Petro Luarasi/ Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë

1303
Sigal

Drejtues shqiptar në krye të grigjës sonë ortodokse shqiptare

 Në median e adhuruar të intelektualit atdhetar Fatmir Terziu, me emrin kuptimplotë ‘’Fjala e Lirë’’, me interes të veçantë lexova kushtrimin ‘’Ka ardhur koha të ringrihet Madhështia e Ortodoksisë Fanoliane’’, të një zemre të dëlirë dhe shpirti të përmalluar atdhedashësi në mërgim. Mendja e begatë e një intelektuali të qetë dhe të ekuilibruar si Prof.Dr. Eshref Ymeri, shpërthen vullkanin që përvëlon e shkrumbon, por dhe pasuron truallin e të ardhmes kombëtare së begatë. Për qëllimin madhor ai përballet me shpifje e akuza, me teori konspirative dhe veprimtari të kobshme gjallesash kënetore dhe kultesh ‘’hyjnore’’ .  Mesazhet e shkrimit, ku përmendem edhe unë tok me paraardhësit, më justifikojnë dhe detyrojnë të shpreh këndvështrimin si bashkatdhetar dhe pasues i grigjës ortodokse.

 Urimi i Presidentit, mendimi i këshilltarit dhe anonimi ”Pirro”

U informova nga mediat, por dhe u binda për lajmin e gëzueshëm (në adresën http://president.al/?p=23525) se në urimin për Krishtlindjet kreu i shtetit shqiptar kishte shprehur dëshirën që në krye të institucionit fetar katolik të vendosej një shqiptar. Akoma më shumë më entuziazmoi artikulli kuptimplotë i këshilltarit të Presidentit, zotit Ndriçim Kulla, i cili përmes përshkrimit historik dhe domosdoshmërisë objektive të realitetit kombëtar shqiptar orientonte e përkrahte ortodoksët shqiptarë në të drejtën e tyre për të pasur edhe ata një shqiptar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. (në adresënhttp://webcache.googleusercontent.co…&ct=clnk&gl=al)

Përkundër shkrimit të këshilltarit të Presidentit, më çuditi komenti i një personi me emërtim Pirro (i cili shfaqet edhe si Pirro10, me shkrimin ‘’Një përgjigje për Ndriçim (Errësim) Kullën dhe për të gjithë `Kullat` prej rëre’’ (në adresën http://www.forumishqiptar.com/thread…llat-prej-rere)

Për të qenë korrekt me Pirron (apo Pirro10) po ia citoj disa pjesë teksti:

“Në gazetën MAPO, në vend që të botojë ndonjë falënderim për Festën e Krishtlindjeve, z. Errësim Kulla ka botuar një shkrim te turpshëm me titull `Tradita Jonë e krishtere dhe sfida e Autoqefalisë, ku zotëria në vend te gëzohet, vjell vrer, në vend të urojë kërkon përçarje, në vend që të flasë për paqe flet për përplasje fetare. Z. Errësim Kulla, nuk mund te flasësh për Autoqefalinë dhe KOASH-in kur nuk je i komunitetit ortodoks… Ne e respektojmë Kryepeshkopin Anastas sepse ai ka kontribuar në mënyrë të shkëlqyer për Shqipërinë…Kjo është mikpritja shqiptare, këto janë ateistët ish-komunistë shqiptarë që kanë shkatërruar çdo gjë të mirë në Shqipëri dhe shohin se ka ndenjur pa u shkatërruar KOASH… Patetizmi juaj duke i qarë hallin KOASH-it bie erë klientelizëm dhe është për të lënë nam…Harron që edhe komuniteti katolik ka një të huaj në krye. Për shqiptarët do të ishte mirë që edhe qeveritë shqiptare në të ardhmen të drejtohen nga të huajt sepse ne nuk e drejtojmë Shqipërinë me njerëz si puna juaj që vjellin vrer në çdo rast kur shikohet se nuk fiton ndonjë gjë. Nga KOASH-i nuk ke për të fituar ndonjë lek prandaj rri larg”.

Nuk mund të përfshihem në “lojën” Pirro (Pirro10) përderisa nuk paraqitet me identitet real, të plotë, se mund të na dalë robot dhe bëhem unë gaz i botës. Në rast se është njeri, për më tepër besimtar ortodoks, i drejtohem me dorë në zemër dhe shpirt të qetë se në këtë artikullin e këshilltarit të Presidentit, nuk përmendet fare emri dhe veprimtaria e Fortlumturisë Anastas Janullatos, i cili vërtet është kreu aktual i KOASH-it, por aspak vetë institucioni tok me tërë grigjën ortodokse shqiptare dikur, sot e në të ardhmen.

