Prishja me rusët, kthimi i skënderbegasve, reagimi nga heqja e gradave, aksioni për ndërtimin e rrugës së Malësisë së Madhe

867
(Nga historiku zyrtar i shkollës “Skënderbej”)
Pjesë nga libri “Skënderbegasit ndër vite….”, i autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla që promovohet në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsit, 73-vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”
(Vijon nga numri i kaluar)
Pas fushimit në muajin gusht, shkolla filloi mësimet për vitin shkollor 1961-1962. Këtë vit efektivi i shkollës u shtua me një kontigjent më të madh nxënësish të rinj dhe shkolla u zgjerua me ndërtime të reja. Kishte përfunduar ndërtimi i fjetoreve të reja dhe i bllokun e mensave. 

Viti 1961, ishte viti i një prove të madhe për PPSH dhe popullin shqiptar. Bllokada e përgjithshme revizioniste nuk e përuli dot PPSH dhe popullin shqiptar. Ajo i godit për vdekjen revizionizmin hrushovian, u çori maskën prej tradhtari dhe me guxim i tregoi mbarë botës përparimtare, fytyrën e vërtetë të renegatit Hrushov. Në këto momente të vështira por vendimtare, edhe skënderbegasit qëndruan pa u tundur dhe besnikë të vijës së PPSH. Ashtu si gjithë populli shqiptar, ata shtërnguan radhët e forcuan unitetin rreth PPSH me shokun Enver Hoxha në krye dhe rritën vigjilencën revolucionare dhe gatishmërinë ushtarake. 

Shumë ish-skënderbegas, në këtë kohë ndodheshin për studime në Bashkimin Sovjetik. Ata e panë nga afër tradhtinë e madhe që po i bëhej zhvillimit të njerëzimit dhe u ndodhën direkt nën presionin e kësaj tradhtie. Me të gjithë mënyrat dhe rrugët që përdorën revizionistët hrushovianë për të thyer qëndresën e tyre, për t’i larguar ata nga PPSH, nga ajo parti me gjakun e së cilës punonte zemra, mendja e trupi i tyre, ish-skënderbegasit nuk u lëkundën aspak. Ata qëndruan trima e të vendosur. Guximi me të cilin ata përballuan shantazhet e armiqve të ML dhe të PPSH ishte i madh dhe i tërboi shërbëtorët e Hrushovit. Ata mund të falnin çdo gjë, mund të sakrifikonin edhe jetën e tyre të re, por kurrë nuk do të largoheshin nga mësimet e PPSH dhe të shokut Enver, nuk do t’i ktheheshin kurrë krahë nënës që i kishte rritur dhe edukuar me aq kujdes dhe dashuri. Ndenjat patriotike të atdhedashurisë, të krenarisë së ligjshme kombëtare, të besnikërisë deri në vdekje ndaj PPSH, shokut Enver dhe M. L., u shfaqën në çdo hap të veprimtarisë së tyre me forcë të madhe. Me portretin e shokut Enver dhe të Stalinit të madh, me idealet e partisë që i frymëzonin për qëndrim revolucionar, ata do të kalonin nëpër rrugët e qyteteve të B. S, duke i treguar popullit të thjeshtë sovjetik se populli shqiptar ishte mik i tyre, se ata e mbronin Stalinin dhe dënonin tradhtinë e Hrushovit, duke kryer kështu detyrën e internacionalistit të vërtetë, pa harruar se do të mbetet kujtimi i tyre në mendjet e sovjetikëve të vërtetë dhe u shërbente atyre si shembull frymëzimi për të parë të vërtetën që mundohej ta fshinte me aq forcë e brutalitet renegati Hrushov. Ish-skënderbegasit u kthyen në atdhe pa mbaruar studimet, me besim dhe optimizëm për të ardhmen. Ata iu futën punës që kishin nisur duke qenë kështu luftëtarë të vijës së parë për të thyer bllokadën revizioniste në fushën e arsimit dhe kulturës. Ata e dinin se ushtria jonë kishte më shumë nevojë se kurrë për kuadro të lartë teknikë dhe ushtarakë dhe me këmbëngulje u bënë të tillë. Të