Pjesëmarrja e luftëtarëve nga vendi në Luftën e Vlorës 1920

1324
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

(Në kuadrin e 98-vjetorit të fitores, më 3 shtator 1920)

Kryengritje e gjithë popullit shqiptar

Luftimi popullor si një nga format e luftimit, mori zhvillim me pjesëmarrjen masive të popullit në luftën çlirimtare të Vlorës të vitit 1920 dhe të rrethinave të saj. Efektivi i forcave vullnetare erdhi duke u rritur me shpejtësi e në kohë me vullnetarë të ardhur nga të gjitha krahinat e vendit. Kryengritja mori zhvillim dhe pjesëmarrja e popullit, i cili u ngrit në këmbë për të fituar të drejta e tij, për liri dhe identitet. Forcat kryengritëse në fillim ishin të pak. Kjo dhe për vet karakterin e luftës, e cila nuk fillon menjëherë me pjesëmarrjen e popullit, për shkak të mundësive të kufizuara të rezervave njerëzore, por dhe të aparatit mobilizues në zonë e në vend. Zyrat e rekrutimit ushtarak mungonin në të gjithë krahinën e Vlorës dhe më gjerë. Por, me çlirimin e fshatrave një pas një, u krijua mundësia e shtimit të luftëtarëve. Kryengritjen e armatosur që nisi popullsia patriotike e krahinës së Vlorës kundër pushtuesit italianë, u shndërrua shpejt në një kryengritje të gjithë popullit shqiptar. Thirrjeve të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, për të shkuar në Vlorë iu përgjigjën shumë vullnetarë nga anë të ndryshme të vendit e sidomos nga krahinat e afërta. Kryengritësit u organizuan në çeta mbi bazë fshati, krahine e prefekture duke vënë në komandë njerëzit me përvojë luftarake të provuar më parë. Nën drejtimin e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” u ngrit kështu një ushtri vullnetare kryengritëse, që arriti në 4.000 luftëtarë e përbërë kryesisht nga fshatarë. Por gjatë zhvillimit të kryengritjes kjo forcë arriti deri në 6.000 luftëtarë.

 

Ngritja dhe organizimi i komiteteve

Një ndër masat përgatitore për daljen e vullnetarëve për luftë, ishte ngritja dhe organizimi i komiteteve të fshehta të “Mbrojtjes Kombëtare”. Të tilla me shpejtësi u krijuan në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, më konkretisht në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet, Mallakastër, Fier, Berat, Skrapar, Pogradec, Korçë, Kolonjë, Tiranë, Elbasan, Shkodër etj. Të gjitha këto përgatitje u pasqyruan në shtypin përparimtar të kohës, si në organizimin e mitingjeve e të ndihmave të vijueshme, gjatë gjithë periudhës së luftës. Lëvizja në përkrahje të masave për luftë u zgjerua shumë gjatë muajve prill dhe maj të vitit 1920. Mitingje solidariteti dhe kërkesa e ultimatume u bënë nga shumë qytete të vendit, ku pjesëmarrësit shprehnin gatishmërinë për ta ndihmuar nga ana materiale, por dhe për të shkuar vullnetarë në Vlorë. Në mbështetje të luftës në mjaft krahina e zona të vendit u organizuan mitingje. Në Gjirokastër, pjesëmarrësit u shprehën se “shqiptarët dje derdhën gjakun për të huaj, dinë të derdhin gjakun edhe për veten e tyre”. Ndërsa në mitingun e organizuar nga populli i Kolonjës, u theksua se “… të gjithë jemi gati të bëhemi theror për atdheun”. Në kujtimet e mësuesit elbasanas Ahmet Gashi, drejtues i bandës “Afërdita”, theksohet se për 10 ditë rresht shkuam lagje më lagje e shtëpi më shtëpi të qytetit më bandën muzikore e me flamurin kombëtar për të mbledhur ndihma. Nuk mbeti shtëpi e dyqan pa na dhënë. Gjithsej u mblodhën 3000 napolona ar, të cilat ia dorëzuam Komisionit Qendror të Luftës së Vlorës. Përfaqësuesit e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” vunë në dijeni qeverinë e Tiranës për gatishmërinë e tyre dhe për fillimin kryengritjes. Kryeministri Sulejman Delvina dhe shumica e anëtarëve të qeverisë e pranuan gatishmërine e tyre dhe i premtuan këtij Komiteti, kryesisht ndihma me materiale, por këto jo në rrugë zyrtare.

Konflikti i armatosur shtrihej në Labëri

Konflikti i armatosur që po përgatitej në Vlorë shtrihej në tri zona të Labërisë si: në Vlorë, në Tepelenë dhe në Himarë. Kështu, konflikti merrte karakterin e një lufte lokale të banorëve të zonës së pushtuar nga imperialistët italianë. Hapjen e një konflikti më të madh shtetëror midis Italisë dhe Shqipërisë, qeveria e Tiranës nuk e dëshironte. Ajo nuk e përballonte jo vetëm për mungesë forcash, por dhe për pozitën e vështirë në të cilin ndodhej vendi. Qeveria e Tiranës në vijimësi njoftonte në Vlorë se, nga Tirana, Elbasani, Peqini, Kavaja e të tjera, po regjistroheshin e stërviteshin kryesisht luftëtarë, ndërsa në disa rrethe kishte filluar grumbullimi i ndihmave materiale si në Korçë, Berat, Tiranë, Shkodër e Gjirokastër. Natyrisht, peshën më të madhe të luftës në njerëz dhe në material e mbajti populli patriot i krahinës së Vlorës, në të cilën përfshihej atëherë dhe Tepelena, Kurveleshi e Himara. Kjo është e dukshme veçanërisht në fazën e parë të veprimeve luftarake. Me kohë në Kurvelesh ishte bërë një mbledhje, ku kishin marrë pjesë të gjithë fshatrat e Labërisë, për një lëvizje kundër forcave italiane që mbanin të pushtuar Vlorën. Kështu që “ditët e fundit mësuam sigurisht që lëvizja nisi”. Sigurimin me ushqim të çetave të Kurveleshit dhe të Tepelenës, u vendos që çdo familje të jepte 3% të sasisë së kokëve të bagëtive të tyre. Sipas vendimit të Komisionit Ushtarak të Luftës së Vlorës, fshatrat që kishin më pak se 20 luftëtarë do bashkonin me çetën e fshatit më të afërt. Në përfundim të mbledhjes u ngrit flamuri kombëtar dhe u deklarua se nuk njihej asnjë qeveri dhe se nuk pranohej të paguheshin taksat e detyrimet e vendosura nga qeveri në shërbim të pushtuesit. Çdo fshat ngriti një komision me 5-7 veta për sigurimin dhe administrimin e furnizimeve për çetat.

