Panajot Boli: Ju tregoj miqësinë time me Eqrem Çabejin dhe Shaban Demirajn

1047
Sigal

Rrëfim i gazetarit të “llaiko Vima” lidhur me vlerësimin e enver hoxhës për jetën dhe artin e minoritetit

“Unë jam minoritar, por gjuhën shqipe ndër më të vjetrat e globit e kam profesionin tim, më dhemb kur e nëpërkëmbin”

Për mësuesin dhe gazetarin minoritar Panajot Boli, historikisht, shqiptarë dhe minoritarë kanë qenë në harmoni dhe kanë respektuar artin, kulturën dhe traditat e njëri tjetrit. Sipas tij, edhe Enver Hoxha i ka dashur minoritarët dhe gjuhën e tyre, gjë e cila ka ndikuar dukshëm në forcimin e unitetit. Ndërsa si specialist e njohës i mirë i gjuhës shqipe, gazetari minoritar thotë se, ‘gjuhën shqipe e kam profesionin tim dhe më dhemb kur dikush përpiqet ta dëmtojë’. Në intervistën e tij për ‘Telegraf’, Panajot Boli, autor i teksteve të 70 këngëve popullore shqipe(kryesisht të krahinës së Librazhdit e Shqipërisë së mesme), gazetar në ‘Llaiko Vima’, rrëfen gjithashtu takimet me Enver Hoxhën kur ishte në Shkodër, profesorët dhe akademikët shqiptar me të cilët ka punuar, shkrimtarët e mëdhenj Ismail Kadare, Dritëro Agolli, etj…

Ju jeni mësues letërsie dhe gazetar, cilat kanë qenë raportet tuaja lidhur me këto dy fusha?

-Janë shumë të lidhura të dyja,por gazetaria është një dëshirë e imja në vite. Ëndërroja të bëhesha gazetar apo mjek, dy profesione të lidhura me shërbimin ndaj njeriut. Ndaj më lindi kjo ndjenjë e dëshirë, njëra të shpëton nga vdekja, tjetra nga padrejtësitë. Por vinte edhe nga leximi i librave artistik. Më doli e drejta për në shkollën pedagogjike ,por nuk shkova. Shkova në gjimnazin e Delvinës, nga më të dëgjuarit në Shqipëri në atë kohë. Doja njohuri të përgjithshme. Shkollën e lartë e mbarove për gjuhë-letërsi në Shkodër,në djepin e kulturës shqiptare. Atje kish shumë profesorë të shquar të arsimit shqiptar. Nuk pata fatin ta ushtroja gazetarinë në atë kohë, sepse gjetën që daja im qe i arratisur. Dhe kështu ata nuk më besonin të shërbeja në sektorin e propagandës, që ishte nga sektorët pararojë dhe delikat të partisë-shtet. Kam filluar të shkruaj që 14 vjeç në gazetat e shkollës… Mund të them se të mesmen e mbarova në kushte shumë të vështira. Përshkoja me këmbë 20 km në ditë dhe kurseja ushqimin për të blerë një libër. Pas diplomimit më kërkuan gazetat si: ‘Fitorja’ organ i Komitetit të Partisë të rrethit Sarandë dhe ‘Llaiko Vima’, organ i minoritetit etnik grek në Shqipëri nga më të vjetrat e shtypit shqiptarë,  e hapur që më 1948. Po biografia ndiqte nga pas:Të mos punojë në sektorin e propagandës!

Ku u punësuat pas diplomimit tuaj?

