Përvjetori që zbuloi ferrin e familjes Shehu, heshtja dhe mëria mes E. Hoxhës e M. Shehut “udhëton” drejt vdekjes

1140
Sigal

Përgatiti Albert Zhuli

Arkivi-Dhënë për “Telegraf”, më 13 dhjetor 2008/ Marash Hajati: Konturet e një historie që rrëzohet. Televizioni, furtuna e 1981-shit që çoi Mehmet Shehun në greminë, funerali i një miqësie dhe armiqësie të gjatë politike

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Hajati, duke lënë për një çast argumentet e shumta lidhur me konfliktin e E. Hoxhës dhe M. Shehut, cilat janë konsideratat tuaja personale për atë ngjarje?

Në fillim të kësaj interviste kam bërë një shënim, ku si publicist e si gazetar, kam shpjeguar mjaft gjëra për një periudhë të gjatë të politikës së atyre viteve. Pyetja juaj vërtet më ngacmon për të thënë diçka krejt afër personales lidhur me atë fund tragjik, në mes të dy udhëheqësve kryesorë të asaj periudhe. Atë traumë politike e kam titulluar: “Funerali i një miqësie dhe armiqësie të gjatë politike”.

Që M. Shehu do të largohej nga skena politike në atë kohë, s’kishte as më të voglën mëdyshje. Për mua gjithë vështirësia e mjeshtëria regjisoriale, nëse shprehem me termat e medias, për krahun kundërshtar ndaj M. Shehut ishte sesi dhe kur do të gjendej dera e mënyra e largimit nga skena politike e një personaliteti me autoritetin absolut të një vendi për disa dekada. Sidoqoftë, ankthi i asaj vjeshte laramane dhe të zymtë, të dhjetorit 1981 e kishte kryer ciklin e vështirë të rreth 3 muajve goditje (gati në heshtje ) në mes të dy figurave kryesorëve të shtetit shqiptar. Dhjetori kishte qetësuar gjithçka. Ishin lënë prapa festat, zhvillimi i Kongresit të 8-të, dhe mbetej vetëm sqarimi me M. Shehun e për M. Shehun të situatës së ndërlikuar, jo thjesht për fejesën e djalit, Bashkimit, me volejbollisten, bijë e Turdive. Po a ishte kjo arsyeja reale e atij ballafaqimi që po zhytej në greminë? Personalisht, më duket se akti i fejesës shërbeu për t’i vënë zjarrin druve të stivosur në vite. Ndoshta nga kjo pikë vetëm nisi burimi i konfliktit dhe i qëllimit ku njerëzit nga këndvështrime të ndryshme ndahen sa i takon zhvillimit të ngjarjeve.

Marash hajati, a mund të sillni për lexuesin e kurreshtarët, se cilat ishin ato këndvështrime, siç thoni ju, të ndryshme?

Po, këto ndarje mendimesh janë shumë të kristalizuara,madje, jo vetëm për atë kohë, por edhe sot e kësaj dite, paraqiten e mbrohen teza të ndryshme për vdekjen e M. Shehut. Kjo vjen për faktin se gjithçka në atë kënd të gjelbëruar e të ndërtuar si vila e M. Shehut nga repartet e ushtrisë shqiptare, mbetet si mister i përhershëm. Shumë thoshin se ajo shtëpi ishte edhe më e bukur dhe më funksionale se e Enverit. Nën truallin e saj kish rrugëdalje e tunele. Diçka si e frikshme, ashtu siç ishte përshkruar edhe vetë psikologjia e kryeministrit. Në këtë vilë natën vonë, në një konflikt të ashpër me E. Hoxhën (një krismë apo dy krisma) i ndalën frymën Mehmet Shehut përgjithmonë. Në këtë lloj skene e dekori mund të ndërtosh shumë variante mbi atë, nëse e quajmë, vrasje. Dikush hyri nga dera si mik (është fjala për Kadri Hazbiun) e mbas kësaj ndodhi ngjarja. Dikush tjetër pohon se ekzekutori kishte ardhur e pastaj ishte larguar mbas vrasjes nga tunelet e nëndheshme. Këto teza i mbrojnë grupe kundërshtarësh e formacione politikanësh. që duan të fundoset gjithçka përfaqëson figura e E. Hoxhës. Pra ai është vrasës i errësirës prapa shpine, likuidator mafioz dhe enigmatik. Argumentet e kësaj teze janë më shumë dëshira sesa fakte. Më afër së vërtetës dhe pothuaj mbi 90 %, e faktuar është teza e vetvrasjes. Me këtë logjikë përputhen edhe shumë veprime të shpjegueshme e të besueshme mbështetur në dëshmitë e në logjikën e gjërave. Atëherë, pse M. Shehu vrau veten?

