Për një fjalor të madh kombëtar të gjuhës shqipe

10229
Prof. dr. Hajri SHEHU
Fjalori shpërfaq një pasuri të madhe leksikore, kuptimore e frazeologjike e do të ishte një pasqyrë e gjallë e leksikut të shqipes dhe e zhvillimit të këtij leksiku në këto vite e edhe përtej këtyre viteve
Veçoritë strukturore e bëjnë gjuhën standarde të jetë në qendër të rëndesës në punë të korrektësisë drejtshkrimore, morfologjike-fjalëformuese, gramatikore, sintaksore, kuptimore, drejtligjërimore etj
E kemi fjalën për një fjalor me 85 000 – 90 000 fjalë. Ky fjalor ka qenë projekt i vitit 2007-2008. Qenë hartuar kriteret shkencore për hartimin e fjalorit nga akademik prof. dr. Jani Thomai. Qenë miratuar kriteret dhe projekti nga grupi i punës, Departamenti dhe Këshilli shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e qe përcjellë në Akademinë e Shkencave. Me sa duket, projekti nuk mori jetë për arsye financiare. Ka në qarkullim disa fjalorë të gjuhës shqipe. Më i fundit është i vitit 2006, me rreth 50 000 fjalë. Brenda atij vëllimi e asaj prerjeje, korpusi i Fjalorit të gjuhës shqipe, 2006, është i potë dhe besojmë që ai i ka përmbushur synimet dhe detyrat e tij. Por ai është botuar para 12 vjetësh dhe është hartuar para 15 vjetësh. Është një kohë jo fort e shkurtër. Është një kohë me një zhvillim të madh të leksikut të shqipes në të gjitha trojet e saj. Në parantezë, leksiku (tërësia e fjalëve të një gjuhe) e ndjek hap pas hapi zhvillimin shoqëror. Atëherë, ky leksik e ky zhvillim i leksikut duhet pasqyruar në një fjalor, që ta nxërë atë, në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës. Sipas kritereve të miratuara shkencore, Fjalori do të përfshinte gjerësisht shtresën aktive dhe pjesën më të madhe të shtresës pasive të leksikut, të frazeologjisë (shprehjeve të qëndrueshme e të figurshme – H.Sh.), të semantikës leksikore (të kuptimit të fjalëve e të shprehjeve – H.Sh.) shqipe, duke i zgjeruar kufijtë historikë përtej Rilindjes Kombëtare dhe kufijtë e rrafsheve të gjuhës (të të folmeve, të ligjërimeve e të stileve) (nënvizimi im-H.Sh.). Kjo do të thotë që në Fjalor do të zinin vend më shumë fjalë të reja, më shumë fjalë të vjetra, të vjetruara ose që po vjetrohen, më shumë fjalë e shprehje me burim popullor nga të folmet e shqipes – me brumë e me formim shqip e me vlerë letrare potenciale për gjuhën standarde. Do të zgjerohej edhe shtresa e fjalëve të huazuara – ato që zënë a që mund të zënë ndonjë qelizë të zbrazët në strukturën e shqipes standarde ose edhe të tilla që jepen për qëllime, thjesht informuese. Do të jepej, sigurisht, më e plotë struktura kuptimore e fjalëve, me ndarje kuptimesh e ngjyresash kuptimore e stilistikore. Do të kishte më shumë shembuj ilustrues për përdorimin e fjalëve. Thënë me një fjalë, Fjalori do të shpërfaqte një pasuri të madhe leksikore, kuptimore e frazeologjike e do të ishte një pasqyrë e gjallë e leksikut të shqipes dhe e zhvillimit të këtij leksiku në këto vite e edhe përtej këtyre viteve. Do të rritej, kështu edhe funksioni informues i Fjalorit, sigurisht brenda parimeve, kritereve e kërkesave leksikografike shkencore. Do të