Porositë e fundit të Gjergj Kastriotit

2568
Bashkim QELI
( për Princat shqiptarë dhe të birin)
“ Ai u bë përmendore, si Heroi Kombëtar
Në çdo zemër njerëzore, ku rridhte gjak shqiptar.” 
Arben DUKA
Shpallja nga Qeveria Shqiptare, e vitit 2018, si vitin Jubilar, i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që përkon me 650-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Edhe sot pas 6 shekujsh figura e Skënderbeut dhe bëmat e tij në shek. XV, në viset shqiptare dhe më gjerë në Ballkan, vazhdon të ndezë debat të nxehtë diku të drejtë e të kulturuar diku jo. Bëmat e tij, në atë kohë që ka marrë emrin “Epoka e Skënderbeut”, kanë kaluar gojë më gojë, deri në fillim të shek. XX dhe mbeti më së shumti një mit, fal kontributit të veprës së Marin Barletit dhe Frang Bardhit. Por figura e tij u bë aktuale, më shkrimet historike gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndaj nuk është rastësi që edhe shkrimet historike, më të hershme të historiografisë sonë fillojnë me trajtimin e figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij. Sot, figura e Skënderbeut, do të gjejë portretizimin sa më afër së vërtetës, pasi të jenë hapur dyert e kancelerivë të shteteve evropiane dhe ato turke, që të studiohen burimet arkivore e dokumentet historike të asaj periudhe. Nga hulumtimet e mia në fushën ushtarake, për artin ushtarakë shqiptar në Mesjetë, strategjinë dhe taktikën e përdorur në luftimet kundër pushtuesve osmanë, në veprën e Marin Barletit më tërhoqi vëmendjen edhe pjesa ku ai përshkruan, në prag të vdekjes porositë dhe amanetin e tij për princat dhe të birin. Ja si thotë Barleti: – “Skënderbeu dha urdhër që të mblidhen nga të katër anët ushtarë, me qëllim që të nisej për të pushtuar qytetin e Valmit (Elbasani sot B.Q.) që kishte themeluar para pak kohe Mehmeti….fati i keq e goditi me një sëmundje të rëndë dhe e largoi nga ajo fushatë.” ( f. 648) Duke parë se sëmundja po përparonte dhe gjendja e tij po përkeqësohej, Ai dha urdhër që të mblidhen princat, komandantët, ambasadorët dhe përfaqësuesit e Venedikut si dhe të birin e tij Gjonin 10 vjeçar, para të cilëve ai mbajti një fjalim të gjatë dhe të shkëlqyer duke lënë porositë dhe amanetin e tij për mbrojtjen e vendit. Të gjithëve u foli me mirësi kështu: “Jam në prag të vdekjes, tani që e kam rrokullisur, siç ndodh në jetën njerëzore, vitin e 63 të moshës sime dhe kam marrë tatëpjetën e pleqërisë, tani, o shokë, bashkëluftëtarë të mi, shikon, po mbaroj (po vdes) i mbërthyer nga nga sëmundja e rëndë që më ka zënë. O princër fort bujar dhe ju bashkëluftëtarë të mi, shumë të dashur ju kujtoj se, së pari virtytin e lartë dhe besën e vërtet të adhuroni. Së dyti, të duash dhe të keni gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur ta mbroni dhe ta shpëtoni edhe më gjak. Po ju lë një mbretëri të fortë e me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës i paaftë nga mosha për të drejtuar. Megjithatë, në rast se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është madhësia e vendit ajo që e bën një fron të respektueshëm, por aftësia dhe zotësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se do jeni të djallëzuar, shërbëtor të ministrave tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë se sa përmbysja nga maja e lartë ku ju ndodheni. Virtyti duhet të jetë baza për mbajtjen e fronit, ai nuk është fantazi. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të qëndrojnë larg jush. Të virtytshëm, ju mund të mbani mbretërinë që po ju lë të tronditur nga luftërat e vazhdueshme, ta mbani, ta përforconi e ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit e qetësisë. Krijoni vendshkrime të pacensuruara në të gjithë territorin e mbretërisë, ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohet nga drejtuesit e krahinave tuaja. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe, nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të pa drejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit. Kur ju sapo të keni marrë pushtetin, ju do të kujdeseni për drejtësinë e cila është themeli i të gjitha virtyteve. Ju do të mbroni artizanët e tregtarët si njerëzit më të dobishëm të krahinës së pushtetit tuaj dhe do të parandaloni shtypjen nga të pasurit. Duhet të jeni të miqësorë dhe të dashur me njerëzit tuaj, qëndroni gjithmonë midis tyre, bisedoni e qani hallet me ta, pyetini ata, nëse urdhrat tuaj për drejtësi janë zbatuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli si një armik dhe tiran. Dëgjoni vërejtjet, ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj, me qetësi, t’i frymëzoni atij besimin për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit. Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos përndiqni asnjeri, që ta ndjekë atë me detyrim. Kushdo që ju këshillon, për të luftuar për hir të Zotit është mashtrues, i cili kërkon të sakrifikojë të vërtetat për interesat e tij. Në qoftë se fati ju bën të varfër, endacak apo nevojtar, kurrë mos e ndrysho fenë për interes. Eliminoni që në lindje mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë shumë të rrezikshme për mbarëvajtjen e një shteti. Kemi parë perandori më të lulëzuara të përçahen e të shemben nga këta fanatikë, shihni Perandorinë e Kostandinit të rrënuar nga Muhamedi dhe Princin Gjon Palelogu i shtypur nga arabët. Ai ishte supersticioz, klerikët e tij ishin ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi dhe tani ata janë të shtypur dhe në skllavëri. Në se do kini fatin, që të kini njerëz të ditur dhe filozofë në oborrin tuaj, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga veset e këqija dhe të rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe intrigave, të cilitdo që flet në emër të Zotit, me qëllim që ju të heshtni dhe drejtësia nëpërkëmbet. Ju do t’i mbroni ata nga zelli i tepruar i drejtuesve hipokritë duke u dhënë vende punë në gjykata dhe oborrin tuaj. Kur t’u flasin keq për ndonjë, ju do të bëni sikur nuk dëgjoni. Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullit. Për arsye të postit që do të kini ju duhet të dalloni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë që është karakteri dallues i një princi. Një monark dhe i rënë nga vakti duhet të jetë bujar. Mbroni meritën e kujtdo, shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia tek ju duhet të shoqërohet me një zemër bujare nga secili prej jush. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri – tjetrit. Armatosuni me guxim, trimëri dhe vendosmëri në mjerim dhe me maturi në mirëqenie. Mos bini në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve të këqija. Mos mbyllni sytë e jini vigjilentë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre. Ata do të presin momentin, kur ju të humbni vigjilencën, për t’ju akuzuar dhe do të pretendojnë pjesë nga trashëgimia që po ju lë. Mos përdorni spiunë, për të mësuar se çfarë thonë njerëzit për qeverisjen tuaj. Ju bëni punën tuaj mirë dhe ashtu si duhet, ata le të flasin e të shkruajnë çfarë të duan. Lejoni këdo që do të shkruajë. Ju do të punësoni sekretarët tuaj, që do të përgjigjen për çështje të ndryshme publike, sekretet e shtetit do të ruhen me rreptësi nga ju. Mos përbuzni asnjeri, në krahinën që administroni, më i vogli dhe më i varfëri mund t’ju rrëzojë, ashtu si dhe mund t’ju ndihmojë me këshilla dhe kurajën e bujarinë e tij. Jini të durueshëm në çështjet e luftës, guximtarë e të patrembur në rreziqe, të butë e njerëzor dhe kurrë mizorë dhe gjaknxehtë me ushtarët. Kujdesuni gjithmonë për ushtrinë dhe të kini ushtarë të mirë. Trima dhe të disiplinuar. Ushtrinë mbaheni gjithmonë në lëvizje dhe stërvitje, që ata të mos bëhen përtacë, t’i trajtoni, jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të drejtoni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Pika kulmore e një luftë është çorientuese, duhet të ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë maturia, kujdesi dhe guximi, do t’u shërbejnë më shumë se pasuria, duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të humbni. Sfidoni veten tuaj , mos humbisni toruan, nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh. Emri i mbretit (princit B.Q. ) është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti na e ka dhënë këtë post që të jemi mbrojtës të çështjeve publike. Për një princ me zemër të butë dhe shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit është kënaqësia me e madhe që mund të përjetojë ai. Mos harroni se politika osmane është për të mbjellë përçarje ndërmjet princave të krishterë, i gjithë suksesi dhe madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të suksesshme, e cila bën më shumë pushtime se sa armët e tyre. Ju do të mbani lidhje të shumta me me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetësi i tyre. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtat politikën time me të saj. Për të mirën e shtetit tim, kam qenë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princa të dështuar. Ajo i ndryshon politikat dhe pozicionet sipas rastit, por frika se humbet territore nga sulmet e osmanëve, e ka detyruar të qëndrojë modeste ndaj meje. