Përplasja e madhe në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 në Shqipëri

7514
Në kuadrin e propagandës për vendosjen e një sistemi politik, pluralist, demokratik, në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në tetor 1944 në Berat, u hartua dhe u shpall deklarata për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve ku midis të tjerave u theksua se lejohej formimi i partive politike, me përjashtim të Ballit e të Legalitetit që konsideroheshin si parti fashiste dhe profashiste. Duke shfrytëzuar këtë hapësirë demokratike, disa përfaqësues të njohur të Frontit Nacionalçlirimtar, filluan punën për formimin e organizatave opozitare, me qëllim që në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, krahas kandidatëve komunistë të kishte dhe kandidatë jokomunistë, figura të njohura politike, me mbështetje të gjerë popullore në ato vendbanime ku punonin dhe jetonin. Por për formimin e organizatave apo partive opozitare, elementët opozitarë brenda Frontit nuk ishin në një mendje. Për këtë çështje u ravijëzuan dy qëndrime apo grupime të kundërta. 
Dy grupimet e zgjedhjeve
Grupi i pare i përfaqësuar nga nënkryetari i Frontit Nacionalçlirimtar, Shefqet Beja, synonte që organizata opozitare të formohej brenda Frontit pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit me elementë që do të vinin kandidaturën për deputetë si përfaqësues të Frontit Demokratik. Kurse grupimi apo korrenti i dytë politik, i përfaqësuar nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, Gjergj Kokoshi, mendonte që partitë opozitare të formoheshin jashtë Frontit dhe si të tilla të vinin kandidatura për Asamblenë Kushtetuese si grupim më vete politik. Të dyja grupimet nuk e gjetën gjuhën e përbashkët dhe u ndanë përfundimisht në shtator të vitit 1945, kur u diskutua dhe u miratua ligji “Mbi zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese”. Shefqet Beja e mbështeti këtë ligj, kurse Gjergj Kokoshi e kundërshtoi atë dhe kërkoi që në asamble “përbri njerëzve të luftës, të shkojnë edhe njerëz të paqes … që mbi të gjitha kanë idealet e larta të atdheut e të njerëzimit”, të cilëve, duke mos qenë të organizuar në parti, u mungonte shtypi dhe propaganda dhe për rrjedhojë ishin të destinuar, siç u shpreh ai, “apriori me falimentue nër zgjedhjet”.
Ligji i zgjedhjeve
Në të vërtetë ligji, për nga përmbajtja, ishte demokratik, sepse lejonte pjesëmarrjen në zgjedhje të grupimeve apo të partive politike. Por në praktikë, kjo nuk mund të realizohej dhe nuk u realizua. Organizatat opozitare ilegale jashtë Frontit nuk mundën të dilnin legale e të paraqiteshin në zgjedhje me kandidatët e tyre, sepse nuk mundën të grumbullonin 70 firma sipas ligjit elektoral. Kjo ndodhi si për shkak të trysnisë që ushtronte PKSH-ja ndaj kundërshtarëve politikë për të mos u organizuar në parti apo grupime politike, ashtu edhe nga dobësia e forcave opozitare përballë Frontit Demokratik, i cili për shkak të luftës dhe të fitores së tij mbi fashizmin, kishte fituar në popull shumë kapital politik dhe për rrjedhojë, fitorja e tij në zgjedhjet e 2 dhjetorit ishte e padiskutueshme. Natyrisht, fitorja e Fronit ishte fitorja e PKSH-së. 