-Në Librazhd! Po doja të përmendja dy ‘incidente’ të vogla, në qoftë se do t’i quaja kështu rebelimet e para të një mësuesi letërsie. I pari desh më kushtoi edhe përjashtimin nga shkolla. Për një moment kundërshtova pedagogun e psikologjisë që qe edhe sekretar partie i institutit, Nuri Abedini. Ishim me shokët në sallën e leksioneve ku përkthenim diçka nga rusishtja. Në këtë kohë futet pedagog Abedini dhe bërtet se s’duhet të bëjmë zhurmë. Po nuk e di edhe sot se pse ai kur foli imitoi mua në aksentin minoritar. U ndjeva keq dhe i them:’Nuk jemi në qetësinë absolute, është qetësi relative’. Ma kthen me inat:’Ku i ke dëgjuar dhe lexuar këto shoku student?! Të kujt janë këto ide?’. Ia ktheva me qetësi: ‘Janë tuajat,të partisë suaj’. U rebelua dhe kërkoi përjashtimin tim. Po nuk i shkoi në diskutimin e propozimit në katedrën e letërsisë. Eh Shkodra dhe profesorët e sajë! Shpëtova paq. Dhe një ditë kur më pa në bibliotekë profesori i nderuar Simon Pepa, pedagogu kujdestar, buzëqeshi me ironi dhe më thotë me humorin shkodran: ‘Panajot, çfarë i ke bërë profesorit të partisë’. Mund të them se për këtë shkak, nga ky profesor ishte përjashtuar edhe poeti Ilirjan Zhupa në Elbasan dhe tani qemë shokë në një degë. Incidenti i dytë ka të bëjë me atë që mund të them se kombi nuk ka ngjyra ashtu si dhe gjuha. Kështu që ka raste që njerëz të pa aftë e servilë dhe për të të luftuar kapen pas këtyre momenteve. Qe provimi i morfologjisë në gjuhën shqipe e mua më vlerësuan me notën 10. E ndjeja që shqiptoja aksentin minoritar, ndaj u ndjeva pak i fyer nga vlerësimi dhe shkova tek profesori Tomor Osmani duke i thënë se nuk më takon nota 10. Më thotë i habitur se nuk ka notë më të lartë se nota 10. I thashë se nuk më duket vlerësim objektiv për arsye se unë dal mësues letërsie e cila ka tre elemente kryesorë…Më thotë duke më ndërprerë:’Ne të vlerësojmë nga ana shkencore e jo nga kombësia e dialekti. Për gjera të tjera të aktrimit ka komisione të tjera’. Dhe më ftoi për kafe. Kam dhënë shumë kumtesa në aktivitete të ndryshme shkencore brenda e jashtë vendit sidomos të shumta janë referimet mbi elementet e përbashkëta gjuhësore  të shqipes dhe greqishtes. Edhe në atë kohë që qe tepër e vështirë mora pjesë me këto tema të guximshme ,por u realizuan me kurajën dhe mbështetjen e profesorëve Safet Hoxha e Jup Kastrati. Por nuk shpëtova nga emërimi në Librazhd me gjithë vlerësimet dhe ndërhyrjet e profesorëve, sidomos të profesor Shaban Demirajt. Njëherë kur e takova në Tiranë profesor Safet Hoxhën më thotë: ‘Panajot, pse u dekurajove? Eqrem Çabej la Vjenën dhe erdhi në fshat .Mund të them se zëvendësministri i Arsimit, Nazim Skuqi më nxori jashtë kur i thashë se unë punoj me profesorët e mi për një temë shkencore të gjuhës shqipe dhe po nuk mora vlerësime nga Akademia e Shkencave Shqiptare më dërgo 10 vjet në Vermosh’. Më tha:’Përjashta! Nuk jemi vend kapitalist të bëjmë kontrata të tilla’. Lashë përkohësisht studimin dhe bashkëpunimin shkencor dhe fluturova në Librazhd…

Diçka për aktivitetin tuaj në Librazhd?

