“Pas vizitës së Hrushovit në Pasha Liman, më çuan për studime në Rusi”

1447
Leonard VEIZI
INTERVISTA/ Doktori i Shkencave, Spiro Mëhilli rrëfen aventurat e studentëve shqiptarë në Rusi
STATISTIKA
Studentët shqiptarë mbushin universitetet ruse
Nevoja urgjente e regjimit të Tiranës për kuadro të mirëfilltë ushtarakë, ashtu si dhe për profesionistë civilë të fushave të ndryshme, e kishte gjetur zgjidhjen: Arsimimin në shkollat e “demokracive popullore” të Lindjes, e kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Akademia “Voroshillov”, përgatiste oficerë madhorë të Shtabit të Përgjithshëm. Menjëherë pas saj vinte akademia “Frunze”, që prodhonte drejtues brigadash e divizionesh të këmbësorisë; akademia “Zhukovsko” për aviacionin; akademia “Xherxhinski” e artilerisë; akademia “Stalin” e tankeve etj. Me përjashtim të atyre të “Voroshillovit” dhe “Frunzes”, pjesa dërrmuese e studenteve shqiptare duhej ta fillonin studimin nga shkolla bazë ushtarake, “Ucilishce”, e ndarë sipas degëve dhe ku starti i parë ishte mësimi i gjuhës. Paskëtaj vinte Kursi i Oficerëve dhe më pas Akademia, si faza më e lartë. 
KONTIGJENTI
Në fillimvitin 1961, kur në mbledhjen e 81 partive të Kampit Socialist u shfaqën hapur konfliktet ndërshtetërore Shqipëri-Rusi, nga Shqipëria vazhdonin të kryenin studimet nëpër Akademitë Ushtarake ruse rreth 1.500 vetë. Nga këta, 900 ishin ushtarakë të armëve e shërbimeve të ndryshme që nga detaria, aviacioni, artileria, këmbësoria, ndërsa 600 të tjerët studentë civilë të profilit inxhinierik si kontingjent i Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes.
(Arkiva e Ministrisë së Mbrojtjes. Dosja e kontingjenteve shqiptare për shkollim ushtarak jashtë vendit)
DOKUMENTI
Menjëherë pas përplasjeve mes Hrushovit dhe Enverit në Moskë, Komiteti Qendror i PKB-së, nëpërmjet një letre për përdorim të brendshëm në parti, udhëzon gjithë akademitë ushtarake, ku studiojnë studentët shqiptarë për survejim e mbajtje nën kontroll të tyre të vazhdueshëm, për diferencime në trajtim dhe kufizim të tyre për kontakte me studentë rusë dhe studentë të vendeve të tjera të lindjes që studionin në të njëjtat akademi.
(Nga arkiva e ish- Komitetit Qëndror të PPSH-së).

Jetëshkrimi
Nga shkolla ushtarake ruse në mjekësinë shqiptare
Spiro Mëhilli u lind të qytetin e Tiranës në 12 dhjetor 1939. Në 1958 mbaroi Politeknikumin Mjekësor. Po atë vit, si punoi disa muaj ndihmësmjek në lokalitetin e Baldushkut shkoi në shërbim të detyruar në Flotën Ushtarako – Detare në Pasha Liman. Nga viti 1959 deri në 1961 ishte student në inxhinieri radio-elektronik, në Uçilishten që mbante emrin e Aleksandër Stepanoviç Popovit në qytetin e Petrodvorjecit (Petërgov) Rusi. Në 1961 pasi kthehet në atdhe vazhdon studimet në Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1966. Deri në vitin 1972 ka shërbyer si mjek në disa reparte të ushtrisë. Më pas emërohet mjek radiobiolog në spitalin e përgjithshëm ushtarak. Në 1985 fiton gradën “Kandidat i Shkencave”, në vitin 1990 “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” dhe në vitin 1993 “Doktor i Shkencave”. Ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Ka botuar disa libra mjekësorë. Nga viti 1998 i është përkushtuar letërsisë. Ka shkruar tre romane, dy libra me ese, një me tregime, një bibliografi si dhe ka në shtyp një vëllim me 7 novela. 
Ëndrra e tij ishte të studionte në një vend të madh të “demokracive popullore”, Çeki a Hungari qoftë, dhe nëse do të ishte Bashkimi Sovjetik, më mirë do të ishte për të, padyshim. Spiro Mëhilli, pas refuzimit të parë për një të drejtë studimi në një fakultet mjekësie, ka pranuar symbyllazi gjithfarë lloji do të ishte specializimi i tij i ardhshëm. Një kapele në kokë dhe shenjat e kursantit mbi supe, të shkollës ushtarake në Petërgov, do ta bënin gjithashtu, më të lumtur se sa bluza me viza bardhë e blu që i përkiste uniformës së marinarit “nën armë” të Pasha Limanit. Dhe kështu ai, dashur pa dashur iu bashkua kontingjentit të madh të studentëve të rinj shqiptarë, të cilëve po u ziente gjaku derisa të vinin yjet mbi supe e të merrnin nën kontroll njësitë ushtarake që do të bënin gati për luftën e radhës. Por duket se, Spiro nuk ishte fort i përgatitur në subkoshiencën e tij për të drejtuar trupa marinsash apo desantuesish dhe as për të mbrojtur përgjakshëm territoret me transhe e qendra të fortifikuara. Ëndrra e tij kryqëzohej ethshëm nga xhaketa me kopsa e spaleta ngjyrë ari në bluzën e bardhë me kryqin e kuq mbi gjoks, të njeriut të shenjtë, i cili në rastin më ekstrem e të pashpresë do të ishte në vendin më të papërshtatshëm, në mundej, për të ndërhyrë me mjeshtërinë e tij e për t’i dhënë jetë çdo trupi njerëzor që po fikej… Të gjitha ëndrrat e rinisë së hershme dhe aventurën e studentëve shqiptarë në Rusinë e Largët, gjatë viteve të vështira politike 1960-1961, shtatëdhjetë e një-vjeçari, Spiro Mëhilli, tanimë Doktor Shkencash në Mjekësi, rrëfen për “Telegraf”, me plot pasion, si të rijetonte edhe një herë nëpërmjet çdo fjale të thënë, të njëjtën histori të ndodhur këtu e 50 vjet më parë:

