Prefektura i rikthehet “Kasabasë”, qytetit të vjetër të Korçës, pas 80 vitesh

1627
Sigal

Ish-ministri i Brendshëm Et’hem Toto, konflikti u shkaktua për interesa personale

Ja si dështuan përpjekjet për përçarje mes banorëve të qytetit të Korçës

KORÇË- Më në fund Institucioni i Prefektit do të shpërngulet nga aty ku gjendet sot dhe do të vendoset sërish te godina e tij e hershme, e cila u ndërtua posaçërisht për këtë qëllim, (për prefekturë), rreth 80 vjet më parë. (Aktualisht në këtë godinë ushtron aktivitetin e saj bashka e qytetit). Në këtë ndërtesë madhështore, me një shtrirje tejet të madhe dhe më një numër shumë të madh zyrash, përveç Prefekturës do të vendoset edhe Këshilli i Qarkut Korçë. Vendimi është marrë nga Këshilli i Bashkisë, ndërsa për gazetën “Telegraf”, lajmi në fjalë u konfirmua nga zyra e marrëdhënieve me publikun dhe mediat, kryesuar nga Larisa Katundi. Tashmë pritet vetëm largimi i Bashkisë, e cila do të sistemohet te dy ndërtesa të tjera, te biblioteka “Thimi Mitko” dhe qendra kulturore “Vangjush Mio”, të cilat do të lidhen mes tyre përmes një ure që do të ndërtohet enkas për këtë qëllim. Ç’do të bëhet me “Thimi Mitkon” dhe “Vangjush Mion”? Këto dy institucione, sipas Larisa Katundit, do të krijojnë një qendër të madhe kulturore, pasi do t’u vihet në dispozicion godina ku sot gjendet edhe Prefektura, edhe Këshilli i Qarkut. Lajmi tashmë është bërë i njohur për të gjithë banorët e qytetit të Korçës. Për shumë prej tyre, kjo është zgjidhja më e mirë që po i bëhet qytetit të Korçës, pasi historia e “Kasabasë” nuk mund të kuptohet pa godinën e Prefekturës.

Ndërtesa e Prefekturës

Godina e Prefekturës u ndërtua në lagjet e “Kasabasë”, ose e thënë më ndryshe, në qytetin e vjetër të Korçës. Themelet e ndërtesës u hodhën në vitin 1936, pikërisht në atë vend ku kishin qenë edhe më parë ndërtesat më të hershme qeveritare të kohës. (Korça u bë nënprefekturë (kajmekanllëk) në vitin 1827, kurse Prefekturë në vitin 1870, e cila pati në varësi të saj, nënprefekturat Kostur, Bilishtit dhe Kolonjë). Pikërisht mbi këtë vend kishin qenë të ndërtuara edhe godinat e administratës së themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, ndërsa më pas edhe ato të pasardhësve të tij, të Mytevelinjve, të cilët i kishin nën administrim të dy pjesët; “Kasabanë”, ose qytetin e Korçës, dhe fshatin Peskëpi ku jetonin ortodoksët. Edhe qeveria shqiptare e vitit 1936, pati si qëllim ruajtjen e identitetit të qytetit me qëllim që Korça të tregonte realisht vijueshmërinë e vet që nga dita e themelimit të saj më 1486, kur Iljaz bej Mirahori vuri gurin e parë në themelet e xhamisë. Megjithatë ndërtimi i Prefekturës në vitin 1936 nuk ishte dhe aq i lehtë, sa mund të mendohet. Agjentë të Athinës përpiqeshin ta pengonin ndërtimin e saj në lagjet e “Kasabasë” për të krijuar konflikte mes banorëve. Ngjarja që do t’u rrëfejmë më poshtë sjell gjithë detajet e kësaj tentative që mbeti e dështuar, por edhe e dokumentuar njëkohësisht.