-U befasova që në fillim nga panorama piktoreske e natyrës së Librazhdit që u shfaq para syve të mi, ai peizazh malor i natyrës shqiptare. Por mbi të gjitha, kur u njoha me botën dhe shpirtin e atyre njerëzve punëtor dhe të varfër deri në skaj, por të lumtur në rutinën e jetës, fillova ti doja më shumë dhe të mendoja njëkohësisht se duhej të bëja më shumë për ta përtej orëve mësimore. Pamja madhështore e urës së Bushtricës më ngjalli frymëzim se diçka flinte në botën e këtyre njerëzve dhe të kësaj krahine dhe duhej zbuluar e vënë në dukje. Dhe ngarkesën s’e kisha të pakët, ndonëse fillimisht ishim stazhierë dhe duhet të punonim 18 orë në javë. Unë pata një ngarkesë prej 36 orëve në javë. Isha në shkollën e mesme të Qukësit. Kështu vendosa të hulumtoja mbi traditën folklorike në këtë trevë të harruar deri atëherë. Nisa punën që mu desh të lëvizja fshat më fshat… Fillova të mblidhja folklor. Vrapoja fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, por edhe të shkruaja vetë tekste duke i përshtatur traditës së zonës. Dhe nuk janë pak. Mbi 70 tekste të mia kanë marrë anonimatin ‘Popull’. Kujtimet janë të shumta,por do të përmend vetëm një: Përgatiteshim për festivalin folklorik të Gjirokastrës në shtëpinë e kulturës, kur vjen një dashamirës i folklorit nga fshatrat përreth dhe më thotë se ka gjetur një tekst kënge të bukur e të rrallë, të padëgjuar. Filloi ta recitonte… Unë buzëqesha se ishte teksti im. Aktiviteti im u vlerësua më 1986 nga Ministria e Kulturës së RPSSH me medalje si aktivist i shquar në lëvizjen kulturore shqiptare. Vlerësime pata edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve ku u thirra disa herë me mbështetjen e Koçi Petritit dhe krijuam një bërthamë të fuqishme krijuese e  në Librazhd. Për herë të parë realizova incizimin  dhe filmimin  e grupit folklorik të Quksit, i cili u transmetua 30 minuta në RTVSH. Ishte një gëzim i madh e i paparë i atyre njerëzve të thjeshtë, por edhe yni po ta krahasojmë me kohën e ngjarjes. Jeta kulturore nisi gjallërimin edhe në këtë zonë malore.

Dhe sot si gazetar dhe si redaktor i emisionit greqisht në radion e Sarandës, i mëshoni fort ringjalljes së traditës dhe vlerave kulturore e folklorike duke këmbëngulur në promovimin e këtyre vlerave?

-Profesioni im është mësues dhe si i tillë mësuesi përcjell gjithmonë dituri dhe kulturë. Ne jemi pasqyra e së nesërmes ashtu si pasqyrë e një kombi në tërësinë e elementeve të ekzistencës, është folklori i tij, janë traditat… Unë kam bërë edhe një studim për folklorin e minoritetit etnik grek dhe bashkëlidhjet që ka me folklorin shqiptar, studim i redaktuar nga profesor Dalan Shapllo. Një herë, kur profesorët Alfred Uçi dhe Zija Xholi kaluan nga vendi ku punoja unë, Alfred Uçi më tha: ‘Kultura është shpirti i një populli, pavarësisht rrymave që fryjnë, ajo është fytyra e vërtetë e kombit, prandaj dhe identiteti i vërtet i një populli është folklori. Ç’do fshat ka të veçantën e tij zakonore  dhe folklorike, ndaj duhen studiuar për ti ruajtur. Kultura ka vlera qoftë edhe tek një komunitet i vogël. Nuk ka kënaqësi më të madhe se puna me folklorin. Shpesh herë pas emisioneve vijnë më përqafojnë duke më thëne se na kënaqe,na hape shpirtin!  Prandaj dua të them se me folklorin jeton në popull’

Ju jeni edhe kryetar i Këshillit të Komunës Mesopotam në Delvinë. Na bën përshtypje se megjithëse minoritar dhe janë dy parti përfaqësuese të minoritetit,ju keni dalë si këshilltarë nga një parti e mirëfilltë shqiptare?

