Preng Cub Lleshi/ Mbi origjinën mirditore të Qyprilinjëve

255
Sigal

Dy vjet më parë shoqata “Mehmet Pashë Qypriliu” në qytetin e lashtë të Beratit promovoi librin “Dinastia e Qyprilinjëve në ish-Perandorinë Osmane”, i cili, siç e dëshmon edhe vetë titulli, i kushtohet familjes princore të Qyprilinjëve ose asaj që njihet edhe me emrin “Dinastia e Qyprilinjëve”. Dhe ishin mbledhur për ta realizuar këtë promovim shumë intelektualë beratas: Studiues të apasionuar në fushën e historisë së Shqipërisë, shkrimtarë, publicistë e dashamirës të studimeve historike. Një veprimtari e tillë, pothuaj, ishte projektuar qysh më 14.12.2008, kur në gazetën prestigjioze “Shqip” u botua shkrimi i gazetarit Fatos Baxhaku me titullin “Në Roshnik, në gjurmë të Qyprilinjëve”, në të cilin hidhej ideja se ajo që njihet në histori me emrin “Dinastia e Qyprilinjëve” e paska vendorigjinën e saj në Roshnik të Beratit, edhe pse për këtë çështje kishte edhe versione të tjera.

Duke u njohur me disa nga këto versione, veçanërisht me idenë e shkrimtarit Mihallaq Qilleri, që e kërkonte vendorigjinën e Qyprilinjëve në Libohovë të Gjirokastrës dhe me idenë e gazetarit Fatos Baxhaku, që e konsideronte Roshnikun e Beratit si vendorigjinën e Qyprilinjëve, unë pata parashtruar në një shkrim të botuar në gazetën “Republika” shkrimin “Elena Gjika për origjinën mirditore të Qyprilinjëve”.                                                                                                            Siç e dëshmon edhe titulli i këtij shkrimi, unë sillja në vëmendjen e historianëve dhe të dashamirësve të historisë tezën  e dijetares së madhe shqiptare Elena Gjika, shprehur në veprën e saj “Gratë në Lindje”, botuar në Zyrih në vitin 1859, sipas të cilës vendorigjina e Qyprilinjëve është Mirdita-tezë  që nuk u përfill dhe nuk u mor në konsideratë nga ca intelektualë të Beratit, të cilët, siç dëshmon edhe ky promovim, vazhdojnë të ngulin këmbë në idenë e tyre se Roshniku na qenka vendorigjina e Qyprilinjëve. Është kjo arsyeja që, në respekt të të vërtetave historike, duam t’u rikujtojmë mbështetësve të kësaj teze mendimin e dijetares së madhe – Elena Gjika, e cila në veprën e lartpërmendur, thotë: “Mirdita është vendi ku linden dy familje, njëra prej të cilave (Qyprilinjtë – shënimi im) ka luajtur një rol të madh në Turqi dhe tjetra në Moldavi-Vllahi (Rumani)”. “Nga Kyprili – vazhdon më tej ajo,- ka dalë një vezir i madh dhe katër breza ministrash janë dalluar (prej familjes apo prej fisit të Qyprilinjëve” (shënimi im). “Familja tjetër, ajo me emrin “Gjika”-e vijon mendimin dijetarja, është, gjithashtu, me origjinë nga Kypriliu Qyprili-shënimi im), ku lindi, në shekullin e 17-të, Gjergji i Parë, që hipi në fron në vitin 1658”. Nga këto pohime merret vesh se vendorigjina e familjes a e fisit të Qyprilinjëve nuk është as në Roshnik të Beratit, as në Libohovë të Gjirokastrës dhe as në ndonjë fshat të Përmetit, por vetëm në Mirditë! Për këtë dëshmonte, qysh më 1969, edhe studiuesi i talentuar gjirokastrit-Lefter Dilo, i cili, në një korrespondencë të kohës, shkruante: “Kyprilin Elena Gjika e përmend si fshat në Mirditë, prandaj do shikuar kjo”. Dhe, më tej vazhdon: “Me fjalë të tjera, ajo thotë se familja e Qyprilinjëve dhe e Gjikajve ishin prej Mirdite, si origjinë”.

