Pranë malit të perëndisë, u mblodhën trimat e lirisë…

975
Male të larta me dëborë. 14 Marsi 1942, dimër i ashpër. Atje lartë në Qafën e kulmakut pranë Tomorit të madh janë mbledhur djemtë e Luftës. Formohet Çeta Plakë, e para çetë në jug të vendit. Formacioni i parë partizan. Ngricë e tmerr, por edhe të vendosur për lirinë e popullit, urrejtje dhe vullnet për të goditur pushtuesin. Aty në Qafën e kulmakut është një shesh I bukur, në horizont nëpërmjet një muzgu një lapidar I lartë që edhe pse rri I heshtur flet shumë. Në ballë të tij janë skalitur me dashuri emrat e 25 partizanëve të parë që aty në atë vend 76-vjet më 14 Mars 1942 formuan Çetën Plakë të Skraparit. Prej aty komandanti Mestan Ujaniku e komisari Gjin Marku të porsazgjedhur nga çeta. E komanduan atë për aksione të reja të lavdishme të luftës antifashiste Nacional Çlirimtare. Qafë më qafë e mal më mal bëhej luftë e projektohej liria. Lexon emrat e këtyre partizanëve në lapidar dhe një dëshirë e brendshme të shtynë të ndalesh gjatë tek secili dhe të përulesh me respekt dhe mirënjohje. 
Por fatkeqësisht ata trima mungonin në këtë 76 vjetor me përjashtim të kryeveteranit të Beratit, Orhan Frashërit. I vështroi me kujdes emrat e tyre dhe duket sikur nëpërmjet këtyre emrave shikojmë tërë udhën e Çetës Plakë, gjeografinë dhe historinë e saj, e cila është e shkruar me germa të arta. Prandaj i gëzohem këtij 76-vjetori shoqëruar nga ajo keqardhje tronditëse për ata partizanë që bënë Luftën dhe sot mungojnë. Disa mbetën nëpër male në këmbim të lirisë, të tjerët rrëmbyer nga ligjet e serta të natyrës… Ata mungojnë fizikisht, por lavdia e tyre rron, edhe pse pinjollët e ballit e ca historianë të paguar ua mohojnë luftën e madhe që bënë për çlirimin e Shqipërisë. Skrapari si pjesë e këtij grupi të madh popullor, është krenar për bijtë e tij, se, ndonëse u vranë, u dogjën, masakruan, u burgosën e u internuan, nuk u nënshtruan, por me dinjitet qëndruan në këmbë si malet ku u lindën dhe u rritën. Veprimtaria e çetës ishte e mbushur me ngjarje kulmore për fatet e popullit, të cilët vunë në provë zgjuarsinë e kohës. Më së pari kërkohej gryka e pushkës. Dhe kapedanët e maleve nuk e lanë atë të ftohej, apo të prisnin te përdornin të tjerët. Çeta Plakë e Skraparit ishte çeta luftarake e orëve të para, shkroi me gjak faqe heroizmi në luftë kundër fashizmit. Me sinjalin “Tre pushkë e një bombë” grumbullonte luftëtarë të forcave vullnetare në situatën luftarake. Gjeografia luftarake e Çetës ishte e gjerë. Ajo operonte edhe në fshatrat e Kolonjës. Çeta sipas dokumenteve muzeale u rrit në numër, në rrugë e sipër si puna e ortekut të dëborës. Çeta arriti dhe u bë mbi 100 vetë. Jehona e pushkëve të çetës u ndje menjëherë. Armiku vendosi ta shpartallojë, për këtë dërgoi milicinë në fshatin Melovë, Zaloshnjë, Gjerbës. Në Ujanik dogji shtëpinë e Mestan Ujanikut, në Trebël shtëpinë e Muharrem Treblës etj. Planin për rrethimin dhe shpartallimin e milicisë fashiste, shtabi i çetës e bëri në shtëpinë e atdhetarit të shquar Hysen Zaloshnja. Në çarmatosjen e Xhafë Balit u ngrit gjithë populli i Tomorricës e zonës përreth. Me t’u dhënë sinjali “Tri pushkë e një bombë” u grumbulluan 500 burra të armatosur, në ndihmë të çetës. Me trimërinë dhe vendosmërinë e tyre në fushën e luftimit, por edhe sjelljen fisnike dhe atë morale partizanët u rrëmbyen zemrat njerëzve dhe askush s’u befasua kur radhët e çetës brenda një kohe të shkurtër u shtuan mbi 1000 vetë nga i gjithë Skrapari. Ja si shkruan nw kujtimet e tij partizani i arave të para të kësaj çete Orhan Frashëri: “Në Skrapar gjetën mbështetjen e fuqishme të popullit patriot, shtëpitë e të cilit u shndërruan në baza të sigurta, çerdhe, strehim, ushqim për luftëtarët e lirisë. Pritje tradicionale “me bukë e zemër e kripë” partizanët e panë, e ndjenë, përjetuan kudo ku kaluan dhe luftuan në çdo vatër atdhetarie. Çeta pa humbur kohë duke pasur iniciativën e fitores në dorë, organizoi në Leshnje, në shtëpinë e patriotit Sinan Leshnja-Ylli, planin e sulmit të Çorovodës. Çeta mori përsipër detyrën e re e në bashkëpunim me forcat vullnetare shkroi faqen më të ndritur të ditëve të jetës së saj. Heroizmi masiv i partizanëve spikati në luftimet, Dëvri, Leshnje, Radësh, Vlushë, Vërzhezhë. Në këtë aksion goditet edhe aeroplan armik. Ishte rrëzimi i parë i një aeroplani armik në Shqipëri. Në dokumentet muzeale dhe në të dhënat gojore thuhet se sulmin mbi Çorovodë, partizanët e bënë të rrufeshëm duke pasur mbështetjen e fuqishme të popullit dhe, në 5 shtator 1942 Skrapari ishte i lirë. Gazeta “Zëri i Popullit” shkruante, shpartallimi i milicisë Mëlovë dhe çlirimi i Çorovodës janë kurorëzimi i një epopeje të shkruar me gjak prej kësaj çete heroike. Çlirimi i Skraparit, krahinë prej 1000 fshatrash në zonën e jugut të vendit i priu frymës bashkuese të Konferencës së Pezës. Aleatët Anglo-Amerikanë kësaj ngjarjeje i bënë një jehonë të menjëhershme nëpërmjet radios BBC. Folën dhe radio Berlini, Roma, Bukureshti, se një krahinë malore, Skrapari u çlirua nga partizanët. Kurorëzimi faqebardhë i misionit historik nga kjo çetë pati në themel punën pasionante nga Enver Hoxha. Në historinë lavdi-mbuluar të LANÇ rrezatojnë fuqishëm edhe “fletet” e shkruara me gjak nga Çeta Plakë e Skraparit. Më kujtohet disa vite më parë po pyesja për veprimtarinë e Çetës Plakë, partizanin dhe kuadron e kësaj çete Orhan Frashërin. E dini ç`më tha? “Nuk ka mbetur gjë pa treguar e pa shkruar gjatë këtyre viteve të historisë së kësaj çete? Po ti ke të drejtë, se episodet e kësaj çete nuk kanë të sosur, po u ngjajnë atyre dallgëve të Osumit që nuk shterin kurrë”. Edhe në këtë kohë me halle shumë njerëzit kanë mirënjohje për Luftën, për historinë. Edhe ky shkrim le të jetë si një copë rrëfimi shpirtëror mbas atij kuvendimi pushkë-ndezur e të merituar te Çetës Plakë të Skraparit.

Sefedin Methoxha
Sigal