Parashqevi Shehu: 70 vjetori i Çlirimit duhet të festohet me madhështinë që meriton

1155
Sigal

Intervista/ Flet veterania e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizania e Brigadës së 6-të Sulmuese, zonja Parashqevi Shehu

Parashqevi Shehu (Llukani) ka lindur më 28 shtator të vitit 1928 në qytetin e Gjirokastrës. Ishte vetëm 14 vjeç kur u përfshi në lëvizjen partizane, fillimisht me grupet edukative  komuniste, e më pas me pushkë në krah në radhët partizane të Brigadës së 6-të Sulmuese. Ajo sot është 86 vjeç dhe kujton me shumë nderim e respekt atë periudhë të lavdishme e heroike. Ajo sjell ndërmend me dhimbje shokët që ranë në përpjekje me armikun pushtues, ata që kontribuuan me gjak e me djersë për këtë Shqipëri që kemi sot, duke i bërë apel Parlamentit, Qeverisë dhe shoqërisë civile për të marrë përsipër detyra konkrete që 70 vjetori i Çlirimit të festohet me madhështi, ashtu siç e meritojnë të gjithë ata që patën zgjuarsinë e guximin për ta drejtuar Shqipërinë në krah të frontit anti nazifashistëve, në krah të fitimtarëve.

 –Sigurisht është kohë e largët, mbushen plot 70 vjet nga 29 nëntori i vitit 1944. I mbani mend, ç’kujtoni nga nga ajo luftë. Pak më drejtpërdrejt, si u gjende në radhët partizane?

-Kur i kujtoj ato kohw nuk e di, nuk ndjehem ajo që kam qenë, ajo Parashqevia 14 vjeçare, e cila të merrte gjak në vetull. U hodha nw krah të Lëvizjes sikur ajo luftë të ishte një lodër fëmijësh. Ndoshta nuk di të shpjegohem, por e mbaj mend si tani që unë u gjenda, u bëra një ndër veprimtaret më të shkathwta e nga më guximtaret, pa ma bërë syri terr, edhe pse ishim orë e çast përpara rrezikut.

 -Ishe vetëm 14 vjeç?! Na duket vërtet e pabesueshme.

– Po, po, kaq e vogël, fare axhami. Por nuk isha vetëm. Ishte vet koha që të përpinte, si ajo dallga e madhe e detit që të merr me vete. Disa nga shoqet tona, fjala vjen Qibrie Ciu, ishin më të mëdha në moshe, më të pjekura. Ato dinin të na orientonin, por shumë nga punët që ishin të vështira i bënim bashkë. Ne moshat e reja merreshim kryesisht me shpërndarje traktesh, me propagandën e luftës.

 –Nga i merrnit orientimet, të kujtohet?

Po si nuk më kujtohet! Organizimi ishte i përsosur, por kishte edhe  disiplinë të rreptë. Nuk kishte “vete-s’vete” për të kryer aksionin. Mbaj mend që i thoshim njëra-tjetrës, apo shoq-shoqit “ky orientim ka ardhur nga shoku Bedri Spahiu”. Sepse Bedri Spahiu ishte me goxha autoritet, ishte krijuesi i grupit komunist të Gjirokastrës e më pas ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i këtij grupimi. Sipas nesh  ishte me shumë influencë  në mjediset e lëvizjes partizane në qarkun e Gjirokastrës. Sigurisht, që ishte shumë më i madh nga ne si moshë. Bedriu ishte i vitit 1908. Ishte edhe i ngritur nga ana intelektuale. Kishte mbaruar disa vite shkollë në Itali e më pas në Stamboll. Kishte shërbyer si ushtarak i Monarkisë së Zogut, por që ishte larguar sepse kish qenë pjesëmarrës në lëvizjen e Fieri.

 – Kur e le punën si shpërndarëse e trakteve, pra i punëve “të vogla”, nëse do t’i quanim kështu.

-Të them të drejtën nuk mbaj mend kur filloi propaganda e kur morëm pushkën për të luftuar. Në atë luftë bëheshin të gjitha gjërat njëherësh. Unë në fillin u bëra pjesë e Çetës “Selam Musai” e, pak muaj më pas u rreshtuam në batalionin “Baba Abas”. Ishim bashkë motër e vëlla, me Petron. Peço e thërrisnim, ju bëftë motra!

 –Ishit motër e vëlla në të njëjtin batalion?