Ngritja e vështirë e godinës

Në të vërtetë ideja për ngritjen e një godine qeveritare madhështore të bukur dhe elegante në lagjet e “Kasabasë” ishte hedhur që nga koha kur francezët u larguan dhe Korça iu bashkua Qeverisë së Tiranës, por duket se në atë kohë ndërtimi i saj ishte i pamundur. Ndërtimi i godinës herë pengohej nga mungesa e fondeve, (sepse qeveria ishte ende e dobët) dhe herë nga grekomanët, të cilët bashkë me priftërinjtë përpiqeshin të përhapnin tymnajën e frikshme: “Mos u nxitoni… Korça do t’i mbetet Greqisë… Kufijtë e saj ende nuk janë përcaktuar… Mjerë ai që del kundër…”  Të njëjtën politikë ndiqte edhe Dhespoti i Korçës, Jakovi. Megjithatë dëshira e Korçës për të pasur një ndërtesë madhështore, “pallat” siç e quanin banorët, nuk u shua asnjëherë. Ndërtimin e saj e prisnin me një padurim të dukshëm. Ishin gati të thërrisnin me zë të lartë: Tani kemi qeverinë tonë!.. Do të ngrehim institucionet tona…  Ishin të sigurt se një ditë do ta përzinin nga Korça edhe dhespot Jakovin. Përpjekjet për ngritjen e godinës i gjejmë herë pas here edhe në faqet e shtypit të kohës: Ja çfarë thuhet në një rast të tillë “Këshilla administrative vendosi që të ngrihet një ndërtesë e madhe ku të përmblidhen të gjitha zyrat qeveritare. Por, me qenë se për ndërtimin e kësaj, arka publike jep vetëm 93.000 franga ar, dhe se për të mbushur shumën duhet të formojë një komision për të mbledhur të holla nëpër popull. Ndërtesa do të ngrihet përsëri në atë vend ku ishte hyqymeti i vjetër në kohën e Turqisë. (Posta e Korçës, 6 shtator 1921) Megjithatë, ngritja e ndërtesës nuk u bë e mundur, por shtypi i kohës na tregon se përpjekjet për ndërtimin e saj nuk reshtën kurrë. Edhe 4 vjet më vonë lajmet vazhdonin të ishin pothuajse të njëjta:  “Prej burimi të sigurt lajmërohemi se për së shpejti qeveria do të ndërtojë një godinë qeveritare në qytetin tonë, në vendin  ku ka qenë më parë. Për këtë qëllim do të formohet një komision nën kryesinë e prefektit. Për së shpejti do të thirren pleqësitë e katundeve të prefekturës për të gatitur listën e ndihmave dhe materialet që mund t’i dhurohen qeverisë (Zëri i Korçës, e martë 4 gusht 1925).

Viti 1936

Kaluan vite dhe përsëri ngritja e ndërtesës mbeti si një ëndërr e parealizuar. Keqardhja ndihej te çdo banor i qytetit të Korçës. Si ishte e mundur që një qytet me kaq emër të mos kishte ndërtesa dhe zyra ku qeveria të priste popullin e vet! Fundja vetë do t’i paguanin lekët nga xhepi i tyre, por godina duhej të ngrihej. Një qytet që nuk ka ndërtesa të denja qeveritare është i mbuluar nga turpi. Edhe sa vite të tjera do të kalonin kështu? Të vetmit që e shihnin me kënaqësi të veçantë mungesën e godinës qeveritare ishin vetëm ata pak grekomanë që gjendeshin në qytetin e Korçës dhe që ende nuk e kishin marrë vesh që Korça kishte qenë e do të mbetej Shqipëri. Ende besonin se kufijtë e Korçës nuk ishin përcaktuar. Ndoshta ata ëndërronin që ajo ndërtesë të mos ngrihej kurrë. Por më në fund, kishte mbërritur ora e ndërtimit të saj. Ishte viti 1936. Lajmi që u përhap ishte ky: “Me iniciativën e prefektit z. Ismet Kryeziu, pardje u bë një mbledhje e gjerë  për çështjen e ngritjes së godinës qeveritare në këtë qytet. Pas shpjegimeve që dha zoti prefekt mbi dobinë e madhe të kësaj vepre, për të cilën ka siguruar edhe një shumë të hollash nga shteti, mbledhja pranoi me duartrokitje propozimin e zotit prefekt dhe u formua një komision për të mbledhur ndihma. Në fushatën e ndihmave do të marrë pjesë i tërë qarku. Iniciativa e zotit prefekt meriton tërë lavdërimet se ndërtimi i një godine qeveritare ku të përmblidhen të gjitha zyrat është një lehtësi e madhe për popullin dhe më anën tjetër edhe qyteti do të zbukurohet me një godinë madhështore. Prandaj jemi të sigurt se populli nuk do të kursejë ndihmat, por me kënaqësi do të përgjigjet për ngritjen e godinës qeveritare”. (Gazeta e Korçës, 9 janar 1936).

Ndihma edhe zyrtarët

Fill pas mbledhjes së parë të prefektit Ismet Kryeziu, u duk qartë se të gjithë kishin qenë të gatshëm të ndihmonin me sa mundeshin për ngritjen e godinës qeveritare. Mënjanë nuk mbetën as nëpunësit e prefekturës së qarkut Korçë. Prefekti Kryeziu thirri në një mbledhje tjetër gjithë kryetarët e zyrave. Ngritja e godinës nuk duhej vonuar më. Gjithkush duhej të jepte ndihmesën e vet. Entuziazmi ishte i madh. Shtypi nisi të përcillte gjithçka që flitej dhe thuhej për ngritjen e ndërtesës qeveritare: “Në prefekturë u mbajt dje një mbledhje prej komisionit për ngritjen e godinës qeveritare duke marrë pjesë gjithë kryetarët e zyrave. Në këtë mbledhje u propozua që ndihmat përkatëse për ngritjen e godinës qeveritare të marrin pjesë edhe nëpunësit. Ky propozim i arsyeshëm u prit me kënaqësi prej gjithë kryetarëve të zyrave, të cilët u autorizuan të paraqitin listat e ndihmave që do të ofrojnë me dëshirë të gjithë nëpunësit inferiorë. Duke u marrë parasysh numrin e madh të nëpunësve të kësaj prefekture, ndihma e përbashkët e tyre do të kapë një shumë të konsiderueshme të hollash, gjë e cila do të lehtësonjë mjaft ngritjen e godinës në fjalë dhe për këtë gjest nëpunësit meritojnë lavdërime të mëdha…” (Gazeta e Korçës, e premte 24 janar 1936)

Pse në Kasaba?!

Ashtu siç ishte thënë që në krye të herës, godina do të ndërtohej në lagjet e “Kasabasë”, (Korçës), dhe u vendos të ndërtohej atje. Lajmi la të hutuar e të zhgënjyer jo vetëm grekomanët, por edhe ata që nuk e shikonin me sy të mirë bashkëjetesën fetare. Zëri i priftit grek, ende fliste në shpirtin e tyre: “Asnjë bashkëpunim me myslimanët, asnjë vëllazërim me ta…”. “Pse godina qeveritare të ndërtohet në lagjet e myslimanëve?- ishte pyetja e tyre. Në të vërtetë, pikërisht në këtë kohë, në lagjet e ortodoksëve ishte duke u ndërtuar godina e Bashkisë, por “kjo dorë” njerëzish dëshironte me çdo kusht që në “Kasaba”, (në qytetin real të Korçës), të mos ngrihej asnjë ndërtesë qeveritare. Të gjitha duhej të ndërtoheshin vetëm aty kur dikur shtrihej fshati Peskëpi. Harronin që ai fshat iu bashkua realisht Korçës katër shekuj më vonë, nga dita e themelimit (1486), vetëm në vitin 1905, kur Peskëpia u bë pjesë e pazarit të vjetër. Gjithë pretendimet e tyre i justifikonin nën pretekstin se godina duhej të ndërtohej në qendër të qytetit. Po kë quanin qendër ata? Në qendër kalonte vetëm lumi i Mborjes që ndante Korçën nga Peskëpia! E vërteta ishte vetëm një:  ky grusht njerëzish ende fliste me gjuhën e dhespot Jakovit, të cilin qeveria e Pandeli Evangjeli e kishte përzënë nga Shqipëria me kohë. Si mundej që këta njerëz të kishin mbetur ende peng të propagandës së tij?

