Penda e fortë e gazetarisë shqiptare

798
Nga Luan Çipi

85-vjetori i Duro Mustafait
Duro Mustafai, ka lindur në “Lagjen e Re” në qytetin e Vlorës, më 21 shkurt të vitit 1933. Mësimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” në vendlindje. Përfundoi me rezultate shumë të mira Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe Shkollën e Lartë, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (Dega”Gjuhë-Letërsi”), në Universitetin Shtetëror Tiranë. Fillimisht punoi si mësues i letërsisë dhe drejtor shkolle, në qytetin e tij të lindjes dhe më pas, po aty, në drejtimin e rinisë së rrethit të Vlorës. Krijimtarinë letrare e ka nisur qysh në bankat e shkollës, duke shkruar vjersha e tregime në organet letrare të kohës si në gazetën “Pionieri”, në revistën letrare “Nëntori” dhe në gazetën letrare “Drita”. Për më shumë se 60 vjet pa shkëputje, ndofta duke vendosur një rekord, është marrë me gazetari. Ka punuar redaktor në gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i gazetës “Drita” për gati 7 vjet, kryeredaktor i gazetës “Shqipëria” (për diasporën) në Ministrinë e Punëve të Jashtme (derisa doli në pension) dhe më pas, deri në ditët tona, kryeredaktor i gazetës “HORA” dhe i revistës me të njëjtin emër, organe periodike të shoqatës Atdhetare Kulturore Vranisht i Vlorës. Për sa e gjykoj unë, profesioni i mirëfilltë, specialiteti i ngushtë superior i Duro Mustafait është gazetaria. Këtu i ka shokët të rrallë, nga që nuk i numërohen artikujt, kryeartikujt, skicat, portretet, vëzhgimet, fejtonet dhe reportazhet gjurmëlënës, ku ka pasqyruar saktë dhe bukur ngjarje, ka nxjerrë përfundime dhe ka shtruar rrugëzgjidhje të drejta.
Kështu, duke biseduar për probleme profesionale të gazetarisë bashkëkohore me shokun tim të dashur të fëmijërisë, të shtohet interesi dhe kureshtja, për këtë pionier të gazetarisë shqiptare, që ka gjithashtu përvojën e drejtuesit shoqëror e pedagogut, po që modestia karakteristike e njerëzve të ditur e me vlerë, bën që të deklamojnë fare pak për punën dhe jetën e tyre, natyrshëm me mjaft interes për gazetarët e rinj. Për të zbuluar disa fakte të jetës së tij, më shërbyen pohimet e shokëve për të. Kështu (siç kam hulumtuar në faqet e internetit, 3 vjet më parë), gazetari Bujar Qesja, për kolegun Duro Mustafai, njëkohësisht pedagog i tij në gazetari ka shkruar në adresë të Duros: “Është dëshira e jashtëzakonshme imja, për të uruar përvjetorin e lindjes suaj, profesori im i dashur!
Të kujtoj me shumë mall. Kujtoj modestinë tënde, profesionalizmin e pa konkurrueshëm, atdhedashurinë, karakterin e palëkundur, por mbi të gjitha trajtimin që na bëtë ne, brezin e ri të gazetarëve, duke na trajtuar si fëmijët tuaj. Buzëqeshja jote më ka mbetur e gjallë dhe sa herë e kujtoj, më jep forcë e kurajë të besoj në profesionin tonë, që ka brenda mjeshtërinë dhe aftësinë tuaj. Jetë të gjatë Duro Mustafait, burrit zotni, penda e fortë e gazetarisë shqiptare…!”