Gazetari italian për luftën

Luftimet për marrjen e garnizonit të Tepelenës vazhduan për dy javë, sepse trupat italiane të përbëra prej dy batalioneve të këmbësorisë dhe një bateri artilerie, në pamundësi t’u qëndronin forcave kryengritëse në terren të hapur, u futën në Kalanë e qytetit. Forca kryengritëse bllokuan furnizimet përfshi furnizimin me ujë. Çetat e Kurveleshit (Golemit, Picarit, Lekdushit, Progonatit dhe Kolonjës) ishin përhapur nga ana e rrëzës së kodrave dhe sulmonin në drejtim të kalasë nga perëndimi e jugu. Më 21 qershor 1920 garnizoni u dorëzua. Gazetari italian Gustavo Tralio do të shkruante “…Tepelena, qytezë e vogël, e strukur në një kodër dhe e rrethuar nga mbeturinat e kështjellës së Ali Pashës, u pushtua nga kryengritësit, të cilët përparuan gjatë kodrave. Këtë natë kemi dëgjuar topat që gumëzhijnë. Qyteti rronte prej disa netësh në ethe të vazhdueshme, sot në mëngjes u zgjua me zhurmën e zakonshme, duke pllakosur zija nëpër rrugë”. Ndërsa një gazetë tjetër italiane do të shkruante: “po jetojmë orë të tmerrshme. Të ngjethet mishi nga pamja e tmerruar e qytetit (Tepelenës). Disa thonë se kryengritësit janë 5.000, të tjerë thonë 10.000, po asgjë s’dihet e saktë. Është e pamundur të vërtetosh shumën e saktë të humbjeve tona”. 

Vullnetarë nga të gjitha krahinat e vendit

Vullnetarë nga krahina të tjera të vendit dhe ndihma materiale arritën në fazën e dytë të luftimeve, në kohën e rrethimit të ushtrisë italiane në qytetin e Vlorës. “…rreth 5-6.000 shqiptarë rrethuan qytetin, por reagimi i trupave ishte i fort dhe efikas. Situata nga dita në ditë po merrte përmasat e një lufte kombëtare për çlirimin e Shqipërisë…”. Vullnetarë dhe ndihma të tjera erdhën jo vetëm nga krahinat e afërta si: Berati e Gjirokastra, por edhe nga Korça, Elbasani, Durrësi e Tirana etj. Kontribut të shquar dhanë në Luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe Mallakastra, Gjorokastra, Përmeti, Skrapari, Devolli, si dhe çetat e Çamërisë me Muharrem Rushitin dhe Alush Takën, çeta e Tiranës me Said Toptanin, si dhe çeta e Himarës me Nase Labin e Naqe Konomin etj. Midis fazës së parë dhe të dytë erdhën ndihma vullnetare nga krahina Mallakastrës etj. Vullnetarë nga Tirana erdhën 200 luftëtarë, të cilët megjithëse nuk morën pjesë aktive në luftë, por për moralin ishin shumë të vlefshëm. Në luftë erdhën edhe luftëtarë nga fshatrat e Bregdetit, si nga Vunoi e Himara, si edhe nga Borshi. Fitoret e para qenë inkurajuese për forcat kryengritëse dhe shërbyen si nxitje për veprimtari më të vrullshme të komiteteve të ngritura në krahinat e tjera të vendit. Më tepër se 1000 vullnetarë u nisën për në front nga rrethet e Tiranës, Elbasanit, Beratit, Durrësit, Fierit, Korçës, Përmetit e Gjirokastrës. U mblodhën ndihma të shumta në të holla, veshje, sende ushqimore e armatime. Në front shkuan qindra vullnetarë të rinj nga të gjitha krahinat e vendit. Kështu, nga Gjirokastra, Korça e Çamëria mbërritën 700 vullnetarë. Çetat e Skraparit me 300 luftëtarë, të udhëhequr nga Riza Cerova e Muço Kapinova, mbërritën në Vlorë e në Tepelenë. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës ishin dhe mjaft ushtarakë. Këta ndikuan në mobilizimin e njerëzve, me gjithë vështirësitë e shumta si mungesa e theksuar e rrugëve dhe mjeteve të transportit, vështirësi në furnizimin me armë dhe municione. Më tej u ndie mungesa në fuqinë dhe në dobinë e zjarrit, pra e mungës së pajisjes me armatim, përballë një kundërshtari të armatosur me mjete më të mira të kohës. Të gjitha këto u kompensuan nga epërsia e pjesëmarrjes së masave popullore në këtë luftë kryengritëse, por dhe nga udhëheqja e ushtarakëve shqiptarë, si dhe nga njohja e mirë e terrenit.