Përpjekje për përçarje

Gjithsesi, ata pothuajse  ia arritën t’ia dalin mbanë. Hartuan një listë me mjaft emra, ku i kërkonin Odës së Tregtisë që të ndërhynte e të mos lejonte ndërtimin e godinës qeveritare në “Kasaba”. Gazetat e Korçës që ndiqnin me vëmendje gjithçka ndodhte me godinën e Prefekturës, e sollën edhe këtë lajm: “Odës së Tregtisë iu paraqit një shkresë me shumë nënshkrime prej tregtarëve të qytetit, të cilët kërkojnë prej asaj Ode, që të intervenojnë pranë komisionit për ngritjen e godinës qeveritare, që kjo të mos ngrihet atje ku është vendosur, por në vendin ngjitur me Bankën Kombëtare, pasi ky vend është në qendër dhe më i përshtatshëm. (Gazeta e Korçës, e premte 24 janar 1936). Përpjekjet për përçarje kishin filluar. Lajmi i përhapur la të irrituar banorët e lagjeve të “Kasabasë”. Konflikti mund të merrte përmasa edhe më të mëdha. Komisioni për ngritjen e godinës qeveritare, u ktheu përgjigje nënshkruesve që atë ditë:  “Pas lutjes së tregtarëve të ndryshëm të qytetit, të cilët kërkuan që godina qeveritare të ngrihet në vendin pranë Bankës Kombëtare, komisioni përkatës për ngritjen e godinës vendosi që vendin e posaçëm ku do të ngrihet kjo godinë ta caktojë qeveria, pasi komisioni vetë është inkompetent” (Gazeta e Korçës, e shtunë 25 janar 1936). Caktimi i vendit iu la në dorë qeverisë me qëllim që atyre që dëshironin përçarjen të mos u lihej mundësia e manipulimit. Edhe qeveria u tregua mjaft e shpejtë në kthimin e përgjigjes së saj.

Përgjigjja e qeverisë

Përgjigjja e qeverisë mbërriti tre ditë më pas. Nuk analizonte asgjë nga ato që kërkonin nënshkruesit e letrës, madje i shpërfillte. Duket se Ministria e Brendshme kishte gjithë informacionin e nevojshëm. Në shkresën e saj qeveria shprehte miratimin e saj që godina qeveritare të ndërtohej aty ku ishte caktuar dhe vlerësonte pozitivisht punën e bërë nga prefekti Ismet Kryeziu. Për të mos lënë asnjë shpresë tjetër se mund të ndryshohej vendi i caktuar i godinës, qeveria bënte të ditur se tashmë do të caktonte edhe arkitektin. Te  “Gazeta e Korçës”  gjetëm këtë informacion, ku bëhet e ditur mbërritja e përgjigjes nga qeveria: “Ministria e Punëve të Brendshme i dërgoi Prefekturës këtë shkresë: “Kjo Ministri aktivitetin e titullarit t’ asaj Prefekture e çmon dhe ka besim se me kujdesin e tij godina qeveritare në Korçë do të fillohet të kryhet. Që të mos shpenzohemi me sjelljen e një arkitekti nga jashtë, po i shkruajmë Ministrisë së Punëve Botore që të urdhërojë një inxhinier arkitekt që të vijë në Korçë dhe të përgatitë planin e projektit me preventiv të pallatit qeveritar për t’u ngrehur. Mbi çdo hap përparimi që do të bëni në mbledhje ndihmash në të holla dhe në materiale, lutemi të na vini në korrent” (Gazeta e Korçës, 28 janar 1936).

Ndihmat e banorëve

Ndihmat që po jepeshin për ngritjen e Godinës qeveritare ishin të shumta. Ra në sy gjithashtu se tregtarët e “Kasabasë” po jepnin shuma të mëdha në franga ari. Po renditim vetëm disa prej tyre: Selim Mborja 1000, Rexhep Merdani 500, Ismail Haki Deveja 500, Muhamet Zavalani 400, Bexhet Frashëri 400, Sali dhe Rexhep Qeska 400, Adem Vila 300, Afëz Xhafer 300, Muhamer Abidin Liço 300, Shefqet Abidin tuxhari  240, Vëll. Baçe Mborja 200, Faik Dishnica 200, Tefik Panariti 200,  Qazim Frashëri 200, Tefik Mborja 200, Qani Sulejman 200, Maliq Frashëri 200, Hysen Nikolica 200, Qamil Qyteza 200, 120, Shaban Plasa 200. Listën e plotë të dhuruesve do ta japim në fund të këtij shkrimi. Ndërkohë prefektit Ismet Kryeziu nisën t’i vinin letra edhe nga Amerika. Të paktën kështu shkruanin gazetat: “Prefektit, z. Ismet Kryeziu filluan t’i vinë nga Amerika letra nga shqiptarët e atjeshëm duke falënderuar për iniciativën e bukur që mori për ngritjen e godinës qeveritare dhe më anë tjetër e lajmërojnë se do të hapet atje një fushatë ndihmash. (Gazeta e Korçës, 22 shkurt 1936).  Ndihma të shumta erdhën edhe nga fshatrat e gjithë krahinës: Melçani dhuroi 140 franga ari, Biranj 180, Vinçani 431, Dvoran 358, Voskop 925, Pendavinj 233, Nizhavec 164, Kreshpanj 79, Plasë 387, Zëmblak 854, Podgorie 424, Pojan 1234,  Zvezdë 700, dhuruan edhe 15.000 ok gërqele, Pirg 161, Libonik 147, Çaushli 160, Kolanec 189, Sovjan 124, Zvirinë 48. Bickë 57, Senishtë 43, Plovisht 35.50, Leminot 38, Symizë 26, Gocë 17.80 franga ari, etj. Shtypi e përshkruante kështu këtë situatë: “Komisioni i posaçëm për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e godinës qeveritare po vazhdon punën me aktivitet. Përditë janë duke u mbledhur ndihma të reja në të holla, kështu që tani projekti i ngritjes së godinës qeveritare po i afrohet realizimit. Nga ana tjetër po mblidhen ndihma të tjera materiale në lëndë të ndryshme që kanë premtuar të japin katundet e ndryshme të qarkut. Katundi Mborje, i cili ka premtuar 1500 rraba gurë, ka sjellë gjer tani 500 rraba. Për së shpejti do të fillojnë dhe katundet e tjera të sjellin ndihmat e tyre materiale si gëlqere, qereste druri etj (Gazeta e Korçës, e martë 10 mars 1936). Për herë të parë, iniciuesit e përpjekjeve për përçarje kuptuan se ajo kohë kishte vdekur.