Po, po, në një batalion ishim. Kur u krijua Brigada e 6-të Sulmuese, prapë ishim bashkë. Nuk iu ndamë njëri-tjetrit deri sa Peçua u vra.

 -Ju e kini vëllanë dëshmor?

Rrethi ynë familjar ishte i tëri me Luftën. Por le të qëndroj pak tek im vëlla, Petro Llukani. Ai, jo pse ishte vëllai im, por dallonte nga të tjerët, ka qenë një ndër trimat më të spikatur të Brigadës së 6-të. E dini pse dhe si u vra? Kërkoheshin 10 partizanë, nga më të mirët e formacionit tonë luftarak, të cilët do të bëheshin pjesë e Brigadës së parë Sulmuese. Ishte fjala për çlirimin e Tiranë. Në atë dhjetëshe doli edhe Petrua. U përzgjodh si ndër më të mirët. Në luftën që u bë për çlirimin e Kryeqytetit  u vranë shumë partizanë, midis tyre edhe vëllai im. Peçua. Është vrarë aty ku më pas do të ngrihej  kombinati i drurit “Misto Mame”.

 -Brigada e 6-të u krijua në Janar të vitit 1944. Diçka më shumë rreth krijimit të saj?

 Në fillim të vitit 1944, Lufta Nacionalçlirimtare mori përmasa të mëdha. Përballë Operacionit armik të Dimrit  ishte e nevojshme të shtohej edhe forca goditëse e partizanëve kundër armikut. Në këto kushte midis formacioneve të tjera, me 26 Janar 1944, u formua Brigada e 6-të Sulmuese, në qytetin e njohur për tradita kulturore e atdhetare të Përmetit. Në Brigadë u rreshtuan kuadro e partizanë të sprovuar në luftime të mëparshme dhe formacione ekzistuese si: batalioni “Baba Abas”, “Hasim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Naim Frasheri” etj, me një efektiv prej 912 luftëtarësh. Kur u themelua Brigada komandant i saj u emërua atdhetari i shquar Tahir Kadare dhe komisar Mustafa Matohiti, Zv/Komandant Jaho Gjoliku dhe Zv/Komisar Haki Toska. Edhe në batalione e kompani u emëruan kuadro të sprovuar, të përzgjedhur nga ata që kishin dhënë shembull drejtimi e trimërie.

Le të qëndrojmë pak tek rruga juaj, si dhe nga u gjendët në radhët e Brigadës së  6-të Sulmuese.

Lufta, por ajo luftë që bëmë ne, ama, nuk të linte të merrje frymë, si i thonë fjalës. Kishte një përsosmëri në organizimin e formacioneve partizanë në luftë kundër okupatorit. Fillimisht u krijua batalioni “Baba Abas”. U formua në fshatin Kalivaç të Tepelenës. Ne, mesa mbaj mend, ishim një grup shoqesh partizane që u sistemuam paraprakisht në teqenë e Memaliajit. Aty qëndruam rreth dy javë. Qëndruam paksa gjatë sepse, mesa duket, Komanda e Përgjithshme merrte masat për formimin e batalionit. Ne teqe na trajtuan shumë mirë. Aty ishin të gjithë, babai i teqesë dhe dervishët, përkrahës të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Brigada e 6-të u formua në Qytetin e Përmetit. Ka qenë muaji janar i vitit 1944. Komandant u zgjodh trimi i Labërisë Jaho Gjoliku, ndërsa komisar Hasaf  Dragoti.

 -Ti nuk i kishe bërë ende 16 vjeç. Sipas jetëshkrimit tënd të kohës së luftës, thuhet se të zgjodhën komisare të kompanisë. E vërtetë?

Nuk është fjala për përgjegjësitë që mu ngarkuan mua. Sigurisht që më emëruan komisare në një nga kompanitë e batalionit të 3-të, por mua më kanë mbetur në mendje pjekuria, serioziteti me të cilin e mora këtë detyrë. Janë kohëra të largëta, po mbushen 70 vjet, ndaj është shumë e vështirë të bësh vlerësime për atë çka kemi bërë në moshën tonë të rinisë. Ki parasysh që komandant të batalionit kishim Fejzo Ismailin nga fshati Dhëmblan, e komisar Zenel Shehun nga Toçi. Të dy nga Tepelena.

 -Nuk na the diçka për luftën, për ndonjë përpjekje me forcat armike.