tillë ishin skënderbegasit që për vite me radhe mësuan dhe u edukuan në gjirin e kësaj shkolle dhe kultivuan personalitetin e tyre, guximin, trimërinë e pastërtinë politike për vijën e Partisë sonë. Në këto vite të tradhtisë së madhe, ashtu si i gjithë populli e ushtria, edhe shkolla “Skënderbej” forcoi regjimin e kursimit për të bërë ushtrinë sa më pak të kushtueshme. Viti 1962-1963 e rriti edhe më shumë efektivitetin e shkollës “Skënderbej”. Gjithashtu, këtë vit u forcua edhe më tepër baza materiale për mësimin dhe stërvitjen. Këtë vit shkollës iu shtua edhe një objekt i madh kulturor, kinemaja, e cila ishte e pajisur me shumë salla, si ajo e muzikës, e pikturës, biblioteka, salla e leximit etj. .Skena e saj është e përshtatshme për shfaqje të ndryshme, ku skënderbegasit kanë parë në të artistët e Teatrit Popullor, të estradës, të operës, baletit etj… Kinemaja e vjetër u bë palestër e pajisur me veglat e nevojshme për zhvillimin e mësimit të gjimnastikës. Gjatë këtij viti Partia dhe komanda në shkollë zhvilluan një sërë temash të ndryshme për të ngjallur dhe forcuar te skënderbegasit e vegjël dashurinë për karrierën ushtarake dhe Artin Ushatarak. Për të rritur aftësinë e tyre ushtarake, vitet e treta shkuan për praktikë nëpër repartet e ushtrisë, u shtuan në masë edhe stërvitjet ushtarake në fushë e u krijuan rrethet e ndryshme ushtarake. 

Në fund të vitit 1962, shkolla kishte një kuadër të plotë me arsim të lartë. Në dhjetor të vitit 1962, u falënderuan për punë të mirë 122 vetë, prej të cilëve 9 oficerë, 91 skënderbegas, 2 6 ushtarë e punonjës civilë. Mbi 50 skënderbegasve iu dhanë fletë lavdërimi. Në muajt e fundit të vitit 1962-1963, krahas mësimit, shkolla po përgatitej për manifestimin fizkultural për nder të 10 korrikut, me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Ushtrisë tonë Popullore. Përgatitja për manifestimin qe intensive, por nuk i pengoi skënderbegasit të mbyllnin vitin shkollor me rezultate të mira. Në këtë vit, matura, si dhe më parë, mori provimet e shtetit 100%. Më 10 korrik 1963 trupat pjesëmarrëse të manifestimit bënë parakalimin dhe të parët që e çelën ishin skënderbegasit. Uniforma sportive, ushtrimet e bukura me lëvizje të shkathëta e të sakta, tregonin se krahas mësimeve, skënderbegasit përgatiten ushtarakisht, fizikisht dhe politikisht. Të gjitha këto bënë që të ruhej tradita e lavdishme e shkollës, e krijuar që në manifestimet e para. Populli i Tiranës i duartrokiti nxehtësisht skënderbegasit për bukurinë, dinamizmin dhe estetikën e ushtrimeve. “ Tashmë-tha drejtuesi i manifestimit-është bërë shprehi e popullit të Tiranës të shohë skënderbegasit në aktivitetet fizkulturale sportive të zënë vendin e parë dhe të meritojnë flamurin e manifestimit”. Në gusht të vitit 1963, shkolla filloi procesin e edukimit politiko-arsimor dhe ushtarak për vitin shkollor 1963-1964. Këtë vit mësimor, shkolla u shtua me kontigjent të ri, me një numër më të madh se sa vitet e tjera. Shkolla “Skënderbej” ka qenë gjithnjë burimi kryesor i kuadrove për repartet dhe nënrepartet e ushtrisë. Ajo ka përgatitur elementin për kuadër në bazë të kërkesave të Artit Ushtarak Popullor dhe në përputhje me shkallën e zhvillimit të modernizmit të saj. Rritjes së kërkesave të ushtrisë si rezultat i modernizmit të saj, i pajisjes me teknikë të shumtë i ka korresponduar vazhdimisht dhe rritja e nivelit politik, ushtarak