-Dua të përmend edhe faktin se jam edhe kryetar i shoqatës së mësuesve minoritar në Shqipëri dhe kam pasur një bisedë edhe me kryeministrin Berisha në Delvinë dhe e falënderoj përzemërsisht për preokupimin që tregoi… Nga takimi kuptova se shqetësimet e minoritetit nuk përcillen në rrugë të drejtë tek kabineti i tij, ose ata që ja dërgojnë dhe janë kompetent për këto dërgesa dhe informacione të specializuara, nuk ia thonë të sakta. Unë i kam shërbyer sistemit arsimor shqiptar dhe dua që edhe ai minoritar të integrohet brenda këtij sistemi… Të kthehemi tek takimi me Berishën. Na mirëkuptoi shumë, sidomos në çështjen e pastrimit të teksteve nga ideologjizmat dhe sidomos, qoftë nga ekstremizmit greke, qoftë nga ato shqiptare. Nuk jam marr me politik dhe theksova se edhe si gazetar jam marrë e merrem me kulturën, qoftë në radio e qoftë në gazetë. Por duke parë këto ambiente që jetojmë, duke parë nivelin drejtues në lokalitete, them se ka nevojë që politikanët të futen në jetën politike dhe shoqërore me kontribut të drejtpërdrejt. Duhet një rizgjim dhe përcjellje e mesazhit se ne intelektualët nuk duam ti lëmë fatet e vendit tonë në duart e pseudo intelektualëve dhe njerëzve servilë e mediokër. Duhet një integrim dhe bashkëjetesë pa ekstremizma.

A ke takuar politikanë të kohës së komunizmit?

-Më shumë jam takuar me personalitete të kulturës si Dritëro Agollin, Androkli Kostallarin, Ismail Kadaren, Shuteriqin, akademikë të shquar e shumë personalitete. Ishin shumë të thjeshtë e të afrueshëm në komunikim. Sidomos për minoritetet. Profesor Kostallari i mëshonte idesë se gjithmonë popujt janë në lëvizje dhe ka thurje të elementeve të tyre. Nga politikanët mund të them se kam qenë dy herë shumë pranë Enver Hoxhës kur erdhi në Shkodër. Ne ishim studentë, na vunë në vijë të parë. Përjetova një gjë interesante. Enver Hoxha pasi vizitoi Shkodrën vajti tek divizioni ushtarak duke shoqëruar në rolin e mbrojtësit të figurës së udhëheqësit. Emocione të papara e të papërsëritshme. Në momentin që a i bisedonte brenda në divizion, neve jashtë dëgjonim megafonat dhe gjatë bisedës ai u rikthye tek marrëdhëniet greko-shqiptare. Më çuditi kur përmendi strofën e një kënge greqisht “Ali Pasha o majmeni…”. Domethënë që edhe Greqia e vlerësonte figurën e Ali Pashës. Foli edhe për figura të tjera të historisë së Greqisë si Kollokotroni që luftonte me këmishë të kuqe shqiptare në këmbë. Foli edhe për figura të tjera shqiptare që kontribuuan në revolucionin e 1821-shit që i dha pavarësinë Greqisë. Enver Hoxha i ka dashur minoritarët dhe gjuhën e tyre të bukur. Këto më vonë i gjeta tek libri “Dy popuj miq” që në njëfarë mënyre mund të them se nisi në Shkodër. Sa e dëgjuam që u hodhën këto ide thamë se shumë shpejt do të kishim një libër në duar siç kishte ndodhur edhe me ide të tjera, dhe ashtu ndodhi vërtet.

Po takimi i dytë?

-Takimi i dytë qe kur erdhi në Bahçallëk për të përuruar përfundimin e punimeve të zhdukjes së pasojave të tërmetit. Gjatë fjalimit filloi të frynte pak erë dhe mikrofonat e përcillnin zhurmën duke bërë të pamundur dëgjimin e fjalës. Një stres dhe ankth tek të gjithë,sidomos tek punonjësit e kulturës. Pavarësisht se qenë të pafajshëm, nuk i thoshin shaka, me një incidenti të tillë provokativ të natyrës. Diheshin pasojat. Por një shkodran vajti dhe se si e rregulloi dhe zhurma e erës për çudi u eliminua. Enveri buzëqeshi dhe tha se shkodranët edhe këtë herë e treguan veten se janë të zot, e mundën edhe erën. Të gjithëve u shkriu gjaku dhe u erdhi fytyra në vend. Këto kanë qenë rastet më udhëheqjen e asaj kohe.

