Partizane në Luftë dhe në punë

1710
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ
Gratë dhe vajzat në formacionet partizane
Gruaja shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e luftërave shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi, për ruajtjen e individualitetit të vet, për një jetë të lirë nga shfrytëzimi dhe padrejtësitë shoqërore. Burimet historike dhe folklori tregojnë se gruaja shqiptare në rrugën e historisë ka dhënë kontributin e saj të çmueshëm për mbrojtjen e vendit. Gruaja shqiptare ka qenë pjesëmarrëse aktive në ngjarjet kryesore të historisë së popullit shqiptar. Përpjekjet e saj u shtuan dukshëm në Luftën heroike Nacionalçlirimtare, ku mundi të sigurojnë lirinë, të drejtat e barabarta me burrat dhe u kthye në një forcë të gjallë aktive për shoqërinë. Pjesëmarrja e të rejave dhe e grave të vendit tonë në Luftën heroike Nacionalçlirimtare, gatishmëria e tyre për të luftuar fashizmin edhe në vijën e parë të frontit, tregoi patriotizmin, dashurinë e tyre për atdheun dhe vendosmërinë për të luftuar e për ta mbrojtur atë deri në fund. Në luftë u ngritën dhe luftuan në formacionet partizane rreth 6.000 gra e vajza, ku mjaft prej tyre ranë në fushën e nderit dhe u bënë dëshmore të lirisë. Për këto është folur dhe shkruar në vijimësi. Por meritë jo të paktë kanë dhe ato partizane të cilat u kthyen fitimtare me lirinë dhe bënë sakrifica të panumërta për ndërtimin e Shqipërisë. Për jetën dhe punën e tyre është folur dhe shkruar pak, ose dhe fare, jo në ato përmasa që ju takon vendi dhe roli i tyre. Ndaj dhe me qëllim që të dalë në dukje lufta dhe puna e këtyre luftëtareve edhe në ndërtimin e shoqërisë se re, e cila ishte një luftë edhe më e vështirë se ajo në luftë, po sjell dy raste nga jeta e këtyre partizaneve që vazhduan idealin në punën ndërtimtare.

Vala Frashëri që 15 vjeçe në Luftë
Vala ishte një partizane e vendosur, një luftëtare, një trimëreshë, që dashuria për atdheun, tek kjo vajzë 15 vjeçare ishte fortë në luftë, sa që gjithmonë printe në ballë, shkonte drejt vdekjes me një krenari të paparë pa iu dridhur qerpiku. Pushtuesit nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë nuk kishte asnjë mëshirë, ashtu si nuk kishin ata për ne. Është fjala për jetë a vdekje. Vala Frashëri e nisi luftën në qytetin e Beratit, kur ishte nxënëse në bankat e shkollës, ndaj profesorëve fashistë, pjesëmarrëse në aksionet e shkollës, në demonstratën e madhe të qytetit Berat dhe kudo që u ngarkohej çdo detyrë. E filloi luftën në qytet dhe e vijoi atë në formacionet partizane. Vala Frashëri ishe vajza e parë që u rreshtua në Batalionin partizan “Riza Cerova” dhe kudo ku mori pjesë në luftime u dallua për trimëri. Në prag të Operacionit armik të Dimrit 1943-1944, Kahreman Ylli e ngarkoi me detyrë për të punuar në spitalin partizan të Qarkut Berat, vendosur në fshatin Dobrushë të Skraparit. Bashkë me infermieren Eshrefe Glina u bënë infermiere të dalluara, ku ju shërbyen të sëmurëve dhe të plagosurve me devotshmëri. Situata u bë shumë e rëndë dhe e vështirë nga kushtet atmosferike, thëllimi, ngricat, acari me temperatura të ulëta dhe njëkohësisht duke u përballur me ndjekjen e nazistëve e ballistëve. Ajo veproi me kurajë dhe guxim, për të shpëtuar të sëmurët, të plagosurit, duke u kujdesur për shëndetin e tyre, për strehimin dhe për mbrojtje vetjake, duke u vendosur në pyje dhe vende të paekspozuara siç ishte fshati Faqe Kuq që shtrihet në këmbë të malit mbi 2000 m mbi nivelin e detit. E megjithatë hitlerianët ishin vënë në lëvizje për të vënë në zbatim misionin e tyre, për të masakruar dhe për të shfarosur lëvizjen partizane. Por, kjo situatë u përballua pa dhimbje, pa dëme. Pastaj Kahreman Ylli i ngarkoi detyrën për t’u qëndruar pranë komandantit të Grupit të Tretë të Skraparit Zylyftar Veleshnja, i cili së bashku me komisarin e grupit Iljaz Sevrani ishin plagosur në përpjekje me nazistët në Tendën e Qypit. Bashkë me dy kuadrot e grupit, u nisën në Përmetit dhe prej andej në Spitalin e Zagorisë. Në spitalin e Poliçanit mbërritën rreth datës 25 janar 1944, pas një marshimi të gjatë e në kushte tepër të vështira të terrenit, kohës dhe të ndjekjeve të gjermano-ballistëve.