zgjerohej kështu shumë edhe mikrostruktura e Fjalorit. Për të dhënë një shembull për lexuesin në punë të mikrostrukturës së Fjalorit: Fjalët e parme do të jepeshin me etimologjinë e tyre – shumë e nevojshme kjo për një përdorues me dije e me synime jo të pakta gjuhësore. (Etimologjia është prejardhja dhe historia e fjalës). Emërtimet botanike e zoologjike do të kishin emërtimin shkencor latin e kështu, do të ishin shumë të sakta për përdoruesin e Fjalorit. Shembujt ilustrues për përdorimin e fjalëve do të ishin si një fjalor drejtligjërimor brenda këtij Fjalori. Ky do të ishte Fjalori. Dhe ky mund të jetë Fjalori. Detyra e parë e një fjalori është përzgjedhja dhe jo, thjesht mbledhja. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për njësi të veçanta, por për klasa të caktuara fjalësh, për grupe të caktuara tematike, për grupe të caktuara fjalëformuese etj. Me vëllimin që ka (85 000 – 90 000 fjalë), ky Fjalor na e jep mundësinë të zgjedhim gjerë, sigurisht brenda parimeve e kritereve shkencore leksikografike. Për shembull, një ndër parimet dhe kriteret e hartimit të fjalorëve është që përzgjedhja e fjalësit (fjalësi është tërësia e fjalëve që përfshihen për t’u shpjeguar) të bëhet në pajtim me prirjet e zhvillimit të gjuhës standarde e të leksikut të saj. Dhe prirje e sotme e zhvillimit të shqipes standarde është pasurimi i leksikut të saj me fjalë të reja e formime të reja që vijnë si procese të brendshme të gjuhës ose si pasojë e faktorëve socialë (zgjerimi i letërsisë artistike, publicistike etj., ardhja e teknologjive të reja, e informatikës etj.) Atëherë, fjalësi i këtij Fjalori do të kërkohet drejtpërdrejt në gjuhën e shkruar (letërsinë artistike, mësimore, ekonomike, politike, publicistike, shkencore, teknike, ushtarake, fetare, teknologjike etj.). Edhe në gjuhën e folur (fjalimet, tryezat e bisedimeve, intervistat etj.). Kjo do të thotë, atëherë që për këtë Fjalor do të vijë i përzgjedhur edhe leksiku i gazetave të sotme. Do të vijnë edhe terma të gjithëpërdorshëm nga burime të shkruara ose të folura – nga librat e sotëm shkencorë a shkencorë-popullarizues, nga tekstet e sotme të shkollës së mesme, nga tekstet e ligjeve e të vendimeve të pushtetit të sotëm, të gazetave të sotme etj. Do të vijnë edhe fetarizma biblikë e kur’anorë. Do të vijnë edhe terma që rezultojnë më të suksesshëm nga pikëpamja gjuhësore e pajtohen me konceptet e sotme ndërkombëtare, por edhe për arsye të rolit që luan zhvillimi i shkencës e i teknikës, domethënë, edhe për arsye të rolit shoqëror që luajnë ata (termat). E pse jo – edhe për të vlerësuar rëndësinë e fjalorit (leksikut) shkencor e teknik për gjuhën. Edhe për të treguar se kemi një terminologji të përpunuar e të normativizuar e si e tillë, mund të zërë vendin që i takon në një fjalor shpjegues kombëtar. Edhe për të shpërfaqur intelektualizimin e gjuhës shqipe standarde. Edhe për të treguar udhën për të mos përdorur terma të huaj të panevojshëm e fjalë a formime të huaja të panevojshme. Edhe sepse Fjalori e ka për detyrë të përkufizojë qartë terma të keqpërdorur ose të ngatërruar. (Një shembull. Kontratat. Ka kontrata