Cila ishte preferenca juaj për t’u arsimuar?
Në vitin 1958 mbarova shkollën e mesme për ndihmësmjek në Tiranë dhe dëshira gjithashtu, ishte të vazhdoja për mjekësi. Duke pasur “biografi të mirë” prisja të ikja për studime jashtë shtetit. Për çudi nuk më doli e drejta e studimit as në Fakultetin e Mjekësisë. Kështu më emëruan ndihmësmjek në lokalitetin e Baldushkut, ku kisha në patronazh jo pak, po16 fshatra që duhet t’i shkelja minimumi më të largëtit një herë në dy javë. 

Ndërkohë, ata që nuk vazhdonin shkollën shkonin ushtar. Me ju si u veprua?
Pikërisht kështu. Në dhjetor të atij viti thirrem “nën armë” dhe caktohem marinar në Shkollën e Instruksionit në Pasha Liman. Atë vit kur DAUT-ët (ushtarët e vjetër) prisnin të dorëzonin armët dhe ne të rinjtë t’i merrnim ato erdhi vendimi i Komitetit Qendror dhe i Enver Hoxhës që shërbimi i detyruar në marinë nga tre vjet kthehet në katër vjet. 

Si u prit ku urdhër?
Asnjë nga marinarët nuk e miratoi një vendim të tillë, por zgjodhën heshtjen se për një fjalë goje mund të dënoheshin. Megjithatë për mua gjithçka do të ndryshonte papritur. Në qershor 1959 në Shqipëri erdhi për vizitë Nikita Hrushovi që gazetat tona me germa të mëdha e cilësuan si “Babai i Shqipërisë”. Dhe turpi më i madh ishte kur ai në fjalën e tij tha: “Dielli i nxehtë i Shqipërisë myslimane po më djeg kokën”. Kuptohet këto fjalë nuk u përkthyen, por u kaluan në heshtje. Një apo dy ditë para se të largohej nga Shqipëria, Nikita Hrushovi, Enver Hoxha dhe shoqëruesit e tjerë të lartë të të dy shteteve, vizituan Sarandën, Butrintin, Bazën e Pasha Limanit për t’u drejtuar në Vlorë. Shkolla e Instruksionit që kishte mbi 1000 vetë të rreshtuar për dy gjatë bregut të detit priste që Sekretari i Parë i BRSS-së, Nikita Hrushov dhe Enver Hoxha të na përshëndesnin. Kishim një muaj e gjysmë që po përgatiteshim për këtë ditë. Po ata as që e vunë ujin në zjarr, por na përshëndetën me dorë nga makina që ishte e hapur dhe u larguan në drejtim të Vlorës.