dhe mësimor të skënderbegasve. Teknika, armatimi dhe aparatura ushtarake kishin nevojë për drejtim dhe komandim. Prandaj, për të plotësuar këtë kërkesë aktuale të ushtrisë, në vitin mësimor 1963-1964, shkolla kalon një pjesë të kontigjentit të saj në teknikumet e bashkuara, në Politeknikumin “7 Nëntori”, në atë mjekësor e në shkollën e kulturës për të përgatitur kuadro në degë të ndryshme. Kuadrot e parë që u caktua të punonin me këta skënderbegas kanë qenë Koli Deneku, Dhanil Reveli, Fuat Çeliku e më vonë Hasan Gjeta e Trimo Idrizi. Ky efektiv hasi në vështirësitë e fillimit, si një rrugë e gjatë, mungesa e ambienteve të përshtatshme për studim etj, por këto nuk i penguan ata që të merrnin rezultate të mira në mësime. Rezultatet e vitit mësimor 1963-1964 treguan për një punë serioze e këmbëngulëse nga organizata e partisë, komanda dhe i gjithë efektivi. Matura e këtij viti, komandant i së cilës ka qenë Hasan Gjata, mbajti për të katërtin vit flamurin e komandës për rregull, disiplinë e përgatitje në mësime. Në nëntor 1963, shkollës iu shtua edhe ndërtesa e re e klasave. Ajo ishte e pasur me klasa, laboratorë për fizikë, kimi dhe kabinete të ndryshme. Procesit mësimor 1964-1965, ju shtua edhe përgatitja për paradë. Ajo filloi në gusht 1964 dhe gradualisht vinte duke u intensifikuar. Përgatitja e vazhdueshme në këtë kohë të vështirë, ditën dhe natën, udhëheqja politike për këtë aksion të madh politik siç qe parada e 20-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, i siguruan shkollës “Skënderbej” flamurin, duke zënë kështu vendin e parë në gjithë pjesëmarrësit në paradë. Hapi i fortë, estetika e rreshtave dhe lëvizjet harmonike të duarve, fituan admirimin e mijëra qytetarëve të Tiranës. Në nëntor 1964, për përgatitje të shkëlqyer në paradë, nga Ministria e Mbrojtjes Popullore u falënderuan 645 oficerë dhe skënderbegas, prej të cilëve 10 anëtare të PPSH dhe 520 ABR. Më 28 mars 1965, shkolla mbushi 20-vjetorin e saj. Me këtë rast, në shkollë erdhën shumë të ftuar dhe, nga larg janë pjesëmarrës të gjithë ish-skënderbegasit që dërgojnë urimet më të zjarrta për shkollën e tyre ku ata u rritën, edukuan, ku ata hodhën hapat e para të veshur si ushtarakë. Në përgatitjet e tyre ndjehet dëshira që kanë ata për shkollën “Skënderbej”, shprehet krenaria e tyre si ish-skënderbegas. Ata në këtë përvjetor kujtojnë rastet më të bukura të jetës së tyre dhe këto çaste i përkasin kohës që ata kanë qenë skënderbegas. Ish-skënderbegasit gjenden kudo në postet më të vështira luftarake. “Po të ishin se me çfarë këmbëngulje e vetëmohimi çan lart si batalion ne atë majë mali – shkruajnë ish-skënderbegasit Foto Lako, Flamur Miçku, Refit Jexaj, Servet Rushaj e shokët e tyre të shkollës së aviacioni- ta dini se drejtohet nga njeri skënderbegas; po ta shihni se me çfarë zotësie çau furtunën si kapiten nëndetëseje, ta dini se si është ish-skënderbegas, po ta shihni si çan qiellin e kaltër si zog i çeliktë, ta dini se drejtohet me mjeshtëri e guxim nga piloti ish-skënderbegas. E pra kudo në tokë, në det e ajër janë ish-skënderbegasit. Në këtë festë jubilare na bëhet zemra mal e krenohemi që kemi dalë nga dyert e kësaj shkolle, e cila lindi në ato vite të ashpra së bashku me Shqipërinë e Re. . .”. Në fund të vitit shkollor 1964-1965, morën maturën një kontigjent i madh skënderbegasish, që vazhduan studimet në shkolla te ndryshme ushtarake. 

Në prill 1966, doli letra e hapur e KQPPSH, e cila dha orientimet e luftës kundër burokratizmit, të zbatimit të vijës së masave, të heqjes së gradave dhe rivendosjes së komiteteve të Partisë e komisarëve në ushtri. Letra e hapur u punua brenda një dite. Me organizatat e partisë filloi edhe diskutimi i organizuar. Në këtë kohë, në mbështetje të orientimeve të letrës së hapur të KQPPSH u zhvilluan me efektivin një sërë mbledhjesh, ku u shtruan mendime e u bënë propozime me vlerë për revolucionarizimin e jetës, të punëve dhe marrëdhënieve eprorë-vartës. Në maj të 1966-s, u hoqën gradat. Heqja e tyre në shkollën “Skënderbej” nuk pati asnjë keqkuptim, nuk u ul aspak roli drejtues i oficerëve. Kjo tregonte për karakterin e ndërgjegjshëm të disiplinës në radhët e skënderbegasve, tregoi atë që disiplinën nuk e vendos grada. U zgjodh Komiteti i Partisë në shkollë dhe komisari i saj. Rivendosja e komitetit dhe komisarit i dha një grusht të fortë burokratizmit dhe çliroi energji të reja pune. U ngrit së tepërmi veprimi dhe vetëveprimi i organizatave të Partisë dhe rinisë, u rrit roli i masave dhe zbatimi i vijës së saj, u forcua disiplina e vetëdijshme në shkollë, u përmirësua stili dhe metoda në punë, rrjedhimisht u rritën dhe rezultatet në procesin mësimor dhe edukativ të skënderbegasve. Të gjitha këto çuan në revolucionarizimin e gjithë jetës dhe veprimtarisë së Shkollës Ushtarake “Skënderbej”. 

Më 25 prill, në kohën kur jehona e letrës së hapur të KQPPSH ishte përhapur dhe kishte gjetur përkrahje nga i gjithë populli shqiptar, në shkollë u mblodh Konferenca e Parë e Rinisë me referat: “Të punojmë me një frymë revolucionare për një stil e përparim me cilësi më të mirë në mësime”. Në konferencë morën pjesë 210 delegatë ABRPSH të shkollës. Diskutimet, në emër të ABR që përfaqësonin, morën iniciativa të ndryshme si ajo për të bërë 40 ditë punë vullnetare aksion rinie ku të shohë të arsyeshme Partia dhe komanda në shkollë. Vendimet e konferencës u aprovuan nga njerëzit dhe me vota anonime u zgjodh Komiteti i Rinisë prej 13 vetësh, me kryetar të Komitetit të Rinisë, Dhanil Revelin. Konferenca e Rinisë në shkollë tregoi se rinia e shkollës “Skënderbej” do të mësojë dhe punojë me urtësi dhe besnikëri, do të jetë gjithmonë e gatshme për atje ku ta caktojë Partia, do të dijë të zbatojë më së miri të gjitha udhëzimet, direktivat dhe urdhrat që do t’i japë asaj Partia dhe komanda në shkollë. Viti mësimor 1965-1966 u mbyll me rezultate më të larta në mësim dhe disiplinë se sa më parë. Maturantët e këtij viti, sipas urdhrit, shkuan një vit në repartet ushtarake për të njohur më nga afër jetën e ushtarit. Kjo do të sillte revolucionarizimin e