që kanë gabime edhe për arsye termash e fjalësh. Dhe gabimet largojnë mirëbesimin).Për Fjalorin e gjuhës shqipe me 85 000 – 90 000 fjalë ka edhe një ardhje tjetër. Është ajo nga gjuha e folur bisedore e popullit në të gjithë truallin shqiptar. Edhe nga arbërishtja. Janë fjalët dhe shprehjet që rrojnë në popull, të cilat për arsye jashtëgjuhësore nuk kanë mbërritur te gjuha standarde. Janë ato fjalë dhe ato shprehje që mund ta pasurojnë gjuhën standarde e prandaj mund të hyjnë në gjuhën standarde. Dhe fjalorët e shqipes janë një ndër mjetet e një ndër rrugët për t’i bërë ato të njohura për botën letrare e përgjithësisht, për publikun e gjerë e në këtë mënyrë, edhe për gjuhën standarde. Sepse fjalorët marrin dhe japin. Marrin nga ligjërimi popullor (sipas kritereve të caktuara) dhe ua japin të tubuara (sipas kritereve të caktuara) shkrimtarëve, publicistëve etj. si leksik me vlerë letrare potenciale. Edhe si informacion. Dhe të gjithë Fjalorët e gjuhës shqipe e kanë kryer këtë detyrë – kanë pasqyruar leksik popullor krahinor me vlerë letrare potenciale. Por fjalori me 85 000 – 90 000 fjalë ka më shumë mundësi për të pasqyruar leksik popullor, sepse ka më shumë hapësirë e kësisoj, nuk preket as simetria e tij. Dhe ai do të ishte ndihmëtar i kujtdo që e kërkon fjalën e popullit. Sepse, të tubuara me vlerën e tyre letrare potenciale, fjalët e shprehjet popullore nga të folmet e shqipes e kanë vendin më të parë vetëm në një fjalor të përgjithshëm kombëtar të gjuhës shqipe. Fjalori do të shuante edhe kureshtjen e kujtdo që dëshiron të hetojë fjalë të së folmes së vet në Fjalorin e gjuhës shqipe. Kuptohet, variante fonetike krahinore nuk do të gjejë. Do të gjejë fjalë me vlerë letrare potenciale, domethënë, fjalë që sjellin vlera pozitive për gjuhën shqipe standarde, fjalë që shpërfaqin jetën kulturore të popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij. Ky fjalor do të shpëtonte nga humbja mijëra fjalë të tilla. Themi do t’i shpëtonte, sepse vënia përpara përdoruesit të Fjalorit bën punën e vet të mirë. Mosvënia bën të kundërtën. Dhe vetëm nga Aksioni i madh i viteve ’80 të shekullit të kaluar për mbledhjen e fjalës së rrallë popullore (po përdorim një term të atyre viteve) kanë ardhur rreth 190 000 fjalë dhe kuptime fjalësh me burim popullor. Dhe këto 190000 fjalë e kuptime fjalësh mund të përzgjidhen vetëm për një fjalor të madh si ky, me 85 000 – 90 000 fjalë. Mund të vijnë edhe të tjera si këto për fjalorë të mëpasëm. A do t’i lëmë të humbasin? Themi të humbasin, sepse mërgimi i shumë shqiptarëve, përzierja e popullsisë e mungesa e vëmendjes gjuhësore për vjeljen e organizuar të fjalës popullore (për hir të së vërtetës, duhet thënë që tashmë nuk organizohen ekspedita gjuhësore – leksikologjike) bëjnë punën e vet të pamirë. Kësisoj, Fjalori do të jetë edhe një nxitje e fuqishme për të vjelë fjalë e shprehje popullore nga të gjitha të folmet e shqipes, për t’i tubuar sipas kërkesave e kritereve shkencore leksikografike edhe në një Fjalor të Përgjithshëm të të Folmeve të Shqipes – me vlerë të veçantë shkencore për leksikografinë, dialektografinë, historinë