PO REHABILITOHEN KRIMINELËT E LUFTËS

1671
Sigal

Sipas veteranëve të LANÇ, me sjelljen në Shqipëri të eshtrave të Mid’hat Frashërit dhe vendosjes së bustit të tij, Shqipëria po rehabiliton kriminelët e Luftës së Dytë Botërore

Rilindja dhe Kryeministri Rama lënë 22 ditë pa përgjigje veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare

Organizata e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionale-Çlirimtare i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë ku janë parashtruar disa probleme të veteranëve. Mirëpo kur kanë kaluAr rreth 3 javë nga dërgimi i letrës, anëtarët e kësaj organizate, ende nuk kanë marrë 1 përgjigje zyrtare nga përfaqësues të qeverisë. Në mungesë të një përgjigjeje dhe në shenjë transparence, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ kanë vendosur të bëjnë publike letrën dërguar kryeministrit Rama.

Njoftimi i organizatës së veteranëve

Për të qenë transparentë me ju për çka përmban letra lexojeni të plotë:

Informim për letrën drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama ku parashtrohen disa probleme që shqetësojnë Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar

Të dashur, Veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e pasardhës të veteranëve, anëtarë të Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve, anëtarë të Shoqatës së Invalidëve të LANÇ, pjesëtarë të Familjeve të Bazave të LANÇ, anëtarë të shoqatave kulturore e patriotike, anëtarë të Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe në Pension, Ju vëmë në dijeni, se Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar i ka dërguar Kryeministrit Z. Edi Rama dhe për dijeni Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Z. Gramoz Ruçi e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Z.Taulant Balla; me nr. prot 62, datë 25. 10. 2018, një letër ku parashtron disa nga shqetësimet tona të përbashkëta. Por ndonëse kanë kaluar 22 ditë nga dërgimi i letrës nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Për të qenë transparentë me ju për çka përmban letra lexojeni të plotë.

 

Letra e veteranëve të LANÇ

Zoti Kryeministër, me gjithë punën e madhe që bëni, përkushtimin që tregoni për përparimin e vendit dhe arritjet e padiskutueshme nga Qeveria që Ju drejtoni, për të cilat ne shprehim përkrahjen, po iu parashtrojmë disa probleme që shqetësojnë organizatën tonë, të akumuluara prej vitesh:

  1. Pas vitit 1990 qëkurse në pushtet erdhën të djathtët, forcat e errëta ekstremiste që bashkëjetonin me të, krahas shkatërrimit të ekonomisë së vendit, iu turrën me egërsi e mllef edhe historisë së LANÇ-it për ta nxirë e tjetërsuar; shkatërruan varreza dëshmorësh e simbole të saj, lapidarë e monumente të heronjve, duke rehabilituar ata që kishin tradhtuar interesat e vendit gjatë LANÇ dhe që ishin cilësuar kriminelë të saj si Lef Nosi, Osman Kazazi, Halil Alia, Hamit Matjani, Ahmet Zogu, Preng Cali e Co. duke u ngritur edhe buste e monumente. Me keqardhje konstatojmë se Qeveria që Ju drejtoni, po kryen në vazhdimësi veprime që i mbështesin ato, që bien ndesh me të vërtetat historike e që cenojnë rëndë historinë e LANÇ-it dhe vlerat e saj. Flagrant është vendimi për sjelljen me ceremoni qeveritare të eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe vendosjen e bustit të këtij kolaboracionisti e bashkëpunëtori të nazifashizmit, në krah të patriotëve të mëdhenj të Rilindjes sonë Kombëtare Abdylit, Naimit e Sami Frashërit. Problem shqetësues, në të gjitha qarqet e bashkitë e vendit, mbetet emërtimi i rrugëve, shesheve dhe objekteve social-kulturore, veçanërisht heqja e emrave të heronjve e dëshmorëve të LANÇ-it dhe zëvendësimi i tyre me emra tradhtarësh.
  2. Na duket e çuditshme këmbëngulja e Qeverisë për të ngritur memorial të tipit Aushvic në Tepelenë, në ish- kampin e punës e të internuarve në vitet e pasçlirimit, që s’ka pasur asgjë të përbashkët me kampet naziste të shfarosjes. Përbën turp pjesëmarrja e anëtares së kabinetit tuaj në ceremoninë e dekorimit të pinjollëve, kolaboracionistëve e kriminelëve përkrah Presidentit të Republikës, ceremoni që u bojkotua nga populli i Tepelenës. Ndërkohë që nuk ka në Tiranë një memorial për masakrat e 4 shkurtit të vitit 1944 ku u pushkatuan në mënyrën më barbare 84 qytetarë. Një memorial të tillë, për atë ngjarje aq tragjike, do ta dëshironte çdo kryeqytet i botës.
  3. Qeveria e Sali Berishës në shenjë hakmarrjeje u hoqi familjeve të dëshmorëve të LANÇ shpërblimin simbolik. Ju premtuat se do ta korrigjonit këtë gabim, por fatkeqësisht premtimi nuk u mbajt. Ndërkohë është i pakuptimtë interesimi i Qeverisë që Ju drejtoni për shpërblimin e të përndjekurve politikë, deri nipër e stërnipër të tyre, gjë që nuk e bënë paraardhësit tuaj të djathtë, ndonëse ata i votojnë. Më keq akoma që në të përndjekur politikë janë përfshirë agjentë e spiunë që kanë vepruar kundër Shqipërisë e kanë kryer krime, si dhe hajdutë e keqbërës ordinerë. Ne gjykojmë se është krejtësisht anormal mbajtja pranë Qeverisë të një farë “instituti studimesh”…. që më shumë shpif e nxin historinë e LANÇ, nxit urrejtjen e përçarjen në popull, se sa bën studime mbi bazën e ligjeve të historiografisë. Për mbajtjen gjallë e për botime të tij paguhen shuma marramendëse, të cilat dalin nga puna e taksapaguesve shqiptarë. Historia le të pasurohet, por jo të denigrohet.
  4. Me sinqeritet pohojmë, se ne, veteranët e LANÇ, shpesh i kemi qarë hallin Qeverisë, pasi nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për të rritur pagat, pensionet e përkrahjen sociale, apo për një trajtim më të mirë të veteranëve të LANÇ, por kur pamë që fonde, jo të vogla u përdorën për ndërtimin e Bunk-artëve dhe muzeve, si ai i “Shtëpisë me gjethe” etj., jemi ndjerë të zhgënjyer, por dhe të çuditur! Çfarë kërkon të tregojë Qeveria me ndërtimin e këtyre objekteve, nuk e kemi kuptuar asnjëherë! Por nëse edhe kjo Qeveri, me ndërtimin e objekteve të tilla nderon më shumë diversantët, spiunët e kriminelët se sa djemtë e popullit që me guxim, trimëri e me gjak e kanë mbrojtur Shqipërinë, ky nuk është vetëm turp.
  5. Historia e LANÇ-it është e mbushur me plot evenimente të rëndësishme, ngjarje e data kulmore, që përbëjnë simbolikën e historisë së popullit tonë. Organizata e Veteranëve në bashkëpunim me organizatat e shoqatat atdhetare e kulturore, por dhe me pushtetin vendor, është përpjekur t’i përkujtojë e festojë me mundësitë që ka. Por nuk e shohim aspak të arsyeshme që në këto ceremoni, të mos marrin pjesë drejtues kryesorë të Qeverisë! Nuk e kuptojmë; kemi të bëjmë me indiferentizëm, me moskokëçarje apo me synimin për t’i denigruar e lënë në harresë këto ngjarje që sollën lirinë dhe pavarësinë e vërtetë të vendit?
  6. Zoti Kryeministër, jemi të detyruar t’iu kujtojmë se Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ka një organizim shumë funksional nga baza në qendër. Ajo është shtrirë në gjithë territorin e vendit ku funksionojnë rreth 1800 organizata në fshatra, blloqe e lagje, të cilat drejtohen nga 40 komitete veteranësh të LANÇ në bazë qytetesh. Drejtimi i përditshëm bëhet nga Kryesitë e Komiteteve të Veteranëve. Anëtarësia e rregullt e Organizatës është rreth 30 mijë vetë. Por së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjeve të veteranëve e pasardhësve, të familjeve të dëshmorëve e të Bazave të LANÇ, në votime ne bëhemi shumë e më shumë. Janë të gjithë votues të Partisë Socialiste. Dhe këtë nuk duhet ta harroni.

Organizata e Veteranëve të LANÇ e Popullit Shqiptar mbron, propagandon, ruan e mban gjallë traditat e vlerat e LANÇ-it dhe i transmeton ato te brezat pasardhës. Anëtarët e saj kanë ndjeshmëri të lartë ndaj problemeve që parashtruam më sipër, prandaj kërkojnë nga ana Juaj si Kryeministër i vendit dhe i yni, që në të ardhmen ato të gjejnë reflektim dhe zbatim. Shprehim bindjen dhe besimin tonë se janë të gjitha mundësitë që reformat jetike që ka ndërmarrë Qeveri e PS, nën drejtimin Tuaj, do të zbatohen me vendosmëri e pa lëkundje e do të ecin në drejtimin e duhur. Organizata e Veteranëve është totalisht në mbështetje të reformave që ndikojnë në përparimin e vendit dhe që e afrojnë atë me Bashkimin Evropian.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!

