Përvjetori i 25-të i rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani

886
Sigal

Më 2 tetor 1987, Hans Dietrich Genscher vendosi gurin e parë të godinës së ambasadës në Tiranë

Sot mbushen plot 25 vjet nga 2 tetori i vitit 1987, ditë në të cilën Gjermania dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerje 43-vjeçare. Kjo ngjare e shënuar do të pasohej shumë shpejt me nisjen e proceseve demokratike në vendin tonë, me synim afrimin sa më të shpejtë drejt familjes së madhe europiane. Lidhja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, solli hapësirat e munguara për afrimin e më tejshëm mes dy popujve, forcimin e miqësisë e bashkëpunimit të ndër sjelltë ekonomik, kulturor, sportive, etj. Nga viti në vit, ndihma e Gjermanisë për Shqipërinë e popullin shqiptar ka ardhur në rritje. Gjermania ishte ndër vendet e para që në eksodin e 2 korrikut 1990, hapi dyert e ambasadës dhe priti e ingranoi në vendin e sajë mijëra shqiptarë. Sot, në këtë përvjetor, kur Gjermania ndodhet në mbështetje të pa ndërprera për afrimin e Shqipërisë në BE, respekti e mirënjohja për këtë vend, vazhdoi të rritet.

RIVENDOSJA E MARËDHËNIEVE

Rivendosja e marrëdhënieve midis Gjermanisë e vendit tonë, u zyrtarizua më 2 tetor të vitit 1987. Po në këtë ditë, ishte në Tiranë Hans Dietrich Genscher, kryediplomati gjerman, duke vendosur ‘gurin e qoshesë’ në godinën e ambasadës gjermane në Tiranë, rihapi zyrtarisht komunikimin e ndërprerë mes dy vendeve për një afat kohor 43-vjeçar. Vendosja e marrëdhënieve, çeli perspektiva te reja në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve tona. Ndërsa në aspektin historik rezulton se Genscheri ishte i pari Ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të BE-së që  vinte në Shqipëri, e cila në atë kohë ishte një vend i izoluar komunist. Në fakt, u deshën vetëm pak vite nga rivendosja e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani, që të niste një bashkëpunim i vrullshëm në fushën ekonomike, tregtare e të ndihmës në shumë fusha të tjera. Në fakt, përpjekjet gjermane për të ndihmuar Shqipërinë, popullin shqiptar që të afrohen me perëndimin, janë më të hershme e praktike, por që nuk u pranuan nga udhëheqja e kohës.

FRANC JOZEF SHTRAUS 

Përpjekjet dhe mesazhet e para për të rivendosur marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet perëndimore, kanë ardhur më përpara gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Franc Jozef Shtraus, Kryeministri i Bavarisë, ka qenë nga të parët liderë të Evropës Perëndimore që ka vizituar Shqipërinë që në gjallje të Enverit. Për herë të parë Shtraus ka ardhur në verën e vitit 1984. Ai u interesua për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Federale, por u ballafaqua në barrierat ideologjike të zyrtarëve të Tiranës. Pavarësisht se në kontaktet e para nuk mundi të sigurojë mirëkuptimin e vendasve, Shtraus nuk do t’i reshte përpjekjet për të përafruar pozicionet e Bonit dhe Tiranës. I bindur në alternativën e vet do të rikthehej sërish në Shqipëri për të argumentuar me qetësi e durim, këtë radhë për krerët e lartë të politikës shqiptare, arsyet pse duhet nxituar në vendosjen e marrëdhënieve Tiranë-Bon. Sidoqoftë, pala tjetër do qëndronte në të njëjtat pozita. Për herë të fundit kryeministri i Bavarisë ishte mysafir në vendin tonë në maj të vitit 1986. Shtraus ndërroi jetë më 3 tetor të vitit 1988, plot një vit pas shembjes së ‘Murit të Berlinit’ e bashkimit të dy Gjermanive. Ai ishte dhe mbetet një mik i respektuar i shqiptarëve.

SOKRAT PLAKA

Në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani pas luftës së dytë botërore, përveçse ‘murit ideologjik’, si pengesë ka qenë dhe problem i dëmshpërblimeve të luftës. Për këtë problem flet gjatë në kujtimet e tij, diplomati i njohur, ish-zëvendësministër i Jashtëm, Sokrat Plaka. ” Më 1977 mora udhëzim qarkor, që u ishte dërguar gjithë ambasadave tona të Evropës, lidhur me reparacionet nga Republika Federale Gjermane. Në të vërtetë, fjala ishte për zhvillimin e memorandumit të qeverisë shqiptare të 18 qershorit 1965 për reparacionet dërguar qeverisë së RFGJ ndarë në dy kapituj kryesorë: dëme materiale (rreth 4 miliardë USD të 1938) dhe sigurimet shoqërore (800 milionë dollarë të 1938). Qëllimi ishte të tërhiqeshin gjermanët në bisedime Për të arritur në rezultate konkrete… Në fillim duheshin krijuar kushtet për të hyrë ne kontakte me RFGJ për të filluar bisedimet midis dy vendeve me qëllim që të merrnin reparacionet që ajo na detyrohej duke filluar me kapitullin e sigurimeve shoqërore…”-kujton mes të tjerave diplomati Plaka… Së fundi, dhe kjo pengesë u fut në rrugën e zgjidhjes. Sot, marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira e ndihma gjermane ndaj vendit tona, mbetet e vazhdueshëm dhe e sinqertë. Kujtimi sot i përvjetorit të 25-të të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, është një tregues tjetër i klimës së mirë që ekziston dhe frymës së bashkëpunimit të ndër sjelltë në rritje.