e gjuhës e etimologjinë e saj. Profesor Çabej ka thënë: “Një punë e re në këtë fushë (në etimologji – H.Sh.) mund të fillojë vetëm atëherë kur studimi etimologjik të veprojë me një material mjaft të plotë, të mbledhur nga goja e popullit”. (E. Çabej, “Studime gjuhësore”, I, Prishtinë, 1976).Fjalorët janë libra që përmbajnë fjalë të zgjedhura. Edhe kaq mjafton që për masën e përdoruesve, fjalorët të jenë autoriteti se si duhet përdorur gjuha. Nga leximet tona, dimë që i vetmi standard që njihet në Amerikë, është ai i fjalorëve kombëtarë. Prandaj edhe fjalorët që synojnë, thjesht të përshkruajnë, bëhen normativë në praktikë. Çfarë duam të themi? Duam të themi që Fjalori me 85 000 – 90 000 fjalë ka, sigurisht detyra koduese. Ai nuk është, thjesht listë e madhe fjalësh. Ai e ka për detyrë t’i mësojë të tjerët si ta përdorin gjuhën. Ai është edhe regjistrues i leksikut të shqipes, edhe legjislator i tij. Legjislator, me teknikat e teknologjitë e tij leksikografike. Me këto teknika e teknologji, ai të thotë: Zgjidh! Me teknikat e teknologjitë e tij, ai do ta modelizojë më tej leksikun e shqipes. Sepse ka mundësi më shumë për të na i treguar veçoritë strukturore të gjuhës standarde. Dhe veçoritë strukturore e bëjnë gjuhën standarde të jetë në qendër të rëndesës në punë të korrektësisë drejtshkrimore, morfologjike-fjalëformuese, gramatikore, sintaksore, kuptimore, drejtligjërimore etj. Edhe qëllimi informues i këtij Fjalori është më i madh. Sepse ka hapësirë e mundësi teknike e teknologjike leksikografike për të na informuar – për sinonimet (fjalët e afërta për nga kuptimi etj.), për fjalët e huaja të panevojshme, për ndonjë fjalëformim të izoluar, për një fjalë të re (e legjitimitetin e saj), për një fjalë, thjesht krahinore ose krahinore me vlerë letrare potenciale, për një fjalë të vjetër, të vjetruar ose që po vjetrohet etj. Kësisoj, ai do të na e tregojë rrugën e duhur. Ai do të jetë një fjalor shumë i gjerë drejtshkrimor sepse nuk është vetëm për fjalën titull e për trajtat e saj gramatikore (që i jep zakonisht një fjalor drejtshkrimor), por edhe për fjalë të afërta për nga kuptimi, edhe për fjalë të ngatërrueshme për nga afria shqiptimore ose shkrimore, edhe për fjalë popullore krahinore, të rindërtuara sipas standardit, edhe për shpjegimet e fjalëve, edhe për shembujt përdorimorë. Edhe për shenjat e pikësimit e përdorimin e tyre. Me hapësirën që ka, ky Fjalor do të na japë, siç u tha, shumë thënie ilustruese për përdorimin e fjalëve dhe të shprehjeve. Kësisoj, ai do të jetë një bazë e fuqishme themelore për një Fjalor drejtligjërimor (ortologjik) të gjuhës shqipe – shumë i nevojshëm për njohjen e bashkëlidhjeve të fjalëve e edhe të kuptimeve të tyre, sepse kuptimi konkret, i gjallë i një fjale, merret vesh nga fjala tjetër që ka pranë (sipas gjykimit: më thuaj me çfarë rri, të të them se çfarë je / krahaso Dielli ndriçon. Hëna ndrit).

• Shumë i nevojshëm për përdorimin e drejtë të fjalëve. 
• Shumë i nevojshëm për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë. 
• Shumë i nevojshëm për fjalorët shqip-gjuhë e huaj dhe për të huajt që mësojnë shqipen. 

