Preng Cub Lleshi/ Heronj si Bardhok Biba s’vdesin kurrë!

1166
Sigal

Homazh me rastin e 65-vjetorit të rënies të simbolit të Mirditës. Luftëtari që hapi 50 shkolla fillore

 Duke pohuar një të vërtetë historike, pothuaj, për të gjitha familjet princore të malësive të Veriut, një gazetar i ditëve tona, larg pohimeve “in extremis”, shkruante se “nga dera e Gjomarkajve të Mirditës kanë dalë edhe çobanë, edhe kapidanë”. Dhe, cilido që thellohet në këtë pohim, e kupton se këtu nuk kemi të bëjmë me një gjykim bardh e zi, por me një vështrim dialektik të të vërtetave historike, duke i dhënë Çezarit “atë që i takon Çezarit”, duke mbajtur parasysh se nuk mund të lindte vetëm kapedanë qoftë edhe një derë princore.

  Se, pas Preng Markolës “si ylldrite”, siç e cilësonte poeti Gjergj Fishta përfaqësuesin e Mirditës në Lidhjen e Prizrenit, do të vinin babë bir: Bib Dod Pasha dhe Preng Bib Doda, që, falë trimërisë së mirditorëve, shpirtit të tyre liridashës, duke flirtuar disi me Portën e Lartë, bënë diçka që krahina e Mirditës të mos i nënshtrohej Perandorisë Turke, që mirditorët të ruanin doket e zakonet dhe, mbi të gjitha, të mos merrnin fenë e pushtuesit, por të ruanin besimin katolik midis atyre maleve ku kishin jetuar në shekuj të parët e tyre.

     Por, në qoftë se këto figura, me dritëhijet e tyre, ishin, në një farë mënyre, kapedanë të kësaj treve të panënshtruar në shekullin e 19-të, pasardhësit e tyre, që u lidhën në fillim të shekullit tonë me serbët e pastaj edhe me italianët e me gjermanët, më momentin kyç të historisë së Shqipërisë, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të gëzonin emrin e mirë të të parëve të tyre. Ndaj vendi i nderit në pemën gjenealogjike të Gjomarkajve në shekullin njëzet do t`i mbetej birit më të dashur e më të lavdishëm të Mirditës-Bardhok Bibës, që u bë i tillë duke u hedhur që në rininë e tij, në një front nderi-në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar!

Ishin kushtet historike që e bënë Bardhok Bibën të simpatizonte idetë më progresive të kohës-idetë komuniste. Ishin varfëria dhe mjerimi, shtypja dhe shfrytëzimi në kohën e regjimit të Zogut që e bëri atë kundërshtar të errësirës së thellë që kishte pllakosur jo vetëm Mirditën, por gjithë Shqipërinë. Se, siç thoshte poeti francez Pol Elyar, “Është uria që e bën njeriun të përpiqet të mos ketë më uri; është lufta ajo që e bën të dënojë vrasjen. Edhe padrejtësia ndez zjarrin e drejtësisë”.

Internimi i të jatit, Bib Markut në Siçili, skamja, padituria, vëllavrasja, që ishin prezente kudo në Mirditën e atyre viteve dhe, ca më tepër, pushtimi fashist Italian në vitin 1939, formuam tek djaloshi Bardhok Biba profilin e një luftëtari të flaktë për progres, profilin e antifashistit zemërzjarrtë. Ky profil bëhet më i plotë në vitet kur vazhdoi mësimet në Gjimnazin e Shkodrës, ku njihet me shokët e shtrenjtë të idealit: Qemal Stafën, Nazmi Rushitin, Naim Gjylbegun, Tomë Kolën, Emin Durakun, Hajdar Dushin e të tjerë, që ishin dhe mbetën “yje të pashuar” në nënqiellin shqiptar!

Për veprimtarinë e tij antifashiste në gjimnazin e Shkodrës, bashkëpunëtorët e fashizmit e burgosën për pak kohë këtë djalë trim të bjeshkëve e, fill pas kësaj, në shkurt të vitit 1940, e përjashtojnë nga shkolla dhe, të shoqëruar me xhandarë, e nisën për në Orosh, për ta mënjanuar nga lufta antifashistin e ri. Por, nuk kishte kafaz që t`i mbante të ndryra hovet shpirtërore të luftëtarit për liri e drejtësi shoqërore, për demokraci e përparim të pandalshëm! Ai ishte një zgalem që do të ngrihej me guxim “mbi të thinjurin shesh të detit”, drejt diellit të lirisë!

 Dhe kur mendojmë se Bardhok Bibës i takoi merita dhe nderi të sillte i pari në Mirditë THIRRJEN e madhe të PKSH: “Çdo bir i këtij vendi të jetë ushtar i Luftës Nacionalçlirimtare”, kemi të drejtë ta quajmë atë, me gjuhën e figurshme të Fan Nolit, “maratonomaku” ynë! Ca më shumë, kur kujtojmë se sa shumë punoi Bardhoku për t`i bashkuar njerëzit në luftë kundër fashizmit, pa dallim feje, krahine e ideje, bindesh se ai ishte vërtetë një “maratonomak”  maratonomak i një kohe të stuhishme, i cili besonte se “I vogli shtrin viganin? dhe i munduri tiranin”!