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si Unë, por nuk do të hezitojnë ta bëjnë një gjë me ju, për arsye të moshës dhe mungesës së përvojës tuaj. Është shumë e rrezikshme të kundërshtosh Papën, këtë idhull të madh të fesë tonë. Ai është njeri si të gjithë të tjerët, me pasionet e dobësitë e tij. Por në se Papa përpiqet, që të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve, për të nxjerrë para nga zotërimet tuaja, ose ju nxitë që të hapni luftë në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj, nëse pranoni. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë kujtdo që prish harenë e popullit dhe legjitimitetin e fronit tuaj. Së fundi, mos u bëni xhelozë se po ju lë një trashëgimtar që ju pengon për të marrë fronin, por mos harroni se kam qenë babai juaj dhe shpatën do ta përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.” Barleti thotë: “ Si tha këto fjalë, vazhdoi me te birin, duke e thirrur menjëherë pranë dhe duke këshilluar me fjale përkëdhelëse kështu.” (f.652)“ O biri im, Gjon, ja unë po vdes tani dhe ty po të lë fëmijë të vogël e të njomë, por me një mbretëri e pushtet të fortë dhe të patundur. Prandaj përpiqu dhe kujdesu fort që të mos vësh gjë përpara, mirësisë dhe virtytit, sepse me anën e këtyre edhe veten tënde do ta shpëtosh dhe mbretërinë dhe pushtetin do ta kesh të qetë dhe pa dallgë. Por tani, or bir, ti je pafuqishëm për shkak të moshës dhe jo mjaft i zoti për të mbajtur frenat e pushtetit. Prandaj, o shpirti im, sapo t’ia kesh mbyllur sytë babait dhe sapo të më kesh futur trupin në varr, hidhu me njëherë, së bashku me tët ëmë në Daun1) dhe shko sa më shpejt në kështjellat e tua dhe qëndro atje derisa të të dërsijnë mustaqet dhe të bëhesh i zoti për të drejtuar qeverinë dhe shtetin tënd. Por kur të rritesh do të kthehesh, o bir im, e të rrish në mbretërinë tënde të paqësuar e të qetë dhe të marrësh përsipër kujdesin e drejtimin e saj, respekto, para së gjithash drejtësinë, e cila është më e shkëlqyer nga të gjitha virtytet, ruaj pa anësinë, duke mos bërë asnjë dallim ndërmjet fytyrës së të varfrit, të të pasurit dhe të të fuqishmit, në çdo gjë përdor urtësinë dhe maturinë. Mbretërinë tënde gardhoje dhe forcoje me anë të miqësisë, sepse mburoja të mbretërisë nuk janë as thesaret, as ushtritë, por miqtë, të cilët nuk mund t’i kesh as me armë, as me ar. Por ata fitohen me anë të mirëbërësish dhe të besnikërisë. Ti o biri im, do t’i kesh të gjitha këto, besomë mua, do të mundesh, do t’i bësh krejt për vete gjithë njerëzit, po qe se do të mbash porositë e mia, sepse vetëm njerëzishmëria, vetëm mirëbërësia, të pëlqyera nga zoti e njerëzia që s’të rrezikojnë kur mbretërinë tënde. Më në fund, o biri, ji trim në kohë të vështira dhe të zeza, përkundrazi, në kohët e lumtura dhe të bardha drejtoje dhe frenoje fatin e mbarë me anë të virtytit. Mos e duro qetësinë qulle dhe plogështinë e zhburrëruar, sepse prej tyre vinë të gjitha të këqijat. Ushtritë e tua mos i lërë të kalben duke ndenjur në plogështi, por ushtroi me punë, mund e pagjumësi të paprerë, megjithëkëtë mos i përdor ata si shërbëtor, por si shokë e bashkëluftëtarë. Në punët e luftës dhe të kujdesit për ushtarët të tregohesh, jo vetëm komandant, por edhe ushtar. Orgjitë urreji fort, teprive largoju, sepse prej tyre edhe burrat më trima e më të fuqishëm qullen e zhburrërohen. Largoju gjithashtu edhe rreptësisë së tepruar dhe egërsisë, e cila u ka hije vetëm bishave. Ji i duruar në mundime dhe i patrembur në rreziqe. Ndryshimin e situatave dhe punëve përballoi me trimëri dhe urtësi. Përveç këtyre, ki gjithmonë parasysh që t’u largohesh pusive të barbarëve, me të cilat merret me të madhe ky farë mileti. Largoju pabesisë, largoju dhelpërive të gjendjes së pabesë, përbuz miqësinë, urreje shoqërinë e dashamirësinë e tiranit më të kobshëm, përbuzi dhuratat, dhelkat dhe zotimet e tij, që të mos shtypë papritur dhe të mos zhytë në mjerim dhe dëshiron të të shtjerë në dorë.. Prandaj të marrësh gjithmonë këshilla nga këshillues të njohur, besnikë dhe të dashur. Këto janë, o drita ime, o biri im, amaneti im, porositë dhe mësimet që unë vetë kam marrë e kam mësuar nga prindi im. Prandaj këto tani të këshilloj me të madhe, të porosisë dhe po durove, të lutem si prind, si prind them, të lutem e të lëshoj be, që ti t’i mësosh, që t’i përqafosh, t’i thithësh e t’i ruash si sytë e ballit.” 
Sigal