Hidhen themelet e godinës qeveritare

Më në fund mbërriti edhe dita kur në themelet e godinës qeveritare do të vendosej guri i parë. Pas kësaj ceremonie, ndërtesa do të niste të hidhte shtat nga dita në ditë. Do të ishte ndërtesa më e madhe e qytetit të Korçës. Gazeta e Korçës, si gjithnjë, e bëri të njohur edhe këtë lajm:: Të hënën më 10 gusht 1936, në orën 9 paradreke bëhet ceremonia për hedhjen e gurit të parë dhe fillesa nga puna në ndërtesën e re qeveritare pranë lulishtes “Senije Zogu”. Në këtë orë janë të lutur të gjithë autoritetet e popullit të marrin pjesë në këtë inaugurim që do të ketë shkëlqim të posaçëm”. (Gazeta e Korçës, e shtunë, 8 gusht 1936). Ndërtesa qeveritare do të ishte me 2 kate dhe 85 dhoma dhe me një pjesë qilarësh. Ishte përsëri “Gazeta e Korçës” që solli të përshkruar edhe ceremoninë e nisjes nga ndërtimi të godinës: “Me ceremoni të posaçme u bë sot në mëngjes hedhja e gurit të parë të  themeleve të godinës qeveritare, që do të  ngrihet në këtë qytet dhe që do të  përmbledhë të gjitha zyrat qeveritare. Nga kryeqyteti kishte ardhur apostafat shkëlqesia e tij, ministri i Punëve të Brendshme, z. Et’hem Toto me zonjën dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Ing. Qemal Butka, i cili ka përgatitur dhe planin e ndërtesës madhështore. Prefekti Mark Kodheli mbajti  një fjalim të rastit mbi rëndësinë e ngritjes së ndërtesës qeveritare dhe duke falënderuar, kujtoi të gjashtë dëshmorët, të cilët në vitin 1911 lanë jetën e tyre në atë vend ku sot po ngrihet godina. Përmendi edhe ish-prefektin z. Ismet Kryeziu, i cili mori iniciativën e ngritjes së godinës. Fjalimi i z. prefekt u  mbulua me brohoritje për L. M. T. Mbretin Zog…” (Gazeta e Korçës, e martë, 11 gusht 1936)