• Fjalori mund të shërbejë mirëfilli si lëndë e zgjedhur për hulumtime të mëtejshme për leksikun e shqipes (Fjalori do të jetë, p.sh., një argument i fuqishëm për zhvillimet kuptimore të fjalëve, me shpjegimet e sakta, të detajuara dhe të vërtetësuara me ilustrime / togfjalësha ose fjali të shkurtra), për studime historike e etimologjike (le të themi, për të parë njësinë e gjuhës nëpërmjet fjalëve të vjetra) e në përgjithësi, për përshkrimin gjuhësor të sistemit e të strukturës së gjuhës shqipe (p.sh., për të parë se si gjuha e rinon veten me formime të reja, me kuptime të reja të figurshme, me diferencimet stilistikore të sinonimeve). 

Kësisoj, do të vlerësohen më shumë e shkuara e gjuhës shqipe e zhvillimi i saj historik dhe e tashmja e zhvillimi i saj i sotëm. 

• Ky Fjalor do të jetë udhërrëfyes i besueshëm për fjalorët shqip-gjuhë e huaj. Sepse kolona e parë e fjalorit dygjuhësh konsiderohet zakonisht e mirëqenë: fjalorët shqip-gjuhë e huaj përsërisin zakonisht fjalësin, ndarjen kuptimore, bashkëlidhjen e fjalëve etj. të Fjalorit shpjegues të shqipes. 

• Kësisoj, leksiku i shqipes do të ballafaqohet denjësisht me atë të gjuhëve të tjera. Kështu, ai do ta rritë më tej ndërkombëtarisht prestigjin e gjuhës shqipe. Edhe për fjalorë të shkrimtarëve ky Fjalor do të ishte udhërrëfyes. Edhe për fjalorë më të vegjël ose më të mëdhenj. Pa këtë fjalor, fjalorët e tjerë të mëpasëm do të ishin si një tablo në muzg. 

Mundësitë për hartimin e këtij Fjalori janë. Është një Kartotekë me mbi 5 milionë skeda. Edhe e informatizuar. Janë veças, siç u tha, rreth 190000 fjalë e kuptime fjalësh (pronë letrare e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë), të mbledhura nga të folmet popullore në Aksionin e madh kombëtar të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Janë bërë vjelje të posaçme të shtypit në vitet ’90. Janë botuar shumë fjalorë terminologjikë, fjalorë dygjuhësh e fjalorë me fjalë e shprehje popullore nga të folmet e shqipes në Shqipëri e në Kosovë, në Maqedoni e në Arbëreshí. Është botuar një letërsi e gjerë artistike, publicistike, politike, ekonomike etj. Nëpërmjet rrjetit elektronik, kjo letërsi mund t’i jepej Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, me destinacion: Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe. Sepse kombëtarësia e Gjuhës është si kombëtarësia e Flamurit. Edhe forcat shkencore hartuese janë. Ne s’mund të matemi, ndoshta me anglezët, që punojnë për të përfunduar Fjalorin 32-vëllimësh të anglishtes. As me rusët e as me amerikanët. Por me të tjerë e me një Fjalor 85 000 – 90 000 fjalë, mbase në një vëllim a në dy vëllime, po. 

Thonë që fjalorët janë librat më të mirë e më të rëndësishëm që mund të shkruhen për gjuhën. Atëherë, a të mos e hartojmë e të mos e botojmë këtë Fjalorin me 85 000 – 90 000 fjalë, që do të jetë, vërtet një nga librat më të rëndësishëm për gjuhën shqipe e besojmë, një nga librat më të mirë për gjuhën shqipe?! A do ta lëmë të fjetur tërë këtë pasuri?! A do ta lëmë skedarëve?! A nuk do t’ia rikthejmë popullit?! Dhe, këto pyetje janë më së pari për shtetin. Për Ministrinë e Arsimit, që ka në varësi edhe shkencën. Për Ministrinë e Financave, që administron lekun e shqiptarëve. Sigurisht, këto pyetje janë edhe për të tjerë – për këdo që e do gjuhën amtare e i dhimbset gjuha amtare.
Sigal