Elementët demokratikë
Elementët demokratë jashtë Frontit Demokratik, gjatë fushatës elektorale që u zhvillua, në muajin tetor – nëntor të vitit 1945, të nxitur nga misionet angleze dhe amerikane në Tiranë, u përpoqën të organizoheshin dhe krijuan organizatën “Bashkimi-demokratik”, me qëllim që të dilnin në zgjedhje si grupim më vete politik dhe me programin e tij elektoral. Meqenëse dita e zgjedhjeve po afronte, përfaqësuesit e kësaj organizate opozitare, ilegale si Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari, Sami Qeribashi, Suat Asllani etj., u kërkuan misioneve të huaja në Tiranë, që të ndërhynin pranë qeverisë së Enver Hoxhës, për të shtyrë afatin e zgjedhjeve, por kjo kërkesë nuk u pranua. Në këto rrethana organizata opozitare “Bashkimi – demokratik” nuk mundi të dilte me programin e vet e të merrte pjesë në zgjedhje. Programi i saj, ashtu si vetë organizata mbeti ilegal dhe si i tillë me përmbajtjen e tij, nuk u njoh populli shqiptar në përgjithësi dhe kundërshtarët politikë jashtë Frontit, në veçanti. Pavarësisht nga kjo, problemet që ngriti organizata ilegale “Bashkimi – demokratik” në notën dërguar misioneve anglo-amerikane në Tiranë, në gjysmën e dytë të muajit nëntor 1945, ishin të drejta. Ajo vlerësonte luftën e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Partisë Komuniste, kundër fashizmit, pranonte se Balli Kombëtar dhe Legaliteti, të influencuar nga një pjesë e shtypit aleat, nuk kishin luftuar kundra pushtuesve, theksonte se Fronti Nacionalçlirimtar ishte i vetmi grupim politik që kontrollohej nga komunistët, të cilët nuk lejonin formimin e ndonjë partie të shkëputur nga ai dhe në rast se bëheshin përpjekje për një gjë të tillë, personat konsideroheshin “sabotatorë, fashistë dhe reaksionarë”.
Opozitarët ilegalë 
Opozitarët ilegalë ankoheshin se organet ekzekutive nga lart poshtë, kontrolloheshin nga komunistët, se pushteti legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor ishin të pandarë dhe për rrjedhojë nuk kishte liri demokratike. Në notë sulmohej legjislacioni shqiptar si një kopjim i atij jugosllav, që kishte sjellë shumë dënime me vdekje, ushtria konsiderohej e madhe në numër, jashtë mundësive ekonomike të vendit, administrata shqiptare shumë e fryrë me qëllim që t’u gjendej punë besnikëve të partisë. Ligjin e reformës agrare, opozita ilegale jashtë Frontit e konsideronte si ligj të rëndësishëm të qeverisë, por që ishte kryer në mënyrë ekstreme, sepse u ishte marrë toka pronarëve pa shpërblim. Në politikën e jashtme, opozita vërente se qeveria komuniste po i shmangej politikës së bashkëpunimit me qeveritë aleate angleze dhe amerikane dhe po i qëndronte besnik boshtit Beograd – Moskë. Opozita nuk e konsideronte Partinë Komuniste si armike të saj, por si alternativë për zhvillimin e vendit “si një fuqi shtytëse drejt përparimit social”. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos ishte kundërshtare politike e saj, përderisa ajo, siç shprehej në notën “shkel liritë politike dhe ngre një qeveri despotike në vend të asaj demokratike”. Ajo bëri përpjekje për të bindur misionet e huaja se përse deri atëherë nuk ishin formuar parti opozitare legale. Dhe kjo kishte ndodhur nga frika, sepse siç theksohej në notë “Shqipëria, ndodhet për 13 muaj nën diktaturën më të tmerrshme që ka parë historia e saj…”. Siç shihet, deri këtu nuk ka asgjë të kundërligjshme. Përkundrazi, çdo kërkesë, çdo problem që ngrihej në notë ishte në përputhje me ligjin e zgjedhjeve për në Asamblenë Kushtetuese. Opozita kishte vërejtjet dhe opsionet e saj lidhur me zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit dhe do të ishte në interes të tij që ajo të dilte hapur, të legalizohej sipas ligjit dhe të shpaloste programin e saj, alternativën e zhvillimit ekonomik e politik të vendit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se opozita nuk e bëri këtë. Veprimtaria e saj ishte antidemokratike, sepse çdo veprim ajo e bëri të fshehtë, prapa shpinës së institucioneve të shtetit dhe në bashkëpunim me misionet e huaja, gjë që e penalizonte atë. Opozita ilegale u përpoq të hartonte edhe një program ilegal elektoral, me shpresë se do të legalizohej. Kjo ishte një kërkesë e vazhdueshme e misioneve angleze dhe amerikane. 