Et’hem Toto, shumë fjalë për këtë ndërtesë, por për qëllime personale…

“Pastaj e mori fjalën shkëlqesi e tij, ministri z. Toto, shkruan “Gazeta e Korçës”, i cili shfaqi kënaqësinë e tij të madhe për hedhjen e gurit të parë të themeleve të kësaj ndërtese madhështore në qytetin më të bukur të Shqipërisë. Për këtë vend, shtoi z. ministër u bënë shumë fjalë, porse ato kanë pasur qëllime personale. Korça, e cila ka dhënë gjithnjë shembull atdhetarie dhe që në vija të përgjithshme përparimi e zhvillimi qëndron më lart nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë, nuk duhet të ketë parasysh interesat individuale, porse të mejtojnë gjithnjë për të mirën e kolektvitetit. Është koha që të gjithë shqiptarët të mejtojnë shqiptarisht”. (Të mendojnë shqiptarisht, kishte theksuar ministri). “Dhe pasi foli edhe mbi rëndësinë e ndërtesës, shkëlqesia e tij e mbylli fjalimin duke brohoritur për L. M. T. Mbretin dhe për popullin e Korçës. Pastaj z. Toto vuri gurin e parë të themeleve dhe ceremonia mori fund, duke u drejtuar të gjithë në qoshkun e kopshtit “Senije Zogu”, ku ishte përgatitur bufeja e pasur me birra e meze të zgjedhura. Në kohën e ceremonisë asistuan në vend konsujt e huaj, autoritetet civile e ushtarake dhe gjithë nëpunësit e ndryshëm dhe një shumicë populli. (Gazeta e Korçës, e martë, 11 gusht 1936)

Pas 80 vitesh

Më në fund Institucioni i Prefektit do të shpërngulet nga aty ku gjendet sot dhe do të vendoset sërish te godina e tij e hershme, e cila u ndërtua posaçërisht për këtë qëllim, (për prefekturë), rreth 80 vjet më parë. (Aktualisht në këtë godinë ushtron aktivitetin e saj bashka e qytetit)  Në këtë ndërtesë madhështore, me një shtrirje tejet të madhe dhe më një numër shumë të madh zyrash, përveç Prefekturës do të vendoset edhe Këshilli i Qarkut Korçë. Vendimi është marrë nga Këshilli i Bashkisë, ndërsa për gazetën “Telegraf”, lajmi në fjalë u konfirmua nga zyra e marrëdhënieve me publikun dhe mediat, kryesuar nga Larisa Katundi.

Vepror Hasani

 

EMRAT E DHURUESVE NGA 100 FRANGA ARI E LART

Selim Mborja 1000
Rexhep Merdani 500
Ismail Haki Deveja 500
Muhamet Zavalani 400
Bexhet Frashëri 400
Sali dhe rexhep Qeska 400
Adem Vila 300
Kristaq Kosturi 300
Afëz Xhafer 300
Muhamer Abidin Liço 300
Shefqet Abidin tuxhari 240
Vëll. Baçe Mborja 200
Faik Dishnica 200
Tefik Panariti 200
Qazim frashëri 200
Tefik Mborja 200
Qani Sulejman 200
Maliq frashëri 200
Hysen Nikolica 200
Qamil Qyteza 200
Hysen refit Dvorani 120
Shaban Plasa 200
Kasëm Sakolli dhe shoku 150
Emin Menkulasi 150
Elmas Ahmet 150
Hysen iljaz Kole 150
Musa Hoshi 150
Mehmet R. Babani 120
Osman Dalip Zeme 120
Selim Mborja 100 franga ari
Lytfi Zavalani 100
Xhemal Kostreci 100
Vëllazëria M. Mano 100
Vëllez. Ll. Terova 100
Faber dhe Avakian 100
Hysen Myteveli 100
Bektash Melçani dhe shoku 100
Mehmet Shtylla 100
Sheraf Emin 100
Vllazëria Haxhi Zëmblaku 100
Hysen Qyteza 100
Izet Adem 100
Rifat dhe Selim Kacithika 100
Dr. Hivzi Kasimati 100
Neki Jaup frashëri 100
Muharrem pepellashi 100
Ing. Sotir Plluska 100
Myrteza Haki Bejlli 100
Subhi Arif Bejlli 100
Vëllazaria Zahara 100
Fadil Ismail Garo 100
Petraq Katro dhe vllezëria 1000
Fiqret Hasan Çelo 100
Bijtë e K dhe M. Lakos 100
Baba Zylfo 100
Orgonizata koperativa 100
Tashko Ilo 100
Sali Doko 100

NDIHMAT QË ERDHËN NGA FSHATRAT
(Në franga ari)
Melçani 140
Biranj 180
Vinçani 431
Dvoran 358
Voskop 925
Pendavinj 233
Nizhavec 164
Kreshpanj 79
Plasë 387
Zëmblak 854
Podgorie 424
Pojan 1234
Zvezdë 700, dhuruan edhe 15.000 okë gëlqere, dorëzim në Korçë
Pirg 161
Libonik 147
Çaushli 160
Kolanec 189
Sovjan 124
Zvirinë 48
Bickë 57
Senishtë 43
Plovisht 35.50
Leminot 38
Symizë 26
Gocë 17.80