E para, sepse në gjithë veprimet e partisë e të E. Hoxhës (dhe ato Mehmeti i njihte shumë mirë, bile edhe si bashkautor) luftën kundër atyre që bënin faje apo deklaroheshin armiq të partisë, në të përgjithshmen, nuk arrestoheshin përnjëherë. Ata në fillim i nënshtroheshin analizave diskutimeve, dhënies llogari e simbas dëmit që i sillnin partisë, merreshin vendime përkatëse simbas një skeme që konsistonte në shkarkim nga detyra e zbritjen shkallë-shkallë në përgjegjësi të thjeshta deri edhe punëtor krahu, e ku më pas vinin procedurat e njohura të arrestit, hetuesisë e gjykimit. Nga kjo skemë e frikshme për armiqtë, nëse ndonjë i ka shpëtur vdekjes, vështirë se ka fituar lirinë. A nuk ka ndodhur kjo me pjesën më të madhe të udhëheqjes së likuiduar të partisë në vite?! Kujtoni vetëm Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Abdyl Këllezin, Beqir Ballukun që zbriti deri në Roskovec si drejtor ferme. Fadil Paçrami, T. Lubonja, drejtor ndërmarrje në Lezhë etj. M. Shehu për vetë karakterin e tij, për autoritetin e personalitetin “himn” që gëzonte, nuk do të pranonte kurrë të merrej për dore, të ngrihej në tribunë e aty të pranonte hapur, gjoja, fajet kundër partisë. Me atë autokritikë, që s’do të quhej kurrë e plotë, ai do të zbriste në bazë si sekretar i parë i ndonjë rrethi e pastaj poshtë e më poshtë, deri sa të zbatohej sinoptika e famshme e programuar, të dëgjohej në mbledhjen e Byrosë Politike të nesërmen e pas ngjarjes, e cila pa diskutim do të sillte greminë për Shehun. Gjithë ajo skemë, ai teatër që do t’i bëhej atij, qe poshtërim, të cilin për gjithçfarë thamë më lart, ai nuk do ta duronte. Ndaj që të shpëtonte nga ai poshtërim, duket pa marrë mendimin e askujt, zgjodhi plumbin. Edhe ajo ishte trimëri dhe i pati hije si “bajraktar” që ishte. Për të krijuar bindjen në opinion se Enveri kishte të drejtë, M. Shehu i duhej i gjallë. Me atë vetëvrasje M.Shehu ia dogji në duar letrat partisë dhe E. Hoxhës. E kam thënë edhe në një vend tjetër, se me plumbin në zemrën e vet, M.Shehu vrau moralisht e shpirtërisht edhe E. Hoxhën.

Mos ndoshta vetëvrasja e M. Shehut erdhi si vendosmëri e tij për t’i shpëtuar moszbulimit të veprimtarisë e lidhjeve me agjenturat e huaja?!

Në ato kohë edhe mund të merreshin si të besueshme, mbasi çdo gjë arsyetohej mbi parimet e ideologjisë sunduese. Kjo sidomos mbas vdekjes, kur iu shtua edhe një mal me akuza si agjent e poliagjent që nga Lufta e Spanjës e deri bashkëpunëtor me spiunazhin jugosllav, amerikan e deri me social-revizionistët sovjetikë. Megjithatë, si ndodhi që rreth 40 vjet nuk pati pasqyruar asnjë “shpërthim” të asaj armiqësie. Lind pyetja, po kur do ta tregonte veten M. Shehu me gjithë ato plane e me gjithë atë strategji, që kishte akumuluar si tradhtar. Vështirë të besohet. Jo vetëm kaq, por edhe sot e kësaj dite, mbas 27 vjet të vdekjes së tij, ka ndryshuar edhe sistemi politik e shoqëror dhe akoma asgjë nuk është vërtetuar mbi lidhjet e tij kundër partisë.

Atëherë të lind dyshimi se mos gjithë ajo ka qenë luftë për pushtet?!