Programi i opozitës ilegale
Në programin e saj ilegal, ajo parashikonte që Shqipëria si formë të regjimit të kishte republikën parlamentare me prirje perëndimore, ku shteti, duke inkurajuar iniciativën e lirë private, do të ushtronte kontroll mbi të dhe nuk do të linte në mëshirë të fatit shtresat e paprivilegjuara të shoqërisë. Në politikën e brendshme, opozita synonte vendosjen e lirisë së plotë politike, lirinë e fesë, të shtypit, të personave, mbrojtjen përpara ligjit dhe gjyqit me gjykatës, të zgjedhur. Në politikën e jashtme, programi parashikonte mbajtjen e relatave miqësore me të gjithë aleatët e mëdhenj të Shqipërisë dhe me fqinjët e saj, për një Ballkan të ardhshëm paqësor ku të sigurohej integriteti tokësor konform Kartës së Atlantikut. Në fushën ekonomike, programi parashikonte të bëheshin disa reforma të karakterit demokratik, por kurrsesi nuk do të bëheshin reforma të thella me karakter socialist, nuk do të shtetëzoheshin mjetet kryesore të prodhimit. Për më tepër, organizatat e punëtorëve nuk do të konsideroheshin si leva të ndonjë partie, por si organizata të pavarura që do të luftonin për mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike.
Misionet njihen me programin 
Ky ishte programi që organizata opozitare ilegale “Bashkimi-demokratik” u dërgoi misioneve aleate në Tiranë. Siç shihet përmbajtja e këtij programi nuk kishte asgjë, antikombëtare asgjë që t’i binte ndesh politikës së shteteve aleate në Shqipëri, por ai binte ndesh me politikën e regjimit komunist që po vendosej në Shqipëri. Krahas këtij varianti, opozita ilegale jashtë Frontit, kishte dhe një variant tjetër programi, që nuk ua paraqiti misioneve aleate. Ai përmbante edhe zgjidhjen e problemit të Kosovës, me anën e një plebishiti ose nga Konferenca e Paqes, si dhe njohjen e neutralitetit të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Kjo kërkesë nuk iu bë e njohur misioneve aleate, sepse ajo binte ndesh si me politikën e shtetit komunist i orientuar nga Lindja, ashtu dhe me atë të qeverive aleate që nuk ishin për ndryshim kufijsh, në Ballkan. Organizata opozitare ilegale “Bashkimi-demokratik”, në programin e saj shtroi alternativën për të marrë pjesë në Parlament dhe në qeveri në rrugë demokratike legale. Ajo nuk shtroi në program rrëzimin e qeverisë komuniste dhe marrjen e pushtetit me dhunë, sepse një gjë e tillë ishte e kundërligjshme dhe antidemokratike dhe do ta komprometonte atë si forcë opozitare, demokratike, do ta ekspozonte përpara misioneve të huaja si një organizatë fashiste, terroriste.

Synimi, përmbysja e qeverisë së Enver Hoxhës 
Por, ndonëse nuk e vuri në program, opozita ilegale përgatitej që të krijonte kushte të përshtatshme për t’iu kundërvënë e për ta përmbysur qeverinë e Enver Hoxhës me dhunë, duke përdorur si forca të armatosura të arratisurit politikë dhe kundërshtarë të tjerë të regjimit që ishin prekur nga reformat ekonomike apo që kishin të dënuar nga gjyqet ushtarake pjesëtarë të familjes si kriminelë lufte apo si armiq e sabotatorë të pushtetit. Në përpjekje për të rrëzuar me dhunë qeverinë komuniste, anëtarët e organizatës “Bashkimi-demokratik”, bënë agjitacion e propagandë kundër reformave të qeverisë komuniste, u vunë në lidhje me të arratisurit politikë dhe oficerë të ushtrisë së vjetër të mbretërisë, me qëllim që të godisnin depot ushtarake, të digjnin ose të merrnin, materiale ushtarake, si armatime veshmbathje, të nxisnin dezertimet nga ushtria, të mblidhnin informata mbi vendndodhjen e formacioneve ushtarake, mbi efektivin dhe armatimin e tyre, të hartonin dhe të hidhnin trakte për të sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit, me qëllim që të fitohej kohë për të formuar opozitën legale, të kryheshin akte terrori ndaj kuadrove kryesorë dhe të niveleve të ulëta të partisë e të shtetit. Këto akte ishin shprehje e urrejtjes dhe e rezistencës së bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist që po vendosej dhe një përgjigje, aty për aty, të orvatjeve që bënte PKSH-ja për të likuiduar çdo kundërshtar politik, me gjyq e pa gjyq, me faj e pa faj.