mëtejshëm të kuadrit të ardhshëm ushtarak. Skënderbegasit këtë vit treguan nëpër reparte një përgatitje të përgjithshme shumë të mirë, u bënë shembull për ushtarët e tjerë në disiplinë, në vullnet dhe në qëndrueshmëri para vështirësive të shërbimit ushtarak. Ata u larguan nga repartet ushtarake duke marrë me vete fjalët më të mira të komisarëve dhe komandantëve. Në muajin gusht 1966, një pjesë e shkollës vajti në Bizë për të mbledhur humus për tokat e reja të NBU. Pjesa tjetër vajti në Tapizë në qershor 1966 për shpyllëzim dhe për hapjen e tokave të reja. Në shtator, drejtor shkolle vjen Fiqiri Shtepani. Në muajt e parë të vitit shkollor 1966-1967, shkolla kryente stërvitje për kalimin e liqenit artificial të Tiranës. Stërvitja vazhdoi në periudhën shtator-nëntor. Ajo qe e vështirë, e lodhshme, por jo e pakalueshme. Vendosmëria dhe përgatitja fizike e skënderbegasve, siguruan me sukses të kësaj prove burrërore. Shpesh herë provat bëheshin edhe vetëm. Kalimi i liqenit do të bëhej në mbylljen e Kongresit të V të PPSH, përpara shokut Enver Hoxha, para të gjithë udhëheqësve të partisë e qeverisë dhe delegatëve e delegacioneve të Partisë punëtore e komuniste që morën pjesë në punimet e Kongresit V të PPSH. Kjo i ngarkonte me një përgjegjësi më të madhe skënderbegasit. Ata e ndjenin dhe ishin krenarë që kjo përgjegjësi i ishte ngarkuar pikërisht atyre. Data erdhi. Skënderbegasit me uniforma, çanta shpine, automatikë u rreshtuan në bregun verior të liqenit. Tek ‘ta ishin drejtuar sytë e gjithë delegatëve dhe delegacioneve të Kongresit V. Dikujt mund t’i dukej e pabesueshme një gjë e tillë, por për skënderbegasit e edukuar me shpirtin e sakrificës, nuk ka të pamundur. Ata u hapën në formacion luftimi dhe filluan të notojnë në ujin e ftohtë të liqenit. Formacionin nuk e prishën, mbajtën radhën me të parin në fushën e luftimit dhe gjithë skënderbegasit si një trup i vetëm, brenda një kohe të shkurtër, u ndodhën në mësymje, në kodrat që shtriheshin para tyre. “Urra”-të e mësymjes ishin të forta dhe në to shprehej vendosmëria për të kaluar çdo vështirësi. Pas mësymjes, skënderbegasi u rreshtuan dhe merituan fjalët më të mira nga goja e të pranishmëve. Ky ishte edhe shpërblimi më i madh me të cilin shpërblehej puna e tyre. Ata u bënë shembuj për ushtrinë tonë dhe kalimi i pengesave ujore, u fut në programet e ushtrisë për repartet dhe nënrepartet ushtarake. Në këtë mënyrë, skënderbegasit kontribuan në revolucionarizimin e mëtejshëm të stërvitjes dhe i dhanë asaj një element të ri. Vendimet e Kongresit V u bënë program edhe për shkollën “Skënderbej”. Kolektivi i saj i arriti të gjitha aftësitë për të plotësuar detyrat që i përkisnin atij. 