Cilido shqiptar ka të drejtë dhe detyrim moral, aq më tepër si studiues dhe këshilltar i Presidentit, të shqetësohet dhe të japë mendime mbi baza shkencore edhe për komunitetet fetare shqiptare.

Në lidhje me mendimin për qeverisjen nga të huajt dhe akuzat për afera financiare, ato përmbajnë përgjegjësi penale…

Koment mbi artikullin tek gazeta ‘’Mapo’’

“Po shkruaj me identitet të plotë, jam shqiptar i besimit ortodoks, i nipi i Petro Nini Luarasit, martirit të gjuhës shqipe dhe flamurtar për themelimin e kishës ortodokse shqiptare të pavarur nga diktati i klerit shovinist grek. Ai ka qenë krah për krah Fan Nolit në krijimin e konsolidimin e kishës ortodokse shqiptare në SHBA. Në Kongresin e Dytë të Manastirit ka qenë përfaqësuesi i Lidhjes Ortodokse dhe i fshatrave Negovan e Ballkamen, u zgjodh sekretar dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për hallin e madh të ortodoksisë shqiptare në luftë të papajtueshme me qarqet klerikale shoviniste greke. Kur u helmua prej tyre, veprimtarinë e vazhdoi i biri i tij më i madh, Dhimitri Petro Nini-Luarasi, i cili së bashku me Sofron S. Borovën, qe delegat i Kolonjës, në Kongresin e Parë të Kishës Ortodokse Kombëtare të Shqipërisë, që i zhvilloi punimet në Berat, në shtator 1922. Ai u zgjodh sekretar dhe nënshkroi statutin themeltar të KOASH-it.

(Petro Luarasi: Dhimitri Petro Nini-Luarasi http://ëëë.revistadrini.com/2012/05/petro-luarasi-dhimitri-petro-nini-luarasi/)

 Emrat e delegateve në Kongresin e Parë të KOASH-it, në Berat,  10-19 Shtator 1922.

Korça / Ikonom P. Josif, At Vasil Marko

Pogradeci / Dh. Haviari, Thanas P. Kerxhalli

Bilishti / At. Jorgj, Anastas Çekrezi Kolonja / Oshenar Sofron S.Borova, Dhimitri Petro Nini Luarasi

Leskoviku / At Vangjel Çamçe, Thoma K. Prifti

Përmeti / Dr. Stathi Koni V. Zoto

Berati / P. Kona Dh. Tutulani Vlora / Jan S. Shkrami, Tol S. Arapi

Fieri / Lon Xoxe, Dh. Killica

Lushnja / Llazar Boza, Tun. Gjergji

Durrësi / Arhi V. Xhuvani, G. Manushi

Kavaja / Pal Xhumari A. Ikonom

Tirana / Papa Simoni, Mark Hobdari

Elbasani / Vasil Llapushi, Simon Shuteriqi

Shpati / Taqi Buda, Dhi. Paparistja

Dibra / Arhit K. Pajtali Për L.Nishku, K.Paftali

Gjirokastra / Dr. Stathi Kondi

Libohova / Spiro Kati

Delvina / K. Thoma, S. Kondi

Shkodra / Risto Gjyrbabi, Gjoko Nikoliq (Gjok Nikolla, babai i Migjenit)

Kryetar / Ikonom P. Josifi

Nën-Kryetar / Pal Xhumari

Sekretarë / Dhimitri Petro NiniLuarasi, V. Elapushi

Komisar / H. Theodhosi

Përfaqësues i Prefekturës / Llazar Puli

( Shtyp.& Libraria Dhori Koti Korçë, 1923)

Sikurse paraardhësit atdhetarë, unë, familja Luarasi, farefisi dhe qindra ortodoksë shqiptarë të tjerë që njoh, nuk e duam një të huaj në krye. Për këtë le të pyeten edhe pasardhësit e nënshkruesve të mësipërm, delegatë në Kongresin e Parë të KOASH-it. Në një format më të gjerë, numërohen me dhjetëra mijëra ortodoksë shqiptarë në Shqipërinë dhe jashtë saj, që nuk kanë pranuar të shënohen si ortodoksë në censusin e kryer, edhe që të distancohen nga realiteti konjuktural që shkel idealet dhe gjakun e martirëve të ortodoksisë shqiptare dhe veprën madhore të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Kristofor Kisit me shokë, për të pasur një drejtues shqiptar në krye të grigjës ortodokse shqiptare.

