Prof. Asoc. Bernard Zotaj*/ Kontribut me vlera të mëdha i gruas gjatë LANÇ-it

303

“Heroina të Popullit” si Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Margarita Tutulani, Mine Peza,  Nimete Progonati janë krenaria e kombit

*Historian ushtarak

 Gruaja shqiptare ka qenë pjesëmarrëse aktive në ngjarjet kryesore të historisë të popullit tonë. Në kohë lufte gjithmonë ajo ka luftuar me armë për të mbrojtur familjen dhe atdheun. Në historinë e luftërave shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi, për ruajtjen e individualitetit të vet, për një jetë të lirë nga shfrytëzimi dhe padrejtësitë shoqërore, gruaja shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm. Emrat e mjaft grave si: Teuta, Mamica Kastrioti, Nora e Kelmendit, Maro Kondi, Sevasti Qiriazi, Marigo Pozio, Shote Galica, Sado Koshena etj., e kanë emrin të skalitur me shkronja ari në historinë e Shqipërisë. Shtojmë se dëshmorja më e hershme e Atdheut është Maro Kondi, e cila daton që në vitin 1847, në kryengritjet kundër Tanzimatit.

Në këtë histori shekullore të vendit tonë, roli i gruas shqiptare u shqua më shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria ishte e pushtua nga nazifashistët. Mbi 6000 gra dhe vajza dolën në këtë luftë, e dhanë kontributin e tyre për çlirimin e vendit. Ato thyen mjaft koncepte dhe u radhitën përkrah burrave në këtë epope, duke dhënë dhe jetën për çlirimin e vendit. Ato flakën tej zakonet dhe thyen tabutë e kohës, duke u bërë shembull frymëzimin në Luftën Nacionalçlirimtare. Një fakt me domethënie botërore është se në këtë luftë nga 5 heroina që u ekzekutuan në litar apo u dogjën nga nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, 4 heroina janë shqiptare: Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Hibe Palikuqi dhe Liri Gero.

Në kohën kur vendi ynë u pushtua nga fashistët italianë në prillin e vitit 1939, së bashku me grupet e rezistencës morën pjesë dhe gratë shqiptare. Në ballë të gruas shqiptare u afirmuan intelektuale, por dhe mjaft gra të thjeshta në qytet e fshat, duke bërë qëndresë në forma nga me të ndryshmet.

Qendra të rëndësishme të luftës ishin qytetet e mëdha të vendi, ku një rol luajtën shkollat në të cilat mësonin mjaft vajza. Kështu, instituti femëror, në Tiranë u bë vatër e rezistencës kundër fashizmit. Të gjithë e kemi parë filmin artistik “Vajzat me kordele të kuqe”, ku i bëhet jehonë pjesëmarrjes masive të tyre në këtë luftë që sapo kishte nisur të organizohej në vendin tonë. Studentet brenda institutit ndërmerrnin veprime të tilla si: nuk nderonin në mënyrë fashiste, grisnin flamurin italian, thyenin fotografitë e Duçes etj.. Në qytete e fshatra të Shqipërisë, format e qëndresës prej gruas ishin të ndryshme. Kështu gjimnazistet e Shkodrës morën pjesë aktive në demonstratën e madhe antifashiste të organizua më 28 nëntor 1940. Kurse në Tiranë, studentet e institutit femëror prishën mbledhjen në përkujtim të marshimit fashist mbi Romë, të cilën e kthyen në një demonstratë në rrugët e Tiranës. Shumë prej tyre u përjashtuan nga shkolla e institute. Midis vajzave të përjashtuara ishte dhe heroina Margarita Tutulani.

Gruaja me prezencën e saj po luante një rol të rëndësishëm dhe me dinjitet e me vlera u rreshtua edhe ajo në Luftën Nacionalçlirimtare. Fillimisht për të rritur numrin e grave e të vajzave në këtë lëvizje u organizuan bërthamë të vogla të gruas. Gra e vajza intelektuale me autoritet e nisën punën e tyre në lagje e fshatra, duke formuar grupe të cilat shpërndanin trakte e komunikata të ndryshme për luftë. Këto mjekonin aktivistë e partizanë të plagosur në kasionet e njësiteve dhe të çetave partizane, dhe shtëpitë e tyre u bënë strehë e u kthyen në vatra të rëndësishme të lëvizjes. Shumë gra në qytete bënë punë me shkollat, ku krijuan grupe dhe celula edukative, në të cilat kryheshin aktivitete, diskutohej, lexoheshin komunikata dhe këndoheshin këngë patriotike.

