjeje, për sulme të përgatitura mirë dhe me kujdes, për shkëputje kontakti luftarak, tërheqje të forcave etj.

Para e në prag të krijimit të Z1Op në Shqipëri ishin krijuar e vepronin forca politike e organizata të ndryshme. Ndër më kryesoret ishin PKSH (nëntor 1941) dhe BK (zyrtarisht doli në nëntor 1942). Këto forca politike kishin nisur të krijonin dhe forcat e tyre të armatosura, natyrisht të formacioneve të vogla, të shkallës taktike, si njësite guerile, çeta dhe deri batalione.

Në qershor 1943, në këto qarqe filloi edhe procesi i krijimit të batalioneve partizane (b.p.), gjë që shënoi edhe shkallën më të lartë të organizimit ushtarak deri në këtë periudhë. Në qarkun e Vlorë vepronin 2 b.p. me efektiv 400 luftëratë dhe në qarkun e Gjirokastrës 2 b.p. me efektiv 600 luftëtarë. Vepronin dhe mjaft çeta partizane. Efektivi i forcave partizane arrinte në 2.000 luftëtarë. Por vepronin dhe 4.000 luftëtarë në batalionet territoriale në zona të lira, në njësitet guerile në qytete etj. Organizata e BK në Z1Op kishte krijuar çeta balliste.

Formacionet luftarake të mësipërme ndërmorën edhe disa veprime luftarake të përmasave kryesisht të vogla e lokale, por ndonjëherë edhe të dimensioneve operative, tipike këto sidomos për forcat e LNÇ-it.

 Përsosja

Në këtë periudhë u përsos taktika e përdorur gjatë veprimeve luftarake, si dhe u zgjeruan aksionet. Pritat dhe veprimet e befasishme në kushtet e inforitetit në efektiv e armatim gjetën përdorim të suksesshëm. Disa veprime morën karakter sulmues, nisi të shfaqet bashkëveprimi midis çetave e batalioneve, por edhe midis forcave të qarqeve fqinje.

Grupimi i disa forcave partizane dhe bashkëveprimi midis tyre realizoi disa detyra si: mbajtje nën kontroll të rrugëve; zënia e pritave në përmasa më të gjera, në hapësirë e kohë; veprime sulmuese kundër garnizoneve; mbrojtja e bazave partizane; organizimi i çetave e batalioneve partizane si dhe i atyre territoriale etj.