Kjo tezë si e tillë, luftë për pushtet, nuk është lakuar kurrë ndonjëherë në opinionin shqiptar, bile në politikën shqiptare të asaj kohe. As që guxonte kush të çonte mendjen apo të fliste për zëvendësimin apo marrjen e pushtetit E. Hoxhës. Të gjithë e kishin të himnizuar figurën e udhëheqësit të pagabueshëm e të pazëvendësueshëm. Natyrisht, në krahët anësorë përflitej ndonjëherë, veç duke patur dijeni edhe partia, për një fenomen të dyzimit, të udhëheqjes së partisë, pra mes dy kryesorëve. Dyzimi, që lakohej në ndonjë rast për çeshtjet e mbrojtjes apo të ushtrisë, do të thoshte se Enveri edhe Mehmeti ishin gati të barabartë në ato sektor. Për këtë tezë nuk do të ndalem, pasi në një intervistë dhënë gazetës suaj në tetor të këtij viti me titull: “E.Hoxha para kamerave”, kam folur mjaft gjatë. Kështu të flasësh për luftë pushtetesh nga ana e Mehmetit, apo për karrierë, në atë vjeshtë të frikshme të vitit 1981, as që mund të bëhej fjalë. Aq më tepër që Mehmetit po i shkiste toka nën këmbë çdo ditë, çdo orë e minutë.

Zoti Marash, simbas jush, si shpjegohet atëhere gjithë ajo përpjekje, gjithë ai gjunjëzim e nënshtrim që kërkohej t’i bëhej M.Shehut, bile deri në kapitullim e likuidim të tij. Pse gjithë kjo, ku ishte qëllimi?

Mua më duket se gjithçka ka qenë një demonstrim i vendosmërisë së E. Hoxhës për të konsoliduar trashëgiminë e pushtetit të tij mbas vdekjes. Duhet të jemi koshientë për ato që kanë ndodhur në atë kohë. E.Hoxha në fillimet e viteve 80-të, ka qenë i mundur dhe i nënshtruar nga sëmundja e parkinstonit dhe e diabetit, të cilat patën pasoja tek ai si në memorjen ashtu edhe në dukurinë e jashtme të tij. Në atë kohë udhëheqja e partisë drejtonte vendin më shumë përmes emrit apo porosive të Enverit. Kështu që koha për t’u larguar si gjithë njerëzit nga kjo botë kishte ardhur në pragun e derës. Kush do ta pasonte? Cili ishte ai emër që do të udhëhiqte vendin mbas epokës së E. Hoxhës?! Pyetjet e kishin përgjigjen. Vit mbas viti që nga 1974, emri i R. Alisë për trashëgiminë e pushtetit socialist popullor, përflitej e bëhej mjaft i besueshëm, por kjo nuk mund të bëhej thjesht si me një të rënë të dorës. Për këtë, së pari duhej ndërgjegjësuar partia në të gjitha instancat. E. Hoxha e dinte se kjo nuk ishte aspak e mjaftueshme për derisa rruga në kupolën e lartë kishte shumë “ujqër”, që në çdo kohë mund t’i zinin shtegun. Kohë më vonë, mbas një mitingu të gjërë në mos gabohem mbajtur me shumë ovacione në Pogradec, ku foli R.Alia, Enveri lëshoi deklaratën: tani jam i qetë në punën e partisë.

Po ku mbështetej gjithë ai besim që i jepej figurës së R. Alisë në raport me emrat e tjerë të Byrosë Politike?

Është një pjesë historie me kapitull më vete. Por mund të përmendim pikat dominuese, që e kurorëzonin dhe i jepnin të drejtën e trashëgimisë me bekimin e E.Hoxhës.

Së pari, R.Alia ishte udhëheqës me përvojë, bindje e përkushtim në fushën e ideologjisë dhe propogandës. Së dyti: i mbrojtur dhe i dalë fitimtar mbas plenumit të 4-të të K.Q. 1973 për çeshtjet ideologjike, merr edhe drejtimin e numrit një, pas vdekjes së H. Kapos për çeshtjet ndërkombëtare e politikën e jashtme. Së treti: lidhjet me familjen e E.Hoxhës dhe martesa e mbesës së tij me të birin e Enverit, Ilirin, synonte perspektivën e afërt e të largët të një miqësie të konsoliduar.