Në këtë lëvizje, e cila po merrte përmasa, u bashkuan gra të profesioneve të ndryshme si infermiere, mësuese, shtëpiake etj.. Femra shqiptare duke qenë shtyllë në familje, filloi të propagandonte luftën kundër pushtuesve. Ato punonin dhe shfrytëzonin festat tradicionale, merrnin pjesë në ekskursione e grumbullime masivet, mblidheshin dhe diskutonin për luftën, gatuani dhe jepnin ndihma material etj.. Vajzat në shkolla përdorën si mjet propagandues, edhe teatrin, ku shfaqnin jetën, përpjekjet dhe luftën e tyre që bëni gratë në familje e kudo. Të gjitha këto forma, po bënin efekt të madh në popull dhe vet gruaja po fitonte vendin e saj në shoqëri dhe po e ndryshonte konceptin e gabuar që kishin shqiptarët në përgjithësi për të.

Gratë e Kavajës në prill 1942, të mbuluara me çarçaf e perçe dolën bashkë me burrat e me të rinjtë në demonstratë për të kërkuar bukë. Ndërsa në Elbasan, më 8 gusht 1942, mjaft vajza morën pjesë në demonstratën e bukës. Haxhire Myzyri e Aleksandra Mano goditën majorin e xhandarmërisë fashiste. Një nga demonstratat më të përgjakshme ishte ajo në qytetin e Korçës, ku mbetën të vrarë 59 persona dhe u plagosën 93 të tjerë, shumica e tyre ishte gra.

Gratë dhe vajzat nuk munguan në frontin e madh të luftës që u krijua kundër pushtuesve. Ato krijuan organizatën e tyre të gruas. Organizata e tyre i vuri vetes si qëllim pjesëmarrjen e saj në luftë, të ishte sa më e organizuar dhe në të ardhmen të merrte pjesë aktive në drejtimin e vendit. U krijua organizata Bashkimi i Gruas Antifashiste Shqiptare. Në të gjitha qytetet dhe krahinat u ngritën këshillat e grave antifashiste. Në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare të mbajtur në Labinot të Elbasanit nga 4-9 shtator 1943, mori pjesë dhe një delegacion i gruas shqiptare që përfaqësohej nga Ollga Plumbi, Ela Gjikondi dhe Nexhmije Xhuglini. Delegacioni i grave kërkoi në këtë mbledhje që Organizata e Gruas të njihej dhe të bëhej pjesë e Frontit Nacionalçlirimtar. Kështu gruaja me plot dinjitet u rreshtua në LANÇ të popullit shqiptar.

Në të gjithë vendin gruaja u përfshi masivisht në luftë. Organizata e gruas krijoi këshillat e saj dhe ato filluan nga zbatimi i detyrave dhe qëllimit që i kishin caktuar vetes në këtë luftë. Mjaft gra humbën jetën në krye të punëve që u ishin ngarkuar nga këshillat e tyre. Kështu Esma Dervishi, anëtare e këshillit në Karbunarë e vranë se shkonte në mal me ushqime, ndërsa Saretë Gabaj nga Smokthina, u kap nga nazistët dhe u torturua, ku u dogj e gjallë, sepse nuk dha informacion për partizanët.

Organizata filloi punën në çdo krahinë dhe në terren, ku dhe kishte nevojë. Gra e vajza të tilla si Bule Naipi, nga Gjirokastra vepronte në Libohovë e Konispol, ku organizoi dhe ngriti aktive me gra dhe grupe edukative. Gra të tjera si Qeriba Derri kthehen nga emigracioni dhe bashkohen me lëvizjen antifashiste. Qeribaja ngriti organizatën e gruas në mjaft fshatra të Lumit të Vlorës. Në Operacionin e Dimrit 1944, ajo ndodhej bashkë me partizanët e Brg. V Sulmuese, në malet e Çikës. Aty tregoi heroizëm, por u kap nga nazistët dhe burgoset në burgun e Vlorës, ku torturohet barbarisht por informacion armikut nuk i dha e kurrë nuk u dorëzua. Pushkatohet më 4 prill 1944.

Organizata e Gruas shtroi si nevojë të domosdoshme ngritjen e një organi shtypi, i cili do të shërbente më mirë çështjes kombëtare. Revista “Gruaja shqiptare” doli në dritë si organ i Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë në korrik të vitit 1943. Si pasojë e kushte të vështira të luftës vendi i botimit ndryshonte shpesh si pasojë e terrorit që ushtronin fashistët.