Në qershor 1967 shkolla kreu aksionin lokal Në Zall Herr, ku punuan në prashitje misri dhe korrje gruri. Puna qe e vështirë për skënderbegasit, por ata e plotësuan dhe tejkaluan normën ditore. Që në fillim, viti shkollor 1966-1967, filloi në kondita më të mira. Drejtoria parashikonte në planin vjetor një sërë detyrash që kishin për qëllim përsosjen e mëtejshme të stilit dhe metodës në punë. Thirrja dhe letra e hapur e KQPPSH, do të ishin program pune për çdo mësues dhe skënderbegas. Të gjithë arsimtarët, nën udhëheqjen e organizatave të Partisë, bashkëpunuan më mirë me organizatat e rinisë për edukimin politik dhe ushtarak të nxënësve dhe formimin e disiplinës së vetëdijshme. Në qendër të vëmendjes ishte ngritja cilësore e mësimit dhe e edukimit për të pajisur nxënësit me njohuri të plota teorike dhe praktike, me dije të thella e të qëndrueshme, me qëndrimin komunist ndaj punës, mësimit e detyrës ushtarake. U përcaktuan detyra konkrete për çdo lëndë. Zbatimi i këtyre detyrave nga i gjithë kolektivi mësues, oficerë dhe puna e vazhdueshme sistematike e çdo skënderbegasit, çoi në mbylljen e vitit shkollor me rezultate të larta, me një kalueshmëri 99%. Në qershor të vitit 1967, Presidenti i Kuvendit Popullor të R. P. SH, dekoroi organizatën e rinisë së shkollës me urdhrin “Për shërbime të shquara ushtarake dhe shoqërore” të klasit të III me motivacionin: “Është dalluar për rezultate të larta në përgatitjen politiko-ushtarake, në forcimin e disiplinës, vigjilencës dhe rregullit ushtarak, për punën edukative me rininë në marrjen e iniciativave të reja për revolucionarizimin e stërvitjes dhe për ta bërë ushtrinë më pak të kushtueshme”. Ky është një vlerësim i madh i punës së gjithanshme edukative që bëri efektivi i shkollës Ushtarake “Skënderbej” për vite me radhë. Në maj të këtij viti, Presidiumi i Kuvendit Popullor të PPSH, i akordon dekoratën më urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III, për rezultate të larta dhe të qëndrueshme sportive. Me rastin e dekorimit me urdhrin e shërbimeve të shquara ushtarake dhe shoqërore të klasit III, efektivi i shkollës, i mbledhur në ceremoninë e dekorimit, i dërgoi një telegram KQPPSH me anën e të cilit ai siguronte KQPPSH se edhe në të ardhmen do të punonte për të forcuar unitetin si një trup i vetëm rreth PPSH dhe KQ të saj me në krye shokun Enver Hoxha. Ata i premtonin se do të punonin, mendonin dhe jetonin si revolucionarë, duke vënë kurdoherë në plan të parë politikën proletare të PPSH. Ata gjithmonë do të jenë besnikë deri në vdekje ndaj rrugës që do të tregojë Partia dhe shoku Enver, do të jenë vigjilentë kundër çdo komploti imperialisto-revizionist. 

Viti shkollor 1967-1968, si program pune pati mësimet e shokut Enver dhe vendimet e direktivat e Kongresit të V të PPSH. Rëndësi iu kushtua revolucionarizimit të shkollës. Këtë vit nga shkolla “Skënderbej” u dërgua për të vazhduar studimet e larta në fakultetet e ndryshme të Universitetit të Tiranës dhe në Institutin “Vojo Kushi”. Skënderbegasit vlerësoheshin politikisht në këtë detyrë dhe si kurdoherë, ata u bënë krahu i djathtë i organizatave të Partisë në fakultet, u bënë shembull për të gjithë rininë studentore si në mësime, rregull, disiplinë, në punë prodhuese e në stërvitje ushtarake. Ata dhanë një kontribut të çmueshëm në luftën kundër shfaqjeve të ideologjisë borgjeze e revizioniste në radhët e rinisë universitare. Rezultatet e tyre ishin të shkëlqyera. Të tillë ishin Mareglen Muka, Maksim Ilirjani, Memush Halili, Arif Tomçini, Gëzim Malushi. Në dhjetor 1967 u caktuan detyrat e Komitetit të Partisë për të vënë në jetë materialet e Plenumit III të KQPPSH dhe mësimet e shokut Enver, për të kuptuar politikisht dhe ideologjikisht vlerën e mësimit dhe të përvetësimit sa më mirë të njohurive shkencore. 