E gjithë koha, ditët, muajt, vitet, ishin luftë. Por kishte edhe ngjarje që gjatë përpjekjeve me armikun të gjakoseshe, të lije prapa shokë të vrarë. Po të tregoj një nga këto përleshje e që siç “u bë dhëmb për dhëmb me armikun”. Kompania ku unë isha komisare kishte gjithsej 90 partizanë. Na u tha që të niseshim për në Mavrovë të Vlorës me një detyrë luftarake. Kishte të bënte me një detyrë urgjente, për zmbrapsjen e gjermanëve, të dislokuar aty prej disa kohësh. U nisëm. E kryem aksionin, i vumë përpara gjermanët, por lamë aty disa të vrarë, plot 20 djem nënash.

 -I mban mend emrat?

Ç’është ajo fjalë! Nuk do t’i harroj sa të jem gjallë, sa tu vete pranë. Na u vra Veiz Mënua, z/komandanti i kompanisë. Ishte fare i ri, vetëm 18 vjeç. Aty na u vra edhe djali i komandantit të Brigadës, Jaho Gjolikut, Mitati. Mbaj mend dhe emrat e dy të tjerëve, Mustafait dhe Aliut. Eh, kanë kaluar kaq vjet dhe më duket sikur e kam në sy atë dhimbje, atë hata që iu bë Brigadës së 6-të në Mavrovë.

 –E kam vërtet vështirë të të pyes, po ç’u bë me të vrarët, ku i varrosët?

-Të vështirë e ke ti të më pyesësh, por akoma më keq ndjehem unë të të jap përgjigje. Ata djem i kemi varrosur në një gropë të përbashkët. E kupton, të gjithë në një varr. Nuk kishim asnjë mundësi tjetër. Në të kundërtën mund të vriteshim të gjithë, aq sa ishim.

 -I zbatuat rregullat, zakonet,  ritet  që ua bën populli në kësi rastesh?

Ne ishim axhaminj, nuk e dinim si bëhej me atë që ndërronte jetë. Por kishim dëgjuar, nuk ishim fare të paditura. Kujtoj me dhimbje që buzën ua lidhëm më shamitë e kuqe të partizanit që mbanin në qafë. Këtë nuk mund ta horroj, sa të jem gjallë. Nuk e harrova unë, por edhe të tjerët, nënat, baballarët dhe të afërmit e tyre kudo që ishin. Komandant Jaho Gjoliku, vetëm për këtë gjest, nuk më harroi kurrë, më trajtoi gjatë gjithë jetës si vajzën e tij. Ua a la porosi edhe fëmijëve. Të bijës, Lirisë, e cila punoi të gjithë jetën si jurist e nderuar, ia kish lënë porosi për së gjalli: Kur të vdes unë, të mos i ndërprisni lidhjet familjare me Parashqevi  Shehun sepse ishte ajo që i lidhi buzën vëllait tënd, Mitatit, kur u vra në Mavrovë gjatë përpjekjeve me gjermanët. Këtë miqësi familjare vazhdojmë ta kemi edhe sot e kësaj dite. Ai që e mban gjallë këtë lidhje është gjaku i dëshmorit Mitat Gjoliku, i biri i komandantit trim të luftës, Jahos.

 –Mesa di, komandant Jaho Gjolikut iu vranë të dy djemtë. Si ka ndodhur?

Familja e komandant Jahos ishte e gjitha në luftë. Ishte ai vetë, vajza dhe dy djemtë. Djemtë u vranë që të dy. Njëri pas tjetrit, Brenda pak ditësh. Mitati u vra në Mavrovë, ndërsa Aliu, mesa di unë, në Himarë. U kanë ngritur edhe një këngë:Pandeha si ishin shumë/O Mitat, e o Ali/Një në Kuç, një në Mavrovë/Djemtë e Jahos që të dy. Kjo këngë këndohet në tërë Labërinë.

 -Rigata e 6-të Sulmuese luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit. Kishit ju ndonjë “hartë” tuajën ku edhe kontribuuat më shumë për të mundur e larguar nga vendi nazifashistët?

Brigada e 6-të, meqë u krijua në qytetin e Përmetit, veprimtarinë  e saj luftarake e bëri kryesisht në Shqipërinë e Jugut.  Gjatë operacionit të Qershori, në bashkëveprim me Brigadën e 12 Sulmuese kreu detyra luftarake në zonën e Delvinës, Sarandës, Borshit, Kuçit, Bolenës, Mavrovës, Mazharit e Gumenicës. Në përgjithësi gjatë Lumit të Vlorës, ku ishin të përqëndruara forcat më të shumta të armikut.  Meqë ato ishin të tilla, na erdhi urdhëri që  veprimet luftarake të mos i kryenim “kompakte”, por të shpërndara e në grupe të vogla, sa më të manovrueshme, për ta goditur armikun në befasi e në shumë pika.