Veprimtaria dhe amaneti i paraardhësit martir.

Besojmë se ka ardhur koha për të vepruar edhe ortodoksët shqiptarë të nëpërkëmbur në të drejtën e tyre të shenjtë. Për këtë kërkohet edhe përkrahja institucionale e shtetarëve tanë në realizimin e idealit rilindës të paraardhësve.

Në këtë kërkesë bazohem edhe tek veprimtaria, mesazhet dhe amanetin e martirit të gjuhës shqipe dhe të kishës ortodokse shqiptare, Petro Nini Luarasit, që shkroi me gjak “edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, thirrje aktuale edhe për ortodoksët shqiptarë të sotëm.

Historiografia shqiptare e ka minimizuar veprimtarinë atdhetare të ortodoksëve shqiptarë për përkthimin e literaturës ortodokse në shqip, për përdorimin e gjuhës shqipe në liturgjinë e kishës ortodokse, të krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale me Fan Nolin në krye. Në tekstet shkollore e akademike nuk përmenden sakrificat   dhe nderimi ndaj martirëve të kishës ortodokse shqiptare. Në këtë aspekt “u harrua” edhe roli rëndësishëm i Petro Nini Luarasit në përdorimin e gjuhës shqipe në kishë (në kishën e Luarasit dhe në ShBA) në ideimin dhe ndërtimin e themeleve të kishës ortodokse shqiptare të pavarur në ShBA. Petro Nini Luarasi është një nga martirët, por dhe çelësi për të ndriçuar të vërtetën tragjike të vrasjes dhe të heshtjes kriminale ndaj tyre, të shtrembërimit të veprës dhe idealit të tyre, që u bëhen në ditët e sotme nga qarqe shoviniste grekofone edhe në mjedisin politik, arsimor e kulturor shqiptar. Po u drejtohemi fakteve për të dëshmuar disa nga veprat  e martirit dhe “harresën” kuptimplotë ndaj gjakut dhe idealeve të martirëve të pavdekshëm ortodoksë, dijetarë, mësues, letrarë e luftëtarë me në krye heronjtë  e pavdekshëm, Papa Kristo Negovanin, Papa Stathi Melani,  Papa Harallamb Ballamaçi. Bashkëkohësi i tij, veterani Guri Sevo, tregon:

“Një ditë kam parë një plakë, të Simo Itës, që ish më fanatikja në punë feje: siç rrinim në hajat të kishës erdhi me një shkop në dorë, dalë nga dalë i shtrëngoi dorën Petros dhe i tha: “Lum ajo nënë që të ka se ti sot në kishë me fjalën që na fole na bëre të derdhim lot të gjithë. Kurrë ndonjë herë në jetën time s’kam qarë kaq me mallëngjim sa sot”. Në kishë Petroja vinte gjithnjë çdo të diel e të kremte. E kish vendin e tij më të djathtë ku psalnin dhe së andejmi jepte fjalë dhe lëçiste shqip sa mundte. Kur vinte që kremtonin fshati, dita e Shën Marisë, më 15 gusht, dhe kish njerëz të huaj nga Vakëfet dhe nga Lubonja, Qafëzezi, Vodica, Blushi, Gostivishti, Orgocka, dhe nga gjithë fshatrat ku luarasllinjtë kishin miq e të njohur, Petroja jepte fjalë në kishë e iu shpjegonte ungjillin dhe i falënderonte mysafirët si nga ana e fshatit, si dhe nga ana e kishës. Se qe dhe epitrop. Dhe kështu me anën e kishës bënte propagandë nëpër fshatrat në mes të burrave  dhe grave, duke u folur në këtë mënyrë, dhe në mes të fëmijëve, të cilëve u jepte mësim edhe në shkollë e duke u përkthyer dhe duke u mësuar Apostollin, Pistevon, Paterimonin, e të tjera, që t’i thoshin edhe ata shqip në kishë…Dhe kur u ktheva më 1886 në Luaras …Stefan Kostë Rrapo, më thotë: Dhaskali sivjet na ka mësuar vjershën e Shën Llazarit ta dimë pa kartë, e kemi kënduar ditën e shenjtit dhe e kemi mbledhur vezë më shumë nga motet e tjerë se na i jepnin nga dy e tri vezë në çdo shtëpi.”. (Petro Luarasi, Jeta dhe Vepra, f. 30-31)

Veprimtarinë si ortodoks shqiptar e vazhdoi edhe në ShBA, ku qe emigrant politik.