Po me dashuri e respekt flasin për të, ish studentët, po edhe kolegët e kujtojnë dhe e vlerësojnë me fjalët më të mira edhe e cilësojnë si gazetar, ndër më të shquarit, por edhe si njeri me ndjenja të larta njerëzore, Kanë shkruar për të në organe të shtypit qendror, në kohë të ndryshme: Bedri Dede, Agim Shehu, Xhevahir Spahiu, Irfan Bregu, Përparim Hysi, Gëzim Llojdia, e të tjerë… Dhe të mos harrojmë ato vitet e vështira, kur, të ishe gazetar, do të thoshte të ruheshe nga të papriturat, që bëheshin shkak dënimi edhe për një varg poezie të “gabuar”, edhe për një fjali të të keqkuptuar, apo të një veprimi “antisocialist”, që binte ndesh me politikën dhe ideologjinë sunduese… Ishte koha kur, për të mbijetuar, siç ka thënë Kadareja, duhet të paguaje edhe “haraçin “ përkatës. Dhe, gazetarët me dinjitet e personalitet, që e donin dhe i donte populli, ditën si t’i shërbejnë popullit të tyre, ndaj këta, misionarë fisnik, të guximshëm e të drejtë, i çmojmë e i nderojmë.
Paraqita fare të përmbledhur veprimtarinë gazetareske dhe letrare të Duro Mustafait. Po kjo, megjithëse një veprimtari brilante, që do ta bënte krenar këdo, nuk do ta prezantonte të plotë mikun tim të mirë. U shpjegova, se njohja e afërt me të është qysh nga bankat e shkollës fillore. Më kujtohet koha kur ishim në rrethet letrare, teatrore dhe muzikore të Shtëpisë së Pionierit në Vlorë, me drejtues mjeshtrin e madh, kompozitorin Tish Daija, muzikantin vlonjat Themistokli Mone dhe dramaturgun Minush Jero. Durua, qysh atëherë dhe më pas, i dalluar në punët me rininë, me atë trup atletik e të shkathët, i bukur dhe shumë miqësor e dashamirës, ishte i gatshëm për të ndihmuar këdo, duke qenë dhe vet nxënës i dalluar në mësime dhe me prirje letrare të shfaqura. U ndamë disa vjet në shkollën e mesme, kur ai u shkëput në Elbasan dhe unë në Tiranë dhe u takuam sërish në Vlorë pas mbarimit të Universitetit. Ai këtë radhë erdhi dhe me Katin, bashkëshorten, mësuese bukuroshe, të njohur e të vlerësuar në Elbasan, me të cilin pati dy fëmijë, një nip dhe tri mbesa dhe gjithnjë një mirëkuptim të plotë. Karakteristikë dalluese e përhershme e Duros ka qenë dhe është dashuria për atdheun, shokët, kolegët, bashkëqytetarët, për farefisin dhe bashkëfshatarët e origjinës së tij. Të gjitha këto ndjenja dashamirëse, njerëzore e humane, (pa marrë vet asgjë) kanë gjetur aq bukur vendin e tyre në faqet e shtypit dhe të librave, ku buçet jehona e zërit të tij të ëmbël. Ka mbi njëzetë vjet, që me Duro Mustafain dhe të tjerë pensionistë vlonjatë të mirë, takohemi disa herë në javë dhe kalojmë vërtetë çaste të lumtura. Shokët tanë, me të cilët pimë thuajse çdo ditë kafe e çaj, po ndonjëherë takohemi me raste festash, gëzimesh familjare dhe datëlindje të njëri-tjetrit, janë thuajse të gjithë gati bashkëmoshatarë dhe miq e shokë të vjetër, ardhur prej vitesh me punë e familjarisht në Tiranë. Bisedat tona, përgjithësisht, vërtiten rreth Vlorës dhe ngjarjeve e bëmave të kahershme atje, kur ne punonim dhe kontribuonim për familjen dhe shoqërinë. Ishte një kohë, kur shkrimtari ynë i nderuar edhe pse pensionist, merrej me përpunimin përfundimtar të romanit “Nën qiellin e Prishtinës”. Ky libër, për mua, më i arriri si vepër në gjerdanin e artë letrar të Duro Mustafait, kishte nisur të shkruhej qysh në vitet tetëdhjetë (dhe të botohej me fashikuj në revistën Nëntori), kur ndihej e organizuar kundërshtia kosovare ndaj dhunës serbe. Subjekt i përpunuar dhe i pasuruar është aktual dhe me guxim tenton, për një bashkim njerëzor e human, në zgjidhjen paqësore e dashurore të atmosferës tradicionale tejet armiqësore midis popujve fqinjë. Kjo ndjenjë paqësore mirëkuptimi, është princip pune e mendimi për Duron. Kështu veproi ai edhe, si kryeredaktor i gazetës dhe revistës “Hora”, ku me qëndrimin këmbëngulës të tij, të botuesit vranishtjot, inxhinierit të kulturuar e bujar, Besnik Hasanaj dhe të anëtarëve të tjerë të redaksisë, praktikisht ka unifikuar deri mosmarrëveshje e keqkuptime, duke sjellë, siç e ka princip të përhershëm Durua, harmoni e bashkim paqësor, larg ndikimeve ekstreme partiake. Dhe, me që jemi te “HORA”, dua të them pa ndjell xhelozi, si një tjetër pohim pozitiv për Duro Mustafain, se ato dy organe, për mua, janë thuajse të përsosura, me përmbajtje të larmishme, me rubrika interesante, me lajme të freskëta e të dobishme, që përfshijnë deri ngjarje historike specifike, kuriozitete shkencore, këshilla mjekësore, ngjarje sportive, etj. dhe rreken të mbulojnë deri vranishtjotin, labin e himarjotin e fundit, në skajin më të largët të globit. Edhe si paraqitje: me letër të zgjedhur, katër ngjyra të pëlqyera, me faqosje profesionale dhe me shumë faqe, këto organe, ngelen në krye të si shoqeve të tyre. Ato e tejkalojnë dukshëm kufirin e një fshati.Siç dallohet më lart, pa përjashtim dhe në mënyrë përfaqësuese, si në të gjitha zhanret e krijimtarisë gazetareske e letrare të Duro Mustafait, në shkrimet e tij, tipar dominues ka dashamirësinë e përhershme. Ai gjithnjë ka shkruar duke demonstruar talent e mjeshtëri të rrallë, pasion, po dhe mirëkuptim e kujdes. Do të përfundoja me pohimin tim të palëkundur se, gazetari i vjetër, i ditur e produktiv, Duro Memet Mustafai, ish-pedagogu i Degës së Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, është pa mëdyshje, një prej shkrimtarëve, poetëve më të hershëm, më produktiv e më të dashur dhe sidomos, një prej gazetarëve më të spikatur e më të nderuar të publicistikës shqiptare.
Sigal