Dhe si do të ndryshonte kursi i jetës suaj?
Dy ditë erdhi një shkresë vetëm për ata që kishin mbaruar shkollën e mesme dhe që ishin shumë të pakët në numër, që të bënim një kërkesë për të shkuar për studime në Bashkimin Sovjetik. Pa pyetur se për çfarë do shkonim dhe çfarë fakulteti do të ndiqnin, u regjistruam me shpejtësi dhe një prej tyre në listë isha dhe unë. Thonë që fitimtarët nuk pyeten, por unë e kam konsideruar një marrëzi, që nga ndihmësmjek të shkoja në një fakultet të Radioelektronikës pa pasur bazat e shkollës së mesme. Megjithatë më tërhiqte ëndrra për të dalë jashtë shtetit e, sidomos në Bashkimin Sovjetik, ku propaganda e partisë na e kishte bërë sikur atje njerëzit nuk ecnin, por fluturonin. Nuk mund të mohoj një fakt që unë pata fatin të shkoja në qytetin e Leningradit, ish-kryeqytetin e Rusisë për 206 vjet, një vend me njerëz të edukuar dhe me kulturë të madhe, sa banorët e atij qyteti Moskën e quanin “fshat i madh”, pavarësisht se kishte rreth dy herë më shumë banorë. 

Kur do të bëhej nisja juaj nga Shqipëria?
Ishte mëngjesi i 1 korrikut 1959 kur dhjetëra e dhjetëra kursantë hipën në anijen desantuese, 1700 tonëshe, “Irgis”. Për të qeshur është fakti se pasi kishim bërë rreth një orë lundrim një gjuajtës i yni jep sinjalin që anija të ndalonte. Si u vendosëm në akostim të dyja anijet me njëra- tjetrën, një oficer i gjuajtësit hipi në anijen tonë dhe pasi lexoi emrat mori me vete dy persona, që me sa duket kishin probleme me biografinë. 

Pjesa tjetër e udhëtimit do të shkonte pa incidente?
Në fakt udhëtimi ishte sa i bukur aq dhe i vështirë. Kur u futëm në ujërat territoriale të Greqisë dhe mbi qiell fluturuan dy tre avionë, urdhri u dha i prerë, “Të gjithë kursantët të futen brenda të mos na shohin monarko-fashistët grekë se sa jemi e ku po shkojmë”. Kur ishin në detin e Kretës, mbushur me ishuj të vegjël pamë një nga panoramat më të bukura që mund të falte natyra. Ndërsa kur u futëm në detin Marmara erdhi një urdhër tjetër. “Të gjithë të futemi brenda”. Ndodheshim përballë Stambollit. Kjo vinte pasi pak kohë më parë ishin arratisur dy sportistë, Bule Vathi dhe Bari Kavaja. Të gjithë kursantët e ardhshëm u futën brenda. Po unë nuk e zbatova urdhrin dhe u fsheha pas një kolone. Në detin e Marmarasë pashë plot varka që i vinin përreth anijes dhe njerëzit që lundronin mbi to. Shumë prej tyre na i bënin me dorë e na thoshin: “Atlla, atlla. Korkma”, që donte të thoshte “Hidhu, hidhu, mos ki frikë”. Pastaj udhëtimi vazhdoi nëpër Detin e Zi. Këtu kanë qenë dhe orët më të tmerrshme që kam kaluar në jetë. Dallgët sa një mal desh e mbytën anijen. U detyruam të marrim kursin drejt Bullgarisë. Megjithatë perëndia i ndihmuar nga sputnikët e Neptuni, perënditë e dallgëve, e kishte caktuar fatin tonë që ne të shkonim shëndoshë e mirë në Odesë. 

Si ju duk kontakti i parë me një vend të huaj, kur zbritët në Odesë?
Odesa është një qytet i bukur Ukrahinas, vendi i zbarkimit të kahershëm të shqiptarëve që kanë lidhje që nga koha e Katerinës së Madhe, ku morën pjesë në themelimin e qytetit të Odesës, të Sevastopolit dhe në krijimin e katër fshatrave me shqiptarë që banohen edhe sot e kësaj dite. Pas një qëndrimi tre ditor në qytetin e Odesës, morëm rrugën drejt Rusisë së lashtë. Tre ditë e tre net udhëtimi me tren dhe ku syri nuk na pa asnjë kodër, por vetëm fusha dhe pyje të pafund të Ukrahinës, Bjellorusisë dhe Rusisë.  

(vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI
-Si filloi prishja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik
-Mbledhja e Halim Ramohitës që u dha studentëve porositë e Enver Hoxhës
-Si u organizuar greva e urisë duke hedhur nga shkallët kazanët me ushqime
Sigal