Duke besuar në logjikën e këtyre vargjeve, pasi ishte bërë i njohur si luftëtar i guximshëm kundër fashizmit në gjithë krahinën e Mirditës, në qershor të vitit 1943, Bardhok Biba hidhet me armë në dorë kundër pushtuesve, duke u inkuadruar në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Dhe ngarkohet në këto formacione me detyra të ndryshme: Në fillim “komisar politik” në njësitin e Bregut të Bunës në Shkodër dhe, më vonë, në njësitin partizan të Dukagjinit, i cili ishte inkuadruar në batalionin “Perlat Rexhepi”, ndërsa në nëntor të vitit 1943, emërohet “komisar” i Çetës “Pukë-Mirditë”.

Dhe populli i Mirditës e ndoqi pas birin e tij të dashur edhe pas fitores së madhe mbi pushtuesit gjermanë dhe veglat e tyre ballisto-zogiste më 29 nëntor 1944, atëherë kur fytyrat e mirditorëve i përkëdhelte në gjysmerrësirë vetëm drita e pishës dhe e kandilit, atëherë kur vetëm 3% e popullsisë siguronte bukën e vitit, kur 95% e mirditorëve ishin analfabetë e në Mirditë, për turpin e regjimeve të mëparshme antipopullore, kishte vetëm katër shkolla fillore me 170 nxënës e asnjë institucion shëndetësor.

Bardhok Bibën e ndoqën pas mirditorët në përpjekjet e tij për përballimin e situatave të vështira që u krijuan fill pas fitores historike, në përpjekjet për forcimin e pushtetit popullor dhe shërimin e plagëve që pat lënë lufta. Bardhokun e ndoqën pas mirditorët edhe kur, bashkë me Ndrecë Ndue Gjokën, hapën në Mirditë 50 shkolla fillore për të arsimuar djemtë dhe vajzat e këtyre anëve. I ndoqën pas këta dy luftëtarë antifashistë edhe kur këta të dy, për të shuar plagën e vjetër të gjakmarrjes, dhanë shembullin e madh: Falën, për hir të vëllazërimit, gjakun e njerëzve të tyre më të dashur!

Në këtë mënyrë, siç e thoshte edhe një këngë popullore e kohës, Bardhok Biba “e çoi dritën andej nga kreshtat”, duke punuar me guxim e pjekuri në organet e ndryshme të pushtetit të ri popullor, veçanërisht, kur ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe pastaj  Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit Mirditë e Deputet i Kuvendit Popullor, në vitet 1947-1949, duke fituar gjithnjë e më shumë dashurinë dhe respektin e mirditorëve!

     Por e gjithë kjo veprimtari revolucionare këtij militant të shquar komunist, nuk u pëlqente mbeturinave të bashkëpunëtorëve të fashizmit të grumbulluara në organizatën terroriste “Komiteti i Maleve”. Ato, me kohë, kishin bërë plane për ta vrarë këtë luftëtar sypatrembur.  Dhe ky plan i zi do të “zbatohej” më 7 gusht të vitit 1949, kur mbeturinat e fashizmit, që endeshin si bisha nëpër malet e Mirditës, i zënë pritë Bardhok Bibës dhe e qëllojnë për vdekje në Qafë Valmiri, duke i lënë pikëllim zemrat e mirditorëve të ndershëm të asaj kohe!

     Dhe pasuesit e atyre që e vranë atë 7 gusht të zi, edhe hiqeshin si “luftëtarë për demokraci”, e rivranë Bardhok Bibën pas viteve nëntëdhjetë: Ia rrëzuan bustin që e përjetësonte këtë Hero të Popullit ia hoqën emrin e tij edhe nga fasada e gjimnazit të qytetit Rrëshen për ta shuar kujtimin e tij. Por, si kameleonë, sajuan edhe gënjeshtrën e madhe: “Bardhok Bibën e vrau Enver Hoxha, siç ka vrarë gjithë ata shokë të tij”, se, sipas tyre, “Bardhok Biba nuk ishte komunist, por demokrat”.(?!)

     Veçse gënjeshtra, siç thotë populli, i ka këmbët ë shkurtra. Ndaj u doli boja këtyre gënjeshtrave të disa pseudo-historianëve të stisur, kur vetë i kushëriri i Bardhok Bibës-Ndue Pjetër Gjomarku deklaroi se me urdhër të Komitetit të Maleve, që drejtohej prej tij, ishte vrarë Bardhok Biba. Këtë të vërtetë na e zbulon edhe Ndue Mëlyshi në librin e tij “Jeta e malit”, ku shkruhet: “Sipas dëshirës së kushëririt të tij, Ndue Pjetër Gjomarkaj, i cili përgatiti një “Letër Dënimi”,…dhe ua dha dy luftëtarëve, që dolën vullnetarisht në prita, sa me i dhanë dy plumba Bardhok Bibës dhe me e lanë të vdekun”. (f. 8)

     Por, me sa duket, kishte të drejtë një filozof grek kur thoshte: “Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur harrohet”. Se heronjtë si Bardhok Biba nuk vdesin, derisa kujtimi i tyre shtegton në breza, derisa kujtimi i tyre shtegton në këngë. Prandaj mirditorët janë betuar në këngën e tyre të zemrës:

“Sa t`jetë shekulli, sa t`jetë dita,

Kurrë s`harrohet Bardhok Biba!

Bardhok Biba nuk ka vdekë:

Në mes tonë do t`jetë përjetë”.