Brigada, sapo u formua, u ballafaqua me luftime të ashpra,  u godit nga gjermanët në tre drejtime: nga Janina, Berati dhe Gjirokastra. Ndërkoh komanda e Brigadës mori masat e domosdoshme, duke zënë pozita të rëndësishme, për të mos u futur në grackën e armikut. Batalioni “Asim Zeneli” u hap në rajonin Kutal – Kosinë, ai “Abaz Shehu” në pjerrësitë e malit të Dhembelit, përmbi Përmet; batalioni “Naim Frashëri” në malin e Bardhë -Petran, kurse ai i “Baba Abaz” në Kuqar. Pas njëzetekatër orë luftimesh gjermanët u thyen, duke pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë.  Kjo, jo vetëm rriti moralin e partizanëve, por ndikoi në shtimin e radhëve të vullnetarisht. Ato ditë, dhe kjo më ka ngelur në kujtesë, në Brigadë erdhën plot  40 vajza e djem të tjerë. Armiku i acaruar nga çka pësoi në ato luftime, filloi masakrat në drejtim të qytetit, duke djegur edhe disa shtëpi.

 -Të tjera beteja që ia ngritën moralin Brigadës tuaj, cilat mund të përmendësh tani pas 70 vjetësh?

-Ato nuk kanë të mbaruar, por po qëndroj të jap ndonjë detaj për atë të Markëlliçit. Ishte  29 Marsi i 1944-ës. Brigadës i erdhi urdhri nga Komanda Supreme që një batalion t’i drejtohej Kalasë së Margelliçit ku ishin të dislokuara rreth 2000 forca gjermano – balliste. Në mëngjes, pa u gdhirë, për rreth një orë rrethuam dhe morëm kalanë, duke kapur shumë armatim e materjale trofe. Edhe robër. Aty në Markëlliç na ngelen te vrare “ komisari i Brigadës, Mustafa Matohiti,  Zv/Komandanti i batalionit, Meleq Gostinishti dhe komisari i kompanisë Lefter Talo.

-Brigada e 6-të Sulmuese luftoi edhe për çlirimin e Jugosllavisë, apo jo?
– Është e vërtetë. Por më duhet të kujtoj edhe diçka tjetër nga përpjekjet e Brigadës së 6-të Sulmuese. Në muajin korrik, ajo mori urdhër të marshonte drejt Shqipërisë së Mesme. Në Salari, pranë Dukajt, shpartalluam një bandë mercenarësh, ku na u vra Heroi i Popullit Mitro Xhani nga Piqerasi. Ai  bënte pjesë në batalionin “Zaho Koka”. Më tej, në muajin gusht, vazhduam marshimin në drejtim të Këlcyrës  e Skraparit. Në atë kohë Brigada u inkuadrua në Divizionin e Dytë. Në një përplasje me armë me autokolonat gjermane në Labinot, u vra edhe zv/komandanti i batalionit, Balil Peçi. Ne vazhdim kaluam në zonën Martanesh-Mat- Pukë, të cilën, pas luftimesh të ashpra, e çliruam. Marshimi Brigadës nuk ndali, por mori drejtimin Iballë-Dukagjin  të Malësisë së Madhe. Një ditë para çlirimit të Shkodrës, brigadës tonë ju dha urdhëri të kalonte kufirin për në Malin e Zi, duke u angazhuar në luftime të ashpra gjatë rrugës Podgoricë-Kolashin dhe në zonën e Verushës.  Kemi marshuar deri në Vishegrad.
Këto luftime u bënë në kushte shumë të vështira, në shi e në akull. Edhe aty, pra gjatë këtyre luftimeve, na u vranë disa shokë. Po përmend  komisarin e kompanisë, Muke Ilmi Topin, zv/komisarin, Loni Janin dhe komandantin i kompanisë, Gjeli Gogon. Në Drishtan të Vishegradit, duke luftuar në kushte tepër të vështira moti e terreni, na u vra zv/komandanti i batalionit  “Baba Abaz”,  Lame Kamani. Ndjehem e pikëlluar kur i kujtoj, i kam patur në krah dhe nuk di sit ë shprehem tani pas 70 vjetësh. Ja, kështu ishte lufta. Janë vrarë qindra e mijëra bij nënash deri sa u çlirua Shqipëria.