Pjesëmarrja e gruas në luftën e armatosur tronditi botëkuptimin borgjez, konceptet dhe paragjykimet mbi rolin dhe pozitën e saj në shoqëri. Ky botëkuptim dhe këto koncepte ishin kultivuar në shekuj. Pjesëmarrja e gruas në luftën e armatosur hodhi tej propagandën fashiste, e cila përpiqej t’i mbante gjallë e t’i ushqente koncepte frenuese. Fakti që gruaja ishte në gjendje të përballonte me sukses të gjitha pengesat e vështirësitë që sillte me vete lufta e armatosur, shkatërronte mitin, sipas të cilit gruaja si “seks i dobët” “ishte e destinuar gjoja vetëm për të lindur e rritur fëmijë”, por, “aspak e aftë të luftonte si burri me armë në dorë dhe aq më tepër për luftën partizane”, koncept ky i rrënjosur thellë në vetëdijen e shumë njerëzve, si të burrave ashtu dhe të grave.

Në LANÇ një numër i madh grash u rreshtuan në njësitë dhe formacionet e ndryshme të UNÇSH. Grave e vajzave ju ngarkuan detyra të rëndësishme si komandante e komisare, përgjegjëse të rinisë dhe të grave në formacione të ndryshme si në kompani, në batalion e në brigada sulmuese. Rol të rëndësishëm kanë luajtur gratë që ishin në detyra dhe përgjegjësi në seksionet politike të brigadave e divizioneve sulmuese. Kështu gra të tilla si: Eleni Terezi, Fiqirete Sanxhaktari, Vangjelo Sotiriadhi, Ramize Gjebrea, Urani Prendi, Liri Hakani etj., kanë pasur përgjegjësi në radhët e UNÇSH.

Kështu, në mjaft brigade sulmuese, si në Brg. III, V, XX, XVIII S, gratë dhe vajzat që ishin në detyra zinin mbi 30% të numrit të tyre. Në 13 brigada partizane, rreth 100 gra e vajza kanë qenë përgjegjëse rinie brigade, batalioni e kompanie, si dhe mbi 47 prej tyre kanë qenë në detyra komisare e zëvendëskomisare batalioni e kompanie.

E rëndësishme të theksojmë në këtë shkrim historik është se mjaft gra e vajza arsimtare ishin të lidhura me lëvizjen, e dhanë një kontribut të vlefshëm.

Në Kongresin e Parë të Bashkimit të Gruas në nëntor 1944, u shpalos kontributi dhe heroizmi i treguar nga gratë dhe vajzat shqiptare në luftën kundër pushtuesve nazifashist dhe bashkëpunëtorëve te tyre. Një pjesëmarrje e tillë e organizuar, nuk ishte vërejtur më parë gjatë historisë tonë. Vajzat dhe gratë shqiptare u bënë shembull frymëzimi për guxim e trimëri, për ndershmëri e pastërti morale e shpirtërore, si dhe për forcimin e marrëdhënieve vëllazërore në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Për aktet e larta të trimërisë dhe të vetëmohimit mjaft gra dhe vajza u shpallën heroina të Popullit si: Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Liri Gero, Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Mine Peza, Hibe Palikuqi, Nimete Progonati, Inajete Dumi, Zonja Çure, Qeriba Derri, Fato Berberi, Qybra Sokoli, Ylbere Belibashi, Shenjnaze Juka, Emine Peza, etj..

Pjesëmarrja e gruas në Luftën Nacionalçlirimtare, nuk ishte vetëm kushti vendimtar për çlirimin kombëtar e shoqëror të saj. Në të njëjtën kohë kjo luftë shërbeu dhe si një shkollë e madhe për emancipimin shpirtëror të gruas shqiptare. Duke marrë pjesë aktive në të gjitha format e luftës e të organizimit, deri në kryengritjen me armë, gruaja shqiptare theu mjaft koncepte e praktika të vjetra dhe afirmoi veten e saj të denjë për një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Në saj të kësaj lufte dhe të përpjekjeve të vijueshme të bëra në këto 70 vjet pas lufte, ajo sot është më tepër e organizuar dhe po zë një vend të merituar në të gjitha shtresat e shoqërisë demokratike shqiptare. Fakt është se gruaja shqiptare sot është pedagoge, deputete, ministre, biznesmenë, diplomate, oficere, police, drejtuese institucionesh etj.. Vet lufta, kurajoja dhe përpjekjet e saj në shoqëri e kanë radhitur atë të barabartë me burrat, dhe sot gëzon të drejta të plota, të njohura botërisht dhe të garantuara me ligje e Kushtetutë.