Një dëshmi tjetër që vërteton se Qyprilinjët dhe Gjikajt e kishin vendorigjinën e tyre në Mirditë, është edhe fakti që përfaqësuesi i parë i këtij fisi, që përmendet në historiografinë turke, quhej Ahmet Pashë Dukagjini, i cili, siç dëshmojnë dokumentet historike, ka vdekur më 1517. Në këtë konkluzion arrihet kur mbahen parasysh dokumente historike, të cilat vërtetojnë se “Dukagjini i vërtetë” në shekujt XV-XVII “ishte Mirdita dhe lugina e Drinit”. Dhe ishin këta Dukagjinas, që u konvertuan në myslimanë, të cilët, si për t’u shpërblyer nga Perandoria turke, u lejuan të vendoseshin në Anadoll, duke marrë me vete herë emrin e krahinës-Dukagjin, herë emrin e fshatit të tyre-Kypril. Nga sa shihet, nuk vihet në diskutim roli historik i kësaj dinastie në historinë e Perandorisë turke dhe të Shqipërisë, por vetëm një element me rëndësi në këtë histori-vendorigjina e Qyprilinjëve dhe e Gjikajve, e cila, kurrsesi, nuk mund të jetë ajo që mendojnë disa intelektualë beratas, por Mirdita. Se është disi e habitshme, për të mos thënë qesharake, të dalë ndonjë intelektual a një dashamirës i historisë në ditët tona e të shtrojë pyetjen: “Ku është bazuar Elena Gjika që ka arritur në përfundimin se Mirdita është vendorigjina e Qyprilinjëve dhe se fisi i saj – Gjika, qenka me origjinë mirditore”. Se nuk është serioze të thotë një studiues se “nuk më bindin pohimet e Elena Gjikës”, siç shprehen disa intelektualë beratas. Se, jo thjeshtë intuita, por logjika e shëndoshë shkencore do ta çonte studiuesin në përfundimin se askush më mirë se Elena Gjika nuk mund ta njohë vendorigjinën e të parëve të saj, kur dihet se nuk kemi të bëjmë me një njeri të thjeshtë, por me një dijetare të madhe me famë botërore dhe me një atdhetare të flaktë. Duke mos e mbajtur parasysh këtë fakt, mbështetësit e idesë se “Roshniku është vendorigjina e Qyprilinjëve”, përpiqen të sjellin “argumente” për ta “provuar” këtë. Dhe i vetmi “argument” i tyre është citimi se “Vendlindja e Mehmet Pashë Qypriliut është Roshniku i Beratit”. Por një e dhënë e tillë nuk mund të shërbejë si argument, kur dihet se vend lindja e një individi, cilido qoftë ky, nuk dëshmon, njëkohësisht, edhe vendorigjinën e tij. Dhe kësaj i duhet shtuar e vërteta e njohur që shqiptarët, kudo ku kanë shkuar nëpër botë, janë përpjekur ta ruajnë me fanatizëm emrin e vendorigjinës së tyre. Për të mos u zgjatur me shembuj të shumtë, po sjellim vetëm tre raste: Papa Klementi XI ruajti si mbiemër trajtën Albani. Edhe inxhinieri i të parës hekurudhë të nëndheshme – Karl Gega – zgjodhi mbiemrin “Gega” për të shënjuar pikërisht vendorigjinën e tij diku në Gegëri. Kështu bënë edhe vëllezërit e lavdishëm “Frashëri”: Samiu, Abdyli dhe Naimi, siç bënë edhe bashkëkohësit dhe bashkëluftëtarët e Skënderbeut – vëllezërit Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli, të cilët e morën me vete emrin fshatit Gazull të Mirditës!

Dhe, pas këtyre shembujve, lind një pyetje: Po me Qyprilinjtë, ç’paska ndodhur?! Paskan marrë për mbiemër emrin e një qyteze në Anadoll – Qypri, ku paska lindur bashkëshortja e Mustafa Qypriliut?! – siç thonë mbështetësit e tezës se “Roshniku ështe vendorigjina e Qyprilinjve. Se, me sa dimë, nuk ka ndodhur që ndonjë shqiptar të marrë për mbiemër emrin e vendlindjes së bashkëshortes së tij!

Por këtu lind edhe një pyetje tjetër: Po përpara se të vinin në Anadoll, çfarë mbiemri mbante Mehmet Pashë Qypriliu? Çfarë mbiemri mbante fisi i tij? Dhe ec e mos i beso pastaj dijetares së madhe Elena Gjika, e cila na e thotë shkoqur se Qyprilinjtë e morën me vete, si mbiemër, emrin e vendlindjes së tyre. Se ata nuk mund të zgjidhnin për mbiemër emrin e një qyteze turke, ku paska lindur bashkëshortja e Mehmet Pashë Qypriliut! Për këtë të vërtetë, si pa dashur, flet edhe një nga mbrojtësit e “tezës” se “Qyprilinjët rrjedhin nga Roshniku i Beratit”, kur pohon se “Pesë Vezira të Mëdhenj kanë qenë prej familjes së Qyprilinjëve”, ku, si Vezir i parë i Madh, renditet Ahmet Pashë Dukagjini”. Dhe a nuk e rrëzon, qoftë edhe ky pohim, “tezën” e mësipërme të ca intelektualëve beratas?! Por goditjen përfundimtare “tezës” që i nxjerr Qyprilinjtë me origjinë nga Roshniku i Beratit, duket se ia jep pohimi i Rilindësit të madh-Pashko Vasa (po nga Mirdita-shënimi im), i cili, në veprën “Shqipëri dhe shqiptarët”, f. 99, shkruante: “Shqipëria, Perandorisë Osmane i ka dhënë më të mirët veriorë të mëdhenj dhe gjeneralët më trima: Qyprili Mehmet Pashë, Fazlli Ahmet Pasha, Lutfi Pasha, Sinan Pasha, Mustafa Pasha dhe kaq burra shteti e gjeneralë me vlerë të jashtëzakonshme”. Dhe, pas këtyre pohimeve lapidare, mbetet t`u themi mbështetësve të “tezës” se “Roshniku është vendorigjina e Qyprilinjëve”: “Jo, zotërinj profesorë! Qyprilinjtë janë, në origjinë, mirditorë. Se Mirdita njihej si “Dukagjini i vërtetë” në shekujt XV-XVII; prandaj edhe pasardhësit e atyre që e quajnë vetën fis me Qyprilinjtë, vendorigjinën e tyre duhet ta kërkojnë në Mirditë. Se këndej e kanë origjinën ata burra të lavdishëm, të cilët dijetarja e madhe Elena Gjika, i quante “bij të Shqipërisë së pamposhtur”! Dhe, përpara pohimeve të tilla, që na vijnë nga personalitete të shquara të historisë e të kulturës shqiptare në shekuj, duhet të heshtin ata që duan ta rishkruajnë historinë tonë kombëtare në prizmin e interesave të ngushtë e meskinë!