Partizanët nuk braktisën të plagosurit në Luftë
Komanda partizane dha urdhër të lëviznin spitalin e Poliçani, mbasi ishin duke ardhur forcat naziste. Kështu pa humbur kohë u vunë në lëvizje për zhvendosjen e spitalit me të 300 të plagosurit e të sëmurët rëndë e të niseshin për në Përmet. Pa humbur kohë u nisën përsëri andej nga kishin ardhur, përmes dëborës nga mali i Dhëmbelit. Me çdo kusht duhej të marshonin bashkë me ata që mbanin mbi barela komandant Zylyftarin, duke kaluar vështirësi të shumta. Kaluan mësipërmes fshatit Lupekës, ku gjermanët ishin aty rrotull. Komandant Zylyftari i thotë dr. Ibrahim Dervishit që ishte përgjegjësi i spitalit, dëgjo doktor: “Mua më lini në pyll me një pagure ujë e revole në brez dhe kur të mbaronte operacioni armik të ktheheshin partizanët e ta merrnin, nëse nuk do ishte gjallë ta varrosnin po aty”. Në moment Vala iu përgjigj: “Ne ju kemi komandant. Shtabi i Qarkut na ka besuar që t’u shërbejmë e t’u mjekojmë deri në shërimin e plotë. Ne nuk ndahemi nga ju komandant dhe do të luftojmë deri në fishekun e fundit e do të vdesim këtu bashkë me ju”. “Ja e more përgjigjen, i drejtohet dr. Ibrahim Dervishi komandantit Zylyftar Veleshnja. Partizanët nuk lënë në fushën e luftës partizanin e thjeshtë të plagosur e aq më tepër të braktisnin një komandant hero si Zylyftar Veleshnja. Vargu i marshimeve dhe të luftimeve të Valës vazhdoi në Brigadën e VII Sulmuese duke filluar nga luftimet në qytetin e Beratit në Terpan, Shpirag, Gëziq, Shënpal të Mirditës për çlirimin e Shkodrës dhe tej kufijve shtetëror. Dhe këtë mision atdhetar Vala e kreu më së miri duke dalë përpara familjes, shoqërisë, Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it dhe atdheut me kokën lartë duke e merituar plotësisht emrin e partizanit fitimtar. Vala, në moshë të re e deri sa u nda nga jeta ishte një luftëtare e vendosur, për një shoqëri demokratike e përparimtare. Krenare ishte e krenare mbeti, në krah të luftëtarëve në luftë duke dhënë kontributin e saj për mbrojtjen e idealeve të shenjta të LANÇ-it, të asaj epopeje të lavdishme të shkruar me gjakun e dëshmorëve të lirisë. Lavdi, nderim e mirënjohje të thellë për Vala Frashëri, luftëtaren trime për lirinë e vendit, gruan e nënën e nderuar dhe gjyshen, veteranen lavdiplotë, qytetare dhe shembullore.

Partizania nga Tragjasi që u bë agronome
Sanie Gjoni (Muço) ka lindur më 1 janar të vitit 1927, në fshatin Tragjas të Vlorës. Në janar të vitit 1944, në moshën 17 vjeçe doli partizane dhe u rreshtuar në radhët e Brigadës V Sulmuese, në skuadrën e tretë, kompania e tretë, të batalionit të tretë, ku mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga brigada, deri edhe në ish-Jugosllavi. Më 16 gusht të vitit 1944, gjatë luftimeve në fshatin Bicaj të Kukësit u plagos, u mjekua dhe vazhdoi luftimet me brigadën për realizimin e misionit të ngarkuar. Mbas çlirimit të vendit vazhdoi studimet në shkollën e mesme profesionale bujqësore të Golemit në Kavajë, shkollë në të cilën në atë kohë nisën studimet njëkohësisht 80 vajza nga e gjithë Shqipëria. Mbas mbarimit të shkollës Sania u martua me Xhevit Gjonin, bashkëfshatarin e saj, i cili po ashtu ka qenë partizan i Çetës “Plakë” të Vlorës, si dhe i Çetës “Hodo Zeqiri”. Më pas u inkuadrua në Brigadën e V Sulmuese. Sania ka punuar në detyra të ndryshme të administratës shtetërore dhe krahas punës, ka qenë aktive në organizatën e gruas dhe në Frontin Demokratik, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitet e jetës shoqëror. Për kontributin e dhënë Sania është dekoruar me Medalje të ndryshme si dhe me dëshmi në të gjitha përvjetorët e festimit të Brigadës V Sulmuese. Me rastin e 70-Vjetorit të çlirimit të Atdheut është vlerësuar dhe dekoruar nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Shqipërisë. Sanie Gjonit në jetë ka qenë luftëtare dhe punëtore shembullore, ndaj i faleminderit për kontributin e dhënë në shërbim të Atdheut.
Sigal