Si e gjykoni anatemimin sot, ndaj krijimtarisë së  Kadaresë dhe Agollit?

-Agolli dhe Kadare ngelen të mëdhenj në kulturën shqiptare. Po në pemën me kokrra qëllojnë të gjithë me gurë. Dhe pema duron dhimbjen e gurëve, po zemërmirësinë e saj, ua shpërblen gurëhedhësve me frytet dhe kokrrat e ëmbla.

Po për drejtshkrimin dhe gjuhën shqipe?

-Për drejtshkrimin ndihem keq kur dëgjoj sa dhe i shaj këta pseudo intelektual apo qëllimdashës. Si student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër mbaj mend një rast të bukur me profesor Safet Hoxhën. I thamë profesorit se, ‘do shkojmë në malësi e ata flasin dialektin gegë. Ne po të flasim me gjuhën letrare do na tallin’. Profesori ndali dhe na tha: ‘Po, keni të drejtë!’…Po papritmas u nxeh dhe tha: ‘Çuna jeni ju mësuesit e ardhshëm të gjuhës shqipe. Dhe ju duhet ta mbroni atë! Xhordano Brunon e vunë në turrën e druve, të tjerë i vranë dhe nuk i kthyen idetë dhe mendimet e tyre, ndërsa ju trembeni të flisni gjuhën shqipe drejt’. Gjatë këtyre 20 viteve, për hir të së vërtetës, shqipja është lënë në mëshirë të fatit. Unë jam minoritar, por gjuhën shqipe e kam profesionin tim, madje kam bërë edhe një studim “Elementet e shqipes së sotme”.

Cilat janë kontaktet tuaja me Eqerem Çabejn e Shaban Demirajn?

-Për mua, ata mbeten personalitetet që dhanë maksimumin për gjuhën shqipe e standardet e saj. Për mua gjuha dhe standardet e sajë nuk ndryshojnë ç’do 10 vjet sipas oreksit të njërit apo tjetrit, qoftë edhe akademik ky. Standardet janë vendosur dhe do zbatohen. Një shkapërderdhje e tillë do t’i shkaktonte shumë dëm gjuhës shqipe. Kam lexuar tek gazeta juaj se kanë filluar të hedhin edhe baltë mbi figurën e Shaban Demirajt se, s’merr vesh nga gjuhësia. Ç’janë këto?! Unë e kam njohur vetë. Dhe them se profesor Shaban Demiraj, si dhe Eqerem Çabej, është një nga figurat e shquara të gjuhësisë shqiptare. Profesorët që më dhanë mësim mua dhe ata që njoha gjatë jetës, dinin e flisnin 7 gjuhë, por ishin profesorët më korrekt me standardet e shqipes. Për mua duhen zbatuar standardet e kongresit të drejtshkrimit, me disa përmirësime të vogla që nuk prekin trungun e parimeve kryesore që ka drejtshkrimi. Gjuha është ajo që lëviz më pak se proceset e tjera. Nuk mund të bësh reforma sipas dëshirës së çdokujt. Ndryshimet vijnë vetvetiu me kohën. Kjo zhurmë është një lojë në kurriz të gjuhës shqipe, sidomos futja e shumë fjalëve të huaja. Është një libër me titull ‘Pellazgjikja’ që i ka dhënë shqipes e greqishtes” (botim në greqisht), ku tregohet dhe provohet shkencërisht edhe nga të huajt se shqipja është gjuhë nga më të vjetrat e globit. Shtojmë dhe faktin tjetër  që në shekuj nuk ka qenë e shkruar, por është mbajtur dhe ka mbijetuar vetëm nga e folmja tregon se ka rrënjë të forta, është për të ardhur keq qëndrimi që mbahet sot.