  1. Marash a është përfolur në atë kohë ajo lloj përzgjedhje e R. Alisë si diçka personale e E. Hoxhës, kur dihej se në parimet e atij sistemi të demokracisë socialiste, fjalën e fundit e thoshte partia me vendimet e saj?

Ajo nuk ishte mrekulli që të vinte brenda një dite e një nate. Të kuptohemi të gjitha formalitetet e direktivat për atë problem kanë qenë konform strukturave e vendimeve të partisë. Gjithçka pati ecur duke përzgjedhur forumet, duke përcaktuar bashkëpunëtorët në instancat drejtuese simbas një qëllimi e objektivi të studiuar. Nuk është medoemos të vikasësh se ja unë e zgjodha trashëgimtarin. Një filozof dikur pati thënë, më jepni pushtetin, se më pas çdo vendim që do të marr, do t’u bind se ai është më i domosdoshmi. Duke lënë mënjanë komentet për trashëgiminë, R. Alia në ato rrethana të krijuara, qe plotësisht kompetent për drejtimin e vendit e të partisë. Natyrisht, simbas meje, ai përmbante në veten e tij një filozofi individuale lidhur me këndvështrimin, udhëheqës, komandant, autoritet, çka buronte nga një sens më liberal, më komunikues e më debatues. Të kuptohemi, kjo gjithçka në raport krahasuar me drejtuesit e tjerë kryesorë të asaj kohe .

Po le të kthehemi tek çeshtja parti-trashëgimi. Më së pari them, se kjo nuk është shpikje as e komunizmit as e socializmit, as e Partisë së Punës, kur thonë se gjoja është punuar me hile në atë drejtim. Për këtë unë do bëja pyetjen: po a ka pasur ndonjëherë dhe a ka edhe sot mbretëri, diktaturë, demokraci deri edhe anarki, që të mos kënë menduar e të mos mendojnë për trashëgiminë e vazhdimësinë e pushtetit të tyre edhe mbas vdekjes.  Kujtoni mbretërit, dramat: Makbeti e Hamleti, intrigat e kacafytjet e Luigjëve të Francës, të Perandorëve të Austro-Hungarisë, Carët e Rusisë e deri tek Stalini, Kim Ir Seni që ka mbi 60 vjet që qeveris me dinastinë e quajtur komuniste e që po trashëgohet dekadë mbas dekade. Të shkojmë tek Tito, i cili kur nuk mundi të sigurojë trashëgimtarë, shpiku Presidencën me afate e lidër të ndryshëm që do të drejtonin shtetin simbas një radhe. Në këtë vështrim as në Shqipëri nuk ka qenë, as nuk do të jetë e huaj çeshtja e trashëgimisë .

Zoti Marash, së fundi meqë mbetëm tek ajo aksioma juaj e padiskutueshme për trashëgiminë, cilin përcaktoi simbas jush R. Alia si pasardhës?

Me këtë pyetje (shaka natyrisht), nuk më keni zënë as në befasi, as në pamundësi për t’u përgjigjur. Së pari, është spekulluar shumë se gjoja me pranimin e pluralizmit, R. Alia paska bërë përzgjedhje të disa personave, që më pas u bënë drejtues të disa partive politike. Me sa e njoh unë qëndrimin e karakterin e tij në vazhdën e mbi 25 vjet pune, gjithato hamendësi, kanë qenë e janë përralla politike kafenesh e lokalesh të Tiranës e të gjithë Shqipërisë. Megjithatë, dhe kjo është së dyti, për t’u kthyer përsëri tek ajo aksioma e famshme e trashëgimisë, dua të shtoj se të vetmet situate, që ndërpresin rrjedhën normale të trashëgimisë janë: Dhuna, luftërat, revolucionet, përmbysjet, grushtet e shtetit etj. Ato gjithmonë hapin një faqe ndryshe në rrjedhën e historisë e të sistemeve shoqërore. Nga kjo nuk shpëtoi as R. Alia. Megjithatë ka pasur shumë debat mbi qëndrimin e tij duke pozuar edhe mënyra e forma të tjera të largimit nga pushteti. R. Alia zgjodhi një rrugëdalje, evitimin e gjakderdhjes. Edhe ajo ishte zgjuarsi e përgjegjësi para historisë. Por kjo nuk do të thotë se, disi më herët, nuk ka pasur rrugë të tjera.