“Zgjedhjet e shoqërisë Besa-Besë ( ku u diskutua edhe për të pasur një prift shqiptar)

Folën Kristo Dako dhe Fan Noli …Pas priftit Jakob që bëri të njohur se arkipeshkopi rus Platoni do të ndihmojë, z.Petro Luarasi me një fjalë të shkurtër rrëfeu mirënjohjen që do të kenë shqiptarët në kishën ruse porsa të ndihmojë të fillojë kisha shqip. Kështu mbetën të gjithë të kënaqur e plot gëzim nga kjo”. (Gazeta Kombi, 10 janar 1908)

Nga një rekord zyrtar i marrë tek arshiva e zyrës civile Hudson, të botuar më vonë në Kalendarin e botës, 1939, shkruhet:

“U mbajt një mbledhje tjetër e cila zgjodhi një komision që të kërkojë kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin dy: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Klintoni Mass të cilët u votuan prej delegatëve të Natic-ut, Balboro-it, dhe Hudson-it dhe fitoi Fan Noli që të dorëzohej prift”.

Veterani Guri Sevo, shkruan:

“Edhe në çështjen e kishës shqipe që luajti një rol të madh në lëvizjen kombëtare tonën, Petro Nini Luarasi ka qenë flamurtar i parë, jo vetëm në Shqipëri po e po, por edhe në Amerikë. Më 1905 me rastin e refuzimit të priftit grek të Wochester-it, Mass, që të mbulonte një shqiptar të vdekur, shqiptarët iu lutën Petros të bëhej prift…Për hir të çështjes shqiptare edhe prift do të kish pranuar të bëhej Petroja por ai ia lëshoi vendin një shqiptari më “aksios” për këtë zyrë të shenjtë, Fan Nolit…”

(Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.84-85)

“Pasi u dorëzua Fan Noli prift më 25 mars 1908 nxori meshën e parë shqip në Boston, i vetmi që mund të zinte vendin e psaltit qe Petro Luarasi…natyrisht nuk gjendej psalt tjetër në gjuhën shqipe i përgatitur. Z. Luarasi psalti mirë. Pas ungjillit mbajti një fjalë për këtë çështje dhe provoi dobitë që do të kish pasur atdheu jonë porsa të kish përdorur gjuhën e vet në kishë. Si u mbarua mesha foli Petro Luarasi përmbi këtë çështje shumë bukur”. Shumë shqiptarë porsa dëgjuan se ai (Fan Noli) u urdhërua (prift) prej episkopit rus u bindën se me të vërtetë është ortodoks. Pas kësaj ata që ishin më fanatikë ndjekës të Patrikanës, u bënë më të zjarrtit e kishës shqipe. Kuptuan se nuk është mëkat të përdoret gjuha shqipe në kishë si u kish thënë dhespoti dhe që të gjitha mallkimet kishin qëllim politik’’ (Kombi 22 mars 1908)

Guri Sevo shkruan: “Si mbaroi mesha, Petro sa s’qante nga gëzimi! dikush i tha që prifti shqiptar qenka me të vërtetë shumë i zoti. Përndryshe nuk do të vinte mitron pa vënë kamillafin, iu përgjigj Petro për të caktuar kryelartësinë me të cilën e nxori meshën e parë prifti i parë shqiptar’’ (Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.86)

 Mesha në Hudson Mass

“Siç dihet në Hudson u fillua shoqëria kishtare “Nderi Shqiptar” prandaj pas Bostonit natyrisht vjen Hudsoni. Kjo shoqëri vuri në praktikë idenë e fillimit të një kishe shqip duke mbledhur ndihma dhe duke dërguar priftin Fan Noli në Nju Jork. Pas meshës mbajti një fjalë greqisht Fan Noli (që krijoi keqkuptime ndër dëgjuesit). Pas fjalës së priftit z.Petro Luarasi foli shqip mjaft orë dhe shumë bukur”. ( Kombi, 27 mars 1908)

Në Kongresin e Dytë të Manastirit që u çel më 20 mars 1910, ku Petro Nini Luarasi mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë “Lidhja ortodokse”, i Negovanit e Ballkamenit, ai u shpreh:

“Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduat; dhe zotëria juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësues i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishterë ortodoks shqiptar, përfaqësoj edhe “Lidhjen Ortodokse të Shqiptarëve” andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar: Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë ortodoksë që kishin ndjerë mungimin e diturisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therori që do të na rëndonte, nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonë duke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta, nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.