Në kuadrin e revolucionarizimit tekniko-shkencor, u bë një punë e madhe për të rritur sistemin e dijeve tek skënderbegasit, u ngritën një sërë rrethesh shkencore me nxënësit dhe që drejtoheshin nga mësonjësit. Trupa pedagogjike gjatë këtij viti punoi pa u lodhur me qëllim që të ecin përpara në fushën e formave dhe metodave të mësimdhënies dhe të edukimit. U zhvillua një numër i madh diskutimesh lidhur me problemin e mësimit dhe vëmendja u përqendrua më tepër në drejtimin e çështjeve ideologjike. Puna e Partisë dhe e drejtorisë u gërshetua me punën intensive të vetë skënderbegasve dhe rezultatet e këtij viti shkollor ishin shumë të mira. Në sesionin e parë, shkolla arriti një kalueshmëri 100%. Në janar të vitit 1968 u organizua sesion shkencor kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Sesioni zgjati dy ditë. Pati referate kryesore dhe kumtesa nga komanda e shkollës dhe mësues të historisë. Organizatori i sesionit shkencor ishte mësuesi i historisë, shoku Isak Mezini. Në muajt mars e prill të vitit 1968 filloi një punë e madhe nga i gjithë efektivi për të kuptuar e zbatuar fjalimet e shokut Enver të 7 marsit 1968 “Për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës sonë”. Gjithashtu, në këtë kohë filluan diskutimet masive lidhur me vendimet e plenumit të 8 të KQPPSH. Këto diskutime u dalluan për karakterin e gjerë të tyre ku merrnin pjesë mësonjësit, oficerët e skënderbegasit. Punimi i këtyre materialeve çoi në vendosjen sa më të drejtë të marrëdhënieve mësues-nxënës dhe si rezultatet u rrit disiplina në shkollë dhe efektiviteti i orës së mësimit. Nga diskutimi i letrës së hapur të KQ të Partisë më 7 mars 1968 lindën edhe disa nisma si: “Për kalueshmëri e cilësi të lartë në mësime”, “Të përgatitemi në mënyrë shembullore ushtarakisht”, “Të forcojmë disiplinën dhe të rrisim vigjilencën revolucionare”, “Të forcojmë më tej traditat luftarake të shkollës” etj. . Këtë vit, komisar shkolle u emërua shoku Agim Tepelena. Në qershor të vitit 1968, shkolla mori pjesë në dy aksione të rëndësishme. Një pjesë e saj vajti në Bizë për të kryer punime në ekonominë e NBU, ku brenda një kohe të shkurtër ajo mbolli një sipërfaqe të madhe me patate, kurse pjesa tjetër mori pjesë në korin e madh për nder të 25-vjetorit të krijimit të ushtrisë tonë popullore. Të dy këto aksione të rëndësishme shkolla i kreu me nder. Në gusht 1968, matura që mbaroi vitin 1967-1968, e inkuadruar në një batalion u nis për të marrë pjesë në aksionin kombëtar për hapjen e rrugës në Malësinë e Madhe. Ky ishte njëkohësisht dhe aksioni i parë kombëtar në të cilin merrte pjesë shkolla jonë. Ditët e para skënderbegasit u vendosën në sektorin e Dobrinjës. Vendi i punës qe i vështirë. Dy ditë fjetën jashtë deri sa u ngrit fushimi. Fushimi u ngrit me fletë çadre të cilat skënderbegasit i kishin marrë për t’u mbrojtur nga shiu. Që në fillim, fushimi mori pamje të rregullt dhe u dallua midis sektorëve të tjerë për estetikën, rregullin e pastërtinë. 

Përgatiti: Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf”
NESËR DO TË LEXONI:
-Viti 1968. Dalja nga Traktati i Varshavës, kalimi në gatishmëri dhe ndryshimet programore e strukturore në shkollën “Skënderbej”
-Mars 1970: Ceremonia madhështore e 25 vjetorit të shkollës “Skënderbej”. Dekorimi i shkollës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Kush janë mësuesit, komanduesit dhe skënderbegasit që u dekoruan në këët jubile.
– Situata në shkollë pas zbulimit të ‘Grupit armiqësor’ tëFadil Pacramit dhe Todi Lubonjës. Pasojat dhe masat që u morën.

Njoftim: Njoftohen të gjithë ish-skënderbegasit, ushtarakët dhe të interesuarit e tjerë se pas disa ditësh do bëhet në Tiranë promovimi i volumit të tretë të “Skënderbegasit ndër vite…”, aktivitet që bëhet rastin e 73-vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej” dhe që përfshihet në aktivitetet zyrtare që zhvillohen në kuadër të “Vitit të Skënderbeut-2018”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe në gazetë.
Sigal