Deklaratë e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar

Duke ndjekur ceremoninë qeveritare të sjellë në Atdhe të eshtrave, të rivarrosjes së tyre dhe të vendosjes së bustit të Mid’hat Frashërit, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar konstaton se në Shqipëri po rehabilitohen kriminelët e Luftës II Botërore. Mid’hat Frashëri ka qenë themeluesi dhe kryetar i Partisë së Ballit Kombëtar. Gjatë pushtimit nazifashist të Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë me pushtuesit. Si mund të mohohet kolaboracionizmi i tij dhe të ngrihet si njeri i kulturës dhe shkencës kur dihet, se gjithë drejtuesit e fashizmit ishin të shkolluar, por shkuan në plumb nga gjyqi i Nurembergut për krimet që kishin bërë? Vetëm në Shqipëri ndodh që të rehabilitohen kriminelët e Luftës II Botërore, të dekorohen e ngrihen për ta buste e statuja. Faktet janë kokëforta e nuk lenë shteg për interpretime, siç përpiqen ata të censurojnë historinë, për të justifikuar rehabilitimin. Mid’hat Frashëri në vitin 1913 braktisi Ismail Qemalin dhe u bashkua me Esat Pashë Toptanin. Poeti i madh Çajupi te “Klubi i Selanikut” do ta satirizonte Mid’hat Beun: Si nuk the një fjalë për Shqipërinë, t’u thaftë gjuha, o Beu ynë… Mid’hati ka qenë nismëtar i firmosjes së marrëveshjes me gjeneralin Rencco Dalmaco ku u firmos Protokolli Dalmaco – Këlcyra, në vitin 1943, për veprime të përbashkëta me trupat italiane antikombëtare të pushtimit kundër antifashistëve. Në vitin 1944 u nënshkrua marrëveshja e Ballit Kombëtar për krijimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku forcat shqiptare do të viheshin nën komandën e shtetit grek. Gjatë Luftës ai ishte në një llogore me Hitlerin, si na dalka, se absolutisht nuk ka bashkëpunuar me nazizmin?! Ky është akt tradhtie e jo miopi politike… Vetë Komandanti i forcave gjermane në Shqipëri, gjenerali Herman Nojbaher, shkruan: “Burrat e Ballit Kombëtar kurrë nuk u ndeshën me trupat tona. Ata i përdornin energjitë e tyre kundër partizanëve në jug të vendit… Prapavija jonë mbrohej nga banditë shqiptarë nën drejtimin e fiseve dhe të klaneve të tyre. Ata na mbronin në radhë të parë nga partizanët”. Rivarrimi i eshtrave të kryeballistit e tradhtarit me ceremoni qeveritare ishte kundërvënie e hapur e LANÇ të Popullit Shqiptar, mohim i gjakut të 28.000 dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit, për lirinë e pavarësinë e vërtetë, i 19 mijë invalidëve të luftës e sa e sa të burgosurve, të internuarve e zhdukurve në burgjet e kampet e shfarosjes së nazifashizmit. Qëndrimi i qeverisë duke mohuar LANÇ shkel në mënyrë flagrante idealet dhe historinë e Luftës së popullit shqiptar dhe nxjerr jashtë loje Partinë Socialiste. Ishte turp dhe tradhti nga organizatorët i ceremonisë me në krye Edi Ramën, se me veprime të tilla uli vlerat e larta atdhetare të vëllezërve Frashëri që janë simbol i patriotizmit. Mbi gjakun e dëshmorëve dhe sakrificave të popullit për liri, nuk mund të vihet asnjë shkencë. Organizata e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar distancohet nga kjo Qeveri që ka uzurpuar pushtetin e të majtës dhe po luan hapur me fashizmin. Trupi nuk mund të ketë dy pjesë…

Ju, zoti Kryeministër, nuk e merrni dot në analizë historinë e popullit, aq më shumë historinë e LANÇ, se nuk e njihni dhe për më tepër nuk e doni atë. Po je kundër historisë së vendit nuk je kurkushi e nuk të takon të drejtosh, se e ke kompromentuar të majtën. Ne qëndrojmë pa lëkundje në mbrojtje të historisë së popullit tonë të luftërave ndër shekuj për liri e pavarësi dhe veçanërisht në mbrojtje të LANÇ, gjakut të dëshmorëve dhe sakrificave të panumërta të popullit.

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar