Partizanët ishin forcat efektive të vendit

1399
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Nacionalistë miopë në çështjet botërore

Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar ka dalë me një deklaratë se Mithat Frashërit nuk meriton t’i bëhen nderime qeveritare, e cila u publikua në shtypin e shkruar. Pas 45 vjet shtet të diktaturës së proletariatit, erdhi në sistemin e pluralizmit edhe partia e Ballit. Por edhe pas tërë këtyre viteve, bashkëpunimi i Ballit me pushtuesit e huaj, ka mbetur njollë e zezë. Në veprimtarinë e tij, Balli kishte si mision për të luftuar komunistët, siç janë shprehur vazhdimisht në vite krerët e kësaj organizate. Antikomunistë kanë qenë amerikanët, anglezët, si dhe popuj të tjerë, por ballistët nuk u përfshinë në luftë e për të përballuar sakrifica të mëdha, kundër murtajës nazi-fashiste, siç vepruar dhe antikomunistët amerikanë e anglezë. Balli Kombëtar, me idenë antikomuniste nuk u përfshi në Luftën Antifashiste si ushtria partizane. Shumë qartë e ka shprehur Riginald Hibbert, oficer i misionit Britanik në Shqipëri, në librin e tij “Fitorja e Hidhur”, se “Ishin krerët nacionalistë shqiptarë, që e flakën tej shansin për të luajtur një rol në Shqipërinë e pasluftës, me ngurimin e tyre për të marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve të huaj”. Më tej oficeri britanik, shkruan se “Nacionalistët miopë në çështje botërore, mbrojtës dhe mbajtës të një rendi shoqëror, të cilin dhuna e italianëve dhe gjermanëve, tashmë e kishin rrënuar, të pa aftë për vetësakrifica që kërkonte rezistenca kundër gjermanëve, qëndruan kryeneçësisht pasivë, deri në fund dhe rrëshqitën nga vetëkënaqësia në dëshpërim e shfarosje”. Pra u vetë shfarosën, tani duan që tu ngrenë buste dhe përmendore, për merita, pse?! Aleatët anglo-amerikanë në Luftën Antifashiste, por më tepër anglezët luftuan me të gjitha mënyrat që Balli Kombëtar, Legaliteti dhe disa bajraktarë të Veriut të ishin pjesëmarrës në luftë kundër hitlerianëve, por nuk ja dolën. Balli Kombëtar bëri aleancë të hapur me pushtuesit gjermanë, ndaj dhe anglezët nuk u morën më me ta. Edhe pushtuesit italianë që e kishin humbur luftën, u bashkuan me partizanët për të luftuar nazizmin, ballistët hëngrën në një çanak me pushtuesit gjermanë. Anglezët deri në fund të luftës ndihmuan Abas Kupin, i cili kishte hedhur pushkë kundër italianëve, ndërsa kundër gjermanëve nuk shtiu fare. Balli Kombëtar, Legaliteti dhe disa bajraktarë të Veriut ishin në pritje, që të ikte pushtuesi i huaj nga Shqipëria dhe se forcat partizane do të ishin dëmtuar nga lufta, kështu që me ndihmën e aleatëve të merrnin drejtimin e Shqipërisë. Llogaritë nuk ju dolën. Balli Kombëtar ka përgjegjësi historike para kombit, pasi nuk u treguan luftëtarë dhe të vendosur, pushtetin e pritën nga jashtë dhe jo me luftën dhe përpjekjet e tyre për sakrifica, siç e kërkuan, luftuan dhe e morën partizanët. Ç’faj kanë partizanët që bënë sakrifica dhe mundi, djersa e gjaku i tyre u dhanë fitoren. Këtë se bëri Balli Kombëtar dhe forca të tjera, në luftë, por sot atyre që bashkëpunuan me pushuesin po ju ngrenë buste e monumente!?

 

Oficerët britanikë, dëshmitarë në luftë

Oficerët e misionit Britanik në Shqipëri ishin dëshmitarë të cilët kanë theksuar disa herë se kush ishte duke luftuar në Shqipëri, kundër nazi-fashistëve. Gjeneral Devis i shkruan qendrës “Tani unë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, sa që duhet urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës, Balli Kombëtar dhe Zogistët. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët”. Ndërsa oficeri tjetër britanik, Reginald Hibbert ka shkruar se “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve”. Gjithashtu dhe oficerët britanikë Maklin dhe Smaili, të cilët nuk kishin marrëdhënie të mira me partizanët dhe qëndruan më gjatë pranë Abas Kupit, në raportin që i dërgojnë qendrës shkruajnë: “LANÇ-i është forca kryesore ushtarake dhe me kapacitet ushtarak në Shqipërinë e Jugut dhe Qendrore… Ne duhet të mbështesim partizanët me ndihma ushtarake, sepse këto janë forcat efektive në vend”. Në Luftën Antifashiste qëndrimin e ballistëve dhe të drejtuesve të tyre, na e sqarojnë dhe më mirë, ushtarakët që drejtuan trupat gjermane në Shqipëri. Kështu, Nojbaher, nazist i rangut të lartë në Ballkan ka shkruar se “Burrat e Ballit Kombëtar, kurrë nuk u ndeshën me forcat tona. Ata i përdorin energjitë e tyre kundër partizanëve në jug të vendit. Praparoja jonë nga banditë shqiptarë, sigurohej nën drejtimin e fiseve dhe klaneve të tyre. Ata na mbronin nga partizanët”. Ballistët e periferisë, janë të shqetësuar për qëndrimin e tyre, ndaj luftës partizane. Komandanti i Ballit, Abas Ermenji i shkruan komandant Safet Butkës se “ne e heqim punën zvarrë, siç e kemi hequr gjer tashti, më mirë t’i hedhim armët në strehë. Duhet të lëvizim, se po s’lëvizëm, Inglizi do të përkrahë anën tjetër, që lëviz e lufton”. Një luftëtar i cili gjatë luftës u vu në shërbim të zbulimit anglez dhe amerikan, i thotë oficerit të misionit Britanik, Antony Kuejl se dikur kam qenë ballist i vendosur, mirëpo një ditë pashë se Balli ishte krah për krah me gjermanët, duke luftuar kundër shqiptarëve e partizanëve. Që nga ajo ditë nuk jam as ballist e as komunist. Gjatë Luftës Antifashiste, forcat e Ballit, Legalitetit dhe të tjerë aleatë të tyre, qëndronin nëpër qytete, pa u shqetësuar nga italianët dhe gjermanët, ndërkohë që partizanët, jetonin maleve, me vuajtje, sakrifica të mëdha dhe nën presionin e armikut. Pushtuesit e huaj dhe ballisto-zogistët, ishin bashkë dhe luftonin kundër luftëtarëve çlirimtarë.

Përshëndetjet në luftë

Në saj të taktikave, qëndrimeve, strategjisë dhe motivimit të Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar në Luftën Antifashiste, patën dhe përshëndetjet në luftë. Fronti Nacionalçlirimtar përdori parullën: “Vdekje fashizmit-Liri popullit”. Në përmbajtje është e qartë. Kjo përshëndetje shpreh qëllimin për të cilin luftëtarët kishin dalë në luftë. Përshëndetja fillonte me vdekje fashizmit, gjë që shpjegohet për çfarë ke marrë armën dhe ke dalë në mal, që ishte vdekja, zhdukja dhe përzënia e nazi-fashistëve prej Shqipërisë dhe vendosja e lirisë për popullin. Ndërsa përshëndetja e Ballit Kombëtar ishte “Shqipëri e shqiptarëve-Vdekje tradhtarëve”. Me këtë përshëndetje theksohet se Shqipëria është e shqiptarëve, fakt tepër i njohur, pasi nuk mund të ishte e nazi-fashistëve. Që Shqipëria të ishte e shqiptarëve, duhej të luftohej pushtuesi i huaj, gjë që ballistët nuk e përmendin. Ndërsa pjesa “Vdekje tradhtarëve”, është më absurde dhe armiqësore ndaj luftëtarëve të lirisë. Sipas ballistëve kërkohej vdekja e tradhtarëve, që ishin 70.000 luftëtarë dhe mijëra të tjerë shqiptarë, që luftonin realisht kundër nazi-fashizmit. Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar dhe Legalitetit me pushtuesit e huaj, është i vërtetuar katërçipërisht. Balli ishte kundër luftës çlirimtare, që me pushtimit italian, duke vazhduar me komplotin Dalmacio-Këlcyra dhe veprime të tjera të tyre. Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtimin gjerman të Shqipërisë u bë krejt i hapur. Mit’hat Frashëri më 7 tetor 1943, kur gjermanët e kishin pushtuar Shqipërinë, me anë të një qarkore për komitetet krahinore të Ballit, theksonte  “të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane, tash për tash. Më vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera”.

Luftuan kundër forcave partizane dhe jo pushtuesit

Vendosja e sistemit demokratik në Shqipëri, ka bërë që mjetet e propagandës, të minimizojnë luftën e partizane dhe rëndësinë e madhe historike të kësaj lufte, si për organizimin dhe drejtimin e saj prej Frontit Nacionalçlirimtar. Po ngrenë nga varri, kontributin e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe të disa bajraktarëve në veri të vendit, si protagonistë në LANÇ-it. Në disa dokumente të luftës nuk mohohen përpjekjet e bëra nga këto forca, sidomos në fillimet e saj, kundër italianëve, ndërsa kundër gjermanëve, nuk shtinë një pushkë, por bashkëpunuan dhe u larguan bashkë me të nga Shqipëria. Krerë të Ballit Kombëtar, në formacione të veçuara luftarake, bënë përpjekje me pushtuesin e huaj si H. Lepenica, I. Golëmi, A. Ermenji, S. Butka dhe S. Muço. Udhëheqja kryesore e Ballit nuk ishte për luftë. Me pushtimin e vendit prej gjermanëve, u bashkuan haptas dhe nisën luftën kundër forcave partizane. Ti bësh kontribues në luftën kundër pushtuesve të huaj, është sa qesharake aq dhe ironizuese, kur bota e di se kush luftoi dhe kë përkrahu e ndihmoi gjatë kësaj lufte. Ata që bashkëpunuan me pushtuesit po ju ngrenë piedestale dhe zbritën nga piedestalet luftëtarët e lirisë, ju hoqën buste, prishën varrezat, ju fshinë emra nga rrugë e shkolla dhe nderohen tradhtarët…I madhi Fan S. Noli do të shprehej se “desh Perëndia dhe dolën në shesh partizanët, dhe jo vetëm e nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por edhe e vunë në radhën e të gjallëve, pranë shteteve aleate”. Le të ngrihet dhe ky bust, si shtatorja e Lulit të Vogël të Migjenit.