Arrestimi i anëtarëve të opozitës
Në këto rrethana, organizata opozitare ilegale nuk mundi të dalë si opozitë legale dhe të shpallte programin dhe kandidatët e saj për në Asamblenë Kushtetuese. Organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet rrjetit të tyre informative, vëzhgonin çdo lëvizje, takim e bisedim të kundërshtarëve politikë, çdo tentativë të tyre për të formuar parti opozitare. Në kuadrin e këtyre përpjekjeve, anëtarët e organizatës gjatë muajve janar-shkurt 1946 u arrestuan një nga një dhe, në qershor të atij viti, u dënuan si “tradhtarë, armiq të popullit e të partisë”. Si të tillë u dënuan Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Hivzi Gole, Shaban Balla, Ali Kavaja, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, etj. Të njëjtin fat pësuan më përpara anëtarët e organizatës opozitare ilegale “Bashkimi shqiptar” në përpjekje për të formuar grupe opozitare jashtë Frontit me qendër në Shkodër. Tjetër taktikë përdori Organizata Nacionaldemokratike” apo grupi i deputetëve. Ata mbështetën vijën politike dhe programin e Frontit Demokratik. Të mbështetur edhe nga udhëheqja e PKSH-së, ata vunë kandidaturën si deputetë për Asamblenë Kushtetuese, me synimin që pas zgjedhjeve të krijonin një grup parlamentar opozitar. Personalitete të tilla politike që vunë kandidaturën dhe fituan si përfaqësues të Frontit Demokratik qenë: Shefqet Beja, Riza Dani, Kolë Kuqali, Kostandin Boshnjaku, Enver Sazani, Irfan Majuni, Sheh Ibrahim Karbunara, Selaudin Toto, Andrea Sahatçi, Kol Prela, Zef Haxhia etj. 
PKSH-ja asgjësoi çdo mendim opozitar
Pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit, Partia Komuniste, si parti e vetme e vendit, u përpoq që të asgjësonte çdo mendim opozitar, çdo përpjekje për krijimin e partive të tjera politike. Ajo filloi të njëjtësonte haptazi Frontin Demokratik me veten e saj. Madje, ajo sapo sanksionoi pushtetin me votën e popullit, iu shmang programit elektoral që kishte shpallur gjatë fushatës, nxori ligje të ashpra për të shndërruar dora-dorës pronën private në pronë shtetërore, për të kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarit. Në rrethana të tilla, deputetët opozitarë organizuan një mbledhje legale ku diskutuan nëse do të dilnin në asamble si grup opozitar apo do të shfaqnin pikëpamjet e tyre opozitare e si individë. Në kushtet e survejimit e të burgosjeve të kundërshtarëve politikë, ata vendosën që të mos ekspozoheshin si grup, por si individë me shpresë se në të ardhmen do të krijoheshin kushte për opozitë legale, për të luftuar për një sistem politik, demokratik me orientim perëndimor. Po një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse deputetët opozitarë dhe gjithë anëtarët e Organizatës Nacionaldemokratike u arrestuan dhe dhanë llogari në gjyq si armiq, tradhtarë e terroristë. Ata u likuiduan politikisht dhe fizikisht. Likuidimi i organizatave opozitare u tregoi kundërshtarëve politikë se në kushtet e vendosjes së diktaturës e kishin të vështirë të rigrupoheshin, madje të pamundur të krijonin parti politike. Procesi gjyqësor ndaj tyre qe një paralajmërim serioz për cilindo që do të guxonte të shprehte mendime të kundërta e që do të ngrihej kundër regjimit komunist. Partia Komuniste shqiptare mbeti e vetmja forcë politike e vendit dhe, duke qenë kështu, ajo sundoi me duar të hekurta për më se 45 vjet.
Sigal