 -Ti pas lufte krijove familjen tënde, e lidhe jetën me një nga partizanët e asaj brigate, me Dine Shehun. Si, në ç’rrethana lindi ajo dashuri?

-Kjo është histori më vete, por meqë më pyete po të përgjigjem. Duhet të dini se edhe në luftë dashurohet. Por ne aty kishim shkuar për të luftuar armikun pushtues dhe jo për të bërë dashuriçka. Në këtë kuptim në radhët tona kjo punë ishte më shumë “dashuri” me sy, apo platonike, si i thoni ju sot. Aq më shumë që vepronin edhe Ligjet e Luftës. Po të merrej vesh, mblidhej Shtabi, i cili të gjykonte dhe të jepte dënim maksimal, haje plumbin. Kështu ndodhi  edhe me mua e Dinen. Dikush kish informuar tek drejtuesit e batalionit për lidhjen tonë dhe shtabi ishte mbledhur kastile për të na gjykuar e ndëshkuar. Ndërkohë qëlluam të ishim me fat. Zv/komisari i batalionit ishte kushëriri i parë i Dines, Gjylaniu. Jo se kishte ndikuar për të lehtësuar dënimin, por ai iu gjend pranë që im shoq të mos bënte ndonjë marrëzi, pasi iu komunikua dënimi. Dhe e di ç’ndëshkim i dhanë? I morën armën, e çarmatosën. A kishte më keq së kaq? Më mirë ta kishin vrarë sesa ta linin pa armë. Por edhe ndaj meje muarën masë ndëshkimi. Për të më ndarë nga Dinia, që të mos takohesha me të, bashkë me kompaninë më nisën për në fshatin Vajzë të Vlorës. Nuk dua të zgjatem në këto histori, por ne pas Çlirimit u martuam dhe bëmë një vatër fëmijë.

 -Pas Luftës kam përshtypjen se filloi një tjetër luftë, ajo e rindërtimit të vendit. Ku, ç’detyra iu ngarkuan, sepse ti ishe ende e re dhe pa përvojë.

-Unë menjëherë pas Çlirimit u shkollova, më dërguan në Bashkimin Sovjetik. Kam qëndruar plot tre vjet. Dhe kam kryer detyra shumë të rëndësishme për kohën. Rreth 5 vjet isha në funksionin e Kryetares së Komitetit Ekzekutiv të Mirditës. Më thirri vet Enver Hoxha. Dhe ky emërim mu dha kur kishin ndodhur vrasjet e “Cucave të Maleve”. Qëllimisht, me objektiv të caktuar politik më dërguan. Më pas, po kaq vite pune, drejtova Kombinatin e tekstileve në Berat. Kisha nën drejtim më shumë se 6 mijë punëtorë. Ishte kombinat i madh, nga më të rëndësishmit e vendit.

 -Ky është vit Jubilar, do të përkujtohet 70 vjetori i Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Mendon se kjo Ditë do të vlerësohet ashtu si e meriton?

Unë, me aq sa informohem nga televizioni dhe gazetat, nuk po shikoj që kjo punë të jetë marrë seriozisht, ashtu do ta dëshironin ata që ranë për lirinë e Atdheut.  Më e turpshme është që një krah politik e ka denigruar këtë Luftë. Ky qëndrim është për turpin e tyre, por nuk duhet të bëjmë ne të tjerët aq poshtë sa të na qeshin Bota, ata me të cilët bëmë Luftën e Madhe. Kam vendosur që këto ditë të shkoj me shkop në dorë tek drejtuesit kryesorë të Shoqatës të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Do t’u them vetëm kaq: Kujtoni këtë përvjetor ashtu si e meriton dhe mos e turpëroni veten përpara popullit! Këtë gjë dëshiroj t’ia them edhe Parlamentit, edhe Qeverisë. Kam dhe një merak të vogël, porosi të cilën, po nuk e bëri shteti, të ma bëjnë fëmijët e mi. Kur të vdes nuk dua asgjë, as fjalim, e as ceremonira të mëdha. Dua që arkivoli të më mbulohet me Flamurin Kombëtar, me atë për të cilin kanë dhënë e do të japin jetën të gjithë shqiptarët.