Si të uritur, pra, që kanë qenë ortodoksët shqiptarë për shkrimin shqip, krijuan shoqëri në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale krijuan shoqërinë “Lidhja Ortodokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga ortodoksia elinishte e grekëve; dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmojë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete….

Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslimanë dhe katolikë, a do të mos vuajnë keq kur të shohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!

Andaj si anëtar i “Lidhjes Ortodokse të Shqiptarëve” u lutem së ndershmes qeveri si dhe të shumëvyerit Kongres të sotëm që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Ortodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.

Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”

P. Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)

(P.Raullasi, Shqiptarët ortodoksë dhe regjimi i sotëm Lirija, Selanik 1910, v.2, nr.81, f.1-2)

  Petro Nini Luarasi  sqaronte besimtarët ortodoksë shqiptarë:

“Priftëria patriarkike bëri vegël të qëllimit të saj fenë, dhe me fuqinë e kësaj, duke u dëftyer si kyçmbajtës i qiellit dhe i dheut e vështronte veten si përfaqësues pushtet plotë të Perëndisë edhe në Parajsë edhe në Ferr, dhe po tund fenë si këmborë frikësuese kundër cilitdo shqiptar që dëshiron shkronjat e tij”.  … “Po dhe Krishti në na thëntë:  “jam grek, jakni pas meje”, Do t’i themi: – Pa mblidh mentë, Se shqiptari s’vjen pas teje”.

Ai  kurdoherë bënte thirrje për bashkim kombëtar përmbi diversitetin fetar.

Për të dëshmuar  realitetin e asaj kohe po tregojmë edhe një poezi të

Petro Nini Luarasit(1865 – 1911)

KUNDËR MALLKIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Si shqiptarë që jemi

Shqip ne duhet të mësojmë

Dhe Zotin, të drejtë kemi,

Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë

Doni ta humbisni fare

Dhe me mallkim e me nëmë

Shprehni ta shpini në varre.

S’ më vjen rëndë nga priftërinjtë

Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’ punojnë,

I urdhërojnë të zinjtë

Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre

Nëkëmbës t’ orthodoksisë

Shumë punë prej mynxyre

Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë

Të nëmosin gjuhën tonë,

Të përçajnë Shqipërinë,

Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s’ ditka Krishti shqip

Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,

Vetëm në gjuhën greqisht

Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,

Që dëgjon në kishë brenda

Dhe na mallkojnë për hera

Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda.

S’ kanë frikë as turpërohen

Që përçmojnë Perëndinë,

Po mburren edhe lëvdohen

Sepse shërbejnë Greqinë!

Gjuhën e kemi tonë

Të vjetër dhe të vyer,

Nga Perëndia ish thënë

Që ta ruajmë të shkëlqyer.

Aktualitet

Sikurse unë, ka me qindra e mijëra pasardhës veprimtarësh ortodoksë shqiptarë që kanë menduar, punuar e sakrifikuar pasurinë e jetën për kishën ortodokse autoqefale me drejtues shqiptar në krye. Ne, së bashku urojmë që viti 2015 të na sjellë një drejtues shqiptar në krye të grigjës sonë ortodokse shqiptare. Të gjithë njëzëri i lutemi Zotit dhe kërkojmë nga vëllezërit tanë të të gjitha komuniteteve fetare, tok me përfaqësuesit tanë në institucionet shtetërore e kudo, të ndihmojnë me sa munden në këtë mision të shenjtë që i kontribuon aq shumë unitetit kombëtar dhe mirëqenies sonë të përbashkët.

Gëzuar Vitin e ri 2015,  bashkatdhetarë shqiptarë, pa dallim feje, krahine, ideje, gjinie, përkatësie politike e ekonomike.

Petro Luarasi

   1.  Para bustit të Petro Nini Luarasit. Skënder Luarasi, Petro Luarasi